
TIRANË-Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka miratuar rregulla të reja për përdoruesit e telefonisë celulare në Shqipëri, të cilat do të hyjnë në fuqi nga 1 janari 2027. Sipas rregullave të reja, vlefshmëria e kartave SIM zgjatet nga 6 në 12 muaj, kredia monetare do të ruhet për të paktën 180 ditë dhe do të mundësohen rimbushje me vlera më të ulëta.
Përdoruesit do të kenë mundësi të rimbushin telefonin edhe me vlera të ulëta, ndërsa kur kalojnë numrin te një operator tjetër, do të kenë të drejtë të kërkojnë rimbursimin e kreditit monetar të papërdorur. Rregullorja parashikon gjithashtu më shumë transparencë për tarifat dhe ruajtjen e numrit celular për të paktën 12 muaj pas çaktivizimit.
Konkretisht operatorët nuk do të lejohen të përfshijnë në kontrata klauzola që parashikojnë rritje automatike të tarifave në përqindje ose sipas indekseve të ndryshueshme, përfshirë Indeksin e Çmimeve të Konsumit, në rastet kur vlera konkrete e tarifës së ardhshme nuk është përcaktuar në momentin e nënshkrimit të kontratës./ZËRI