Zot, mbaj dorën. Sapo më doli në rrjete sociale lajmi për aksidentin e tre fëmijëve. Të vrasësh fëmijë që luajnë në trotuar… shofer i pandërgjegjshëm, kafshë, kriminel — nuk kam më emra.
Ende në shok nga pamjet e tmerrit që më goditën dhunshëm përmes mediave online, më erdhi ndër mend një episod para rreth 14 vitesh në Tiranë. Im bir po luante me top dhe, në sekondën e fundit, e tërhoqa nga rruga ku i kishte fluturuar topi. Një “gango” lagjeje po kalonte me shpejtësi, duke xhiruar gomat.
Po ku të luante im bir, asokohe 6 vjeç? Këndi më i afërt i lojërave ishte 1 km larg dhe ne paguanim, duke pirë kafe, si “taksirat”, që fëmija të argëtohej për 2 orë. Pastaj mbetej parku te liqeni, gati 3 km larg — 40 minuta në këmbë. Një mama full-time në punë, e lumtur që shpëtoi nga karroca e bebit, sepse trotuaret e ngushta sa “vizoret” e shkollës së tim biri e bënin edhe më të vështirë jetën me një vogëlush që donte të luante poshtë pallatit.
Ishte koha kur në Tiranë ndërtohej pa kriter dhe zonat e vetme të gjelbërta u kthyen, brenda pak vitesh, në gropa betoni. Ndodhte që bashkia inauguronte me bujë një kënd lojërash dhe, pas tre vitesh, ai kënd çuditërisht zhdukej, i rrethuar me teneqe e pllaka reklamuese për kompleksin e radhës.
Një komshie dikur më sugjeroi: “Çoje djalin te PlayStation-i në cep të lagjes, do luajë dy orë me shokët dhe ti çlodhesh.”
Eh… vërtet eh!
Sot, pas 15 vitesh, qytetet-metropole vuajnë për pak metra gjelbërim, për pak oaze ku fëmijët të luajnë si fëmijë. Babëzia për të ndërtuar po i mbyll fëmijët mes katër mureve dhe po i rrit para kohe përmes platformave digjitale.
Por dikush do thotë: “Ata i vrau shoferi!”
Po pse luanin në trotuar? A kanë një fushë apo kënd lojërash? Apo u zaptua edhe ai nga ne, të rriturit, që duam të ndërtojmë kudo, të “modernizojmë” çdo hapësirë?
Më thoni tani: a jemi ne më pak vrasës se shoferi që sot mori nën rrota tre fëmijë në Durrës? A nuk po i ekspozojmë qeniet më të pafajshme ndaj çdo rreziku?
Një zë i brendshëm pohon: po, ne po e vrasim të ardhmen me duart tona, sepse nuk dimë të reagojmë ndaj masakrës urbane që na ka ndodhur e vazhdon të ndodhë para syve — ndaj betonit që po na errëson dhe mbyt çdo ditë.
Dhe është absurde që ende pyesim:
pse po na i vrasin fëmijët në trotuar?
Shënim: Autorja është gazetare nga Shqipëria, e larguar prej vitesh në Gjermani. Bonollari ka drejtuar që prej themelimit Balkanweb dhe më pas Shqiptarja.com. Bashkëpunëtore e ZËRI-t fokusuar në çështjet sociale dhe fëmijët.