LIVE UPDATES

"Bota nuk u zgjua prej Nartës, por nga Kushner!" Rama nga mbledhja e PS: 'Zvërneci' një luftë ideologjike, s'jap dorëheqjen!

♦Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste dhe kabineti qeveritar është mbledhur këtë të shtunë, 20 qershor, në Pallatin e Brigadave. ♦Integrimi dhe protestat për Zvërnecin ishin në fokus të diskutimeve. ♦Mbledhja nisi që prej orës 10:00 dhe përfundoi rreth orës 15:30. ♦Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka mbajtur një fjalim pas nisjes së mbledhjes lidhur me investimin në Zvërnec. ♦Gjatë fjalës së tij, Rama komentoi sërish protestat për Zvërnecin, duke thënë se bota nuk u zgjua nga Narta, por nga emri i Kushner dhe hija e vjehrrit të tij, Donald Trump. ♦Më tej, protestat i lidhi me hapësirën digjitale sipas tij, që ka krijuar një 'shesh' tjetër prej algoritmit, ku disa akuza apo etiketime mund të perceptohen si “të vërteta të qëndrueshme. ♦Në përfundim, thirrjeve të protestuesve Rama iu përgjigj shkurtimisht duke thënë se nuk do ta japë dorëheqjen. 

8 artikuj për këtë temë.
37 MINUTA ME PARE

Përfundon mbledhja 5-orëshe e PS-së, Rama largohet nga Pallati i Brigadave (VIDEO)

"Bota nuk u zgjua prej Nartës, por nga Kushner!" Rama nga
pamje pas mbledhjes

TIRANË- Ka përfunduar pas rreth 5 orësh mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetit qeveritar, e zhvilluar në Pallatin e Brigadave.

Pas përfundimit të takimit, Kryeministri Edi Rama është larguar nga ambientet e Pallatit të Brigadave. Në mbledhje janë diskutuar zhvillimet e fundit si çwshtja e Zvërnecit dhe protestat, ndërsa detaje të tjera pritet të bëhen të ditura më vonë./ZËRI

43 MINUTA ME PARE

"Shpirtra të humbur në partinë tonë duan 'Shqipëri të re'"/ Rama thumbon Spiropalin: Mezi pres draftin!

"Bota nuk u zgjua prej Nartës, por nga Kushner!" Rama nga
edi rama-elisa spiropali

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka komentuar me tone ironike debatet e fundit për një “Shqipëri të re”, ku thumboi edhe ish-ministren e Jashtme Elisa Spiropali. Shkak janë bërë deklaratat e kësaj të fundit vetëm pak ditë pas nisjes së protestave kundër projektit të Zvërnecit. 

Rama u shpreh se brenda Partisë Socialiste ka “shpirtra të humbur” që flasin për një Shqipëri të re, por sipas tij, mungon një propozim konkret. Ai u shpreh me ironi se mezi pret që t’i sjellin draftin, por shtoi se ka frikë se nuk do të vijë kurrë.

“Është edhe një thirrje për një Shqipëri të re, dhe ka dhe disa shpirtra të humbur në partinë tonë, që duan një Shqipëri të re. Mezi pres që të na e sjellin draftin e Shqipërisë së re të shkruar. Por kam frikë se nuk do vijë kurrë, sepse Shqipëria e re është si të gjitha siluetat e flamingove, njërën prej të cilave e mbante Fatos Lubonja. Fatosi poshtë, flamingo lart dhe ‘hi hi hi hi Shqipëria e re’. Do kritikohemi e sulmohemi, por kemi detyrimin të mos zgjedhim rrugën e lehte, të mos zgjedhim të jemi popullorë, kur duhet të jemi të përgjegjshëm”, tha Rama.

