LIVE UPDATES

Si u trafikua droga dhe u pastruan milionat nga rrjeti? DOSJA e SPAK: Roli i Salvatore Aliut dhe "kolegëve", nofkat dhe episodet

♦ZËRI ka siguruar dosjen e SPAK për goditjen e grupeve kriminale të drejtuara nga Dritan Gjika dhe Eldi Dizdari. ♦Emri i Salvatore Aliut del në skenë me një rol kyç, si furnitori kryesore me drogë i këtyre grupeve. ♦Rrjeti kriminal dyshohet për trafikun e të paktën 50 tonëve kokainë nga Amerika Latine drejt vendeve të BE-së. ♦Ndërkohë në dosjen e SPAK, janë zbuluar disa episode të trafikimit, sasi, sekuestrime dhe fitime. ♦Komunikimet e SKY ECC kanë zbuluar identitetet dhe nofkat e disa shtetasve shqiptarë të dyshuar si pjesë e një rrjeti të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike. ♦Gjithashtu, janë zbukuar anëtarët dhe roli i tyre, si dhe metodat e pastrimit të parave në Shqipëri. ♦Në kuadër të këtij operacioni, GJKKO ka caktuar masën “arrest me burg” për 10 persona të përfshirë në këtë dosje. 

4 artikuj për këtë temë.
4 ORE ME PARE

Daja, Kici i Elbasanit, BMW dhe El Diablo…/ Nga Eldi Dizdari tek Shpëtim Aliu e Tan Gjika, ja si njiheshin në SKY ECC

Si u trafikua droga dhe u pastruan milionat nga rrjeti? DOSJA e SPAK: Roli i
Eldi Dizdarei, Armando Pacani dhe Dritan Gjika

TIRANË- Me nofkat “Daja”, “Kici i Elbasanit”, “BMW” dhe “El Diablo” identifikohen në SKY ECC disa nga personat e përfshirë në komunikimet e përgjuara.

Detaje të reja nga hetimet mbi komunikimet e platformës së koduar SKY ECC kanë zbuluar identitetet dhe nofkat e disa shtetasve shqiptarë të dyshuar si pjesë e një rrjeti të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Autoritetet kanë identifikuar shtetasit shqiptarë Salvatore Aliu (alias Shpëtim Aliu, i njohur si “Daja”, “Qero”, “Qerosi”, “Viktor” dhe “Albo Pelon”),

Po  ashtu janë identifikuar Oklid El Ouejdi, Isa Aliu, Sokol Bibaj, Nikoll Bibaj, Denis Matoshi alias Eldi Dizdari, Armando Pacani, Dritan Gjika, Florjan Musaj alias Naum Filo, Aleks dhe Jetmir Pepaj dhe Naldi Yzeiraj, si pjesë e një veprimtarie të organizuar kriminale që dyshohet se ka funksionuar në trafikimin e lëndëve narkotike nga Ekuadori drejt disa vendeve evropiane.

Salvatore Aliu – “Daja”, “Qero”, “Qerosi”, “Viktor” dhe “Albo Pelon”
Në qendër të hetimeve mbetet Salvatore Aliu, i identifikuar si përdorues i PIN-eve SKY ECC “RENCID 734726” dhe “V3OLMR”. Sipas autoriteteve, ai njihej me disa nofka, përfshirë “Daja”, “Qero”, “Qerosi”, “Viktor” dhe “Albo Pelon”.

Oklid El Ouejdi – “Kici”
Sipas analizës së komunikimeve të zhvilluara në llogarinë SKY ECC me PIN “SIKPKA”, rezulton se më 20 mars 2020, në orën 23:07:20, përdoruesi i këtij kodi vetëidentifikohet si “Kici”. Në një mesazh të dërguar drejt përdoruesit të PIN-it “289822”, ai shkruan: “Kici jam”.

Nga hetimet, PIN-i “SIKPKA” është atribuar shtetasit shqiptar Oklid El Ouejdi.

Denis Matoshi alias Eldi Dizdari – “El Diablo”, “Tropoja”, “Alduth” dhe “Maca”
Nga analiza e komunikimeve të përdoruesit të SKY ECC PIN “CCNKHP”, autoritetet kanë identifikuar si përdorues shtetasin shqiptar Denis Matoshi, i njohur edhe si Eldi Dizdari.

Sipas dosjes hetimore, ai përdorte disa nofka në komunikimet e tij, mes të cilave “El Diablo”, “Tropoja”, “Alduth” dhe “Maca”.

