LIVE UPDATES

Dosja “Partizani”, Berisha nuk shkon në SPAK! Bektashi ‘kyç’ gojën para gazetarëve

➤ Ish-kryeministri Sali Berisha ka refuzuar që t’i bindet vendimit të Gjykatës së Posaçme për t’u paraqitur në SPAK, para Oficeres së Policisë Gjyqësore. ➤Ndryshe nga ai, ndërtuesi Fatmir Bektashi u paraqit në SPAK, por nuk komentoi për gazetarët, duke ‘kyçur’ gojën. ➤ Vetë Berisha u shpreh se vendimi i GJKKO është antikushtetues, dhe kërkesa për shoqërimin e tij do të duhet që ti dorëzohet më parë Kuvendit. ➤Berisha dhe Bektashi janë nën hetim nga SPAK për privatizimin e ish-kompleksit Partizani. ➤Kryedemokrati akuzohet për korrupsion, ndërsa Bektashi për korrupsion dhe pastrim parash.

5 artikuj për këtë temë.
1 VITE ME PARE

VOA: Berisha shpërfill vendimin e Gjykatës, nuk paraqitet në Policinë gjyqësore

Dosja “Partizani”, Berisha nuk shkon në SPAK! Bektashi
Sali Berisha

TIRANË- Në Shqipëri, ish-kryeministri Sali Berisha shpërfilli sot vendimin e Gjykatës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, sipas të cilit ai do të duhej të paraqitej pranë një oficeri të Policisë gjyqësore. Në kuadër të hetimeve ndaj procedurave për privatizimin e ish Kompleksit sportiv Partizani, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “Detyrim për paraqitje”, të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, si dhe “Ndalimin për të dalë jashtë vendit”.

Në orën 10.00 kur do të duhej të paraqitej në Policinë gjyqësore, zoti Berisha u shfaq në dyert e parlamentit. Ai tha se nuk kishte asnjë njoftim për vendimin e Gjykatës, i cili sipas tij “duhet të shkojë në parlament, se aty e kam qendrën e punësimit se në parti politike nuk vjen dot. Por atje nuk e dërgojnë dot se ai vendim është shkelje flagrante e Kushtetutës”.

Pavarësisht se zoti Berisha ka bërë ankimim ndaj vendimit të Gjykatës, ai ka mbështetur që në fillim idenë se sipas tij, masat e sigurisë janë në shkelje të Kushtetutës, dhe se për to do të duhej që të ishte kërkuar autorizim nga parlamenti. “Nuk mund të pranoj që Edi Rama me një grusht banditësh, që funksionojnë ose si grup i strukturuar kriminal, ose në forma të tjera në organet e drejtësisë, të shkelë Kushtetutën”, deklaroi sot ai.

Pritet të shihet se cili do të jetë qëndrimi i Gjykatës ndaj refuzimit të ish kryeministrit për të zbatuar vendimin e saj. Kodi i Procedurës Penale parashikon që në një rast të tillë “Gjykata mund të vendoië një masë tjetër më të rëndë”. Në një rast të tillë, Prokurorisë do t’i duhej në mënyrë të pashmangshme që t’i kërkonte autorizim parlamentit, duke qenë se masa tjetër më e ashpër, do të ishte “arresti në shtëpi”.

Ndaj zotit Berisha nuk ka një akuzë. Ai dyshohet për “Korrupsion” në bashkëpunim me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, i cili është arrestuar. Me masë sigurie dhe ndërtuesi Fatmir Bektashi, me të cilin Malltezi ishte ortak në ndërtimin e një kompleksi pallatesh mbi truallin e ish klubit Partizani.

Tensione në dyert e parlamentit, nuk lejohet të hyjnë deputetët e përjashtuar të opozitës

Ndërsa duhet të përballet me Drejtësinë, zoti Berisha dhe deputetët që e mbështesin kanë nisur protesta në parlament kundër shumicës të cilën e akuzojnë se po u refuzon të drejtën kushtetuese për ngritjen e komisioneve hetimore dhe se po përpiqet të përcaktojë përfaqësuesin e opozitës në komisionin e Reformës Zgjedhore. Deputetët e Rithemelit, të cilëve u është bashkuar dhe grupi i përkrahësve të zotit Gazmend Bardhi, kanë deklaruar se nuk do të lejojnë zhvillimin normal të aktivitetit të parlamentit, derisa të plotësohen të drejtat e tyre. Dy seancat e fundit janë shoqëruar me përplasje në sallë, ndërkohë që një pjesë e Komisioneve parlamentare kanë nisur të zhvillojnë punimet e tyre online.

Tensione të forta u shfaqën dhe sot, kur deputetëve të opozitës të cilët ishin përjashtuar për shkak të konflikteve në seancën e fundit, iu ndalua hyrja në godinën e parlamentit. Për minuta të tëra dera kryesore mbeti e mbyllur dhe për deputetët e tjerë, ndaj të cilëve nuk kishte sanksione.

