REL: Lista Serbe para ndryshimeve, një parti e re në horizont

BEOGRAD- Serbët në Kosovë së shpejti do të kenë një parti të re politike, e cila do të veprojë në të gjitha zonat e banuara me shumicë serbe në veri dhe jug të lumit Ibër, me qëllim të "mbrojtjes së interesave të tyre". Bëhet fjalë për partinë Lëvizja Popullore Serbe, e cila është themeluar si alternativë ndaj Listës Serbe, nga Branimir Stojanoviç, aktivist politik nga jugu, dhe Millia Bishevac nga veriu i Kosovës. Lista Serbe, e cila ka mbështetjen e Beogradit, ishte deri më tani opsioni i vetëm politik që funksiononte në të gjitha mjediset e banuara me serbë në Kosovë.
"Ne duam të ndërtojmë një organizim të ri politik që do të përfaqësojë interesat e njerëzve nga të gjitha komunitetet serbe në mënyrë të arsyeshme dhe racionale,"- thotë Branimir Stojanoviç në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë (REL). Megjithatë, ai nuk deshi t'i zbulojë emrat e personave që, përveç tij dhe Bishevaçit, do të kenë rol në këtë lëvizje.
“Për pak kohë do t’i mësoni emrat e disa njerëzve të rinj dhe të mjediseve të tjera [të banuara me shumicë serbe]. Do të shihni që është një nismë më serioze dhe më e gjerë, e cila nuk kufizohet vetëm te ne të dy. Larg kësaj, do të ketë shumë njerëz të rinj”, shprehet Stojanoviç.
Ai shton se disa prej atyre që do të jenë anëtarë të Lëvizjes Popullore Serbe, kanë marrë pjesë në politikë, e disa të tjerë, do të jenë të rinj.
Një nga themeluesit e Listës Serbe ishte edhe Branimir Stojanoviç, i cili pas largimit nga kjo parti, u bë “kundërshtar dhe kritik” i saj. Siç deklaroi vetë Stojanoviç, ai u largua nga Lista Serbe, sepse më nuk pajtohej me politikën e tyre. Në zgjedhjet lokale të Kosovës në vitin 2021, ai ishte kandidat i pavarur për kryetar të Graçanicës, një komunë e banuar me shumicë serbe afër Prishtinës. Po atë vit, Millia Bishevac mori pjesë në zgjedhjet në Zubin Potok në veri të Kosovës me Iniciativën e tij Qytetare, Për Zubin Potokun, kur hyri në Kuvendin Komunal si këshilltar.
“Ne duam të ofrojmë një alternativë, të tregojmë se si duhet të jetë, jo vetëm të jemi kundër diçkaje, por të jemi në interes të njeriut të thjeshtë”, tha Stojanoviç.
Fytyra të reja edhe te Lista Serbe?
Derisa alternativat e reja politike serbe po afrohen, mediat lokale në gjuhën shqipe në Kosovë raportuan se Lista Serbe do të mbajë një kuvend të partisë në ditët në vijim, ku do të zgjidhet kryetari dhe kryesia e re. Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të konfirmojë një informacion të tillë sepse Lista Serbe nuk iu përgjigj thirrjeve dhe mesazheve deri në publikimin e këtij teksti. Nuk ka pasur përgjigje as nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë lidhur me “ristrukturimin” e mundshëm të Listës Serbe. Deri më 29 shtator, nënkryetar i Listës Serbe ishte Millan Radoiçiç, i cili mori përgjegjësinë për sulmin ndaj policisë së Kosovës në Banjskë afër Zveçanit nga një grup i armatosur serbësh, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.
Lista Serbe deri më tani nuk është distancuar publikisht nga Radoiçiçi dhe as nuk ka reaguar pas dorëheqjes së tij.Branimir Stojanoviç, nga ana tjetër, beson se çdo ndryshim brenda Listës Serbe do të jetë formal, gjegjësisht nuk do të sjellë “ndryshime thelbësore”.
