TIRANË- Detaje të reja janë zbardhur nga mediat në Maqedoninë e Veriut lidhur me arrestimin e biznesmenit turk Bilal Kara, pronarit të spitalit të rrjeteve “Sante Plus”, i cili ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare prej më shumë se një viti.
Sipas medias maqedonase 'Focus', Kara u arrestua mbrëmjen e kaluar gjatë një aksioni të Ministrisë së Brendshme, në kuadër të hetimeve për abuzime financiare që lidhen me operacionet e syve.
Ndërkohë, sot, me vendim të një gjyqtari në procedurë paraprake, atij i është konfiskuar pasaporta dhe i është caktuar masa e sigurisë “ndalim për të dalë jashtë vendit”.
"Përveç punonjësve të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, u ndalua edhe pronari i Spitalit Kara, për të cilin Shqipëria lëshoi një urdhër arresti vitin e kaluar. Ai kërkohet në vendin fqinj me dyshimet për abuzime të kryera përmes klinikës private International Medicare, që ndodhet në Shqipëri", shkruajnë mediat vendase.
Ndërkohë, lidhur me rastin, ka reaguar vetë biznesmeni. Përmes një InstaStory, Kara ka mohuar të jetë arrestuar apo arratisur. Gjithashtu, ai ka deklaruar gjithashtu se pacientët në spitalet e tij nuk janë dëmtuar asnjëherë, teksa sqaron se “Sante Plus” është një institucion gjinekologjik-obstetrik,
“Gjatë ditës së sotme, në portalet e internetit janë përhapur shumë të pavërteta lidhur me mua, Bilal Kara, me institucionet, bashkëpunëtorët e të cilave jam, si dhe me punonjësit e tyre.
Së pari, nuk jam në paraburgim, nuk jam arratisur dhe as pacientët në spitalet e mia nuk janë dëmtuar ndonjëherë. U bëj thirrje publike të gjitha portaleve: Lërini institucionet t’i kryejnë punët e tyre. Tregoni profesionalizëm dhe respekt për ligjet, integritetin dhe dinjitetin njerëzor. Mos lejoni që frustrimet personale të disa individëve të ndikojnë në imazhin që publiku ka për spitalin më të mirë okulistik në Ballkan, e mos ndoshta edhe më gjerë.
Në fund, “Sante Plus” është institucion gjinekologjik-obstetrik. Nëse tashmë punoni sipas parimit “copy-paste”, të paktën verifikoni informacionet deri në fund.
Sigurisht, për të pavërtetat e publikuara do të ndërmerren patjetër masa ligjore.”, shkruan Kara.

/ZËRI
