Tensione në OKB! Gueterres 'KUNDËR' Izraelit: Populli palestinez është i shtypur prej 56 vjetësh
SHBA – Tensione në Këshillin e Sigurisë në OKB. Fjala e kreut të OKB-së Antonio Gueterres, nuk u mirëprit nga ambasadori izraelit, që e kundërshtoi atë.
Gueterres në fjalën e tij akuzoi ndër të tjera Izraelin, se me ndërhyrjen në Gaza dhe sulmet në enklavë, ka shkelur ligjin ndërkombëtar të luftës.
“Në çdo konflikt të armatosur, mbrojtja e civilëve është parësorë. Të mbrosh civilët, nuk nënkupton që të urdhërosh mbi 1 milionë njerëz të shkojnë në jug të një territori. Në zonë nuk ka ujë, nuk ka strehë, nuk ka ushqim, nuk ka karburant. Sikur të mos mjaftonte kjo, enklava edhe bombardohet ditë e natë, duke mos pasur siguri”, nisi fjalën e tij Gueterres.
Ai shtoi tonet ndaj Izraelit, duke thënë se ka mbajtur nën robëri popullin palestinez për 56 vite. Gueterres dënoi sulmet e Hamasit dhe të Izraelit.
“Ai popull ishte i shtypur, për 56 vite. Mund të them se sulmi i Hamasit nuk ishte rrufe në qiell të hapur. Ishte edhe rebelimi palestinez, për faktin se kanë jetuar nën pushtim gjatë gjithë kohës dhe nuk kanë ende një zgjidhje politike. Por, sulmi i Hamasit, më lejoni ta them këtu ishte qartësisht i tmerrshëm. Edhe sulmet e Izraelit nuk janë në të drejtën humanitare dhe as në kornizat e ligjeve të luftës”, deklaroi Gueterres.
Fjalët e numrit 1 të OKB-së, duket se nuk i kanë pëlqyer ambasadorit izraelit, Gilad Erdan. Ai tha se Gueterres flet, në një kohë, që nuk njeh situatën në terren në rajon.
“Deklaratat e Gueterres janë të rënda dhe fyese, duket se nuk njeh situatën e rajonit. Fjalët që ai po përdor nuk tregojnë aspak respekt për popullin izraelit. Komentet e tij përbëjnë justifikim për terrorizmin dhe vrasjen. Unë i kërkoj Gueterres të japë dorëheqjen menjeherë”, tha Erdan.
Ndërsa, në OKB foli edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Ai tha se Irani nuk mund të sulmojë Izraelin dhe as miqtë e shtetit izraelit, pasi do të ketë përgjigje të ashpër.
Hamasi sulmoi Izraelin, ndërsa përgjigja ishte e menjëhershme. Më tepër se 7100 njerëz kanë vdekur, nga sulmet e të dyja palëve./Zëri.ai/
Ndizen sirenat, Hamasi sulmon me raketa Izraelin

GAZA –Sirenat e alarmit u ndozën në Tel Aviv, pasi Hamasi nisi një sulm me raketa në qytet, këtë mesditë.
Nga sulmi me raketa, pesë persona janë lënduar. Ata pësuan disa lëndime, në kohën që po shkonin të strehoheshin.
Nuk raportohet për viktima nga ky sulm i papritur i Hamasit. Sulmi nga Hamasi vjen në kohën, që gjendja në Gaza vazhdon të jetë katastrofike.
Njerëzit në enklavë kanë nisur të pinë ujë të ndotur, për shkak të mungesës së ujit të pijshëm, ndërsa ka mungesa të theksuara në ushqim e karburante.
Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor, ndërsa përgjigja ishte e menjëhershme. Më tepër se 7100 njerëz kanë vdekur, nga sulmet e përgjakshme të të dyja palëve./Zëri.ai/
Lufta/ Ambasadori i Izraelit 'shfryn' ndaj Guterres, kërkon dorëheqjen

IZRAEL- Ambasadori izraelit shprehu zemërimin e tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm Antonio Guterres, duke i bërë thirrje atij të japë dorëheqjen. Guterres shprehu shqetësimin për "shkeljet e qarta" të ligjit ndërkombëtar humanitar në Gaza, duke këmbëngulur për një "armëpushim të menjëhershëm" në ditën e 18-të të luftës midis Izraelit dhe Hamasit.
“Jam thellësisht i shqetësuar për shkeljet e qarta të ligjit ndërkombëtar humanitar që po shohim në Gaza. Le të jemi të qartë: asnjë palë në një konflikt të armatosur nuk është mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare,”- tha ai, por pa përmendur emrin e Izraelit.
Guterres, megjithatë, tha se ankesat palestineze nuk mund të justifikojnë "sulmet e tmerrshme" të Hamasit, të cilat nga ana tjetër nuk mund të justifikojnë "dënimin kolektiv të popullit palestinez".
"Në një kohë kritike si kjo, është jetike që ne të jemi të qartë mbi parimet - duke filluar nga parimi themelor i respektimit dhe mbrojtjes së civilëve."
Menjëherë pas tij, ambasadori izraelit, Eli Cohen ka marrë fjalën, kërkoi dorëheqjen e Guterres.
“Nuk ka asnjë justifikim për të folur me ata që tregojnë simpati për ata që kanë kryer aktet më të tmerrshme kundër qytetarëve të Izraelit,”- theksoi ambasadori izraelit.
Militantët e Hamasit sulmuan Izraelin më 7 tetor dhe sulmuan objektiva kryesisht civilë, duke përfshirë familjet dhe një festival muzikor, duke vrarë të paktën 1,400 njerëz dhe duke marrë më shumë se 220 pengje. Nga ana tjetër, më shumë se 5,700 palestinezë janë vrarë në të gjithë Rripin e Gazës nga bombardimet hakmarrëse izraelite./Zëri.ai
Aleati i Erdoganit: Nëse është e nevojshme, të hyjmë në Gaza

