Aktualitet

Si po promovon Kina vetveten përmes radios, revistës dhe rrjeteve sociale

Një rrjet mediatik i strukturuar, me bazë kryesisht në Kinë, shpenzon para për mbajtjen e një radioje, prodhimin e një reviste, një ueb-sajt, prodhim e shitje përmes sponsorizimit në platformat sociale, të materialeve që ju tregojnë shqiptarëve madhështinë e Kinës, ju promovojnë potencialin ekonomik dhe politik, e po ashtu ju nxisnin skepticizmin ndaj Evropës dhe SHBA-së, duke rikthyer edhe nostalgjinë e marrëdhënies shqiptar-kineze.

Esiona Konomi
Si po promovon Kina vetveten përmes radios, revistës dhe rrjeteve
Radio Ejani

TIRANË- Çfarë radioje është kjo? Nëse stacionohesh në valët 106 MH, mund të shijosh muzikë shqiptare, të dëgjosh histori të ndryshme, dhe sinjali nuk të ndërpritet nëse udhëton rreth Tiranës dhe Durrësit.

Nëse e ke radion thjesht në sfond e nuk thellohesh për të analizuar përmbajtjen me mesazhe të fshehura, nuk do ta kuptosh lehtë se kjo është radioja shtetërore kineze.

Radio Ejani.

Por nëse hyn në rrjetet e saj sociale, panorama është më e qartë.

Facebook, i njofton ndjekësit e faqes “Radio Ejani”, se kjo është një media e kontrolluar nga qeveria e Kinës.

Radio Ejani është platforma qëndrore mediatike kineze në Shqipëri, por ajo shpërndahet në disa rrjete sociale duke prodhuar një informacion të koordinuar, që qarkullon zinxhir.

Pjesë e paketës janë: Revista Ejani, Radio Ejani në Facebook, llogaria në platformën “X”- @RadioEjani, llogaria në Instagram-Ejani Studio.

Të dhënat e rrjeteve sociale tregojnë se fuqia më e madhe e Radio Ejani është në Facebook, me më shumë se 1 milionë ndjekës, një shifër kjo që konkuron media të tjera të mëdha vëndase.

Në platformën X, kjo radio ka rreth 6 mijë ndjekës, ndërsa në instagram, rreth 1 700.

Çfarë postojnë rrjetet sociale kineze në Shqipëri?

Në faqen me mbi 1 milionë ndjekës, Facebook i njofton ndjekësit se Radio Ejani nuk është një media e zakontë.

Faqja mban etiketimin “Media nën kontrollin e shtetit në Kinë”, dhe siç shpjegon vetë kompania, Facebook e ka dhënë këtë publikues sepse beson se mund të jetë pjesërisht ose plotësisht nën kontrollin redaksional të një shteti.

Kjo është një masë shtesë e gjigandit social, për tu dhënë ndjekësve informacion më të zgjeruar për të kuptuar më mirë faqe si këto, në mënyrë që ndjekësit të jenë vigjilentë se mund të jenë përpara një informacioni të pabalancuar, me qëllime propagandistike apo politike.

E krijuar në vitin 2012, kjo llogari në Facebook, rezulton të ketë 24 administratorë, vendndodhja kryesore e të cilëve është Kina. 14 administratorë janë të vendosur atje dhe vetëm 2 në Shqipëri. 1 punon nga Meksika, 1 nga Amerika, ndërsa 6 të tjerë janë të pagjurmueshëm.

Po ashtu, Radio Ejani shpenzon para në Facebook për të reklamuar lajmet që publikon. Siç thotë vetë platforma, sponsorizimet kanë shkuar për çështje sociale, zgjedhje dhe politikë.

Gjatë vitit 2023, 330 postime janë sposorizuar për të pasur një audiencë më të gjerë.

Mesatarisht çdo link i sponsorizuar ka arritur në 200-300 mijë përdorues, ndërsa shpenzimi mesatar mujoj është mes 2 500 në 3 000 euro.

Mesazhi i shpërndarë, është një miks mes promovimit të kulturës shqiptare, njërëzve të artit, me profil lokal ose mesatar, promovimi i profesionistëve kryesisht të rinj, portrete të aktivistëve vendas, dhe mes tyre, shihen lajme mbi ekonominë shqiptare të lidhur me Kinën, ose lajme me karakter ndërkombëtar, ku Kina shfaqet si faktor stabiliteti dhe e mirë botërore.

Po ashtu paqyrohen aktivitete zyrtare të krerëve të shtetit kinez.

Në plaftormën X, Radio Ejani ka një kontent të përqëndruar kryesisht në teskte të shkurtra, të shoqëruar me fotografi, dhe ju dedikohet aktiviteteve zyrtare të qeverisë kineze, si dhe një sërë të dhënash me fokus kryesor ekonominë.

