Aktualitet

Dyshimet për helmimin e fëmijëve në Vlorë, CELS kallëzim penal për ndotjen e ujit

Në kallëzimin e depozituar më 11 nëntor, CELS kërkon sekuestrimin e mostrave të ujit dhe ushqimit si dhe kryerjen e ekspertimeve për të përcaktuar shkakun e problemeve shëndetësore të raportuara.

M.K.
Dyshimet për helmimin e fëmijëve në Vlorë, CELS
foto ilustruese

VLORË- Qendra e Shërbimeve Ligjore Evropiane (CELS) ka depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Vlorës për rastet e dyshuara të helmimit të fëmijëve në kopshtin nr. 10 dhe të banorëve të qytetit. Organizata kërkon hetimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave përgjegjës.

Në kallëzimin e depozituar më 11 nëntor, CELS kërkon sekuestrimin e mostrave të ujit dhe ushqimit si dhe kryerjen e ekspertimeve për të përcaktuar shkakun e problemeve shëndetësore të raportuara.

Sipas organizatës që prej 6 nëntorit dhjetëra fëmijë dhe të rritur kanë kërkuar ndihmë mjekësore me simptoma si të vjella, diarre dhe temperaturë. CELS pretendon se analizat e raportuara për depozitën e ujit në kopsht kanë evidentuar mungesë klori dhe tregues të ndotjes fekale.

Megjithatë,shkaku i rasteve të dyshuara të helmimit nuk është konfirmuar ende zyrtarisht.

Përveç hetimit dhe ekspertimeve të pavarura, organizata kërkon administrimin e dokumentacionit për klorinimin dhe mirëmbajtjen e depozitave të ujit. CELS ka bërë të ditur se do të ofrojë gjithashtu ndihmë juridike falas për familjet e prekura./ZËRI

MOS HUMB