
TIRANË- Ish-kryetari i Bashkisë Pogradec, Eduart Kapri duket se nuk i ka mbyllur dosjet në SPAK. Vetëm pak kohë pasi u shpall i pafajshëm pasi akuzohej për abuzim me tenderin e druve, tani i është hapur një dosje tjetër. "Top Channel" ka mësuar se Kapri është marrë i pandehur sërish dhe ndaj tij është ngritur akuza e shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim me dy punonjës të tjerë të bashkisë së Pogradecit.
Kësaj here ka dyshime se Kapri ka tejkaluar zgjatjen e afatit të një lejeje, për të cilën nga afati deri në 2015 është shtyrë për 2 vite të tjera.
Vitin e shkuar, Kapri akuzohej nga SPAK për abuzim me tendera, por GJKKO në vendimin e saj e ka shpallur ish-kryebashkiakun demokrat të pafajshëm. GJKKO vendosi që Kapri dhe 5 vartësit e tij Avdulla Cano, Enkeleida Kllomollari, Nexhmi Torra, Gurali Blaceri dhe Safet Blaceri të shpallen të pafajshëm. SPAK vendimin e GJKKO e ka ankimuar në Apelin e Posaçëm. Prokuroria kërkon dënimin e tij me burg, por gjithashtu edhe heqje e të drejtës për të ushtruar funksione publike.
Ish-kryebashkiaku akuzohej nga SPAK për abuzim me tenderin për blerjen e druve të zjarrit me vlerë 9.2 mln lekë në vitin 2017, kur Kapri drejtonte Bashkinë e Pogradecit. Por për këtë çështje, SPAK i ka mbyllur hetimet edhe pse fillimisht e akuzonte Kaprin se në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Enkeleida Kllomollari, Nexhmi Torro dhe Avdulla Cano abuzuan me tenderin me vlerë 9.2 milion lekë për blerje dru zjarri në vitin 2017, duke favorizuar një prej kompanive që garonte./ZËRI