Dritan Gjika – “Shkodra”, “Naqe” dhe “Shkodrani”
Nga komunikimet mes PIN-it “LUO8H1” dhe PIN-it “RGICID”, ky i fundit i përdorur nga Salvatore Aliu, rezulton se mes dy përdoruesve ka pasur kontakte të vazhdueshme.

Analiza e bisedave ka çuar në identifikimin e përdoruesit të PIN-it “LUO8H1” si shtetasi shqiptar Dritan Gjika. Në komunikime ai njihej edhe me nofkat “Shkodra”, “Naqe” dhe “Shkodrani”.

Sokol Bibaj – “Gusti”, “Pitbulli” dhe “Puka”
Sipas të dhënave hetimore, shtetasi Sokol Bibaj njihej dhe komunikonte me nofkat “Gusti”, “Pitbulli” dhe “Puka”.

Nikoll Bibaj – “Buci” dhe “Ujku”
Në dokumentet hetimore përmendet edhe Nikoll Bibaj, i cili njihej me nofkat “Buci” dhe “Ujku”.

Armando Pecani – “Forbes” dhe “Tirana”
Shtetasi Armando Pecani rezulton se përdorte nofkat “Forbes” dhe “Tirana” në komunikimet e tij.

Netmir Pepaj – “BMW”
Sipas të dhënave hetimore, shtetasi Netmir Pepaj njihej dhe komunikonte me nofkën “BMW”.

Aleks (Shkëlqim) Pepaj – “Fedor” dhe “Figura”
Hetimet kanë evidentuar se Aleks Pepaj, i njohur gjithashtu si Shkëlqim Pepaj, përdorte nofkat “Fedor” dhe “Figura”.

Florjan Musaj – “Memolk”
Në dokumentet hetimore përmendet edhe shtetasi Florjan Musaj, i cili njihej me nofkën “Memolk”.

Hetimet vijojnë për të zbardhur rolin e secilit prej të dyshuarve në aktivitetin e dyshuar kriminal që lidhet me trafikimin e kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve të Evropës.

Hetuesit e konsiderojnë Aliun si organizator të sigurimit dhe trafikimit të ngarkesave me kokainë nga Ekuadori dhe Kolumbia drejt vendeve të Evropës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë, për llogari të disa grupeve kriminale shqiptare me bazë në Evropë dhe Dubai.

Për realizimin e kësaj veprimtarie, Salvatore Aliu dyshohet se është mbështetur në Ekuador te lidhjet e tij familjare dhe shoqërore, konkretisht te Naldi Yzeiraj, i identifikuar si nipi i tij, dhe Dritan Gjika, me të cilin kishte lidhje të afërta shoqërore. Sipas hetimeve, nëpërmjet tyre janë organizuar dërgesa të shumta kokaine duke përdorur si pikënisje portet e qytetit të Guayaquil-it në Ekuador.

Lënda narkotike fshihej në kontejnerë me mallra të ligjshme, duke u maskuar në çanta ose në strukturat e vetë kontejnerëve. Autoritetet kanë konstatuar se për të garantuar suksesin e operacioneve, Aliu ka shfrytëzuar bashkëpunimin e zyrtarëve shtetërorë vendas, përfshirë efektivë policie, pjesëtarë të marinës dhe punonjës portesh, si edhe punonjës të kompanive ndërkombëtare të transportit detar Maersk, MSC dhe Hapag-Lloyd.

Sipas dosjes hetimore, këta persona i siguronin informacion në kohë reale mbi kontejnerët dhe itineraret e tyre të transportit, duke krijuar një infrastrukturë që i ka dhënë Aliut avantazh të konsiderueshëm në këtë aktivitet të paligjshëm.

Hetimet e deritanishme e pozicionojnë Salvatore Aliun si një nga furnizuesit kryesorë të kokainës nga Amerika Latine drejt tregut evropian./InfoNews

5 ORE ME PARE

Dosja/ 'Kumbari' i drogës Salvator Aliu, vëllezërit Pepaj hallka që lëvizte paratë: 1 mln€ u dorëzuan te garazhi i "Plazza"-s

Si u trafikua droga dhe u pastruan milionat nga rrjeti? DOSJA e SPAK: Roli i
jetmir pepa-isa aliu

TIRANË- Dosja hetimore e siguruar nga ZËRI ka zbuluar detaje të tjera nga rrjeti kriminal i grupeve të drejtuara nga Eldi Dizdari, Dritan Gjika e Armando Pacanit, me furnitor dhe një rol kryesor të Salvatore Aliu. 