ANKARA - Kreu i Partisë së Lëvizjes Nacionaliste (MHP) Devlet Bahçeli, që është aleat i Erdoganit, tha se nëse nuk arrihet një armëpushim në konfliktin e vazhdueshëm midis Izraelit dhe Hamasit, Turqia duhet të jetë e përgatitur për të ndërhyrë në konflikt.
"Nëse nuk vendoset një armëpushim brenda 24 orëve, nëse sulmet nuk ndalen, Turqia duhet të ndërhyjë në këtë konflikt, sa më shpejt të jetë e mundur. Mbrojtja e Gazës është trashëgimia jonë, e lënë nga paraardhësit tanë", tha ai.
Kryetari i MHP-së, Devlet Bahçeli foli në mbledhjen e grupit të partisë së tij. Bahçeli bëri thirrje për armëpushim për Gazën dhe u shpreh se nuk duhet të përjashtohet mundësia që Ankaraja të ndërhyjë në konflikt.
"Për hir të njerëzimit dhe si garantues në emër të Republikës turke, ne duhet të jemi të përgatitur dhe të vendosur për çdo lloj ndërhyrje dhe lufte. Ne nuk bëjmë asnjë hap prapa. Fëmijët, foshnjat dhe gratë nuk duhet të vdesin; shtypësit duhet të shkatërrohen, të këqijtë duhet të mallkohen", shtoi ai.
Bahçeli vazhdoi deklaratën e tij, duke kritikuar Kombet e Bashkuara dhe sistemin e diplomacisë në botë.
"Kombet e Bashkuara janë joefektive. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së nuk ka bërë gjë tjetër veçse është paraqitur në vendkalimin kufitar Rafah. Nuk ka asnjë shpresë nga Organizata e Bashkëpunimit Islamik. Samiti i Kajros për Gazën nuk ka dhënë asnjë rezultat. Vendet islamike shohin ngjarjet në mënyrë pasive dhe të janë të pafuqishme. Po shikojmë Gazën të bombardohet, prandaj misioni për të mbrojtur Gazën, bie mbi kombin turk.
Ose palët ulen në tryezë për një paqe të përhershme dhe një zgjidhje me dy shtete, ose Turqia do të reagojë në formën më të ashpër. Ky është qëndrimi ynë. Nëse është e nevojshme të shkojmë në Gaza, askush nuk duhet të shqetësohet. Paqja, stabiliteti dhe qetësia duhet të mbizotërojnë menjëherë dhe pa kushte në zonën e konfliktit", deklaroi Devlet Bahçeli, aleat i Erdogan.
Hamasi sulmoi Izraelin, ndërsa përgjigja ishte e menjëhershme. Më tepër se 7100 njerëz kanë vdekur, nga sulmet e të dyja palëve./Zëri.ai/
Analiza e Le Figaro: Si do përpiqet Irani të destabilizojë Izraelin?

