TIRANË- Dy ditë pas transfarimit të tij në burgun e Fierit, mësohet se kanë ndryshuar kushtet e qëndrimit në qeli për kryebashkiakun Erion Veliaj. Raportohet se Veliaj ka dalë nga observimi ditën e djeshme dhe është dërguar në godinën A, sektori 1 ku është i vetëm në qeli, sektor në të cilin mbahen të paraburgosurit.
Veliaj u transferua nga burgu i Durrësit drejt atij të Fierit më datë 28 tetor. Transferimi i kryebashkiakut ka hapur një debat politik dhe ka nxitur reagime. Shkak është bërë mungesa e një dokumentacioni lidhur me procesin dhe arsyen e transferimit të kryebashkiakut. Reagimet kanë ardhur edhe nga radhët e PS-së, ku raportohet se Bledi Çuçi dhe Fatmir Xhafaj i kanë kërkuar llogari dhe dorëheqjen ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu.
Në përgjigje të zyrtarëve socialistë, ministri i Drejtësisë ka urdhëruar inspektimin e 24 transferimeve të të burgosurve të kryera në periudhën 16- 27 tetor, të realizuara gjatë 11 ditëve të fundit. Kontrolli synon të verifikojë procedurat dhe rrethanat në të cilat janë kryer këto transferime, përfshirë edhe atë të Erion Veliajt.
Lidhur me transferimin e Veliajt, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve deklaroi se urdhri është pjesë e dokumenteve të klasifikuara si “sekret shtetëror”. Ndërsa tashmë, pritet edhe përgjigja e raportimit për rezultatet e inspektimit dhe verifikimet e kryera./ZËRI