
TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha në konferencën e sotme me gazetarët, foli dhe për mesazhet e publikuara në media, ku pretendohej se Ervin Martinaj komunikonte me Erigers Mihasin, për t’i çuar një shumë parash Gazment Bardhit, të cilat ky i fundit do ti përdorte në fushatë. Berisha tha se është tashmë e provuar që Martinaj nuk ka financuar asnjë fushatë të përfaqësuesve të Partisë Demokratike, ndërsa kërkoi zbardhjen e zhdukjes së tij.
Pjesë nga fjala e Berishës
Askush tjetër përveç fabrikës së trillimeve, fabrikes qeveritare të trillimeve, falsifikimeve, e cila fillon me Skrapin e partisë dhe përfundon me Engjëll Agaçin, një zinxhir i tërë, Taulant Balla me shokë.
Konkretisht duhet një hetim jashtë cdo dyshimi se është makineria e falsifikimit, e trillimit dhe e shpifjeve që punon gjithë ditën nën kupolën qeveritare.
Ai ishte një akt i shëmtuar, por që në pamje të parë dukej se ishte një trillim banal, mjeran.
Tani, si t’ia bëjmë, meqenëse dalin emrat e Taulant Ballës në dhjetëra e dhjetëra telefonata për afera kriminale nga më të rrezikshmet.
Dalin emrat për implikimet e tij në vrasje.
Dalin emrat e tij për nxitje, imagjino ti kur i del Nuredin Dumani, Taos si dëshmitar se nuk është ai që ka kërkuar t’i fusin revoltën në kashtë te Manahasa për t’i arrestuar.
Del Edi Rama me tre telefonata të koduar, një prej tyre të denoncuar publikisht. Del Edi Rama në sallat e gjyqeve të bandave në Belgjikë.
Dalin gjykatës, prokurorë, etj, etj.
Pra, çfarë mund të thuash?
Kurse meqenëse zoti Bardhi, jo vetëm Bardhi i disponon këto, ata i ka kapë tmerri, ndaj dhe donin të nxirrnin se qenka financuar me 100 mijë euro nga Vis Martini.
Dhe u pa shumë qartë se ai ishte një fabrikim që mund të kishte filluar nga Skapi i partisë gjer në zyrat e Edi Ramës.
Unë nuk kam besim që do zbardhet, por rëndësi ka që doli se ai nuk ka financuar kurrë Gazment Bardhin.
E vërteta është se në qoftë se ka një gjë, të cilën drejtësia duhet ta sqarojë, zhdukjen e Vis Martinit të shoqëruar në takimin e fundit me policinë e shtetit.
Të sqarojë nëse ka një lidhje kjo apo jo me zotimin e Edi Ramës se ta dimë targën dhe do e kesh personale.
Ky është moment kyç që duhet hetuar, mendoj unë!
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka deklaruar pak ditë më parë se është shantazhuar përmes disa mesazheve që i janë dërguar në aplikacionin “Signal”. Bardhi u shpreh se një numër i paidentifikuar, që mbante pseudonimin "Mbreti Zog" i ka dërguar disa dokumente duke bashkangjitur dy emra të njohur të botës së krimit, Ervis Martinaj që rezulton i zhdukur dhe Erigers Mihasi që është vrarë.
Në dokumente ishte një bisedë e dalë nga Sky ECC që zhvillohet mes Martinajt dhe Mihasit. Në një pjesë Martinaj shprehet se i ka dërguar 100 mijë euro Bardhit tek Hotel Mondial. Por, sipas kreut të grupit parlamentar të PD-së, këto mesazhe janë të montuara dhe po përdoren për t’i bërë shantazh.
Bardhi shprehet se mesazhet i janë dërguar për ta intimiduar në ushtrimin e detyrës deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe se vijnë pas seancës plenare të datës 12 Shtator 2024, ku gjatë një interpelance me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, publikoi disa biseda të bëra në aplikacionin "SkyECC", në të cilat pretendohej se kreu i Policisë së Shkodrës, Edmond Sulaj, ishte vendosur për të ndihmuar në aktivitetin kriminal të Pëllumb Gjokës. Për këtë gjë, Bardhi ka vënë në dijeni SPAK, Ambasadën Amerikane në Shqipëri, delegacionin e Bashkimit Europian dhe Ambasadën britanike./ZËRI