GAZA- Që kur ushtria izraelite bombardoi Gazën si hakmarrje për sulmin e papritur të Hamasit më 7 tetor, ushtritë e kontrolluara nga Teherani në vende të ndryshme të botës kanë bashkuar forcat, duke ushtruar presion mbi Izraelin si dhe aleatin e tij kryesor, SHBA-në. Kjo lëvizje rrit rrezikun e një zgjatjeje të luftës midis ushtrisë izraelite dhe organizatës sunite palestineze. Për shkak se Irani, armiku i betuar i Izraelit, ka kontroll të plotë mbi ushtritë në shumicën e vendeve në kufi ose pranë shtetit izraelit, ai mund të përpiqet t'i përfshijë ata në armiqësi. Kështu zbuloi së fundmi gazeta franceze "Le Figaro ".
Javën e kaluar, ministri i jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian vizitoi Libanin, Irakun dhe Sirinë. Ndërsa shumë vende që kanë fraksione të rëndësishme shiite të kontrolluara nga Teherani ka të ngjarë të përfshihen në konflikt. Si rasti i Hezbollahut në Libanin jugor apo grupe të tjera që veprojnë nga territoret kufitare të Izraelit, madje edhe nga Jemeni. Megjithatë, nuk është ende koha për luftë për këtë "bosht të rezistencës", por operacioni për destabilizimin e shtetit hebre...edhe amerikanëve është gjithmonë gati.
Në Liban, kërcënimi i Hezbollahut
Kërcënimi më konkret për Izraelin aktualisht vjen nga Libani jugor dhe ushtria e Hezbollahut. Që nga granatimet e para të Forcave të Mbrojtjes izraelite (IDF) të Rripit të Gazës, ky grup terrorist shiit i armatosur dhe financuar nga "Garda Revolucionare" ka paralajmëruar se mund të fillojë një luftë nëse enklava palestineze bie nën kontrollin e ushtrisë izraelite. Tani për tani, është e kënaqur me bombardimin e pozicioneve ushtarake në veri të vendit. Sipas Institutit për Studimin e Luftës (ISW), të paktën 17 sulme u regjistruan vetëm më 22 tetor.
Terroristët e Hezbollahut përdorën raketa specifike të drejtuara antitank për të shënjestruar automjetet e blinduara të vendosura në kufi.
"Për herë të parë, raketat tokë-ajër shënjestruan gjithashtu një helikopter të ushtrisë izraelite," tha një zëdhënës ushtarak izraelit.
Dëshmi e rrezikut të kësaj situate është se shumë lokacione janë evakuuar ditët e fundit, përfshirë një qytet me më shumë se 20 mijë banorë. Hapja e një fronti të dytë në këtë zonë do të ishte shumë shkatërrues. Të dielën, dy anëtarë të Hezbollahut i thanë Reuters se aktiviteti ushtarak i grupit terrorist kishte për qëllim "rregullimin" e trupave izraelite në zonë, "por jo hapjen e një fronti të ri lufte".
Kjo strategji e detyron ushtrinë izraelite të mos përqendrojë të gjitha forcat dhe vëmendjen e saj në Gaza ndërsa Tel Aviv përgatitet për një operacion tokësor në enklavën palestineze. Në Siri, ushtritë shiite gjithashtu janë gati. Më 21 tetor, disa media izraelite raportuan mbërritjen në Siri të gjeneralit Esmail Ghaani, pasardhësi i Qassem Soleimanit si kreu i Brigadave Al-Quds.
"A është kjo një shije e dëshirës së Iranit për të hapur një front të ri në Siri nëse situata në Gaza përkeqësohet?,"-shkruanin mediat izraelite.
Nga ana tjetër, Irani po përpiqet të parandalojë Shtetet e Bashkuara, aleatin kryesor të Izraelit, që të ofrojë ndihma të konsiderueshme për shtetin hebre. Që në ditët e para të luftës kundër Hamasit, Uashingtoni i ka dërguar municion aleatit të tij dhe ka vendosur dy aeroplanmbajtëse në Mesdhe. Më 20 tetor, Hezbollahu i Irakut kërkoi që amerikanët "të dalin" nga Iraku, "ose do të shijojnë ferrin e zjarrtë". Përballë këtij kërcënimi, Shtetet e Bashkuara urdhëruan të dielën evakuimin e personelit jo thelbësor nga ambasada dhe konsullata e tyre në Irak./Zëri.ai
Lufta, banorët e Gazës pijnë ujë të pistë

GAZA – Kriza ka prekur kulmin në Gaza dhe situata po bëhet gjithmonë e më katastrofike. Banorët shprehen se uji i pastër ka mbaruar dhe po pijnë ujë të pistë. Mohammad Al Shanti detyrohet të udhëtojë gati katër milje për në spitalin Al-Aksa në Gazan qendrore, për të mbushur shishet plastike me ujë. Ky ujë mjafton vetëm për nevojat më elementare të familjes së tij.
“Ne nuk i lajmë rrobat tona; ne kursejmë çdo pikë të ujit”, tha ai për CNN, duke e përshkruar situatën në kërkim të ujit, si katastrofike.
Gjetja e ujit të pastër po bëhet një sfidë e madhe, pasi thuajse ka mbaruar. Sulmet brutale të Hamasit në Izrael më 7 tetor vranë të paktën 1400 njerëz dhe grupi mori më shumë se 200 pengje. Në vazhdën e sulmeve, Izraeli filloi një bombardim ajror të Gazës duke vrarë mbi 5000 persona. Izraeli njoftoi një rrethim të plotë në enklavë. Kështu banorët kanë mbetur pa ujë të pijshëm, si dhe kanë mungesë ushqimi e furnizimi me karburant.
Izraeli që atëherë ka lejuar që pak ujë 'të rrjedhë' përmes një prej tre tubacioneve që shkojnë në Gaza, por ekspertët thonë se ky ujë mbulon vetëm një përqindje të vogël të nevojave të enklavës. Ndodhur në këto kushte, disa banorë të Gazës janë detyruar të pinë ujë të ndotur dhe të kripur, duke shkaktuar shqetësime për një krizë shëndetësore dhe frikë se njerëzit mund të fillojnë të vdesin nga dehidratimi.
Prodhimi i ujit në Gaza është aktualisht në 5% të niveleve normale, sipas një raporti të UNICEF nga 17 tetori, duke cituar Autoritetin Palestinez të Ujit. Izraeli, nga ana tjetër thotë se nuk do të lejojë karburant në Gaza, edhe sikur të gjitha pengjet të lirohen. Tel Avivi pretendon se karburanti përdoret nga Hamasi, për lëshim raketash. OKB ka paralajmëruar se situata në Gaza mund të degradojë në krizë të rënduar humanitare.
Hamasi sulmoi Izraelin, ndërsa përgjigja ishte e menjëhershme. Më tepër se 7100 njerëz kanë vdekur nga sulmet e të dyja palëve./Zëri.ai/
Më tepër se 700 viktima në 24 orët e fundit në Gaza