Më herët, Elisa Spiropali kishte deklaruar në rrjete sociale se nevojitet një marrëveshje e re për Shqipërinë, duke u ndalur edhe te protestat për projektin e Zvërnecit, për të cilat tha se nuk mund të zëvendësohen me “fjalë boshe dhe konspiracione”.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Spiropali shprehej për një marrëveshje të re për Shqipërinë, ku të ndërtojë një shtet që funksionon edhe kur pushteti ndryshon, edhe kur interesat përplasen. Deputetja thekson se parlamenti duhet të jetë vendi ku dëgjohet shoqëria dhe jo vetëm të miratohen vendime. /ZËRI

2 ORE ME PARE

"Ulërijnë, nuk e jap dorëheqjen!" Rama iu përgjigjet protestuesve: Një qeveri s’e dorëzon kurrë timonin te zhurma

"Bota nuk u zgjua prej Nartës, por nga Kushner!" Rama nga
edi rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama iu është përgjigjur thirrjes së vazhdueshme të protestueseve për të dhënë dorëheqjen. Sipas Ramës, prostat janë një nxitje e histerisë kolektive dhe rrjeteve sociale, sipas tij, e shpikjes së një trendi të ri për të qenë në qendër të vëmendjes. 

Sa i përket kërkesave për dorëheqje, Rama deklaroi se pushteti nuk do të kalojë kurrë në duart e “zhurmës”, ndërsa solli si shembull figurën e Odiseut nga Homeri për t'i mos u dorëzuar para zhurmës. 

 

“Më kanë shkruar shumë njerëz sikur kam dhënë përshtypje sikur do të japë dorëheqjen! Nuk më ka shkuar kurrë në mendje që një turmë të shkojë e të bllokojë aeroportin. Tërheqja pak nga pak e atyre që shkuan atje për të dalë në skemë, e mbetja e atij grupi ku ka përzierje të hatashme. Vinë njerëz nga Kosova, Maqedonia, për të shpëtuar Shqipërinë në emër të shqiptarëve! Ulërijnë! Ndërkohë që njerëzit që funksionojnë me arsye, dhe ata në banka, më të mirëpaguarit, e kuptojnë se këtu ka diçka që nuk shkon fare. Si kam dhënë përgjigje kujt se më është dikur si… Kur ka momente të tilla kam kënaqësi të kujtoj një hollësi të Homeri kur Odiseja afrohet pranë sirenave dhe refuzon që të mos t’i dëgjojë. Përkundrazi ai insiston ti dëgjojë, sepse kupton se sa i madh është tundimi në një mënyrë apo një tjetër. Ai lidhet pas diregut të anies, jo se ska besim te vetja, por nuk e negocion destinacinon. Atë që vetja në një moment të vetëm mund tia bëjë që të hidhet në ujë pas sirenave, ai e ndalon me litarët, duke e lidhur veten. Qëllimi është çka e ka çuar deri aty dhe deri në fund. Kjo e Odiseut është metafora më e jashtëzakonshme e lidersipit dhe qeverisë. Një qeveri nuk e dorëzon kurrë timonin te zhurma. Një udhëheqje nuk i jepet zhurmës. Sa më shumë zhurma zmadhohet, aq më shumë një grup udhëheqës forcon identitetin e vetë duke bashkuar të gjithë në emër të destinacionit.“, tha Rama./ZËRI

3 ORE ME PARE

"Lubonja kërkon llogari nga unë për Arubën, pafytyrësi...", Rama: S'kam qenë kurrë, riciklim i algoritmit

"Bota nuk u zgjua prej Nartës, por nga Kushner!" Rama nga
edi rama-fatos lubonja

TIRANË- Kryeministri Edi Rama, teksa komentoi protestat kundër projektit në Zvërnec, u ndal edhe te roli i rrjeteve sociale dhe i asaj që ai e cilësoi si “algoritmi”, i cili sipas tij shndërron pretendime të ndryshme në perceptime të pranuara si të vërteta publike.

Në këtë kontekst, Rama përmendi edhe analistin Fatos Lubonja, i cili, sipas tij, i referohet shpesh këtyre çështjeve. Lidhur me këtë, ai iu referua edhe çështjes së Arubës, për të cilën, sipas kryeministrit, Lubonja kërkon që ai të japë llogari. 

Por edhe këtë, Rama e lidhi sërish me hapësirën digjitale, duke theksuar se, sipas tij, në rrjetet sociale disa pretendime dhe akuza kthehen në “të vërteta”, pavarësisht mungesës së provave. Ai shtoi se nuk ka qenë kurrë në Aruba, por kjo s'ka asnjë vlerë pasi agloritmi thekson kryeministri, e shndërron në të vërtetë. 

