TIRANË- Pas aeroporteve të Vlorës dhe Kukësit, duket se po hidhen hapat e parë edhe për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Gjirokastrës. Operatori i Blerjeve të Përqëndruara (OPB) ka shpallur në fillim të kësaj jave thirrjen për "Studim Tregu" për ndërtimin e aeroportit të Gjirokastrës.
Sipas dokumentit të publikuara nga Boldnews, thuhet se Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka hapur tenderin për studimin e tregut “për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Gjirokastrës”.
“Qëllimi është kryerja e studimit të tregut me qëllim sigurimin e të dhënave të verifikueshme dhe të krahasueshme të cilat do të shërbejnë për përllogaritjen e fondit limit. Për shkak të karakterit të veçantë të projektit, studimi i fizibilitetit kërkon angazhimin e ekspertizës së specializuar në fusha të ndryshme përfshirë ndër të tjera, aviacionin civil dhe infrastrukturën aeroportuale, analizën teknike, ekonomike dhe financiare, çështjet ligjore dhe kontraktore, aspektet mjedisore dhe sociale si dhe identifikimin, vlerësimin dhe alokimin e risqeve të projektit”, thuhet në këtë dokument.
Gjirokastra disponon prej vitesh një aerodrom, i cili ka shërbyer për aviacionin e lehtë dhe fluturimet turistike, ndërsa projekti i ri synon shndërrimin e tij në një aeroport ndërkombëtar.
Nisma për Aeroportin e Gjirokastrës vjen në një kohë kur projektet aeroportuale në Vlorë dhe Kukës janë përballur me vështirësi dhe procedura të zvarritura. Aktualisht, projekti i Gjirokastrës ndodhet ende në fazën paraprake të studimit dhe vlerësimit të tregut.
Procedurat për aeroportin e Gjirokastrës
Komiteti i Përzgjedhjes së Projekteve të Koncesioneve dhe Partneriteteve Publike-Private, në 18 mars 2026, ka filluar procesi për përgatitjen e Studimit të Fizibilitetit për projektin e Aeroportit të Gjirokastrës.
Projekti synon të vlerësojë fizibilitetin e zhvillimit të infrastrukturës aeroportuale në Gjirokastër dhe, nëse fizibiliteti konfirmohet, të përcaktojë bazën teknike, operacionale, ekonomike, financiare, mjedisore dhe institucionale për fazat pasuese të zhvillimit të projektit
Sipas qëllimeve fillestare të Studimit të Fizibilitetit, projekti do të konsiderohet si zhvillimi i një aeroporti rajonal, që potencialisht do t’u shërbejë operimeve të brendshme dhe ndërkombëtare.