GAZA - Gjithsej 704 persona në Gaza janë vrarë në 24-orëshin e fundit. Shifrat janë dhënë nga Ministria e Shëndetësisë palestineze.
Shifra është numri më i lartë ditor i publikuar që nga fillimi i sulmeve izraelite kundër Gazës.
Deklarata e ministrisë, e lëshuar në Ramallah në Bregun Perëndimor të pushtuar, tha se kishte pasur 47 ‘masakra’, ku për krimet fajësohet ushtria izraelite. Ministria, e cila kontrollohet nga Hamasi, tha se të vrarët përfshinin 305 fëmijë, 173 gra dhe 78 të moshuar.
Sipas ministrisë, viktimat e fundit e çojnë numrin e përgjithshëm të të vrarëve në Gaza në 5791 njerëz, ku përfshihen 2360 fëmijë, 1421 gra dhe 295 të moshuar. Ministria tha se ka gjithashtu 16297 njerëz që kanë lëndime dhe janë 1550 raportime për persona të zhdukur, ku 870 janë fëmijë.
Shifra vjen, ndërsa sulmet izraelite duket se po rriten; Shpërthimet gjatë natës të së dielës ishin ndër bombardimet më të qëndrueshme në veri të Gazës në dy javët e fundit. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit po përgatiten për një operacion të mundshëm tokësor në territorin e rrethuar dhe një numër i madh trupash dhe tankesh tashmë janë grumbulluar në kufi.
Izraeli ka nisur një operacion shumëpalësh mbi Hamasin nga ajri, toka dhe deti. Hamasi sulmoi Izraelin, ndërsa pergjigja ishte e menjëhershme. Më tepër se 7100 njerëz kanë vdekur, nga sulmet e të dyja palëve./Zëri.ai/
Izraeli godet dy celula të Hezbollahut

LIBAN- Avionët izraelitë goditën dy celula të Hezbollahut në Liban, të cilat po planifikonin të lëshonin raketa drejt Izraelit, ndërsa luftimet u shtuan përtej kufirit të përbashkët të dy vendeve.
Hezbollahu tha se një nga luftëtarët e organizatës u vra, pa dhënë detaje. Agjencia shtetërore e lajmeve të Libanit, NNA raportoi një sulm ajror izraelit në periferinë jugore të Aitaroun, në Libanin jugor. Agjencia gjithashtu nuk dha detaje. Ushtria izraelite tha se goditi të dy celulat, përpara se ushtarët armiq, të qëllonin.
Nuk ishte menjëherë e qartë nëse të dy palët po i referoheshin të njëjtave incidente. Izraeli më vonë tha se goditi më shumë objektiva të Hezbollahut, duke përfshirë një kompleks dhe një postë vëzhgimi. Nuk pati raportime të menjëhershme për të lënduar apo dëme.
Hezbollahu, i mbështetur nga Irani, ka shkëmbyer zjarr në kufirin me Izraelin, që kur grupi palestinez Hamas kreu një sulm shokues ndaj Izraelit më 7 tetor dhe Izraeli u përgjigj me sulme ajrore intensive në Gaza.
Hamasi sulmoi befasisht Izraelin, ndërsa përgjigja ishte e menjëhershme. Më tepër se 7100 njerëz kanë vdekur, nga sulmet e të dyja palëve./Zëri.ai/
Pamje të rënda/ Izraeli godet në afërsi të tregut në Gaza, shumë viktima e të plagosur

GAZA- Një bombardim izraelit në tregun Nusseirat (në sektorin jugor të Rripit të Gazës) shkaktoi një numër të madh vdekjesh dhe plagosjesh, sipas dëshmitarëve në vend të kontaktuar nga agjencitë italiane të lajmeve.
Objektivi i sulmit ishte me sa duket një ndërtesë pranë supermarketit më të madh në Rripin e Gazës, i cili ishte shumë i mbushur me njerëz në atë kohë.
Videot e kamerave të vëzhgimit tregojnë momentin e goditjes së bombës. Në videot në internet po u jepet ndihmë të plagosurve të shumtë. Viktimat u transportuan në spitalin Shuhada në Khan Yunes ku ka një situatë alarmi edhe për shkak të mungesës së karburantit.
Macron takon Netanyahun: Koalicioni që mundi ISIS, do shkatërrojë Hamasin

JERUZALEM- Në Jeruzalem, presidenti francez Emanuel Macron, takoi kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.
Macron krahasoi Hamasin me ISIS, që sulmonte objekte në Francë. Presidenti francez tha se i njëjti koalicion ndërkombëtar, që shkatërroi ISIS, do ta mposhtë edhe Hamasin.
“Izraeli nuk është vetëm. Franca është gati, që koalicioni që luftoi e lufton në Siri dhe Irak kundër ISIS, të luftojë edhe Hamasin. Hezbollah dhe Irani duhet ta dinë se Perëndimi dhe koalicioni i madh është këtu. Një konflikt, që zgjerohet në këtë rajon, do të kishte pasoja të mëdha për të gjitha palët, ndaj nuk do të ishte gjëja e duhur”, tha Macron.
Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë e Palestinës tha se vetëm gjatë 24 orëve të fundit, në Gaza kanë vdekur më tepër se 700 persona. Izraeli pretendon se po godet vetëm infrastrukturën e Hamasit.
Hamasi sulmoi fillimisht Izraelin, ndërsa përgjigja ishte e menjëhershme. Më tepër se 7100 njerëz kanë vdekur nga sulmet e përgjakshme, të të dyja palëve./Zëri.ai/
Hamasi e liroi, e moshuara kthehet dhe i jep dorën ushtarit

