Politikë

10 vjet nga Procesi i Berlinit, Scholz mbledh liderët e Ballkanit në Gjermani

Sipas agjendës së publikuar, në orën 09:30, kancelari Scholz do të presë zyrtarisht përfaqësuesit dhe më pas në orën 10:00 do të bëhet hapja zyrtare e Samitit të Berlinit

I.F
10 vjet nga Procesi i Berlinit, Scholz mbledh liderët e Ballkanit në
Edi Rama dhe Olaf Scholz

BERLIN- Liderët e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen sot në Gjermani për 10-vjetorin e nismës së Porcesit të Berlinit. Ky takim do të mbahet nga kancelari gjerman Olaf Scholz, ku përveç liderëve të Ballkanit Perëndimor do të jenë të pranishëm edhe ata evropianë, si dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Në këtë takim vendi ynë do të përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama. po ashtu do të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të 5 vendeve tjera ballkanike.

Sipas agjendës së publikuar, në orën 09:30, kancelari Scholz do të presë zyrtarisht përfaqësuesit dhe më pas në orën 10:00 do të bëhet hapja zyrtare e Samitit të Berlinit, po nga kancelari. Pritet që disa marrëveshje të nënshkruhen gjatë sesionit të dytë të takimit.

Gjithashtu pritet që liderët të mbajnë një konferencë për shtyp rreth orës 14:00, pas drekës. Deri më tani bëhet me dije se Scholz dhe Von der Leyen do të flasin rreth arritjeve të Samitit, por nuk ka informacion nëse krerët shtetërorë do të mbajën konferenca të tjera për shtyp, për të folur rreth qëllimeve të tyre.

Në qendër të samitit qëndron nënshkrimi i një marrëveshjeje që përfshin shkëmbimin e studentëve dhe lehtësimin e qasjes në institucionet arsimore të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo marrëveshje synon të thjeshtojë njohjen reciproke të kualifikimeve akademike dhe diplomave universitare, duke lehtësuar mobilitetin e studentëve dhe mundësitë e tyre për të studiuar në universitetet e vendeve të tjera të rajonit.

Gjithashtu, pritet të miratohet një plan i ri veprimi për Tregun e Përbashkët Rajonal, i cili synon të harmonizojë standardet sociale dhe të punës, si dhe të lehtësojë qarkullimin e mallrave, shërbimeve dhe njerëzve brenda rajonit. Burime nga qeveria gjermane kanë raportuar se një çështje tjetër që do të diskutohet është zhbllokimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), që pritet të përforcojë më tej bashkëpunimin tregtar në rajon.

Samiti i fundit i Proçesit të Berlinit u mbajt në Tiranë më 16 tetor 2023, kjo shënoi herën e parë që ky samit u mbajt jashtë vendeve të Bashkimit Europian. Asokohe u nënshkrua marrëveshja për njohjen e kualifikimeve profesionale të infermierëve, veterinerëve, farmacistëve dhe mamive në kontekstin e marrëveshjes së tregtisë së lirë të Evropës Qendrore, (CEFTA). Po ashtu u arrit marrëveshja e 'Roaming', ku prej datës 1 Tetor 2023, çmimet e “Internetit Roaming” mes Europës dhe Ballkanit Perëndimor u ulën mesatarisht deri në 99%. /ZËRI

Poll

MOS HUMB