Politikë

Dita e 5-të! Ish të përndjekurit politikë në grevë urie: Jemi të vendosur, këtu do rrimë derisa të na plotësohen kërkesat

Një prej tyre tregon se merr vetëm 200 mijë lekë të vjetra pension në muaj, nga të cilat, 120 i shkojnë për të paguar qeranë pasi për shkak të kohës që ka kaluar në burg nuk ka arritur dot që të krijojë familje.

k.m.
Dita e 5-të! Ish të përndjekurit politikë në grevë
Pamje nga greva e urisë

TIRANË- Janë vetëm 6 persona por sërish kanë vendosur që të protestojnë për të drejtat e tyre. Ish të përndjekurit politikë, kanë ngritur një çadër disa metra larg Kuvendit të Shqipërisë. Edhe pse janë të paktë në numër, vetëm 6 të moshuar, kanë qëndruar për 5 netë në këtë çadër dhe deklarojnë se nuk do të tërhiqen derisa qeveria të plotësojë kërkesat e tyre. Ndërkohë që dita e 5-të e grevës së urisë vijon, ata janë shprehur për mikrofonin e "News24" se janë lënë pa përkrahje monetare dhe kanë hasur në vështirësi si nga ana financiare, ashtu edhe nga ana shëndetësore.

Një prej tyre tregon se merr vetëm 200 mijë lekë të vjetra pension në muaj, nga të cilat, 120 i shkojnë për të paguar qeranë pasi për shkak të kohës që ka kaluar në burg nuk ka arritur dot që të krijojë familje.

RRËFIMET E GREVISTËVE:

Dita e 5-të! Ish të përndjekurit politikë në grevë
Pamje nga greva e urisë

Grevisti i parë: Gjendja ime është po njësoj por nuk i lë dot shokët vetëm. Në spital isha më bënë gjilpëra dhe më liruan pak.Do rri këtu derisa të marrim të drejtat tona. Ne kërkojmë pension suplementar, edhe statusin e kërkojmë. Unë kam bërë 8 vite burg. Edhe prapë akoma e ndjej veten sikur jam në burg. Nuk kam as fëmijë, asgjë. Jam me qera, marr pension qesharak, me atë pension paguaj qeranë, marr ilaçet. Nuk më del. Unë marr vetëm pensionin nga shteti shqiptar. Pensioni im është 200 mijë lekë. 120 mijë lekë kam qeranë. Unë pa ilaçet nuk rri dot. Unë jam nga Elbasani. Po mos kem ilaçet, unë mbaroj. Do rri këtu derisa të na plotësohen kërkesat tona. Po ishim të vendosur ne, do na i plotësojnë kërkesat. Në dorën e zotit jemi...

Grevisti i dytë: Nga nata në natë gjendja përkeqësohet. Nata bën të vetën, ambienti por i kemi hyrë kësaj rruge dhe do e çojmë deri në fund. Ne derisa kemi hyrë këtu, pa një grevë nuk fitojmë dot. Shpresojmë që do të vënë dorën në zemër, nuk dalim nga qejfi. Kemi bërë herë pas here greva. Kemi shokë që kanë qejf të vijnë por janë shumë të sëmurë, janë me karroca, invalida. I bëj thirrje qeverisë që t'i shohë gjërat dhe të mos na lëjë të vuajmë. Nuk e ka vënë ujin në zjarr askush. Deri tani akoma nuk kemi asnjë lajm. Jemi të vendosur do të rrimë këtu derisa të marrim një përgjigje pozitive.

Grevisti i tretë: Ne nuk kërkojma asgjë tjetër vetëm atë që thotë ligji. Nuk na ka dhënë gjë njeri, i kemi marrë me protesta.

Por edhe pse kanë disa ditë që qëndrojnë jashtë Kuvendit të Shqipërisë, pranë tyre nuk kanë shkuar as përfaqësues të qeverisë, e as të opozitës./ZËRI

Poll

MOS HUMB