'Nxorri armën nga brezi, po e mbushte, ia mora nga dora'/ Rrëfimi i Esmerald Ballës, si nisi debati me të atin: E pyeta...

TIRANË- Vetë Esmerald Balla, pas pranimit të krimit se kishte vrarë të atin për para ka zbuluar dinamikën e plotë të krimit. E gjithë ngjarja ka ndodhur më 13 gusht, teksa babë e bir po shkonin tek biznesi i tyre “Ferma Balla” për t'u kujdesur për delet. Tek stallat, sipas tij, i ati ka filluar që ta fyejë pasi po i kërkonte të që shkonte tek kopeja e deleve pasi me to nuk kishte asnjë bari.
Në atë moment, djali e pyet nëse e kishte parë kasafortën.
“Babai më tha se kasafortën e kishte marrë dhe e kishte hapur tek Lida (Lindita, gruaja me të cilën kishte lidhje), i ka marrë lekët dhe kasafortën e ka lënë te kodra”.
Në këtë moment, sipas dosjes së publikuar nga 'ReportTv', i akuzuari u shpreh se ishte acaruar dhe ishte përplasur me të atin. Por, në një moment ishte stepur pasi kishte parë që 62-vjeçari kishte nxjerrë një armë nga brezi dhe po e mbushte me fishekë. Këtu pretendohet se ka ndodhur vrasja, pasi i riu i ka marrë armën dhe e ka qëlluar.
“Pasi ia mora armën i tronditur, e ngaqë nuk dija çfarë të bëja, e qëllova dhe një herë tjetër me sa kujtoj. Babai ra në tokë dhe nuk kishte më shenja jete,”-tregon 30-vjeçari.
Kështu, me ndihmën e shokut të tij, kufomën e hodhi në pus. Për zhdukjen e Enver Ballës u shqetësua partnerja e tij, e cila ishte interesuar tek djemtë për 62-vjeçarin pasi nuk kishte arritur që të lidhej dot me të. Fillimisht telefonoi Esmeraldin, i cili kishte thurur planin për të inskenuar zhdukjen e të atit. Fillimisht e kishte akuzuar se ajo dhe i ati i tyre ishin zhdukur bashkë me paratë, e më pas e kishte ofenduar.
"Që në momentin që djali i Enverit e ka sharë në telefon duke e akuzuar që ajo kishte dorë në zhdukjen e babait të tyre, nuk u interesua më për Enverin,"-shtoi ajo.
Vrasja e 62-vjeçarit u denoncua si humbje pa gjurmë e viktimës që më 13 gusht, ndërsa më 3 shtator u zbardh vrasja dhe trupi i kufomës u gjet i hedhur në një pus. Bashkë me të birin e viktimës, u arrestua edhe miku i të riut, Edison Brahaj, i cili ndihmoi në fshehjen e kufomës./ZËRI
Kur e zhdukën trupin? Vrasja e Enver Ballës dhe dëshmitë kontradiktore: Kufomën e hodhëm në ferra...

DURRËS- Hetimet për krimin që ndodhi në Shënavlash janë shoqëruar me dëshmi kontradiktore. Edison Brahaj dhe Esmerald Balla kanë dhënë versione të ndryshme lidhur me kohën kur trupi i pajetë u hodh në pus. Brahaj dëshmon se trupi u zhvendos disa ditë pas vrasjes, ndërsa Esmeraldi pretendon se e hodhi trupin menjëherë pas krimit, duke fshehur gjithashtu armën. Pjesë të tjera të dëshmive tregojnë për zhvendosjen e trupit me një makinë dhe vendosjen e tij në një pus pranë një toke me kumbulla, ndërsa kasaforta që u bë shkak për ngjarjen mbetet një element kyç në hetim.
Dëshmitë janë kontradiktore dhe sa i takon kohës se kur e kanë hedhur trupin e pajetë në pus. Edison Brahaj thotë se trupi u hodh disa ditë më pas. Kurse Esmeraldi dëshmoi se e hodhi atë ditë pas krimit, teksa fshehu dhe armën.
“Mbas disa ditësh Esmeraldi më mori në telefon dhe më tha t’i shkoja te puna. Pasi shkova në këmbë te stalla e takova dhe nuk ka pasur njeri tjetër, teksa më tha ta ndihmoja me trupin që kishin hedhur në ferra, për ta kaluar në pus”, vijon dëshmia.
Dhe më tej të dy, me makinën tip “Ford” të Ballës, “e morën trupin i cili ishte aty ku e kishin lënë, e futën brenda dhe e çuan tek pusi tek toka me kumbulla, afër me stanin”. Kur shkuan atje, “Esmeraldi e hodhi brenda dhe për shkak të errësirës nuk pa shumë, teksa u larguan”.
Kurse kasafortën që u bë shkak i ngjarjes, Edisoni ka dëshmuar se e ka parë më pas kur po kthente lopët për tek stalla, në rimorkion e zetorit të Esmeraldit, e cila ishte në oborrin e banesës, anash. Ndërkohë që Esmeraldi kishte dëshmuar në fillim se kasaforta ishte marrë nga i ati, bashkë me 75 mijë euro.
Ndërkohë djali, Esmeraldi ka thënë se e kishin hedhur trupin në pus po atë ditë.
“Më pas e ka hedhur pistoletën dhe ka marrë kufomën e babait dhe e ka vendosur në furgonin “Ford” mbrapa dhe ka lëvizur me të rreth një kilometër, ku gjatë lëvizjes i shkoi mendja ta fshehi kufomën tek një pus që ndodhej tek ara dhe stallat e një bashkëfshatari, shtetasit Musa Gashit”, thuhet në dosje./ ZËRI
'Mos i ha provokimet e Policisë'/ Si e këshillonte Esmerald Balla shokun, donte të mbulonte me çdo kusht vrasjen e babait