Masa e përjashtimit, parashikon mospjesmarrjen e deputetit në seancat plenare apo në punimet e komisioneve parlamentare. Deri më tani nuk është verifikuar ndonjë rast , kur deputetit t’i ndalohet dhe hyrja në zyrat e parlamentit, dhe për këtë nuk ka ndonjë shpjegim nga drejtuesit e parlamentit.

Një pjesë e deputetëve, të cilëve iu ishte ndaluar hyrja, arritën të futeshin më pas brenda, nga dritaret e katit të parë, për t’u bashkuar me pjesën tjetër në mbledhjen e grupit të tyre parlamentar.

Marrë nga VOA

1 VITE ME PARE

Intervista më interesante e dhënë ndonjëherë përballë SPAK

Dosja “Partizani”, Berisha nuk shkon në SPAK! Bektashi
Fatmir Bektashi

TIRANË- Ndërtuesi Fatmir Bektashi ka preferuar të mos japë asnjë prononcim për gazetarët, pas daljes nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku dhe u paraqit sot, sipas urdhrit. Të gjithë gazetarët iu afruan me mikrofona në duar, në momentin që ai doli, por Bektashi vetëm tundte kokë në mënyrë mohuese pas çdo pyetjeje. Kjo gjë i 'detyroi' gazetarët që ta pyesnin nëse dinte anglisht apo italisht, por sërish Bektashi heshti. Më pas u largua duke lënë pas gazetarët duke qeshur.

Kjo është hera e parë që Bektashi paraqitet në SPAK, që kur GJKKO vendosi ndaj tij masën e sigurisë "detyrim paraqitje". SPAK kishte fletë-thirrje edhe për ish-kryeministrin Sali Berisha, por ky i fundit ka refuzuar të paraqitet para oficeres së policisë gjyqësore.

Në lidhje me aferën e privatizimit të kompleksit “Partizani”, Struktura e Posaçme Antikorrupsion arrestoi dhëndrin e Sali Berishës, Jamarbër Malltezi dhe vendosi detyrim paraqitje ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha e biznesmenit Fatmir Bektashi.

1 VITE ME PARE

Fatmir Bektashi paraqitet në SPAK, nuk flet para gazetarëve

Dosja “Partizani”, Berisha nuk shkon në SPAK! Bektashi
Fatmir Bektashi

TIRANË- Biznesmeni Fatmir Bektashi është paraqitur në SPAK paraditen e kësaj të hëne, pasi Struktura e Posaçme Antikorrupsion ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Pas daljes nga ambientet e gjykatës, ku e prisnin mediat për një prononcim, Bektashi vendosi të mos flasë asnjë fjalë. Edhe pse gazetarët e pyetën nëse donte që komunikimin ta bënte në italisht apo anglisht, Bektashi vendosi 'të kyçte' gojën dhe të mos thoshte asnjë fjali në lidhje me paraqitjen e tij para Oficeres së Policisë Gjyqësore. 

 “Parli italiano? Do you speak english?”, pyetën gazetarët, ndërsa situata u përcoll me humor. 

Kjo është hera e parë që Bektashi paraqitet në SPAK, që kur GJKKO vendosi ndaj tij masën e sigurisë "detyrim paraqitje". 

SPAK kishte fletë-thirrje edhe për ish-kryeministrin Sali Berisha, por ky i fundit ka refuzuar të paraqitet para oficeres së policisë gjyqësore. Berisha ka mbledhur deputetët demokratë në Kryesinë e Kuvendit. 

Në lidhje me aferën e privatizimit të kompleksit “Partizani”, Struktura e Posaçme Antikorrupsion arrestoi dhëndrin e Sali Berishës, Jamarbër Malltezi dhe vendosi detyrim paraqitje ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe biznesmenit Fatmir Bektashi./Zëri.ai/

1 VITE ME PARE

Nuk u paraqit në SPAK, Berisha: Të vijnë të më njoftojnë në vendin e punës

Dosja “Partizani”, Berisha nuk shkon në SPAK! Bektashi
Sali Berisha

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha nuk është paraqitur sot në SPAK, për masën ‘detyrim paraqitjeje’ që i është vendosur për çështjen e aferës së privatizimit të kompleksit ‘Partizani’. Në një deklaratë për mediat nga Kryesia e Kuvendit, Berisha tha se Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duhet të njoftojë Kuvendin dhe më pas të ishin vendosur masat e sigurisë ndaj tij. Berisha theksoi se as Edi Rama dhe askush nuk mund ta imponojë ta shkelë Kushtetutën.

Deklarata e Berishës:

Përderisa Kushtetuta është në fuqi, nuk ka bandit në Shqipëri as në botë që të më imponojë mua të shkel Kushtetutën. Së pari, përveç medieve, nuk kam asnjë njoftim!

Së dyti, jam i gatshëm të shkoj në çdo kohë në SPAK për t’u përgjigjur çdo pyetje. Nuk pranoj kurrë sanksionet antikushtetuese të Edi Ramës dhe bandës së tij. Çdo qytetar duhet ta dijë, se unë sa herë jam thirrur në prokurori, jam paraqitur gjatë jetës sime. Nuk kam refuzuar kurrë.

