TIRANË- Të veshura bukur, me make-up-e që të transformojnë, të konturuara në një dimension që na e ka dhënë gati shoqëria. Gjithçka duket aq perfekte sa të krijon një iluzion të paqenë… Subkoshienca na prodhon epsh, mendime, dhe mbi të gjitha nevojën për t’u dukur bukur te të tjerët, ose për të qenë një kopje që thellë-thellë nuk jemi ne, nuk është brendësia jonë.
Nisur nga reality show-t që janë përhapur aq shumë në vendin tonë nuk po flas vetëm për Big Brother VIP Shqipëri apo Kosovë, as për Fermën VIP, tashmë edhe edicionet informative të lajmeve, emisionet e pasdites, emisionet e mëngjesit… pra çdo ditar, sado i vogël, është kthyer në një garë mode, në një garë performative që, sigurisht për shkak të fasadës, ka humbur dialektikën, debatet, mendimin kritik ose jo kritik.
Dhe pikërisht këtë peshë e mbajnë vajzat mbi shpinë. Pra, atyre gjithmonë tashmë jo drejtpërdrejt me fjalë, por në mënyrë të nënkuptuar u duhet të duken sa më bukur, sa më të qeshura dhe sa më ekspresive… ndonjëherë, apo shpesh, duke treguar edhe detaje nga jeta e tyre personale, sepse sipas disa mendjeve “ato nuk kanë ç’të thonë ndonjë gjë të mençur”.
Ajo çfarë përditë konsumohet (më shumë se buka me djathë) është ideja e të qenit një grua apo vajzë e bukur, joshëse dhe e pagabueshme. Por gjithmonë, në shoqërinë tonë, edhe pse përmbushen këto standarde absurde, gjithsesi mbetet paragjykimi nga unë, nga ti, nga secili që scroll-on apo lëviz butonat në telekomandë, pa dallim moshe.
Njerëzit tashmë nuk jetojnë drejtpërdrejt, por përmes asaj që shohin, duke iu servirur modele që në fakt nuk kanë të bëjnë me identitetin, kulturën apo rrënjët që na përfaqësojnë secilin nga ne.
Siç thotë edhe Guy Debord: “Ashtu si kapitalizmi industrial i hershëm e zhvendosi fokusin e ekzistencës nga të qenit tek të pasurit… tani ai është zhvendosur tek të dukurit.” Pra, nga të qenit, tek të pasurit, e sot tek të dukurit.
Ndoshta, duke parë përditë se si media konsumon dhe stereotipizon figurën e gruas, të bën të mendosh se në të vërtetë gruaja nuk ka çfarë jep më shumë, veç një fytyre të qeshur dhe një përshëndetjeje me atë dorën e hollë dhe të kuruar si aristokratet franceze. Kjo mendësi prodhon ide të gabuara, të prapambetura dhe një distopi mendimesh sociale që ngulitet ndër breza.
E kemi humbur realitetin me Vasesën, me Indrin, me Selinën, me Mirin, me krevatin, me kollaren, me fundin…me këto detaje aq të vogla dhe të parëndësishme për frymorët njerëzorë, sa kemi harruar kush jemi.
Edhe në ato pak raste kur diskutohet një temë gjinore, një temë që mbase është e vlefshme për jetesën e përditshme, prapë ka cungim… sepse audienca “nuk pëlqen më gjëra serioze”. Kjo më duket një mendësi hipokrite, e krijuar dhe e kultivuar në trurin tonë që kur paraja dhe fama filluan të zëvendësojnë vlerat e përditshme.
Zelli për klikime, për të qenë në qendër të vëmendjes, është një mendësi që fillon për fat të keq që nga “koka”. Bëhemi gaz i botës për të rënë në sy si evropianë, amerikanë e tashmë edhe sheikë…
Gruaja më e bukur në botë u shpall Anne Hathaway, një njeri normal, me një bukuri minimaliste dhe të këndshme. Dhe kur e pashë këtë lajm, më erdhën ndër mend çdo vajzë shqiptare dhe çdo vajzë e thjeshtë në botë të bukura, normale, reale.
Nuk e di si do të ndryshojë kjo mendësi. Mbase me përpjekje për të ofruar modele më reale, më pak të konturuara për t’u përshtatur me botën e spektaklit. Mbase jemi lodhur si shoqëri duke parë vetëm spektakël.
Kur do fillojmë të flasim për hallet dhe të bukurat që na servir jeta?
Kur do flasim për kënaqësitë e vogla të njeriut, që në fakt janë vetë esenca e të jetuarit?
Kur do flasim për emancipimin, paragjykimin, për artin, kulturën, kinemanë, librat? Kur do rikthejmë atë që ka zënë pluhur?
Kur do kuptojmë se nëse nuk jemi vetvetja, çdo gjë është veçse një ballo me maska që xixëllojnë, por përtej maskës kemi humbur fytyrën?
Kur do flasim?
Kur do shikojmë njëri-tjetrin në sy dhe të pranojmë gabimet?
Kur do marrim guximin të ndërtojmë një mendësi tjetër, ku gruaja nuk është thjesht një “Barbie pink”, ku djemtë nuk janë “bad boys”, ku media nuk është vetëm një katalizator spektakli?
Deri atëherë…ndoshta e kemi humbur realitetin. Por ajo që na mbetet është të mos ushqejmë veten me “fast food” mendimesh, por të krijojmë dimensione të reja kritike./ZËRI