TIRANË- Në episodin e pestë të podcastit "Flasim", kryeministri Edi Rama foli për rigjallërimin ekonomik dhe turistik të zonave të ndryshme të Shqipërisë. Si shembuj të transformimit, Rama zgjodhi Malësin e Madhe dhe Përmetin.
Sipas Ramës, rreth 10 vite më parë, dy zonat perceptoheshin si vende të largëta, ku kishte pak arsye për të shkuar dhe ku banorët nuk shihnin perspektivë për të ardhmen. Ndërsa sot, kryeminitri thekson se këto dy zona kanë pësuar ndryshime dhe janë shndërruar në destinacione që përfaqësojnë një tjetër imazh të Shqipërisë.
“Duke përgatitur pak minuta më parë këtë episod që është i pesti i sezonit të shtatë të podcastit ‘Flasim’, po mendoja që njëherë e një kohë, por jo 100 vjet përpara, 10 vjet përpara, qoftë Malësia e Madhe, qoftë Përmeti ishin ndër ato pika në hartën e Shqipërisë që dukeshin shumë larg dhe nga ana tjetër, ku dukej për së largu, pa shkuar, që s’kishte asnjë arsye për të shkuar. Kujtova po ashtu që në kohën kur unë nuk isha ende në këtë detyrë dhe për shkak të detyrës që kisha më parë, duhet të bridhja Shqipërinë. Qoftë Malësia, qoftë Përmeti ngjanin si vende pa shpresë, ky kush ishte aty ishte thjesht ende aty, por të nesërmen s’do të ishte më aty. Kush vinte, vinte ose se kishte familjen aty për t’i parë ose se në rastin më të zakonshëm një dasmë ose larg qoftë, një vaki. Sot janë dy destinacione të Shqipërisë së re, Shqipërisë tjetër që kemi ndërtuar me shumë mund ndërkohë që nga bulevardi i Tiranës shumëçka mbulohet me retë artificiale të kanaleve sociale dhe të ekraneve”, tha Rama./ZËRI