KUKËS- Reshjet e dendura të shiut dhe erërat e forta kanë shkaktuar probleme në disa zona të veriut të vendit duke sjellë ndërprerje të energjisë elektrike dhe vështirësi në qarkullimin rrugor.
Në Kukës, Has dhe Tropojë janë raportuar ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në disa njësi administrative dhe lagje. Ndërkohë reshjet kanë shkaktuar rënie gurësh dhe inertesh në disa akse rrugore.
Në Tropojë është evidentuar rënie gurësh në aksin Margegaj-Valbonë, ndërsa në Shkodër situata paraqitet problematike në zonën e Thethit, ku dalja e përroit nga shtrati ka sjellë bllokimin e rrugës Theth- Ndërlysaj.
Deri më tani nuk raportohet rrezik për banesat. Autoritetet po punojnë për pastrimin e rrugëve dhe rikthimin e qarkullimit.
Sipas parashikimeve, reshjet dhe shtrëngatat pritet të vijojnë në zonat veriore edhe gjatë fundjavës./ZËRI