
KORÇË- Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale ka zbuluar se në Korçë do të hapet qendra e parë e skive në Shqipëri. Rama tha se ky projekt do ta fus Korçën në hartën evropiane të turizmit të skive. Më tej kryeministri e quajti qytetin si “Parisi i vogël”, ku mijëra turistë kanë qëndruar aty dhe shtoi se në Korçë ka më shumë se 160 bujtina që ofrojnë shërbime.
“Korça bre Korça… Këtë dimër si asnjë dimër, 160 e kusur bujtina. Njëra më e bukur se tjetra, plot e për plot çdo fundjavë, rreth gjysmë milioni vizitorë e turistë që kalojnë të paktën një natë në Parisin e vogël gjatë vitit. Një dekadë më parë mezi kalonin 50 mijë në vit dhe nuk kishte këmbë të huaji.
Ndërkohë që bujtinat numëroheshin me gishta, e mezi marrin veten. Por tani ka ardhur radha e qendrës së parë turistike të skive në Shqipëri një projekt që do ta fusë Korçën në hartën europiane të turizmit të skive dhe do të ndezë një motor të ri me shumë kuaj fuqi në ekonominë e këtij qarku”, tha Rama. /ZËRI