Politikë

Berisha sot në SPAK, PD sërish protestë para Prokurorisë së Posaçme

Sipas një njoftimi të shpërndarë për demokratët, iu bëhet thirrje që protestuesit të mblidhen sërish para SPAK në orën 09:30.

I.F
Berisha sot në SPAK, PD sërish protestë para Prokurorisë
Sali Berisha

TIRANË- Partia Demokratike ka bërë thirrje për një protestë tjetër para Prokurorisë së Posaçme sot, pasi pritet që kryedemokrati Sali Berisha të paraqitet sërish në ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Sipas një njoftimi të shpërndarë për demokratët, iu bëhet thirrje që protestuesit të mblidhen sërish para SPAK në orën 09:30.

“Te dashur miq. Diten e Hene eshte data e radhes e percaktuar per tu parqitur Kryetari i PD Prof Dr Sali Berisha ne SKAP. Ndaj ne ora 9:30 perseri te gjithe ne proteste perpara SKAP- it si vegel ne duart e Rames per te perndjekur kundershtaret politik. Faleminderit”, thuhet në mesazhin e shpërndarë me strukturat e PD.

Hetimet për dosjen Partizani kanë nisur në vitin 2020, dhe në aktakuzën e SPAK, dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai e akuzojnë ish-kryeministrin Berisha për veprën penale të "korrupsionit pasiv" të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Sipas SPAK, Berisha ka ndryshuar ligje, dhe ka ushtruar presion mbi vartësit e tij, në mënyrë që ish-kompleksi Partizani t'iu kthehej pronarëve, në mesin e të cilëve do të përfitonte dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.

Në dosjen e SPAK thuhej se dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi është bërë përfaqësues i familjeve që rezultonin pronare të tokës ku ndodhej ish-kompleksi Partizani, përmes prokurave, në të cilat premtohej se do të arrinin objektivat nëse vendosnin vendosur në dispozicion 3-5% të pasurisë së tyre. Përveç dyshes Berisha-Malltezi, nën akuzë janë edhe Fatmir Bektashi, Andja Pustina dhe Xhimi Begeja.

Aktualisht Berisha është në liri, por me masën "detyrim paraqitje", 2 herë në javë. Por SPAK ka kërkuar që kryedemokrati të kthehet në arrest shtëpie duke ankimuar vendimin e GJKKO-së. Ndërkohë SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka ngritur akuzë zyrtare për Berishën, atë të korrupsionit pasiv./ZËRI

Poll

MOS HUMB