TIRANË- "Pasqyra e Çmimeve" dhe ulja e TVSH-së për produktet e shportës kanë qenë në fokus të episodit të sotëm të podcastit “Flasim” të kryeministrit Edi Rama.
Kreu i qeverisë u ndal te paketa e re fiskale, duke bërë të ditur se nga janari i vitit 2027, TVSH-ja për 54 produkte ushqimore do të ulet nga 20% në 6%. Për këtë, Rama theksoi se duhet përgjegjshmëri nga ana e tregtarëve dhe kontrolle e transparencë nga qeveria.
Po ashtu, kryeministri u ndal edhe te "Pasqyra e Çmimeve", një instrument i cili sipas tij, u mundëson qytetarëve të krahasojnë çmimet e 224 produkteve në pikat e shitjes që janë bërë pjesë e kësaj nisme.
“Paketa e re fiskale, një pikë shumë e rëndësishme e saj ishte një pikë që adresonte problematikën e çmimeve të ushqimeve bazë, për të cilat, 54 produkte, Parlamenti me propozim të Qeverisë vendosi të ulë TVSH-në nga 20% në 6%. Por kjo ulje, të mos jetë një ulje që të mbetet relativisht, sepse gjithsesi një ulje do reflektohet, por që të mbetet në shifrat e ligjit, duhet që edhe zbatimi në praktikë të shoqërohet me dije dhe përgjegjshmëri nga tregtarët, por edhe me kontrolle dhe sa më shumë transparencë nga qeveria. Sot ne kemi një instrument shumë të ri që është aktiv, që është pasqyra dixhitale e çmimeve, që gjendet e reflektuar në të gjitha ato pika shitje që e kanë përqafuar këtë iniciativë dhe që raportojnë çmimet e 224 produkteve dhe qytetarët kanë mundësi të bëjnë krahasime. Edhe për klientët e supermarketeve, është e rëndësishme që të shohin në kohë reale njëri-tjetrin”, tha kryeministri Rama.