GAZA- Dalin pamjet e momentit kur ushtarët e Hamasit lirojnë 2 nga pengjet e marra në Izrael. Një prej tyre është edhe 85-vjeçarja, Yocheved Lifshitz, e cila teksa lirohet, kthehet edhe njëherë pas për t'i dhënë dorën një prej ushtarëve të Hamasit dhe duke i thënë "shalom", një përshëndetje hebraike që do të thotë "paqe".
Lifshitz u la e lirë së bashku me 79-vjeçaren Nurit Cooper mbrëmjen e së hënës. Dy gratë dhe burrat e tyre u rrëmbyen nga shtëpitë e tyre në kibutz të Nir Oz pranë kufirit të Gazës më 7 tetor. Por bashkëshortët e tyre, të cilët janë 83 dhe 84 vjeç, nuk u liruan.
“Ndërsa nuk mund ta shpreh me fjalë lehtësimin se ajo tani është e sigurt, do të mbetem e fokusuar në sigurimin e lirimit të babait tim dhe të gjithë atyre – rreth 200 njerëzve të pafajshëm – që mbeten peng në Gaza,” tha vajza e Lifshitz, Sharone Lifschitz. Lifschitz, një artiste dhe akademike në Londër u tha gazetarëve javën e kaluar se prindërit e saj ishin aktivistë të paqes dhe babai i saj do të shkonte me makinë në kufirin e Gazës për të çuar palestinezët në Jerusalemin Lindor për trajtim mjekësor.
Hamasi me sa duket nuk mori asgjë në këmbim të lirimit të pengjeve, të cilët u lanë të lirë disa ditë pasi u liruan edhe një grua amerikane dhe vajza e saj adoleshente. Hamasi dhe militantët e tjerë në Gaza besohet se kanë marrë peng rreth 220 persona, duke përfshirë një numër të pakonfirmuar të huajsh dhe persona me dy shtetësi./Zëri.ai
U mor peng nga Hamasi, flet 85-vjeçarja: Kam përjetuar ferrin!

IZRAEL- Yocheved Lifschitz - një nga dy pengjet e liruara nga Hamasi, ka treguar terrorin që ka përjetuar. Duke folur për mediat nga një spital në Tel Aviv, ajo përshkruan se si u rrëmbye nga persona të armatosur të Hamasit me motoçikleta.
"Kam kaluar nëpër një ferri që nuk e kisha imagjinuar më parë,"-tregoi Lifschitz, një gjyshe 85-vjeçare. Ajo u mbajt rob në Gaza për më shumë se dy javë përpara se të lirohej dhe të kthehej në Izrael të hënën vonë në mbrëmje.
"Ishte e vështirë, por ne do ta kalojmë edhe këtë," tha ajo, duke rrëfyer përvojën e saj për gazetarët jashtë Qendrës Mjekësore Sourasky të Tel Avivit.
Duke folur në hebraisht dhe e ulur përkrah vajzës së saj që përkthente, Lifchitz përshkroi se si u kap nga persona të armatosur të Hamasit gjatë sulmit të tyre brutal terrorist në Izrael më 7 tetor.
"Unë u rrëmbeva me një motoçikletë. Koka ime ishte në njërën anë të motoçikletës ndërsa këmbët vareshin nga ana tjetër. Kam marrë mavijosje,"-shtoi Lifshitz.
Deri më tani, të paktën 2,000 fëmijë janë vrarë në Gaza gjatë 17 ditëve. Sipas autoriteteve palestineze, ata janë në mesin e më shumë se 5,000 njerëzve të vrarë në bombardimet e Izraelit./Zëri.ai
Rrëfehen anëtarët e Hamasit: Na premtuan 10 mijë dollarë dhe një apartament për çdo peng
Sipas materialit hetimor të lëshuar nga Shin Bet dhe policia izraelite, terroristëve të Hamasit të përfshirë në sulmin vdekjeprurës ndaj Izraelit iu dhanë urdhra të qarta për të vrarë dhe rrëmbyer civilë.
Videoja thuhet se përfshin pjesë nga marrja në pyetje e gjashtë anëtarëve të lëvizjes islamike, të cilët u arrestuan pas masakrës së 7 tetorit, e cila la të paktën 1,400 njerëz të vdekur në territorin izraelit.
Sipas Jerusalem Post, terroristët që shihen duke folur me hetuesit në video ishin të përfshirë në sulmet e forcave të Hamasit në kibuci dhe objektiva të tjerë të organizatës. Megjithëse përvojat që ata përshkruajnë janë të ndryshme, është e habitshme që të gjithë ata pranuan se ishin urdhëruar të vrisnin dhe rrëmbenin civilë.
Plani fillestar ishte që të pushtonin qytetet ku ata kryenin sulmin dhe të qëndronin atje, pas ekzekutimeve dhe rrëmbimeve të civilëve. Disa terroristë të Hamasit u urdhëruan të vrisnin kryesisht të rinj, pavarësisht nëse ishin civilë apo jo, dhe të rrëmbenin gra dhe fëmijë.
Një nga të arrestuarit shihet duke u thënë hetuesve se anëtarëve të Hamasit iu ishte premtuar se "kushdo që kthente [në Gaza] një peng do të merrte 10,000 dollarë dhe një apartament".
Disa nga skenat e përshkruara nga anëtarët e kapur të Hamasit në video janë rrëqethëse, megjithëse shumë detaje të deklaratave të tyre janë redaktuar.
Njëri nga burrat flet për momentin kur pa trupin e një gruaje në dyshemenë e një shtëpie. “Ajo ishte në dysheme... Unë e qëllova dhe komandanti im më bërtiti për shpërdorim plumbash”.
Burrat përshkruajnë se si qëlluan dhe vranë civilë, u vunë flakën shtëpive dhe terrorizuan familje të tëra, duke përdorur gjymtyrët e tyre si mburoja njerëzore.
Në fund të videos, të arrestuarit pyeten nëse besojnë se mizoritë e kryera nga Hamasi gjatë sulmit të 7 tetorit kundër grave dhe fëmijëve janë të lejueshme në Islam. Të gjithë ata dhanë një përgjigje negative, duke shpjeguar se feja e tyre është kundër vrasjes së të pafajshmëve dhe duke pranuar se mënyra e operimit të Hamasit ngjan me atë të Shtetit Islamik. Zeri.ai
Lufta/ Djali i Netanyahut zemëron ushtarët: Rri në SHBA dhe nuk kthehet të luftojë