“Prandaj është e rëndësishme që populli ynë të kuptojë se mjaft është me këtë formalitet... besoj se njerëzit tanë do ta vlerësojnë shumë mirë se të gjitha ndryshimet që do të ndodhin, janë thjesht ‘larje’ e një mekanizmi korruptiv, që është vështirë të ndryshohet”, tha Stojanoviç në një deklaratë për REL-in.
Lista Serbe Kuvendin e fundit të rregullt zgjedhor e mbajti në vitin 2021, kur Goran Rakiçi u zgjodh kryetar i partisë për një mandat katërvjeçar.
Ndërsa nënkryetarë u zgjodhën Millan Radoiçiç, Igor Simiç dhe Dalibor Jevtiç.
Edhe Miodrag Marinkoviç nga organizata joqeveritare Qendra për Veprime Afirmative Sociale, beson se personat e rinj në listën Serbe nuk do të thonë “praktikisht asgjë” dhe beson se kjo parti me siguri do të mbetet me ndikim për shkak të mbështetjes së Beogradit.
“Këtë mund ta shohim nga qeverisja e Partisë Progresive Serbe në Serbi, në të cilën njerëzit drejtues në parti zëvendësohen sepse janë diskredituar nga një sërë aferash. Mendoj se po kjo po i ndodhë Listës Serbe. Është vetëm një tentativë ‘ribrendimi’ por jo një ndryshim thelbësor”, shprehet ai.
A do ta ketë ndonjë parti tjetër mbështetjen e Beogradit?
Marinkoviç nga Qendra për Çështje Sociale Afirmative konsideron se është mirë që do të ketë “pluralizëm” në mesin e komunitetit serb në Kosovë, pas një dekade të sundimit absolut të Listës Serbe. Megjithatë, ai thekson rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet opsioneve politike që deklarohen si "alternativë e Listës Serbe" dhe përmend "domosdoshmërinë e bashkëpunimit me Beogradin" dhe "qëndrimin e unifikuar ndaj autoriteteve të Kosovës me qëllim të mbrojtjes së interesave të komuniteti serb” si arsye. Marinkoviç, gjithashtu, beson se asnjë opsion i ri politik nuk do ta ketë mbështetjen e Beogradit, nëse nuk ka kontroll mbi të.
“Lista serbe është ende në lojë, është e diskredituar, por ajo që e bën atë një faktor të vlefshëm në mesin e komunitetit serb është pikërisht mbështetja nga Beogradi. Ka mekanizma që mund të përdoren për të ndikuar te votuesit”, thotë Marinkoviç dhe në këtë kontekst përmend se një numër i madh i të punësuarve në institucionet serbe janë në Kosovë.
Policët serbë pa mbështetjen e Beogradit dhe pa mbrojtjen e Prishtinës
Departamenti i Shtetit e vlerëson si të papranueshëm presionin ndaj policëve serbë në veri të Kosovës. Nga ana tjetër, Branimir Stojanoviç thotë se në këtë moment është e rëndësishme që ata të përkrahen nga “njerëz të zakonshëm”.
“Nëse dikush tjetër do të na mbështesë më vonë dhe do ta kuptojë se politika e bërë në këtë mënyrë nuk mund të vazhdojë, ne nuk mund ta dimë këtë. E sigurt është se ne duam të flasim me të gjithë ata që ndikojnë në jetën tonë. Sigurisht që Beogradi është një nga ato adresa dhe se a do të ketë mirëkuptim për argumentin tonë, nuk mund ta dimë tani,”- thekson ai.
Parashihet formimi i nismave të tjera
Aktivisti politik nga Mitrovica e Veriut, Dejan Nedelkoviç, më parë i tha REL-it se ai dhe njerëzit e tij, ngjashëm do të formojnë iniciativa qytetare nëse shpallen zgjedhjet lokale në komunat në veri dhe Lista Serbe merr pjesë në to.
“Këtë na e kërkojnë qytetarët, pas 10 vjetësh punë opozitare, sa jemi duke luftuar kundër Listës Serbe, populli vetëm pas dhjetë vjetësh e ka konstatuar se kemi të drejtë,”- tha ai.
