TIRANË-Shqipëria është përfaqësuar me dinjitet në edicionin e vitit 2026 të konkursit ndërkombëtar të bukurisë “The Miss Globe”, ku Miss Shqiperia 2026, Paola Avdulaj, arriti të sigurojë një vend në TOP 11 të vajzave më të bukura të këtij kompeticioni.
Eventi prestigjioz u zhvillua në Phuket të Tajlandës, përgjatë dy javëve të mbushura me aktivitete, prezantime dhe sfida të ndryshme, ku konkurrentet nga vende të shumta të botës patën mundësinë të demonstronin bukurinë, elegancën, talentin dhe përfaqësimin kulturor të vendeve të tyre.

Gjatë qëndrimit në Tajlandë, pjesëmarrëset u përfshinë në një sërë aktivitetesh, mes të cilave ceremonia e ndarjes së fashove, gara e talenteve (Miss Talent), prezantimi me rroba banje (Swimsuit Show), si dhe prezantimet me kostume kombëtare dhe fustane mbrëmjeje.
Kulmi i këtij rrugëtimi ishte finalja e madhe, e mbajtur më 6 nëntor 2026, ku Paola Avdulaj arriti fillimisht të kualifikohej në TOP 21 dhe më pas të siguronte një vend në TOP 11 të konkursit.


Ky rezultat përbën një arritje të rëndësishme për përfaqësimin shqiptar në arenën ndërkombëtare të bukurisë, duke e bërë Paola Avdulajn një nga emrat që spikati në këtë edicion të “The Miss Globe 2026”.