Nga bisedat rezulton se organizata nuk merrej vetëm me transportimin e drogës, por kontrollonte çdo hallkë të zinxhirit kriminal, nga sigurimi i kokainës në Amerikën Latine, futja e saj në konteinerë, transporti drejt porteve europiane, nxjerrja e ngarkesave dhe shpërndarja në tregjet e Bashkimit Europian. Madje edhe me transaksionin e parave.

Për SPAK-un, kjo tregon një nivel të lartë organizimi dhe eksperiencë në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve.

Dosja nxjerr në pah edhe vëllezërit Jetmir dhe Aleks Pepaj, të cilët dyshohet se përbëjnë një nga hallkat kryesore financiare të organizatës, të përfshirë në qarkullimin e shumave të mëdha të parave.

Bashkëpunimi dhe organizmi për kokainën:

Vëllezërit Pepaj rezultojnë se kanë bashkëpunuar me Salvatore Aliun në organizimin e dërgesave me kokainë nga Ekuadori drejt porteve evropiane. Aleks Pepaj gjatë asaj periudhe ka patur dalje të sigurtë në portet e Anversit e Rotterdamit, si dhe akses në disa porte të tjera falë bashkëpunimit me lidhje të paidentifikuara deri aktualisht, kryesisht të huaj/maroken. Aleks Pepaj ka patur akses në punonjës të paidentifikuar të kompanive ndërkombëtare të transportit si Maersk e Msc, të cilët i mundësonin atij informacion mbi kontejnerë, rrugë kalimi, ndërrim terminalesh etj. Aleks Repaj identifikohet se gjatë asaj
periudhe, dyshohet se ka drejtuar rrjetin e tij nga Dubai.

Pas magazinimit në vende të sigurta, Aleks Pepaj dhe grupi i tij bënte të mundur ndarjen e shitjen me shumicë të kokainës sipas porosive, ku 10 - 12.5% të sasisë të trafikuar ishte e destinuar për personat që kishin ndihmuar Pepën për të bërë daljen e sigurtë të kokainës nga porti.

Sipas dosjes së siguruar nga ZËRI, evidentohet se këta shtetas kanë patur marrëdhënie të hershme, prej më shumë se 10 vitesh me njëri-tjetrin, duke e përmendur shpeshherë si fakt, sa herë kishin mosmarrëveshje me njëri tjetrin.

Mësohet se i hetuari Aleks Pepaj, i ka dërguar të hetuarit Salvatore Aliut miliona euro në vende të ndryshme, e kryesisht në Ekuador e Shqipëri, si pagesa për tonelatat me kokainë që Salvatore Aliu ka dërguar drejt Evropës.

Bashkëpunimi në transaksione:

Gjithashtu, i hetuari Jetmir Pepaj është i përfshirë edhe në transaksionet e parave të kokainës tek Salvatore Aliu në Ekuador e Kolumbi apo tek vëllai i tij Isa Aliu në Shqipëri. Vazhdimisht Jetmir Pepaj identifikohet të njoftojë Salvatore Aliun për paratë të cilat i ka gati për dorëzim.

Takimi te 'Plaza':

I hetuari Salvatore Aliu, më datë 04.11.2020, Salvatore Aliu krijon një grup chat me Jetmir Pepajn (BOONCU) dhe Isa Aliun (L4O0JU). Ky i fundit është nisur nga Elbasani në drejtim të Tiranës, sipas porosisë së vëllait të tij të hetuarit Salvatore Aliu, me qëllim që të takoj Jetmir Pepajn, i cili do t'i dorëzonte 1 milion euro tro cash. Dorëzimi i parave është bërë në garazhdin e hotel "Plaza" në Tiranë nga ana e një personi të paidentifikuar (i cili përmendet si nipi nga ana e Jetmir Pepës), edhe pse Jetmir Pepa këmbëngulte që Isai të futej në hotelin e tij "Oxford', pasi do të ishte me i sigurtë, por Isai e ka patur te
pamundur te shkonte te hotel "Oxford" pasi nuk kishte ku te linte makinen e tij Porche.

E njëjta lëvizje është realizuar edhe me datë 08.11.2020, ku Isa Aliu ka marrë nga Pepajt 200.000 euro./ZËRI

6 ORE ME PARE

"Zbërthehet" grupi: Yzeiraj krahu i djathtë i Salvatore Aliut, pjesë e tij edhe vrasësi i dyshuar i Mondi Mëhallës

Si u trafikua droga dhe u pastruan milionat nga rrjeti? DOSJA e SPAK: Roli i
foto ilustrim: mondi mehalla-oklid el ouejdi-isa aliu

TIRANË- Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka zbërthyer veprimtarinë e një grupi të strukturuar kriminal, ku Salvatori Aliu kshte rolin e furnitorit të drogës, ndërsa rol kyç dyshohet se kanë pasur edhe Oklid El Ouejdi dhe Naldi Yzeiraj në organizimin dhe funksionimin e rrjetit të trafikut të kokainës.