Gjithashtu, një grup politikanësh nga veriu dhe jugu paralajmëruan riaktivizimin e Këshillit Kombëtar Serb, i cili funksionoi deri në vitin 2013. Ndryshe, shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në veri të Kosovës është paraparë me planin për shtensionim të situatës, pasi kryetarët shqiptarë morën pushtetin në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Kryetarët e zgjedhur të këtyre komunave nuk pranohen nga popullata lokale serbe, e cila i bojkotoi zgjedhjet e prillit.
Lista Serbe, e cila fillimisht bëri thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve, më 13 tetor njoftoi se është e gatshme të marrë pjesë në to./REL
Ministri serb i Mbrojtjes-Kurtit: Prishtina, epiqendra e karteleve të drogës

SERBI - Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviç ka mohuar sot akuzat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Vuçeviç ka kaluar në akuza të rënda ndaj Kurtit, duke thënë se Prishtina, nën qeverisjen e tij, është bërë qendra e karteleve të drogës.
"Këto akuza mund të jenë vetëm imagjinare, nuk mund të kenë kuptim. Ato që thotë ‘tirani i vogël’ nga Prishtina nuk kanë kuptim. Më lejoni t'i kujtoj tiranit të vogël nga Prishtina, se epiqendra e karteleve të drogës dhe bandave kriminale është në Prishtinë.
Ai duhet ta shikojë problemin aty dhe jo përreth apo larg vetes. Nëse dëshiron të luftojë krimin, duhet të fillojë nga ajo që po ndodh në Prishtinë”, u tha Vuçeviç, gazetarëve.
Po ashtu, ministri serb hodhi akuza të forta ndaj Kurtit, teksa tha se po ushtron terror ndaj serbëve, në përpjekje për të larguar popullatën serbe nga Kosova.
Edhe Ministria e Mbrojtjes e Serbisë, sot, me anë të një komunikate, hodhi poshtë akuzat e Albin Kurtit. Ministria serbe i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar, të reagojë, për “sulmet e Prishtinës në drejtim të institucioneve të Serbisë”.
Sot, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, deklaroi se sulmin në Banjskë e ka kryer “klani i Novi Sadit” dhe se në krye të komandës ka qenë ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviç./Zëri.ai/
Eurodeputeti kroat: Nëse Radoiçiç nuk ekstradohet, Serbia të ndëshkohet

ZAGREB - Deputeti kroat i Parlamentit Europian, Tonino Picula, në një intervistë për median serbe “Nova”, deklaroi se nëse Serbia nuk e ekstradon Milan Radoiçiçin në Prishtinë, mund të përballet me pasoja të mëdha.
“Në rast se Milan Radoiçiç nuk ekstradohet në Prishtinë, kjo do të komplikojë edhe më shumë raportet, tashmë të ndërlikuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Bashkësia ndërkombëtare duhet të reagojë gjithashtu dhe Serbia mund të përballet me sanksione dhe masa të rrepta”, tha Picula.
Eurodeputeti Tonico Picula flet edhe për përgjegjësinë që mund të kenë Vuçiç dhe Bërbaçiç në ngjarjen e rëndë në Banjskë, ku një grup serbësh të armatosur u konfliktuan me armë me Policinë e Kosovës.
“Unë besoj se Bërnabiç është vetëm formalisht kryeministre, pasi lideri i vërtetë i Serbisë është Aleksandër Vuçiç. Në lidhje me rastin e Banjskës, unë nuk mund të them se Vuçiç e Bërnabiç janë me patjetër fajtorë, pasi duhet edhe një hetim i thelluar, për të përcaktuar saktë diçka të tillë”, tha ai.
Eurodeputeti nënvizon gjatë intervistës, se është shqetësuese për BE-në, që Serbia vazhdon të mbajë raporte të mira me Rusinë dhe Kinën.
“Mbajtja e raporteve të mira të Serbisë me Kinën dhe Rusinë, për BE-në përbën një shqetësim jo të vogël. Serbisë iu bë thirrje që të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe nuk e ka bërë, kjo është më tepër se shqetësuese”, deklaroi eurodeputeti Tonino Picula.