"Shikoni Fatos Lubonjën e kam sjellë në mes si emër dhe një here pas shume e shumë vitesh që me të njëjtën pafytyrësi të atyre që mbronin gënjeshtrën që e burgosi dhe i kërkonin llogari për gjëra që s’kishte bërë, duke i prezantuar dëshmitarë të rremë dhe duke i ngritur akuza haluçinante, kërkon llogari nga unë për Arubën. Edi Rama thotë duhet të japë llogari për Arubën? Llogaria jepet mbi bazën e fakteve. Dhe kurrë si takon të akuzuarit që të prodhojë që ai nuk është ai për të cilën akuzohet. Çfarë vlere ka që unë them nuk klam qenë kurrë në Aruba, nuk e di fare për çfarë bëhet fjalë çfarë ndodh në Aruba. S’ka asnjë vlerë , sepse ndërkohë Aruba është bërë e vërtetë, është nxjerre në fushën e algoritmit, siç është bërë e vërtetë që unë jam konsumues kokaine. “ik o drogaxhi” është refren që më ndjek dhe është bërë i vërtetë, siç është e vërtetë që unë kam akuzuar tim atë për marrëdhënie me bashkëshorten time. Algoritmi i ka bërë këto të vërteta.", tha Rama.

3 ORE ME PARE

"Gabim, kush mendon se me like bën politikë", Rama: Sheshi i protestës, studio për të ushqyer algoritmin

"Bota nuk u zgjua prej Nartës, por nga Kushner!" Rama nga
edi rama-pamje nga protestat

TIRANË- Teksa komentoi protestat kundër projektit turistik në Zvërnec, Kryeministri Edi Rama deklaroi se në epokën e rrjeteve sociale, protestat nuk zhvillohen më vetëm në shesh.

Rama tha se protestat e sotme kanë nevojë për një “shesh” tjetër, të ndërtuar për algoritmin, duke e cilësuar studion televizive si vendin ku prodhohet përmbajtja që ushqen platformat digjitale.

Sipas kryeministrit, kjo ka krijuar një realitet të ri shoqëror, ku vëmendja dhe emocionet kanë më shumë peshë se argumenti. Kreu i qeverisë thekson se diskutimi publik po ndikohet fort nga logjika e algoritmeve dhe rrjeteve sociale.

“Sot protestat nuk zhvillohen në shesh, por kanë nevojë për një shesh të një llojit që proteston në algoritëm. Sheshi është studioja televizive e algoritmit, është vendi ku filmohet për ta ushqyer algoritmin. Janë ndërtuar për njerëz që votojnë, jo për platforma që modernizojnë algoritmin. Kjo është sfida e sotme. S’ka lidhje me të majtën dhe të djathtën, por në lidhje me konfliktin dhe me shërbimin e njerëzve, algoritmin. Politika në shërbim të njerëzve, në shërbim të vendit, algoritmi e urren.

Nuk e kuptoj se sa e madhe është kjo betejë dhe sa e mundshme mund të bëhet ajo për fëmijët tani.

Çdo epokë prodhon figurën e saj karakteristike. Shekulli 21 po prodhon proletariatin e algoritmit, një klasë e re që nuk e bashkon puna, por vendndodhja, jo fabrika, por ekrani i celularit e bashkon një iluzion shumë të madh, që sa më shumë të dukesh, aq më shumë autoritet ke.

Demokracia nuk ka thënë kurrë se çdo mendim ka të njëjtën peshë në çdo çështje. Liria e fjalës nuk e ka përmbysur kurrë ligjin e gravitetit të dijes.

Demokracia nuk e ka zëvendësuar provën. Sot demokracia po përballet me njeriun që nuk ka krijuar kurrë asgjë, që s’ka asnjë shkollë dhe asnjë kompetencë për të folur mbi atë që vendos të flasë.

Algoritmi nuk njeh përgjegjësi, por njeh vëmendjen. Ti mendon se je i pavarur, por je skllav i algoritmit që duket se shton vëmendjen dhe të nxit të bëhesh më kërcënues. Jetojmë në një kohë kur britma udhëton më shumë sesa argumenti, ku shpifja udhëton më shumë se realiteti.

Emocioni merr më shumë hapësirë se arsyeja dhe merr më shumë “folloëers” dhe “likes”, duke mos i lënë njerëzit të shohin arsyen, por duke i nxitur të përqafojnë emocionin. Sa herë ndodh një krizë, të gjithë shprehin nevojën të bëhen pjesë e saj, jo sepse kanë diçka për të thënë, por sepse është krijuar një skenë për t’u dukur dhe për t’u mbledhur me babëzi, ku algoritmi sillet si drogë që nxit dikë të shtojë dozën e ndjekësve.