SHBA- Djali 32-vjeçar i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu po kritikohet pasi nuk i është bashkuar forntit të parë të luftës, ndërsa 360,000 rezervistë izraelitë po luftojnë kundër Hamasit. Sipas Daily Mail, Yair Netanyahu ndodhet në Florida që nga prilli i kaluar, pasi babai i tij i kërkoi të mos bënte postime nxitëse në rrjetet sociale, për shkak të telasheve që i kishin shkaktuar atij dhe familjes së tij.
Yair, megjithatë, zgjodhi të qëndrojë në Miami, pavarësisht kohërave jashtëzakonisht të vështira që po përjeton atdheu i tij. Ky fakt ka acaruar disa ushtarë izraelitë.

"Ai po shijon jetën e tij në Miami Beach, ndërsa unë jam në vijën e parë. Ne i lëmë punët tona, familjet, fëmijët tanë, për të mbrojtur popullin dhe vendin tonë, dhe ata që janë përgjegjës për këtë situatë s'janë këtu.Vëllezërit tanë, baballarët tanë, djemtë tanë, të gjithë shkojnë në vijën e parë, por Yair nuk është këtu. Kjo nuk ndihmon aspak për të pasur besim te lidershipi i vendit,"- tha një ushtar vullnetar që shërben në frontin verior për The Times.
Një tjetër ushtar i vendosur në kufirin me Gazën shprehu gjithashtu pakënaqësinë e tij për mungesën e djalit të kryeministrit izraelit.
“Unë u ktheva nga SHBA-ja ku është puna, jeta ime, familja ime. Nuk kishte si të qëndroja atje dhe të braktisja vendin tim, popullin tim, në këtë moment kritik. Ku është djali i kryeministrit? Pse nuk është në Izrael?,"- pyet ushtari. Sipas tij, të gjithë izraelitët duhet të jenë të bashkuar dhe të pranishëm në këtë moment dhe sigurisht që nuk përjashtohet edhe djali i Netanyahut.
Shërbimi ushtarak është i detyrueshëm për shumicën e izraelitëve kur mbushin 18 vjeç. Burrat shërbejnë për 32 muaj dhe gratë për 24. Pas kësaj, shumica mund të thirren në njësitë rezervë deri në moshën 40 vjeç, ose edhe më të vjetër në rast të një emergjence kombëtare. Në kohë lufte, ata luftojnë përkrah trupave të rregullta./Zëri.ai
Masakër mbi civilët? Izraeli publikon pamjet: Kështu u sulmuan nga Hamas

IZRAEL- Teksa kritikat për sulmet e Izraelit ndaj Gazës po shtohen, izraelitët po punojnë për të faktuar se sulmet e Hamasit ndaj civilëve izraelitë përfshirë të moshuarit dhe fëmijët që shkaktuan luftën aktuale, ishin të rënda. Videot nga kamerat e sigurisë, telefonat celularë dhe kamerat e trupit të shfaqura për gazetarët, tregojnë pamjet rrëqethëse të vrasjeve dhe gjymtimeve gjatë sulmit të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor.
Qeveria izraelite tregoi përmbledhjen e skenave prej 43-minutash për dhjetëra gazetarë të huaj në një bazë ushtarake në Tel Aviv, në formë përpjekje për të mohuar ose minimizuar masën e ndikimit dhe sulmeve te popullsia civile.
Fragmente nga video e suguruar nga The Guardian tregon momentin kur militantët e Hamasit sulmojnë një makinë teksa po ecte. Personat e armatosur hapën zjarr, duke goditur automjetin, i cili u përmbys, duke zbuluar dy persona të rrëzuar në sediljet e përparme.
Një tjetër skenë tregon një baba dhe dy djemtë e tij, afërsisht shtatë dhe nëntë vjeç, duke vrapuar me të brendshme drejt një strehe për bomba. Një sulmues i Hamasit hodhi një granatë, duke vrarë burrin. Djemtë dalin të gjakosur dhe vrapojnë.
Skena të tmerrshme nga sulmi, në të cilin vdiqën më shumë se 1,400 izraelitë, janë shpërndarë gjerësisht në mediat sociale në dy javët e fundit. Bombardimet në Gaza, vranë të paktën 400 palestinezë në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin total të vdekjeve në territor në më shumë se 5,000, sipas ministrisë së shëndetësisë të Hamasit. Viktimat përfshijnë 2,055 fëmijë.
Mbështeti Hamasin, arrestohet aktorja arabo-izraelite