Në Instagram, Kina shpërndan informacion më të butë, më argëtues dhe me targt grup kryesisht të rinj.

Aty ka video e postime për bukuritë natyrore të Kinës, kulturën kinezë, jetën e përditshme të popullit, florën dhe faunën.

Nuk mungojnë ndër to as postimet mbi ekonominë apo produktet e përditshme që konsumojmë si prodhim i teknologjisë kineze.

Prodhim i rrjetit Ejani, është edhe revista me të njëjtin emër.

Nëse do të shikosh vetëm kopertinën, zor se të shkon në mend se ajo është një produkt i qeverisë kineze.

Me një çmim simbolik prej 2 eurosh, ajo ofron në një rast, portretin modern dhe ekstravagant të një vajze si Kejsi, një protagoniste e shoë bizzit, pa asnjë lidhje me Kinën.

Fotoja e kopertinës e kësaj të reje shqiptare nuk ngjan me portretin mesatar që kanë vajzat kineze në mediat sociale.

Titujt e tjerë që propozohen nuk kanë asnjë lidhje me propagandën kineze apo interesat ekonomikë të saj, përvec njërit: parfume nga Kina.

Edhe ky format tashmë jo fort ndikues në Shqipëri, ai i revistës së printuar, pavarësisht se duket se i dedikohet argëtimit dhe promovimit të stilit shqiptar të jetesës, mbart brenda material promovues për Kinën.

Së pari, një faqe për politikën e Pekinit.

Po ashtu, në brendësi ka reklama të restoranteve kineze në Shqipëri.

Çfarë mesazhi përcjell Kina në Shqipëri?

Nga analiza e të dhënave në të gjitha këto mjete komunikimi që Kina shpërndan në Shqipëri, evidentohet se energjitë kryesore të përdoren për një fushatë pozitiviste për vetë realitetin kinez.

Së pari, përhapet ideja e një bote që jeton në paqe. Shoqëria kineze promovohet si një realitet që rend nga suksesi në sukses, së nuk ka drama, nuk ka krim, nuk ka sëmundje, nuk ka depresion. Portretizmi i qytetarëve kinezë gjithmonë të buzëqeshur, të motivuar dhe asnjëherë me vese.

Madhështia e Kinës promovohet përmes kulturës, artit dhe politikës.

Ekonomia kineze propogandohet si gjigande, dhe dhjetra artikuj në muaj, të përkthyer në shqip apo të prodhuara specifikisht për Shqipërinë, që vënë në dukje se si u rrit eskporti i prodhimeve kineze, si po lëvizin flukset tregëtare duke vendosur Kinën në përparësi, si po ndikon Kina paqen botërore.

Ndërkohë, Radio Ejani gjëmon personazhe që kanë pasur apo kanë marrëdhënie me Kinën.

Profesionistë që mund të kenë studiua, udhëtuar apo punuar gjatë miqësisë Shqipër-Kinë në periudhën e komunizmit, por edhe sot.

Megjithëkëtë, nuk mungon as fushata negativiste, me fokus: nxitjen e eurospekticizmit apo pakënaqësisë ndaj politikave të SHBA-së.

Veç operimit  përmes mediave të veta, Kina ka një ndikim edhe në median publike në Shqipëri.

Prej vitit 2017, ekziston një marrëveshje mes Agjencisë Telegrafike Shqiptare ATSH, me homologen kineze XinHua për shkëmbim informacioni dhe publikimesh.

Në vitin 2019, një marrëveshje të tillë nënshtroi dhe Radio Televizioni Publik Shqiptar me Televizionin Shtetëor të Kinës, përmes të cilës, ofrohen pa pagesë dhe transmetohen dokumentarë, filma dhe filma vizatimorë. Si pjesë e këtij memorandumi, gazetarët bëjnë vizita 2 javore në Kinë, si dhe RTSH i lejon Radio Ejani të ketë një kullë transmetimi në Maminas, përmes të cilës mbulon me sinjal FM Tiranën dhe Durrësin.

Në tërësi, ndikimi përpiqet të arrihet përmes lajmeve dhe nuk ka editoriale pro Kinës.

Lajmet kanë fokus promovimin e potencialit ekonomik të Kinës, promovimin e kulturës, dhe nxitjen e nostalgjisë për raportet gjatë viteve ‘60-‘70. 

Siç shihet nga monitorimi, Kina i përdor të gjitha taktikat për të influencuar një vend të vogël si Shqipëria, por me një pozicion gjeo-politik të rëndësishëm për ambiciet e saj. Megjithëkëtë, pavarësisht dhjetra postimeve në ditë, apo 1 milionë ndjekësve, interaktiviteti me median kineze në vendin tonë, është i ulët, ose thuajse i pandjeshëm.

Poll

MOS HUMB