Sa herë e keni dëgjuar nga njerëz që kurrë në jetën e tyre nuk e kishin menduar as imagjinuar që të përziheshin me politikën apo protestat, por janë bërë pjesë vetëm sepse është trendi? Kanë frikë të mbeten jashtë valës

Kush mendon se me like dhe follëersa bën politikë, ose bën vetëm politikë, bën gabim. Me likes bën shërbimin e atyre oligarkëve me të mëdhenj të planetit, që përmes algorimit pasurohen çdo ditë. ”, u shpreh Rama.

4 ORE ME PARE

Rama 'thumbon' Marjana Koçekun pas largimit nga PS: Kalëruan këtë parti, pastaj filluan t’i gjuajnë me këpucë

"Bota nuk u zgjua prej Nartës, por nga Kushner!" Rama nga
edi rama-marjana koceku

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka komentuar largimin e deputetes Marjana Koçeku, e njohur si “Neomalsorja”, nga Partia Socialiste. Ajo u largua pak ditë më parë nga PS dhe ka vendosur të vijojë mandatin e saj në Kuvend si deputete e pavarur.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e zgjeruar të Grupit Parlamentar të PS-së, Rama u ndal te ky zhvillim politik. Me tone ironike, kryesocialisti u shpreh ndaj disa figurave që, sipas tij, kanë qenë pjesë e Partisë Socialiste dhe më pas sipas tij, "filluan t'i gjuajnë me këpucët e blera majë kalit".

“Një grumbullim i hatashëm gjërash që as janë njësoj as janë bashkë, por u mblodhën së bashku në një prurje që nxori në bregun e gjithë atij oqeani virtual deri te dhëmbët e atyre që e kalëruan këtë parti sa mundën dhe kur ranë nga kali filluan t’i gjuajnë me këpucët e blera majë kalit”, u shpreh Rama.

Më 14 qershor Koçeku njoftoi papritur largimin nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, duke deklaruar se do të jetë deputete e pavarur. Ajo arsyetoi se idealet dhe vlerat e saj, janë ato që i ka pasur para se të bashkohej me një parti politike dhe që i diktojnë edhe kufijtë, duke lënë të kuptohet një përplasje me liderin e PS, Edi Rama. Marjana Koçeku ishte një ndër emrat risi që PS solli në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës. Ajo u zgjodh automatikisht deputete, pasi udhëhiqte listën e mbyllur të socialistëve në qarkun e Shkodrës. Pas largimit, ajo ka njoftuar mbështetjen për protestën e Flamingove, një lëvizje qytetare që kërkon largimin e klasës aktuale politike./ZËRI

4 ORE ME PARE

Rama: Zvërneci u bë kërthiza e botës, Shqipëria në 'ciklon dixhital' prej 20 ditësh

"Bota nuk u zgjua prej Nartës, por nga Kushner!" Rama nga
edi rama

TIRANË- Në Pallatin e Brigadave po zhvillohet mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku në fokus të diskutimeve është investimi në Zvërnec, si dhe protestat që kanë “mbërthyer” vendin prej 20 ditësh.

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar të PS-së, u ndal te debati publik i ditëve të fundit lidhur me projektin në Zvërnec.

Rama tha se Shqipëria, sipas tij, është përfshirë në një “ciklon dixhital” gjatë 20 ditëve të fundit, ku çështja e Zvërnecit është zmadhuar në mënyrë të madhe në rrjetet sociale dhe në opinionin publik.

"Prej 20 ditësh Shqipëria u kthye në syrin e një cikloni dixhital. Një vorbull më e madhe sesa përmasat e vendit tonë. Kjo vorbull përfshiu të reja, të rinj, patriot dixhitalë, komedianë të kthyer në kandidatë, delirantë me qeleshe, njerëz nga të gjitha kontinentet, media sociale dhe tradicionale nga të gjitha kontinentet, parti politike në Europë dhe në SHBA, aktorë të biznesit të turizmit në rajon dhe aktorë shtetërorë malinj ndaj Shqipërisë. Natyrisht edhe karavidhet opozitare të vendit tonë. Befas Zvërneci u bë kërthiza e botës, ku po vendosej fati i ngrohjes globale. Bulevardi i Tiranës u bë sheshi ku qindra mijëra njerëz, sipas vetë Sanders, iu turrën oligarkisë botërore. Bota shqiptare u njehsua me histerinë e kanaleve sociale, duke bashkuar në një armatë të vetme çlirimtare zogjtë më elegantë të botës, Flamingot, me fundin e kazanit dixhital.