Por unë, jo në mbrojtje time, por në mbrojtje të t drejtave më elementare të çdo qytetari, nuk mund të pranoj që Edi Rama me një grusht banditësh, që funksionojnë ose si grup i strukturuar kriminal, ose në forma të tjera në organet e drejtësisë, të shkelë Kushtetutën. Ai vendim duhet të shkojë në parlament, se aty e kam qendrën e punësimit se në parti politike nuk vjen dot. Por atje nuk e dërgojnë dot se ai vendim është shkelje flagrante e Kushtetutës. Nëse për një deputet shkelet Kushtetuta, imagjino se çfarë bëhet me një qytetar të thjeshtë.

Dhe Edi Rama kërkon të vendosë gjer në fund pushtetin e tij personal. Unë u them demokratëve dhe qytetarëve se ne qëndrimet e mia nuk ka asnjë gjë personale, përveç mbrojtjes së interesave jetike të tyre, duke mbrojtur Kushtetutën. Kushtetuta ka përcaktimet e veta. E kam thënë dhe e them, në vitin 2012 unë dërgova ligjin për t’i hequr çdo lloj mbrojtje deputetit. Edi Rama refuzoi në mënyrë kategorike këtë ligj, por u kalua e drejta e hetimit. Unë që nesër jam i gatshëm të votoj përsëri ligjin që kam dërguar në vitin 2012. Por përderisa Kushtetuta është në fuqi, nuk ka bandit në Shqipëri sa në botë që të më imponojë mua të shkel Kushtetutën.

Mosparaqitja e Berishës përpara oficeres të policisë gjyqësore Adelajda Metaj, mund të ekspozojë drejt një mase më të ashpër sigurie. Në lidhje me privatizimin e kompleksit ‘Partizani’, SPAK arrestoi dhëndrin e Sali Berishës, Jamarbër Malltezi. Ndërsa, për ish-kryeministrin u vendos masa e sigurisë “detyrim paraqitje”./Zëri.ai/

1 VITE ME PARE

Sot Berisha duhet të paraqitet në SPAK! Çfarë ndodh nëse nuk shkon

Dosja “Partizani”, Berisha nuk shkon në SPAK! Bektashi
Sali Berisha

TIRANË- E hëna e parë e muajit Nëntor, është dhe dita kur GJKKO ka urdhëruar ish-kryeministrin Sali Berisha që të paraqitet përpara oficeres së policisë gjyqësore pranë SPAK-ut, Adelajda Metaj. Pra sot!

Vetë Berisha në të gjitha daljet e tij për mediat e ka konsideruar antikushtetues vendimin e GJKKO-së, duke mos e njohur rrjedhimisht detyrimin që sot duhet të paraqitet në SPAK, e duke ngritur një sërë pikëpyetjesh proceduriale se si do të duhet që të veprohet në rastin e tij, edhe për shkak të imunitetit të deputetit që ai gëzon.

Por çfarë parashikon ligji një rastet kur personat nën hetim nuk i binden urdhërit të Gjykatës për t’u paraqitur? Duke iu referuar nenit 231 të Kodit të Procedurës Penale, në rast që shkelet masa e sigurimit, gjykata mund të vendosë një masë më të rëndë në drejtim të personit nën hetim.

“Në rast shkelje të detyrimeve që lidhen me një masë sigurimi, gjykata mund të vendosë zëvendësimin ose bashkimin me një masë tjetër më të rëndë, duke mbajtur parasysh rëndësinë, motivet dhe rrethanat e shkeljes. Për shkeljen e detyrimeve që lidhen me një masë ndaluese, gjykata mund të vendosë zëvendësimin ose bashkimin me një masë shtrënguese”, thuhet në nenin 231 të Kodit të Procedurës Penale. Në rastin e Berishës një masë sigurie më e rëndë, padyshim që do të kërkonte një miratim më parë nga Kuvendi, për shkak të imunitetit të tij. E gjithë çështja në ngarkim të Berishës është shoqëruar me përplasje të forta proceduriale, pasi sipas ish-kryeministrit çdo masë sigurie ndaj tij duhej të ishte konsultuar më parë në Kuvend.

Çfarë parashikon Kushtetuta, ku Berisha ka bazuar mbrojtjen e tij:

Neni 73, pika 2

Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit.

Neni 72, pika 3

Deputeti mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Prokurori i Përgjithshëm ose Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme njofton menjëherë Kuvendin, i cili, kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për heqjen e masës.

Berisha zgjodhi që as në seancën që u mbajt në GJKKO për masën e tij të sigurisë të mos ishte i pranishëm, ndërkohë që pas përplasjeve me të zgjedhurit e tij për mbrojtjen, atij iu caktuan avokatë kryesisht nga ana e Gjykatës.

Berisha është vënë nën hetim nga SPAK nën akuzën e korrupsionit, ndërkohë që ndaj dhëndrit të tij u caktua masa e sigurisë “arrest me burg”. Ata janë hetuar për privatizimin e ish-kompleksit sportiv Partizani, ku sipas SPAK Berisha ka favorizuar dhëndrin e tij, si një nga ish-pronarët e truallit./Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB