Politikë

''Në vend të vesh vetullat, nxjerr sytë''/ Rektori i Universitetit të Tiranës kundër ministrisë për Shkencën. Gjinushi 'pro'

Në fjalën e tij, rektori Hoxha u shpreh se propozimet e bëra janë mbivendosje në ligjin për arsimin e lartë, e po ashtu shtoi se propozimet janë në kundërshtim me Kushtetutën.

k.m.
''Në vend të vesh vetullat, nxjerr sytë''/
Pamje nga Komisioni

TIRANË- Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha i ka dalë kundër projektligjit ‘Për Shkencën dhe kërkimin shkencor’, i cili u prezantua nga qeveria vetëm pak javë më parë. Në takimin e sotëm në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, mori pjesë vetë rektori, por edhe kreu i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi. Në fjalën e tij, rektori Hoxha u shpreh se propozimet e bëra janë mbivendosje në ligjin për arsimin e lartë, e po ashtu shtoi se propozimet janë në kundërshtim me Kushtetutën. Kështu kërkoi që Kuvendi i Shqipërisë të mos e kalojë në seancë plenare, të paktën jo pa i bërë disa rregullime dhe qartësime në disa nga nenet e ligjit. Në të kundërt, shtoi ai, ligji nuk gjen asnjë zgjidhje, përkundrazi do të krijojë anomali. 

Mendim të kundërt me Hoxhën ka pasur Gjinushi. Në fjalën e tij, kreu i Akademisë së Shkencave tha se pretendimet e Hoxhës se më këtë projektligj i zhvlerësohet roli universiteteve në kërkimet shkencore, nuk qëndron. Por megjithatë shton se është i hapur për ndryshime në ligj dhe pret propozimet e Komisioneve të tjera, tek të cilat duhet që të kalojë projektligji para se të dërgohet për votim në Kuvendin e Shqipërisë.

PJESË NGA KOMISIONI:

Artan Hoxha: Liria e kërkimit shkencor janë të garantuara për të gjithë, pra supozohet se ligji për shkencën nuk duhet të ketë korniza. Dua të them që nga konstatimet në projekt, nuk janë të konsultuara, e rëndojnë lirinë akademikë dhe të kërkimit shkencor. Ky projekt bie ndesh me Kushtetutën dhe me direktivën e 2016. Vendi më i rëndësishëm në çdo shtet ku zhvillohen kërkimet janë universitetet. Nuk ka qenë e lehtë për arsimin e lartë, kemi kritika dhe autokritika, por sot mund të themi që ka kontribute. Janë mbi 5000 profesorë që kontribuojnë për vendin, pa marrë në konsideratë këtu kontributin e studentëve. I gjithë ky kontribut, i gjithë ky potencial, nënvlerësohet. Duket sikur gjendet shpëtimi nga struktura të tjera. Nuk jemi kundër, por nuk është ligji për të kaluar në seancë plenare. Ligji është shumë i hapur në rregullime me akte nënligjore që në eksperiencën për ligjin e arsimit të lartë na kanë treguar që përmbajnë rrezikshmëri të lartë të kuptimit të normave juridike që lidhen jo vetëm me vullnetin juridik, se mund të jemi të përkëdhelur në këtë qeverisje, por... Njoh shumë mirë ligjin, unë po themqë është projektligj deklarativ, pra nuk zgjidh asgjë. Nuk na thuhet se kush janë modelet. Mund të jetë ligji slloven, ky ligj që ka mbi 100 e ca norma është i Bashkimit Europian. Ligji na tregon sesi nuk duhet bërë ligji, ruan në mënyrë koncize të gjitha parimet e BE-së. Universiteti ka rol parësor. Kthimi pas duhet të ketë arsye shumë të forta. Ky projektligj nuk i realizon nevojat që ka shoqëria shqiptare. Krijon një situatë që populli thotë në vend të vesh vetullat, nxjerr sytë. Në vend që të bënim një rregullim për shkencën, do krijonim anomali. Ne ju kemi dërguar paraprakisht. Ne kemi kërkuar pezullimin e procedurave parlamentare, kemi çuar 24 faqe me problematikën tonë. Nuk ka këtu të fituar apo të humbur. Këtu ka një ligj të mirë për shkencën që i shërben Shqipërisë. Nxitimi në miratim do ishte një gabim me pasoja që nuk do i dëgjojmë sot, por pasi disa kohës. Projektligji i mbivendoset ligjit për arsimin e lartë.

Skënder Gjinushi: Ulja e rolit të universitetit nuk qëndron. Ne kemi ndikuar që të ketë këshill kombëtar. Kemi insistuar që ky ligj nuk përplaset as me ligjin e ASH dhe as me ligjin e arsimit të lartë. Duhet që të ketë mospërplasje me ligjet e tjera. Interferime do të ketë. Duhet parë edhe në tekst ku krijohen keqkuptime. Ligji as nuk ngre dhe as nuk ul rolet e institucioneve. Institutet e kërkimet numërohen me gishtat e dorës. Nuk ka qëllim ky ligj që të ulë apo të ngrejë rolin e të tjera institucioneve. Këto aludime unë nuk i pranoj! Kryesoja është nën financim, por kemi besimin se Komisioni i Ekonomisë do të na dëgjojë. Po të kishte probleme me Kushtetutën, të jenë të qartë se ku interferohet dhe ku jo.

Në Shqipëri projektligji “Për Shkencën dhe kërkimin shkencor” i hedhur për konsultim publik nga qeveria po ngjall diskutime mes studiuesve dhe autoriteteve zyrtare. Qeveria synon ta fusë kërkimin shkencor në një kornizë të re ligjore dhe të zgjerojë subjektet që mund të kryejnë kërkimin shkencor përmes një projektligji “Për shkencën dhe kërkimin shkencor”. Një prej pikave më të debatueshme të projektligjit lidhet me krijimin e Këshillit Kombëtar të Shkencës me 14 anëtarë, pesë ministra, nën drejtimin e Kryeministrit. Kritikët thonë se në këtë mënyrë po i zbehet roli që duhet të kenë universitetet në kërkimet shkencore. Por, autoritetet zyrtare thonë se Këshilli Kombëtar për Shkencën ka rol këshillimor dhe se qeveria përmes tij tregon rëndësinë që po i kushton kërkimit shkencor, me qëllim për ta kthyer atë në shërbim të fushave të ndryshme të jetës në vend. Kërkimi shkencor në Shqipëri ka një buxhet prej 5.5 milionë euro, që zë vetëm 0.08% të PBB. Zyrtarët thonë se synojnë ta rrisin në 1% në vitin 2030, ndërkohë mesatarja e buxhetit të vendeve të BE për kërkime shkencore është 3%./ZËRI

Poll

MOS HUMB