Emri i Naldi Yzeiraj del që në episodet e para të hetimeve mbi trafikun e drogës në Belgjikë, ku ai dyshohet se ka vepruar si porositës për llogari të tij. Po ashtu, ai identifikohet se ka mbajtur kontakte të rregullta me lidhjet ekuadoriane të rrjetit në Ekuador, si dhe me persona të tjerë në Europë, të cilët dyshohet se shpërndanin edhe pjesën e tij të kokainës në tregje të ndryshme.

Sipas dosjes të siguruara nga ZËRI, Yzeiraj ka pasur rol edhe në menaxhimin financiar të aktivitetit kriminal, duke ndjekur paratë e dërguara drejt Ekuadorit dhe duke mbajtur shënime për sasitë e trafikuara. Ai dyshohet gjithashtu se ka qenë në dijeni të vendndodhjeve të magazinave në Guayaquil dhe zona të tjera ku operonte rrjeti i drejtuar nga Aliu.

"Shtetasi Naldi Yzeiraj, përdorues i PIN-it SKYECC: UQ6BëP, identifikohet si krahu i djathtë i të hetuarit Salvatore Aliu në Ekuador, me rol në organizimin e operacioneve në terren dhe menaxhimin e financave të grupit.

Sipas hetimeve, me porosi dhe orientim të dajës së tij, Salvatore Aliu, Yzeiraj ka mbajtur kontakte të rregullta me lidhjet ekuadoriane të grupit kriminal, si dhe me persona të tjerë në Europë, të cilët dyshohet se shpërndanin edhe pjesën e tij të kokainës në tregje të ndryshme.

Gjithashtu, ai dyshohet se ka pasur dijeni për vendndodhjet e magazinave në Guayaquil dhe në zona të tjera të Ekuadorit ku operonte rrjeti i drejtuar nga Aliu. Në këtë kuadër, Yzeiraj dyshohet se ka administruar edhe financat e aktivitetit, duke mbajtur shënime për paratë e dërguara drejt Ekuadorit dhe sasitë e trafikuara.", thuhet në dosje.

Ndërkohë, në dosje përmendet edhe Oklid El Ouejdi, i cili dyshohet si personi përgjegjës për pritjen dhe shpërndarjen e ngarkesave me kokainë të ardhura nga Ekuadori drejt Europës.

Sipas hetimeve, ai dyshohet se ka shpërndarë sasi të konsiderueshme droge në disa shtete europiane, përfshirë Francën, Zvicrën, Gjermaninë, Italinë, Greqinë, Spanjën, Shqipërinë, Turqinë dhe Norvegjinë, ku në disa raste dyshohet edhe për shkëmbime me lëndë të tjera narkotike.

Në një tjetër fragment të dosjes thuhet se nga bisedat mes Oklid El Ouejdit dhe anëtarëve të tjerë të grupit, është diskutuar për sekuestrimin e një ngarkese në Roterdam më 06.06.2020, ngjarje e cilësuar si “rënia e dy punëve” në të njëjtën ditë. Po sipas hetimeve, i dyshuari Salvatore Aliu u ka kërkuar anëtarëve të grupit, përfshirë El Ouejdin, që të mbulojnë dëmin financiar të shkaktuar nga sekuestrimi i lëndës narkotike, ku ai përmendet edhe si nip i tij në komunikime të brendshme.

"Nga bisedat e përfshira në hetime, të realizuara ndërmjet Oklid El Ouejdit (S1KPKA) në një grup të krijuar prej tij, ku evidentohen komunikime me kode PIN SIPKA dhe PIN të paidentifikuara, përfshirë edhe PIN JQI8B8, mësohet se më 07.06.2020 është diskutuar për një tjetër ngarkesë të sekuestruar një ditë më parë, më 06.06.2020 në Roterdam të Holandës, e konsideruar si “rënia e dy punëve” në të njëjtën ditë.

Nga konteksti i bisedës rezulton se i hetuari Salvatore Aliu u kërkon disa personave, që sipas hetimeve janë pjesë e grupit kriminal që ai drejton, përfshirë edhe Oklid El Ouejdin, i cilësuar në komunikime si nip i tij, të mbulojnë dëmin financiar të shkaktuar nga sekuestrimi i lëndës narkotike.", thuhet në dosje. 