DURRËS- Zbardhen përgjimet ambientale që çuan në arrestimin e Esmerald Ballës dhe zbulimin e krimit që tronditi vendin, duke përsëritur edhe njëherë skenarin ku djali vret babanë. Në një pjesë të dosjes së publikuar nga "ReportTv", teksa kanë qenë në ambientet e paraburgimit, Esmeraldi ka komunikuar me mikun e tij, Edison Brahaj, duke e këshilluar që të mos rrëfehej.
“Mos i ha provokimet nga Policia. Se mos ke treguar se ku e kemi fshehur pistoletën. Jemi marrë vesh shumë mirë për njëri-tjetrin,"-është zbardhur nga biseda mes tyre. Por duket se Brahaj ishte zhgënjyer nga miku i tij, duke i përmendur edhe njëherë paratë që ia kishte premtuar për ndihmën që i kishte dhënë për të zhdukur kufomën e të atit.
“Pse s’mi le lekët te bunkeri, por më detyrove të vij deri këtu”. Gjatë kontrollit të banesës së Brahajt, Policia gjeti 145 mijë lekë të reja, nga ato që mendohet se ishin 200 mijë (të reja) në total. Paratë i riu i kishte marrë si pagesë për ndihmën që i kishte dhënë shokut për fshehjen e kufomës së 62-vjeçarit në pus.
Për ngjarjen e rëndë, Esmerald Balla akuzohet për 3 vepra penale të “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”, e parashikuar nga neni 79/C i Kodit Penal, “mbajtje pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” në Nenin 278/3 dhe “fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, Neni 303 i Kodit Penal. Ndërsa bashkëpunëtori i tij, Edison Brahja akuzohet për veprat penale “moskallëzim krimi”, “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” dhe “fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, të parashikuara nga Nenet 300, 301 dhe 303 të Kodit Penal./ZËRI
'Enverin mos e kërkoni, pres një fëmijë me të'/ Zbulohet skenari i Esmerald Ballës pasi denoncoi zhdukjen e të atit

DURRËS- Detaje të reja janë zbardhur nga dinamika se si Esmerald Balla denoncoi zhdukjen e babait të tij (Enver Ballës) pasi e kishte vrarë në Shënavlash. Ka qënë Esmeraldi, ai që si fillim ka denoncuar zhdukjen e të atit më 15 gusht dhe madje ka pretenduar se Enveri e ka telefonuar dhe e ka njoftuar se ka marrë paratë në kasafortë e do të jetojë i vetëm larg familjes. Për të mos u ndalur me kaq, me anë të një profil fals në Instagram, ai i ka dërguar edhe nje mesazh të vëllait ku i ka shkruar që të mos e kërkojnë më Enverin sepse ishte me pushime dhe priste një fëmijë. Gjetja e kasafortës pranë shtëpisë ka qënë ajo që ka hedhur poshtë të gjithë skenarin e Esmerald Ballës dhe që çoi në zbulimin e kësaj ngjarjeje të rëndë.
Më 15 gusht Esmerald Balla ka shkuar në polici për të denoncuar zhdukjen e të atit. Sipas tij, i ati ishte larguar nga ora 09:00 e 13 gushtit, me një grua të panjohur. Gjatë inskenimit ka treguar sikur ai (Enver Balla) e kishte marrë më 15 Gusht, me një numër telefoni të fshehur dhe ndër të tjera i ka thënë se “paratë që kanë qenë në kasafortë bashkë me kasafortën i ka marrë, pasi dëshironte të jetonte më vete tani e tutje”.
Pas bisedës, Esmeraldi gjoja ka verifikuar në banesë dhe kasaforta nuk ishte te dollapi ku ishte lënë. Më tej, ka dërguar mesazh te telefoni i të vëllait, Andi Balla, djali tjetër i viktimës, nga një profil i rremë në Instagram me emrin Entila, ku në të citohet ndër të tjera që “familjarët të mos e kërkonin Enverin, pasi ishte larguar me pushime dhe me Enverin priste një fëmijë”.
Kasaforta u gjet më pas në rrugë, në afërsi të portës së hyrjes së stallave të bagëtive. Kasaforta ishte e dëmtuar e prerë me mjet prerës në anën e pasme, dhe në të nuk kishte para./ ZËRI
DINAMIKA e vrasjes/ Brahaj punonte çoban në fermën e familjes Balla: U grushtuan, Esmeraldi nxori një pistoletë të bardhë

