Politikë

Skandali me kreditë e këqija, Manja: Gati ndryshimet ligjore për përmbarimin privat!

Sipas Manjës, me ligjin e ri synohet që forcohen mekanizmat e kontrollit dhe monitorimit të Ministrisë së Drejtësisë mbi përmbaruesit privatë, që janë akuzuar edhe nga Prokuroria e Tiranës se kanë abuzuar me pushtetin e tyre.

k.m.
Skandali me kreditë e këqija, Manja: Gati ndryshimet ligjore për
Ulsi Manja

TIRANË- Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka lajmëruar sot se ka gati draftin për ndryshimet ligjore lidhur me kreditë e këqija. Në një prononcim për mediat, ministri Manja tha se ndryshimet do të hidhen për konsultim në publik, e më pas të kalojë në Kuvendin e Shqipërisë për t'u miratuar. Por sërish nuk ka dhënë asnjë datë. Sipas Manjës, me ligjin e ri synohet që forcohen mekanizmat e kontrollit dhe monitorimit të Ministrisë së Drejtësisë mbi përmbaruesit privatë, që janë akuzuar edhe nga Prokuroria e Tiranës se kanë abuzuar me pushtetin e tyre.

Gjithashtu, në fjalën e tij, Manja u shpreh se të gjitha llogaritë bankare që ishin të bllokuara, tashmë janë liruar.

"Në aspektin e trajtimit institucional dhe ligjor e konsideroj të tejkaluar këtë proces. Ka një grup pune që funksionon dhe mblidhet pothuajse çdo javë me bankën e Shqipërisë, ekspertë të ministrisë dhe zyrës së kryeministrit. Është përcaktuar një plan veprimi i qartë se si t’i shmangemi këtij fenomeni, nuk janë përmasat e atij fenomeni që është thënë në media. Kemi bërë gati ndryshimet ligjore për shërbimin përmbarimor privat. Ja kemi dërguar Dhomës Kombëtare të Përmbarimit Privat, nuk e kemi hedhur ende për konsultim publik. Sa na takon ne si Ministri e Drejtësisë, mendojmë një paketë ndryshimesh në atë ligj, për të forcuar mekanizmat e kontrollit dhe monitorimit të Ministrisë së Drejtësisë mbi këtë shërbim publik. Të gjitha llogaritë bankare të bllokuara në këtë proces, janë zhbllokuar tashmë në një bashkëpunim që kemi pasur me Prokurorinë e Tiranës. Nuk ka asnjë llogari bankare të bllokuar. Pasuritë kanë një procedurë tjetër,"- tha në fjalën e tij Ulsi Manja.

Po ashtu, edhe Banka e Shqipërisë ka përgatitur disa ndryshime në rregulloren “Për administrimin e rrezikut në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka”. Në rregullore parashikohet se një institucion financiar jobankë nuk do të lejohet të japë në të njëjtën kohë më shumë se dy kredi konsumatore për të njëjtin huamarrës. Po ashtu, do të ketë një vlerë tavan të kësteve të kredisë në raport me të ardhurat mujore neto të huamarrësve. Vlera e raportit të shërbimit të borxhit kundrejt të ardhurave nuk duhet të tejkalojë vlerën prej 40%. Kjo vlerë mund të jetë më e lartë vetëm në rastet kur kredimarrësi ka evidenca të mjaftueshme që niveli më i lartë i raportit nuk cënon pagesën e detyrimeve të kredisë. Pra, projektrregullorja parashikon gjithashtu edhe kërkesa më të detajuara dhe rigoroze të administrimit të rrezikut mbi huadhënien konsumatore.

Prej muajsh tashmë, ZËRI ka denoncuar, denoncon dhe grumbullon dëshmi të viktimave që ranë pre e njoftimeve grackë për të marrë kredi në zyra. Këto zyra përmes njoftimeve online dhe në televizione, krijuan një perceptim të gabuar te qytetarët se ishin njësoj si bankat e tjera. Në fakt, në realitet këto zyra japin kredi shpejt dhe me norma përtej normales. Pa asnjë filtër, këto institucione iu japin qytetarëve kredi në situata që ata nuk munden dot kurrsesi ti paguajnë. Këtu nisi dhe kalvari i abuzimeve. Kreditë e këqija, përfshirë dhe ato të bankave iu shitën MCA. Tashmë çështja është në duart e SPAK dhe kutia e "Pandorës" pritet të hapet. Ky skandal, deri më tani ka marrë 2 jetë njerëzisht. Njëri ishte Pal Trashaj, i cili u vetëflijua para ambienteve të SPAK, ndërsa nga një godinë në ndërtim u hodh Olsi Ibro, i cili ishte një nga pronarët e MCA./ZËRI

Poll

MOS HUMB