IZRAEL- Aktorja arabo-izraelite Maisa Abd Elhadi, e njohur në Izrael për shfaqje dhe seriale të ndryshme televizive, u arrestua nga policia pasi mbështeti përmes mediave sociale sulmin e Hamasit më 7 tetor. Policia konfirmoi arrestimin e Elhadi, e cila akuzohet përe dyshuar për “mbështetje të terrorizmit dhe nxitje të urrejtjes”.
Aktorja postoi në rrjetet sociale një imazh të një gruaje të moshuar të marrë peng nga Hamasi, shoqëruar me emoji të qeshur, dhe një imazh tjetër në të cilën terroristët mund të shihen duke thyer barrierën e sigurisë izraelite me shkrimin në anglisht "Let's go , stil Berlin”. Postimet e saj morën shumë kritika.
Në 7 tetor, 1,400 persona u vranë në sulmet e Hamasit ndaj Izraelit. Ndërkohë në kunërsulmin e Izraelit, në Gaza 5,000 persona janë vrarë që nga 7 tetori.
Lirimi i dy pengjeve të Hamasit, vajza: Mamaja po tregon çfarë ka ndodhur me të tjerët

IZRAEL- Nurit Cooper dhe Yocheved Lifshitz u liruan mbreme nga Hamasi dhe familjarët e tyre kanë folur për here të parë, pas rikthimit të tyre në shtepi. Vajza e Yocheved Lifschitz, një prej pengjeve të liruar mbrëmë, ka vizituar nënën e saj në spital në Izrael. Në një intervistë për BBC ajo njoftoi se nëna e saj është mirë.
"Infermierët thjesht po bëjnë një bisedë, ata thonë se ajo është shumë e mprehtë dhe është shumë e prirur të ndajë informacionin, t'ua kalojë informacionin familjeve të pengjeve të tjera me të cilët ishte. Jam pak pa fjalë. Të shoh mamanë time përsëri është një gjë e pabesueshme. Unë jam shumë krenare për të”, rrëfen Sharone.
-
Lirohen dy izraelite të marra peng nga Hamasi
23 Tetor, 21:48
Sharone teksa përshkruan momentet kur u takua me nënën e saj nuk harron të përmendë edhe pengjet e tjera.
“Ka ende mbi 200 njerëz atje dhe ne nuk duhet të kapemi vetëm në lumturinë tonë personale, por të punojmë për lirimin e të gjithëve”, u shpreh Sharone.
Bashkë me Nurit Cooper dhe Yocheved Lifshitz, tashmë janë liruar katër pengje nga Hamasi. Kujtojmë se dy amerikano-izraelitë, nëna dhe vajza Judith dhe Natalie Raanan, u liruan të premten.
Macron zbarkon në Izrael, zbulohen qëllimet e vizitës së tij

IZRAEL- Presidenti francez Emmanuel Macron ka mbërritur këtë mëngjes në aerorportin Ben Gurion në Izrael, ku do të takohet gjatë ditës me kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanyahu.
Qëllimi i vizitës është që të tregojë solidaritetin e Francës me Izraelin, të ndihmojë në lirimin e pengjeve që ende mbahen nga Hamasi dhe të parandalojë çdo përshkallëzim të konfliktit aktual, thanë këshilltarët e tij për Reuters.
Macron do të takohet gjithashtu me presidentin izraelit Isaac Herzog dhe liderët e qendrës Benny Gantz dhe Yair Lapid nga opozita gjatë vizitës së tij. Vizita e Macron bëhet dy ditë pasi në kryeqytetin francez, Paris, u mbajtën protesta në mbështetje të Palestinës.
"Gaza, Parisi është me ju!", kanë qënë thirrjet e mijëra qytetarëve që kishin dalë në shesh, duke valëvitur flamujt palestinezë. Të dielën autoritetet në Francë lejuan demonstratën e parë pro-palestineze.
Rreth 15,000 njerëz dolën në Place de la Republique, sipas shifrave të policisë franceze, për të shprehur solidaritetin me palestinezët dhe për të bërë thirrje për një armëpushim pasi numri i të vdekurve nga sulmet izraelite në Gaza u rrit në më shumë se 5000.
Policia tha se protesta ishte e autorizuar, ndryshe nga të tjerat, sepse deklarata e organizatorëve dënonte sulmet e 7 tetorit ndaj Izraelit, ku u vranë 1400 njerëz.
‘Spitali do të kthehet në varr masiv’, Save the Children: 2 mijë fëmijë të vrarë në Gaza