DURRËS-Prokuroria e Durrësit ka treguar dinamikën e krimit në Shënavlash të Durrësit, ku Esmerald Balla vrau të atin Enver Balla. Sipas prokurorit të çështjes, Pali Deçolli, bab e bir janë konfliktuar për shumën 75 mijë euro që ishte zhdukur nga kasaforta që mbanin në banesën e tyre në Shënavlash. Prokurori ka ndërtuar dinamikën e krimit në bazë të deklarimeve të Esmerald Ballës dhe Edison Brahaj, i cili ishte i punësuar në fermën e familjes Balla.
Ngjarja ka ndodhur fillimisht në furgonin e familjes ku ndodhej viktima, djali i tij dhe çobani i fermës. Enver Balla dhe djali i tij, Esmeraldi fillimisht janë zënë me grushte, pastaj 30-vjeçari ka qëlluar një herë me pistoletë të atin. Pasi 62-vjeçar ra në tokë, i biri e ka qëlluar sërish me plumb. Në bashkëpunim me Edison Brahajn kanë tërhequr trupin dhe e kanë hedhur në pusin e një familje tjetër rreth 1 km nga stani i tyre. Në dëshminë e tij në dosjen e siguruar nga Report.Tv, 25-vjeçari ka treguar me detaje se si ndohi ngjarja e rëndë.
Dëshmia e Edison Brahajt: Kur hyra në makinë atë ditë (13 Gusht), pashë që Esmeraldi ishte me Enverin. Esmeraldi ishte shofer dhe babai i tij ishte pasagjer në vendin e parë, kurse unë u futa pas. Kur shkuam te stallat ndaluam pak dhe u nisëm për në Shënavlash, por rrugës babë e bir nisën nisën debatin dhe filluan të kapen me duar edhe pasi kishin zbritur nga makina. Në atë moment, pasi u rrahën me grushte, Esmeraldi nxori një pistoletë të bardhë dhe i gjuajti Enverit, i cili u rrëzua në tokë dhe më pas të dy e shtymë në kanal, pasi Esmeraldi më kërkoi ndihmë dhe më tej ikëm në shtëpi.
Esmeraldi i ka thënë që mos të tregonte për këtë ngjarje, duke i dhënë 200 mijë lekë. Prokuroria e mbështet këtë detaj edhe me faktin e përgjimeve ambientale, ku Esmeraldi i thotë Edisonit të mos provokohej dhe të mbante qëndrimin siç e kishin biseduar. Pas krimit kanë bërë punë së bashku duke shpërndarë qumështin në Durrës me furgon dhe pasi kanë mbaruar me shpërndarjen në orët e vona, Esmeraldi e ka dërguar në shtëpi (13 Gusht). Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” ndaj Esmerald Ballës dhe shokut të tij Edison Brahajt./ZËRI
Të penduar/ Esmerald Balla pranon vrasjen e të atit: S'ka kthim pas! Shoku i tij: Unë nuk kam bërë asgjë

DURRËS-Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” ndaj Esmerald Ballës, i cili vrau të atin Enver Balla dhe bashkëpunëtorit të tij Edison Brahaj. Esmeraldi ka pranuar krimin duke u shprehur i penduar, teksa deklaroi se gjithçka ndodhi për vetëmbrojtje.
“E kam bërë në kushtet e vetembrojtjes e nuk ka kthim mbrapa”-u shpreh Esmerald Balla.
Ndërkohë Edison Brahaj i akuzuar si bashkëpunëtor në krim, pasi ndihmoi në trasportimin e fshehjen e trupit në pus, u shpreh para gjyqtarëve se ai nuk dinte asgjë për vrasjen, dhe se ditën e ngjarjes Esmeraldi i kishte dhënë 2 milionë lekë.
"Unë s'kam bërë asgjë, më ka thënë çojë qumshtin me makinën time dhe më ka marr Esmeraldi në telefon. Më kanë rrahur policët brenda dhe më kanë ndalur fryëmarrjen, sepse jam me astmë. Atë ditë të ngjarjes më ka dhënë Esmeraldi 200 mijë lekë të vjetra,'-është shprehur shoku i tij.
Edison Brahaj është shoku i ngushtë i Esmerald Ballës, i cili dyshohet se ka ndihmuar në transportimin e trupit të Enver Ballës drejt pusit, ndërkohë që në banesën e tij është gjetur një shumë parash. Ngjarja e rëndë në Shënavlash u zbulua pak ditë më parë. Djali, 30-vjeç, vrau babanë pasi e akuzonte se kishte vjedhur para nga kasaforta që mbanin në shtëpi, ku kishin grumbulluar 75 milionë lekë të vjetra./ZËRI