
TIRANË- Partia Demokratike ka bërë thirrje për një protestë tjetër para Prokurorisë së Posaçme ditën e neserme, pasi pritet që kryedemokrati Sali Berisha të paraqitet sërish në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.
Sipas një njoftimi të shpërndarë për demokratët, iu bëhet thirrje që protestuesit të mblidhen sërish para SPAK në orën 09:30.
“Te dashur miq. Diten e Hene eshte data e radhes e percaktuar per tu parqitur Kryetari i PD Prof Dr Sali Berisha ne SKAP. Ndaj ne ora 9:30 perseri te gjithe ne proteste perpara SKAP- it si vegel ne duart e Rames per te perndjekur kundershtaret politik. Faleminderit”, thuhet në mesazhin e shpërndarë me strukturat e PD.
Hetimet për dosjen Partizani kanë nisur në vitin 2020, dhe në aktakuzën e SPAK, dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai e akuzojnë ish-kryeministrin Berisha për veprën penale të "korrupsionit pasiv" të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Sipas SPAK, Berisha ka ndryshuar ligje, dhe ka ushtruar presion mbi vartësit e tij, në mënyrë që ish-kompleksi Partizani t'iu kthehej pronarëve, në mesin e të cilëve do të përfitonte dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.
Në dosjen e SPAK thuhej se dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi është bërë përfaqësues i familjeve që rezultonin pronare të tokës ku ndodhej ish-kompleksi Partizani, përmes prokurave, në të cilat premtohej se do të arrinin objektivat nëse vendosnin vendosur në dispozicion 3-5% të pasurisë së tyre. Përveç dyshes Berisha-Malltezi, nën akuzë janë edhe Fatmir Bektashi, Andja Pustina dhe Xhimi Begeja.
Aktualisht Berisha është në liri, por me masën "detyrim paraqitje", 2 herë në javë. Por SPAK ka kërkuar që kryedemokrati të kthehet në arrest shtëpie duke ankimuar vendimin e GJKKO-së. Ndërkohë SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka ngritur akuzë zyrtare për Berishën, atë të korrupsionit pasiv./ZËRI