Politikë

Ishte vetë administrator, kur u bë kryebashkiak i dha leje ndërtimi/ SPAK akuzon për shpërdorim detyre, ish-kryebashkiakun e Pogradecit

Gjatë hetimeve, SPAK ka zbuluar se të gjithë zyrtarët kanë lejuar kryerjen e punimeve të një pallati 14-katësh nga kompania "Gedi shpk", edhe pse ishte në kundërshtim me ligjin.

k.m.
Ishte vetë administrator, kur u bë kryebashkiak i dha leje
Eduart Kapri

TIRANË- Eduart Kapri, ish-kreu i Bashkisë së Pogradecit është vendosur nën akuzë nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kapri, së bashku me Besjan Meço, në cilësinë e Juristit të Bashkisë Pogradec; Besmira Niko, në cilësinë e Specialistes pranë Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë Pogradec; akuzohen për "shpërdorim detyre". Gjatë hetimeve, SPAK ka zbuluar se të gjithë zyrtarët kanë lejuar kryerjen e punimeve të një pallati 14-katësh nga kompania "Gedi shpk", edhe pse ishte në kundërshtim me ligjin. Kompania kishte administrator Gëzim Kaprin, vëllain e ish-kryebashkiakut. Në njoftimin e ndarë për mediat, SPAK bën me dije se në vitin 2009, kompania "Gedi sh.p.k.," kishte marrë një leje ndërtimi nga Bashkia Pogradec, për ndërtimin e një kompleksi banimi. Leja ishte dhënë për 1 kat nëntokë, 2 kate ambiente shërbimi + 9 kate ambiente banimi. Asokohe (pra në vitin 2009), administrator i kësaj shoqërie ishte vetë Eduart Kapri. 

Afati për lejen e ndërtimeve ishte dhënë deri në vitin 2014, por kompania kishte kërkuar shtyrje të afatit, kërkesë që ishte refuzuar nga ana e Bashkisë. Nga ana e kompanisë ishte bërë ankesë pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, por paralelisht Kapri ishte zgjedhur në krye të Bashkisë së Pogradesit. Tashmë me postin e ri, Kapri lejoi jo vetëm përfundimin e punimeve të pezulluara, por dhe shtesë në ndërtim.

"Ky ndërtim u lejua në kundërshtim me nenet 40 dhe 48 të ligjit 107/2014 “Për planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit”, i ndryshuar, nenit 66 të Kodit të Procedurës Administrative, në shkelje të vendimit nr.43, datë 26.01.2015, të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Korçë, duke krijuar kështu përfitime materiale të padrejta për shoqërinë “Gedi” sh.p.k. pasi u shtua sipërfaqja ndërtimore me dy kate. Për më tepër dhënia e këtij vendimi është bërë në kushtet e konfliktit të hapur të interesit, nga ana e të pandehurit Eduart Kapri,"-njofton SPAK.

NJOFTIM PËR SHTYP:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, sot më datë 14.10.2024, ka përcjellë pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar “Kërkesën për dërgimin e çështjes penale për gjykim” të procedimit penal nr.181/2023, në ngarkim të të pandehurve: Eduart Kapri, në cilësinë e ish- Kryetarit të Bashkisë Pogradec; Besjan Meço, në cilësinë e Juristit të Bashkisë Pogradec; Besmira Niko, në cilësinë e Specialistes pranë Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë Pogradec; duke i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 dhe 25 të Kodit Penal.

Procedimi penal i lartpërmendur është regjistruar mbi bazën e akteve të ardhura për kompetencë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm të Shkallës së Parë Korçë.

Në përfundim të hetimeve, pas grumbullimit të provave dhe pas analizës ligjore të kryer, rezulton se është dokumentuar fakti penal, se me veprimet dhe mosveprimet e tij, shtetasi Eduart Kapri, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Pogradec, në bashkëpunim me shtetasit Besmira Niko dhe Besjan Meço, kanë lejuar kryerjen e punimeve në kundërshtim me dispozitat ligjore, të objektit pallat 14 katësh, nga shoqëria Gedi sh.p.k., (me administrator shtetasin Gëzim Kapri, vëllain e shtetasit Eduart Kapri), në qytetin e Pogradecit.

Rezulton se në vitin 2009, subjekti Gedi sh.p.k., kishte marrë një leje ndërtimi nga Bashkia Pogradec, për ndërtimin e Objektit “Kompleks Banimi dhe Shërbimi”, 1 kat nëntokë + 2 kate ambiente shërbimi + 9 kate ambiente banimi, në lagjen nr.3 të qytetit Pogradec. Në atë kohë administrator i shoqërisë Gedi sh.p.k., ishte shtetasi Eduart Kapri.

Në kushtet kur Bashkia Pogradec, i’a kishte refuzuar zgjatjen e afatit të kësaj leje ndërtimi, për shkak se afati për përfundimin e punimeve ishte data 09.12.2014 dhe kërkesa e subjektit ndërtues ishte depozituar me shkrim në datë 05.11.2014 (jashtë afateve ligjore ta parashikuara nga ligji 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, dhe kur çështja ndodhej ende për gjykim pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, Kryetari i Bashkisë Pogradec, tashmë shtetasi Eduart Kapri, me vendimin nr. 99, datë 31.03.2016, me objekt “Leje për rishikim të kushteve të lejes”, lejoi jo vetëm përfundimin e punimeve të pezulluara, por dhe ndërtimin e një objekti 14 katësh, në rrugën “Reshit Çollaku”, Pogradec, nga shoqëria ndërtuese “Gedi” sh.p.k, me administrator vëllain e tij, shtetasin Gëzim Kapri.

Ky ndërtim u lejua në kundërshtim me nenet 40 dhe 48 të ligjit 107/2014 “Për planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit”, i ndryshuar, nenit 66 të Kodit të Procedurës Administrative, në shkelje të vendimit nr.43, datë 26.01.2015, të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Korçë, duke krijuar kështu përfitime materiale të padrejta për shoqërinë “Gedi” sh.p.k. pasi u shtua sipërfaqja ndërtimore me dy kate. Për më tepër dhënia e këtij vendimi është bërë në kushtet e konfliktit të hapur të interesit, nga ana e të pandehurit Eduart Kapri.

Vitin e shkuar, Kapri akuzohej nga SPAK për abuzim me tendera, por GJKKO në vendimin e saj e ka shpallur ish-kryebashkiakun demokrat të pafajshëm. GJKKO vendosi që Kapri dhe 5 vartësit e tij Avdulla Cano, Enkeleida Kllomollari, Nexhmi Torra, Gurali Blaceri dhe Safet Blaceri të shpallen të pafajshëm. SPAK vendimin e GJKKO e ka ankimuar në Apelin e Posaçëm. Prokuroria kërkon dënimin e tij me burg, por gjithashtu edhe heqje e të drejtës për të ushtruar funksione publike.

Ish-kryebashkiaku akuzohej nga SPAK për abuzim me tenderin për blerjen e druve të zjarrit me vlerë 9.2 mln lekë në vitin 2017, kur Kapri drejtonte Bashkinë e Pogradecit. Por për këtë çështje, SPAK i ka mbyllur hetimet edhe pse fillimisht e akuzonte Kaprin se në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Enkeleida Kllomollari, Nexhmi Torro dhe Avdulla Cano abuzuan me tenderin me vlerë 9.2 milion lekë për blerje dru zjarri në vitin 2017, duke favorizuar një prej kompanive që garonte./ZËRI

Poll

MOS HUMB