Në Prishtinë dhe Beograd, mbërritën vetëm dy ditë më parë, “pesëshja diplomatike”, të cilët deklaruan se do të marrin masa për rigjallërim të dialogut dhe përmbushje të detyrimeve, që ka Kosova dhe Serbia, në raport me marrëveshjet që kanë firmosur në tavolinë./Zëri.ai/
Sulmi në Banjskë, Kurti: E organizoi Klani i Novi Sadit

PRISHTINË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dalë me emrat e përgjegjësve të sulmit në Banjskë. Kurti drejton 'gishtin' nga ajo që ai e quan "Klani i Novi Sadit", duke akuzuar edhe ministrin e Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviç. Sipas tij, grupi terrorist në arrati i udhëhequr nga Millan Radoiçiç po qëndron në Rashkë, ku edhe pretendon që mbrohen nga "capo dei capi" (shefi i shefave, pseudonim i përdorur për Toto Riinën), presidenti serb Aleksandër Vuçiç. Por gjithashtu, në të njëjtin denoncim të bërë në rrjetet e tij sociale, Kurti kërkon edhe ndihmën e ndërkombëtarëve për të prangosur anëtarët e tjerë të grupit terrorist që sulmuan Kosovën disa javë më parë.
"Mirëpo, Kosova nuk ka jurisdiksion në Serbi. A nuk do të duhej që BE-ja dhe ShBA-të ta formojnë një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit? Mafia ballkanike do të përjetonte goditje fatale, ndërkaq rajoni i Ballkanit do të hapej i tëri për demokraci evropiane, drejtësi ligjore, paqe të qëndrueshme dhe zhvillim të përshpejtuar,"-shkruan Kurti ndër të tjera.
POSTIMI i Albin Kurtit:
Klani i Novi Sadit. Sulmin paramilitar e terrorist në Banjskë të Zveçanit e ka organizuar Klani i Novi Sadit. Në krye të tij ndodhet Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq. Ai është kryetari i partisë-shtet SNS, tri herë i zgjedhur kryebashkiak i Novi Sadit me ndihmën e Zvonko Veselinoviqit, dhe miku më i afërt i vëllaut të Presidentit të Serbisë, Andrej Vuçiq. Rreth 40 pelegrinë ortodoksë në Manastir të Banjskës me 24 shtator ishin nga Novi Sadi. Ndoshta e rastësishme, hetimet duhet ta tregojnë. Grupi terrorist në arrati i udhëhequr nga Millan Radoiçiq po qëndron në Rashkë. Atyre MUP-i famëkeq serb iu ka ndarë vetura të tipit Shkoda Oktavia me ngjyrë të bardhë dhe të zezë e me tabela regjistrimi BG dhe… NS. Para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe; kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë. Presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiq, porsi një capo-di-tutti-capi, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin. Në katër komunat veriore të Kosovës po merr fund terrori, kriminaliteti dhe kultura e dhunës e paramilitarëve të Delije (tifozët e Cërvena Zvezdës) që shprehet me nofkat e ekstremistëve si: Mami, Llune, Daco, Rusi, Nemac, Gile, Drago, Aco, Comi, Belli, Micko, Prki, Mrki etj. Mirëpo, Kosova nuk ka jurisdiksion në Serbi. A nuk do të duhej që BE-ja dhe ShBA-të ta formojnë një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit? Mafia ballkanike do të përjetonte goditje fatale, ndërkaq rajoni i Ballkanit do të hapej i tëri për demokraci evropiane, drejtësi ligjore, paqe të qëndrueshme dhe zhvillim të përshpejtuar.
Gjatë sulmit terrorist të 24 shtatorit mbeti i vrarë efektivi i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy kolegët e tij. Në shkëmbim e sipër të zjarrit mes Policisë dhe terroristëve, janë vrarë edhe tre nga këta të fundit.
Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç, i cili më pas ka hequr dorë nga të gjitha funksionet e partisë. Ky i fundit ka mohuar përfshirjen e Beogradit zyrtar në ngjarje. Kosova është në kërkim të ekstradimit të Radoiçiçit nga Serbia. Por ende nuk ka asnjë lëvizje, edhe pse diplomatët perëndimorë kanë premtuar hetim të ngjarjes./Zëri.ai