Kujtojmë se El Ouejdi i njohur me nofkën Kiço ose Oliver dhe nip i personazhit të njohur Timit të Elbasanit, dyshohet se ka organizuar dhe financuar atentatin ndaj Mondi Mëhallës, në datën 30 nëntor 2025.

7 ORE ME PARE

Zbardhen përgjimet në Sky Ecc të Eldi Dizdarit dhe Salvatore Aliut: Po thyhen në mes..fut më pak kokainë në çanta

Si u trafikua droga dhe u pastruan milionat nga rrjeti? DOSJA e SPAK: Roli i
eldi dizdari-salvatore aliu

TIRANË- Hetimet për rrjetin ndërkombëtar të trafikut të kokainës të zbuluar nga SPAK vijojnë të sjellin detaje të reja mbi mënyrën e funksionimit të organizatës që kanë trafikuar dhjetëra ton kokainë nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europia

Të tjera detaje kanë dalë në dritë përmes komunikimeve të përgjuara në aplikacionin e enkriptuar Sky ECC. Sipas të dhënave të dosjes hetimore, në qendër të bisedave qëndrojnë Eldi Dizdari dhe Salvatore Aliu. Këta të fundit diskutojnë për sasi të mëdha kokaine, rrugët e transportit dhe mënyrat e fshehjes së ngarkesave në kontejnerë.

Nga komunikimet e përgjuara rezulton se për Dizdarin transportimi i ngarkesave që dyshohet se arrinin deri në 10 ton kokainë nuk përbënte problem, pasi ai pretendonte se kishte të garantuara rrugët e kalimit dhe tregun e shitjes. Megjithëse shqetësimi i tij ishte pesha e çantave që përdornin transportuesit dhe jo sasia e drogës. Madje, në një bisedë, ai i kërkon Aliut që çantat mos kalonin 45 deri në 50 kilogramë.

“Për Zotin kanë frikë po thyhen në mes, se ankohen gjithmonë. Po ngecin aty. Po u bje të fikët kot, haahahaahahah. Madje nuk kanë mundësi as të shkruajnë sms pas shkarkesave, pasi janë të mpirë”, thuhet në komunikimet në SKY ECC.

Nga ana tjetër, Aliu i përgjigjet se do të mundohet t’i përshtasë ngarkesat në këtë peshë, ndërsa pranon se rreziku dhe mënyra e operimit i krijonin një ndjesi adrenaline. Megjithatë, rezulton se një nga arsyet pse çantat bëhen të mëdha apo të rënda, është pasi pagesa në nisje bëhet në bazë të numrit të çantave që ngarkohen në konteniere.

Gjithashtu, në komunikime, hetuesit kanë zbuluar diskutime për zgjedhjen e kontenierëve dhe rrugët e kalimit, ku Aliu sugjeronte përdorimin e “Dole”, ndërsa Dizdari kërkonte tranzit përmes Anversit për të shmangur kontrollet me skaner.

Në komunikime përmendet edhe një mënyrë e dyshuar fshehjeje të kokainës, duke përdorur një kopje çelësi të vendosur në kontenier, që përdorej pas mbërritjes për të mos lënë gjurmë.

Pak ditë më parë, SPAK njoftoi goditjen e grupit të strukturuar kriminal të dyshuar për trafikun e të paktën 50 tonëve kokainë nga Amerika Latine drejt vendeve të BE-së, në kuadër të një hetimi të zgjeruar ndërkombëtar. Sipas Prokurorisë së Posaçme, grupi dyshohet se drejtohej nga Dritan Gjika dhe Eldi Dizdari, si dhe Salvatore Aliu. Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka caktuar masën “arrest me burg” për 10 persona të përfshirë në këtë dosje. Deri tani, masa është ekzekutuar vetëm për Florjan Musaj. SPAK njofton se dy persona të tjerë dyshohet se ndodhen brenda territorit të Shqipërisë dhe po kërkohen nga autoritetet, ndërsa 7 të tjerë nuk ndodhen aktualisht në Shqipëri dhe janë shpallur në kërkim. Hetimi ka zbardhur deri tani 5 episode të trafikut të lëndëve narkotike. Sipas SPAK, të ardhurat nga aktiviteti kriminal janë investuar në pasuri të paluajtshme dhe biznese. Pastrimi i parave dyshohet se është kryer përmes kompanive në ndërtim, hoteleri dhe konsulencë. Në total, janë sekuestruar pasuri me vlerë rreth 150 milionë euro. Mes tyre përfshihen kompani, hotele, vila luksoze dhe automjete. Personat e dyshuar në dosje përfshijnë Nikoll Bibaj, Isa Aliu, Sokol Bibaj, dhe të tjerë./ZËRI

Poll

MOS HUMB