Degradimi i dhunshëm i një sherri vulgar mes rojeve të sigurisë private dhe një protestuesi u bë zanafilla e një lufte globale online, ku nuk mbeti llogore pa shkrehur municionet përkatëse. Po të ishte për botën e Nartës, ajo mund të ishte kthyer qetësisht edhe 10 vite më parë, kur flamingot nuk shtegtonin më drejt lagunës së saj, sepse i priste plumbi i gjuetarëve të dehur me dy këmbë.

Bota nuk u zgjua prej fatit të Nartës, por prej emrit të Kushnerit dhe hijes së vjehrrit të tij, të cilin e urrejnë për vdekje të gjitha armatat online. Dhe si në një film, bulevardi përputhi atë arenë të frikshme me krejt armatën e urrejtësve shqiptarë, online dhe offline. Jo kundër Trumpit, por ndaj meje dhe ndaj jush. I gënjeu mendja se çadra globale e kësaj proteste do të bënte mrekullinë që nuk e bëri dot çadra lokale e protestës së Lulit tim dhe kështu do të laheshin dy hesape të vjetra. Bota e madhe do ta turpëronte Trumpin në betejën e Nartës.", tha Rama.

6 ORE ME PARE

Nga "Zvërneci" te integrimi, PS mbledh sot Grupin Parlamentar (AGJENDA)

"Bota nuk u zgjua prej Nartës, por nga Kushner!" Rama nga
mbledhja e grupit te ps-edi rama

TIRANË- Partia Socialiste do të zhvillojë sot mbledhjen e radhës së zgjeruar të Grupit Parlamentar, ku do të diskutohen çështje të aktualitetit politik si dhe organizimi i punës së ardhshme të grupit parlamentar.

Mbledhja që po zhvillohet me dyer të mbyllura, ka nisur që prej orës 10:00 në Pallatin e Brigadave, ka mbledhur së bashku deputetët e Partisë Socialiste dhe ministrat e qeverisë. Pritet që mbledhja të zgjasë deri në orën 17:00.

Sipas agjendës, takimi do të hapet nga kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ndërsa më pas fjalën do ta marrë kryetari i Partisë Socialiste dhe Kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili pritet të japë drejtimet kryesore politike dhe organizative për periudhën në vijim.

Agjenda e mbledhjes së Grupit të PS:

Hapja e mbledhjes nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PSSH, Taulant Balla.

-Fjala e Kryeministrit, Kryetarit të PSSH, Edi Rama.

-Informim mbi konkluzionet e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE dhe ecurinë e negociatave të anëtarësimit. Pyetje / diskutime jo më shumë se 2 minuta për çdo folës

-Informim mbi paketën e ligjeve që lidhen me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Pyetje / diskutime jo më shumë se 2 minuta për çdo folës

-Informim mbi procedurat e ndjekura deri më tani për investimin në Zvërnec dhe interesin e shprehur për zhvillimin turistik të ishullit të Sazanit.

Pyetje / diskutime jo më shumë se 2 minuta për çdo folës

-Informim mbi ecurinë e Reformës Administrative Territoriale. Pyetje / diskutime jo më shumë se 2 minuta për çdo folës

-Informim mbi detyrat e lëna nga mbledhja e kaluar dhe performancën e anëtarëve të Grupit Parlamentar.

Pyetje / diskutime jo më shumë se 2 minuta për çdo folës

Mbledhja do të përfundojë sërish me fjalën e kryeministri Rama dhe kreut të Grupit, Taulant Balla.

Kjo është mbledhja e parë e Partisë Socialiste që prej nisjes së protestave kundër ndërtimeve në Zvërnec, të cilat kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe kanë marrë vëmendje edhe në media ndërkombëtare. Takimi zhvillohet gjithashtu në një moment zhvillimesh brenda grupit parlamentar socialist, pas largimit të deputetes Marjana Koçeku nga radhët e tij./ZËRI

Poll

MOS HUMB