
BERLIN- Kryeministri shqiptar Edi Rama gjatë një interviste për agjencinë “Reuters” nga Berlini ka folur edhe për çështjen e emigrantëve ku ka përjashtuar çdo mundësi që marrëveshja me Italinë, të bëhet edhe me ndonjë shtet tjetër, përfshirë edhe Gjermaninë. Në intervistën e tij, Rama u shpreh se Shqipëria kishte një marrëveshje me Italinë për të pranuar refugjatët, pasi kështu ndihmon në frenimin e emigracionit të parregullt në vendet e Bashkimit Europian.
I pyetur nëse një marrëveshje e tillë ishte e mundur edhe me Gjermaninë, ai tha se aktualisht Shqipëria nuk ka kapacitet të mjaftueshëm, por shtoi se vendet e Ballkanit Perëndimor mund të shihen si një zgjidhje për këtë fenomen.
"Është një fenomen me të cilin Europa duhet të përballet më mirë shpejt sesa vonë. Duhet të kemi një politikë dhe një strategji të përbashkët e të mos lëmë që kjo çështje të bëhet çështje e përditshme e nxitjes së frikës në çdo vend për të marrë vota. Gjermania duhet të gjejë një partner tjetër sepse Shqipëria ka lidhje me Italinë dhe nuk mund ta bëjë këtë me të gjithë, ndërsa të tjerët mund të përfshihen. Edhe nëse Gjermania gjen një partner tjetër në rajon do të ishte mirë të shihej nëse funksionon me të njëjtën mënyrë sepse e përsëris; është gjeografia. Ata nuk do të ndalen në Itali, por do të vazhdojnë të ndalen në bregun e Shqipërisë dhe në Ballkan. Pra, Ballkani është një vend shumë strategjik, shumë i rëndësishëm,"-tha në fjalën e tij Rama.
Po ashtu, kryeministri shqiptar Edi Rama foli edhe për një marrëveshje e zgjeruar e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Sot, kancelari gjerman Olaf Scholz ka mbledhur për bisedë Shqipërinë, Bosnjën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë në të dhjetën e të ashtuquajturave negociata të Procesit të Berlinit që u nisën në 2014 me synimin për të integruar rajonin në politika më të përputhshme me BE-në./ZËRI