Aktualitet

331 ditë në "arrest shtëpie"! Lirohet Sali Berisha

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka revokuar masën e sigurisë për kryedemokratin.

k.m.
331 ditë në "arrest shtëpie"! Lirohet Sali Berisha
Sali Berisha

TIRANË- Pas 331 ditësh, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është tashmë i lirë. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka revokuar masën e sigurisë për kryedemokratin, duke e liruar nga masa "arrest shtëpie". Pas marrjes së vendimit, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar deklaroi se do të ankimojë vendimin e masës së sigurisë ‘arrest shtëpie’ dhënë nga Flojera Davidhi. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka reaguar në lidhje me vendimin për heqjen e masës së sigurisë “arrest në shtëpi” për kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha. GJKKO sqaron se, ka vendosur pranimin e kërkesës së Sali Berishës për rënien e masës së sigurisë. Githashtu në njoftim shtohet se GJKKO ka vendosur dhe revokimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në shtëpi”.

"Nisur nga interesi që ka në publik dhe në media dosja “Partizani”, në ngarkim të të pandehurve Sali Berisha, etj…, ju njoftojmë se: Sot, më datë 27.11.2024 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, bazuar në nenet 228, 229, 230, 237 dhe 260 të K.Pr.Penale ka vendosur pranimin e kërkesës së kërkuesit të pandehurit Sali Berisha dhe revokimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në shtëpi”. Tiranë, më datë 27.11.2024. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar,"-njoftoi GJKKO. 

Pas seancës së sotme, avokati Genc Gjokutaj ka folur për mediat, duke shpjeguar se Gjykata e Posaçme kishte dalë në përfundimin se për ndalimin e Berishës nuk kishte arsye, ndaj nuk kanë lënë në fuqi asnjë masë sigurie ndaj tij. 

“Mbi bazën e kërkesës tonë, sot gjykata revokoi masën që nuk ka as kushte as kritere. Sot Berisha është i lirë dhe pa asnjë masë sigurimi ndaj tij. Nuk mund t’ju relatoj dosjen. Gjykata konstatoi se për zotin Berisha nuk ekzistojnë kushtet apo kriteret për asnjë masë. Prokuroria kërkoi arrestin në shtëpi, por lirimi ishte kërkesa jonë. Kërkesa është bërë këtu pas vendimit të GJK,”- tha Gjokutaj.

Vendimi i sotëm është pritur me eufori tekj demokratët. Pas vendimit për lirimin e Berishës, mbështetësve të Partisë Demokratike u ka shkuar një mesazh në celularin e tyre, i cili i njeh me situatën. Po ashtu në mesazh, mbështetësve u kërkohet që në orën 13:30 të grumbullohen në selinë qëndrore të PD-së, për të pritur Berishën.

“Përshëndetje. Një lajm i mrekullueshëm. Doktor Berisha tashmë i lirë. Në orën 13:30 të gjithë te selia qëndrore e PDSH për të pritur Liderin tonë historik,”- shkruhet në mesazh.

Sali Berisha, kreu i Partisë Demokratike u vendos në arrest shtëpie që prej 30 dhjetorit të vitit që lamë pas. Nga ajo ditë kanë kaluar 331 ditë. Fillimisht, ndaj Berishës ishte caktuar masa "detyrim paraqitje" çdo 2 javë pranë SPAK për shkak se ishte marrë nën hetim për dosjen "Partizani". Por Berisha nuk shkoi kurrë me pretendimin se ishte anti-kushtetues dhe se për një masë të tillë ndaj tij duhet të merrej leje nga Kuvendi i Shqipërisë. Kështu që SPAK kërkoi ashpërsimin e masës. Vendimi për "arrest me burg' u dha nga gjyqtarja e GJKKO-së, Irena Gjoka dy muaj pasi Berisha refuzoi të zbatonte masën e parë të sigurisë. Ndërkohë pavarësisht ankimimeve në gjykatat më të larta, deri sot vendimi i Irena Gjokës për ndryshimin e masës nuk ishte rrëzuar. Ndërsa ky vendim është ankimuar dhe në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Strasburgut. Po ashtu, më 16 dhjetor GJKKO do të vendosë nëse do të kalojë për gjykim dosjen e aferës së privatizimit të ish-kompleksit Partizani.

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbylli hetimet lidhur me çështjen e ish-kompleksit "Partizani". Kështu, dy hetuesit Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai dorëzuan tashmë të përmbyllur dosjen në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bashkë me kryedemokratin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, akuzë penale është ngritur për dy biznesmenët Fatmir Bektashi e Xhimi Begeja, si edhe noteren Andia Pustina.


Hetimet për dosjen Partizani kanë nisur në vitin 2020, dhe në aktakuzën e SPAK, dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai e akuzojnë ish-kryeministrin Berisha për veprën penale të "korrupsionit pasiv" të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Sipas SPAK, Berisha ka ndryshuar ligje, dhe ka ushtruar presion mbi vartësit e tij, në mënyrë që ish-kompleksi Partizani t'iu kthehej pronarëve, në mesin e të cilëve do të përfitonte dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi. Ndërsa ky i fundit, akuzohet për “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë” dhe per “pastrim parash”. /ZËRI

Poll

MOS HUMB