TIRANË- Ministri i Punëve të Brendshme Ervin Demo ka kërkuar shtimin e kontrolleve të Policisë Rrugore për të lehtësuar qarkullimin në Tiranë veçanërisht në nyjet me problematike si zona e 21 Dhjetorit. Pas dëmtimeve të semaforëve dhe sinjalistikës gjatë javëve të fundit, Demo ka kërkuar vlerësimin e efektit të masave të marra dhe ndërhyrje të mëtejshme për të shmangur vonesat e qytetarëve.
Problematikat e trafikut në kryeqytet dhe vështirësitë në qarkullim kanë qenë në fokus të një inspektimi të ministrit të Punëve të Brendshme Ervin Demo në zonën e 21 Dhjetorit një prej nyjeve më të rënduara të trafikut në Tiranë.
Gjatë inspektimit ministri theksoi se dëmtimet e infrastrukturës urbane semaforëve dhe sinjalistikës kanë ndikuar në përkeqësimin e situatës duke kërkuar angazhim më të madh të Policisë Rrugore për menaxhimin e lëvizjes dhe garantimin e sigurisë.
“Ne kemi qenë dëshmitarë të asaj çfarë ka ndodhur në Tiranë gjatë javëve të fundit, dhe patjetër që dëmtimi i infrastrukturës, sinjalistikës në tërësi, i infrastrukturës urbane ka sjellë vështirësi në qarkullim. Kuptohet që dëmtimi i semaforëve janë elementët e parë që kanë sjellë, e këtu jemi pikërisht te "21-shi", i cili është një nga nyjet më problematike që kemi. Masat janë shtuar nga Policia e Qarkullimit Rrugor, por ne duhet të garantojmë që qytetarët nuk duhet kurrsesi të humbasin më shumë kohë se ç'është e domosdoshme për sa i përket vajtjes në punë, shkolla dhe aq më tepër për të garantuar, në të njëjtën kohë, edhe sigurinë e qarkullimit rrugor në tërësi”, u shpreh Demo.
Një tjetër problematikë ku ministri kërkoi përqendrim të veçantë janë parkimet dyshe dhe shkeljet e tjera të Kodit Rrugor, të cilat pengojnë lëvizjen dhe krijojnë vështirësi shtesë për drejtuesit e automjeteve.
Demo kërkoi që masat e shtuara të mos mbeten vetëm në nivelin e pranisë së efektivëve në rrugë, por të maten edhe përmes rezultateve konkrete në uljen e kohës që qytetarët kalojnë në trafik.
“Unë besoj që tashmë roli i Policisë Rrugore është akoma dhe më i rëndësishëm. Këto masa të shtuara janë të domosdoshme që të vazhdojnë. Duhet me patjetër të bëjmë një vlerësim në fund të kësaj jave, për sa i përket masave dhe efektit që ato kanë pasur, përsa i përket lëvizjes dhe kohës që qytetarët humbasin në trafik. Por unë jam i bindur që Policia e Shtetit do të jetë akoma dhe më shumë e fokusuar për të garantuar jo vetëm sigurinë publike, por edhe cilësinë e jetesës në qytet. Policia Rrugore duhet të ketë patjetër një fokus të veçantë edhe për sa i përket bllokimit të qarkullimit për shkak të parkimeve dyshe dhe çdo veprim tjetër që bie në kundërshtim me Kodin Rrugor, për të garantuar që çdo qytetar të lëvizë i lirë dhe, aq më tepër, të lëvizë në kohë” theksoi ministri Ervin Demo./ZËRI