SHKODËR- Një telefon i markës iPhone është zbuluar në ambientet e përbashkëta të burgut të Shkodrës gjatë një kontrolli të befasishëm të zhvilluar këtë të premte.
Kontrolli është kryer më 13 nëntor nga Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (AMSEVP) në bashkëpunim me grupin e sigurisë së institucionit. Gjatë verifikimeve për gjetjen e sendeve të ndaluara punonjësit kanë konstatuar aparatin celular, ndërsa ende nuk është bërë e ditur se kujt i përkiste apo si kishte përfunduar në ambientet e burgut.
Për rastin kanë nisur veprimet procedurale për dokumentimin e rrethanave. Në përfundim, materialet do t'i përcillen Prokurorisë së Shkodrës, për hetime lidhur me veprën penale të futjes ose mbajtjes së sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit, të parashikuar nga neni 324/a i Kodit Penal.
Në njoftimin e saj, AMSEVP u ka bërë thirrje qytetarëve dhe mediave të denoncojnë çdo rast abuzimi apo shkeljeje të detyrës nga punonjësit e sistemit./ZËRI