Politikë

Fundi me Partinë e Lirisë, Braimllari largohet si kreu i këshilltarëve të PL në Këshillin Bashkiak: Do jem i pavarur

Në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar të Partisë ë Lirisë, që u mbajt më 1 tetor 2024, ‘u vulos’ përjashtimi i Braimllarit.

M.M
Fundi me Partinë e Lirisë, Braimllari largohet si kreu i
Endrit Braimllari

TIRANË- Kryetar i grupit të këshilltarëve të Partisë së Lirisë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Endrit Braimllari është përjashtuar nga kjo parti nga kryetari i saj, Ilir Meta. Pas debateve të vazhdueshme mes mbështetësve të Monika Kryemadhit dhe të Ilir Metës, në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar të Partisë së Lirisë, që u mbajt më 1 tetor 2024, ‘u vulos’ edhe përjashtimi i Braimllarit.

Gjithashtu pas përjashtimit Braimllari ka kërkuar largimin e tij nga posti si kryetar i grupit të këshilltarëve të Partisë së Lirisë në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Tashmë, ai do të veprojë si këshilltar i pavarur.

“Të nderuar, në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar të Partisë së Lirisë, e mbajtur më datë 1 Tetor 2024, është marrë vendimi mbi përjashtimin tim nga kjo strukturë politike. Në kushtet e përjashtimit nga Partia e Lirisë, kërkoj të zbatoni vendimin mbi largimin si kryetar i grupit të këshilltarëve të Partisë së Lirisë në Këshillin Bashkiak Tiranë. Njëkohësisht, pozicionimin tim si këshilltar i pavarur në Këshillin Bashkiak Tiranë. Nga ky moment do të jem këshilltar i pavarur, në mbrojtje të interesit qytetar për të krijuar shanse dhe mundësi për qytetarët e Tiranës. Ju uroj punë të mbarë, ANËTAR I KËSHILLIT BASHKIAK TIRANË- ENDRI BRAIMLLARI,”-shkruan Braimllari.

Endrit Braimllari është konsideruar gjithmonë si një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Monika Kryemadhit. Ai u dorëhoq nga funksionet që kishte në Partinë e Lirisë me kryetarin Ilir Meta. Prillin e kaluar, por ai u zgjodh anëtar i Kryesisë me 156 vota në Konventën e Partisë së Lirisë që u mbajt 27 Prill. Por pak javë më vonë Braimllari u shpreh se kishte bërë disa hapa pas, për ti lënë mundësi Ilir Metës në cilësinë e kryetarit që të vendoste në zbatim planin e tij, të riorganizimit të partisë. Braimllari nuk ka komentuar asnjëherë raportin me Metën apo deklaratat e tij ku ka folur për një "tradhëtar" brenda kupolës drejtuese të PL-së. Edhe Meta nga ana e tij, edhe pse ka përmendur shumë epitete të ngjashme me atë të "tradhëtarit" kurrë nuk përmendi emra konkretë./ ZËRI

Poll

MOS HUMB