GAZA- Organizata ndërkombëtare "Save the Children” ka bërë thirrje të vazhdueshme për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza, duke thënë se numri i fëmijëve të vrarë ka arritur të paktën 2,000.
"Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të mbrojtur jetët e fëmijëve dhe komunitetit ndërkombëtar që t'i mbështesë ato përpjekje," tha organizata në një deklaratë të hënën, duke shtuar se sulmet ajrore izraelite "po vrasin dhe plagosin fëmijë pa dallim".
CNN nuk mund të verifikojë në mënyrë të pavarur këto pretendime, megjithatë ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza tha më herët se numri i të vdekurve nga sulmet izraelite në territorin e rrethuar ka arritur të paktën 5,087, duke përfshirë 2,055 fëmijë dhe 1,119 gra.
Save the Children shtoi se më shumë se 1 milion fëmijë janë "të bllokuar" në Gaza pa asnjë vend të sigurt për të shkuar. Organizata humanitare paralajmëroi për ndikimet shkatërruese të mungesës së ilaçeve dhe energjisë elektrike për të fuqizuar infrastrukturën shëndetësore në enklavën me popullsi të dendur.
"Sistemi shëndetësor në Gaza ka arritur fazën më të keqe në historinë e tij," tha zëdhënësi i ministrisë së shëndetësisë, Ashraf Al-Qudra, në një deklaratë të martën herët.
Spitali më i madh i Gazës do të bëhet një “varr masiv” nëse i mbaron karburanti, ka paralajmëruar një mjek britaniko-palestinez që punon atje.
“Pyetja e vërtetë është, a ka mbetur ndonjë gjë nga një spital kur nuk ka energji elektrike? Dhe përgjigja ime është jo. Në mënyrë efektive, Spitali Shifa do të bëhet një varr masiv nëse i mbaron energjia elektrike”, ka thënë Dr. Ghassan Abu-Sittah për CNN.
Ai ka shtuar se aktualisht janë 150 pacientë në ventilatorë me mjekë në pamundësi për të drejtuar salla operative dhe makina anestezike për shkak të mungesës së energjisë elektrike. Sipas tij, spitali aktualisht ka “rreth 1,700 pacientë të plagosur, trefishi i kapacitetit të tij”.
Armëpushimi në Gaza, ministrat e jashtëm të BE nuk bëhen në një mendje

BE- Ndalimin e shkëmbimit të zjarrit për arsye humanitare do ta mbështesnin patjetër vendet anëtare të BE, është i mendimit, i ngarkuari i BE për politikën e jashtme, Josep Borrell. Një armëpushim i tillë duhet që të sillte ndihmat humanitare në Rripin e Gazës dhe popullsia civile të vendoset në siguri. Për këtë u konsultuan të hënën ministrat e Jashtëm të BE. Pozicionin përfundimtar do ta vendosin krerët e shteteve dhe qeverive të BE në takimin e tyre në Bruksel në fund të javës, theksoi Borrell. Konsensusi bazik është i mundur edhe pas takimit të ministrave të Jashtëm, edhe pse nuk pati një miratim formal, sipas Borrell.
BE e ka të vështirë gjetjen e një qëndrimi të përbashkët
BE e konsideron organizaten militante palestineze si terroriste, ashtu si Izraeli, SHBA, Gjermania e vende të tjera. Që nga 7 tetori, kur Hamasi sulmoi Izraelin në mënyrë masive terroriste, BE e ka të vështirë të gjejë një pozicion të përbashkët. Dy ditë pas sulmit të papritur të Hamasit u vunë re paqartësi, nëse dhe nëse po cilat ndihmat humanitare do të ndërpriteshin për zonat palestineze. Edhe ideja e ndalimit të përkohshëm të goditjeve apo një armëpushimi për arsye humanitare nuk gjen kudo mbështetje tek vendet anëtare. Po e paqartë mbetet, se ku është dallimi mes këtyre të dyjave.
Ndalim i goditjeve apo armëpushim?
Borrell i pyetur për këtë tha, se një armëpushim është për të më shumë se ndalimi i zjarrit. Ky i fundit është një qëllim më pak ambicioz dhe mund të zbatohet më shpejt. Armëpushimin për arsye humanitare duhet që ta vendosin të dyja palët në konflikt. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres e shfaqi këtë ide para pak ditësh. Që para takimit të ministrave të Jashtëm disa vende e mbështetën kërkesën për armëpushim. "Ne bëjmë thirrje për një armëpushim urgjent për arsye humanitare, për të krijuar korridore për ndihma humanitare për popullsinë civile", kërkoi ministrja e Jashtme sllovene, Tanja Fajon. Edhe Spanja dhe Irlanda e mbështetën kërkesën e Guterres.
Gjermania heziton për armëpushimin
Kurse ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock është shprehur me rezerva. Ajo u shpreh se luftimi i terrorizmit që ka sjellë kaq shumë vuajtje tek njerëzit në Gaza është "esencial". Politikanja e gjelbër shtoi se "në të njëjtën kohë duhet bërë çdo gjë që të zbutet vuajtja e jashtëzakonshme e dy milionë njerëzve në Gaza". Edhe nga pala çeke dhe letoneze u dëgjuan të njëjtat tone.
Ministri i Jashtëm çek Jan Lipavsky e vuri në pikëpyetje, nëse një armëpushim i tillë do të mund të zbatohet vetëm me Hamasin. Ai shpreson që askush të mos e harrojë të drejtën për vetëmbrojtje të Izraelit. Më i qartë ishte ministri i Jashtëm italian. "Ne nuk mund t'i themi Izraelit, që nuk mund të mbrojë veten, për sa kohë që Hamasi hedh raketa mbi qytetet e tij."
Tani vendimi për të kërkuar një ndalim të shkëmbimit të zjarrit, armëpushim humanitar apo asgjë të tillë i mbetet krerëve të shteteve dhe qeverive të BE që takohen të enjten. Në një draft të presidentit të Këshillit të BE, Charles Michel është përgatitur pasazhi përkatës, të paktën deri më tani./DW