
ELBASAN- Gjykata e Elbasanit vendosi të shtyjë deri më 11 nëntor 2024 seancën për ish-kryebashkiakun e Kukësit, Safet Gjici. Në seancën e sotme, gjyqtarja Suela Lika ka kërkuar që raporti mjekësor i depozituar në gjykatë mbi gjendjen e Gjicit nga avokati i tij, t’i nënshtrohet një verifikimi për vërtetësinë. Ndaj edhe i ka kërkuar avokatit mbrojtës, Markeljan Jançe që të sjellë në seancën e radhës të gjitha kartelat mjekësore të klientit të tij që nga koha e paraburgimit dhe deri më tani. Kjo pasi gjithë kohës, Gjici ka pretenduar se ka vuajtur nga probleme të shumta shëndetësore.
Sipas kërkesës që u bë publike edhe për mediat, Gjiçi ka argumentuar se ka përfunduar 3/4 e kohës së dënimit, përfshirë dhe kohën e paraburgimit.
"Gjici ka vuajtur 1 vit e 9 muaj. I kanë mbetur 1 vit e dy muaj. Për shkak të gjendjes shëndetësore kërkojmë qëndrim në shtëpi të Gjicit,"-tha avokati mbrojtës i ish-kryebashkiakut. Avokatët në kërkesën e tyre janë bazuar në nenin 59/a pika c e Kodit Penal sipas të cilit, për dënime të mbetura nën dy vite mund të lejohet qëndrimi në shtëpi për shkaqe shëndetësore.
Gjithashtu shtoi se duhet që të linte qelinë pasi nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe kishte 2 javë që qëndronte në spitalin e burgut. Përveç Gjykatës, edhe Prokuroria kërkon informacion shtesë nga IEVP për të gjitha trajtimet mjekësore dhe vlerësimin e Institutit të Mjekësisë Ligjore sa i përket Gjicit.
Por ky nuk ishte problemi i vetëm në këtë seancë? Duke qenë se pretendoi se ishte në gjendje jo të mirë shëndetësore, Gjici kërkoi që të përfaqësohej nga avokati i tij. Por gjyqtarja Suela Lika ndërpreu për disa minuta seancën ndaj Safet Gjicit për shkak të disa përplasjeve në dokumentacion. Avokati pretendon se Gjici ndodhet në spital ndërkohë transferimin e ka në burgun Kosovë në Lushnje, shkesa e ish-kryebashkiakut për përfaqësim nga avokati vjen nga Institucioni për Vuajtjen e Dënimit në Durrës. IEVP Durrës. Në këto kushte, Gjykata kërkon që të saktësojë vendndodhjen e Gjicit, ku po e kryen dënimin, në Kosovë apo në Durrës?
Safet Gjici u dënua më datë 7 shkurt të këtij viti nga shkalla e parë me 3 vite burg, në aplikim të gjykimit të shkurtuar në 2 vite, nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Safet Gjici u vu në pranga fillimisht i akuzuar për "korrupsion pasiv", pasi dyshohet se ka favorizuar Alma Kaçin, duke i ofruar mbështetje financiare, me vendim të Këshillit Bashkiak, mbi një projekt për strehimin dhe kujdesin ndaj qenve endacakë në qytet./ZËRI