Pas 4 ditësh shuhet zjarri në Shëngjin

SHËNGJIN-Pas shumë ditësh në luftë për shuarjen e zjarreve, qyteti i Shëngjinit është gdhirë i qetë këtë mëngjes. Qindra trupa të ushtrisë, emergjencave civile, bashkive dhe dy avionë italianë dominuan zjarret që rrethuan qytetin në të gjitha anët.
Njoftimi i Mbrojtjes Civile:
Prej më shumë se katër ditësh, nën koordinimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, është bërë një luftë e vërtetë dhe e pandërprerë me një nga fenomenet natyrore më të vështira, siç është zjarri masiv në pyje dhe kullota, në kodrat e qytetit të Shëngjinit, bashkia Lezhë.
Angazhim maksimal: mbi 308 efektivë nga FA me 30 mjete, 3 autoambulanca, 1 autobot uji, 1 helikopter Cougar, 3 automjete zjarrfikëse të bashkisë Lezhë; 1 automjet zjarrfikëse nga bashkia Mirditë, 3 automjete zjarrfikëse nga Kamza, 4 automjete zjarrfikëse nga Tirana, 1 automjet zjarrfikëse nga Mati, 1 automjet zjarrfikëse nga Berati, 1 automjet zjarrfikëse nga Fieri, 1 automjet zjarrfikëse nga Lushnja, 1 automjet autobot nga Shkodra, 1 automjet zjarrfikëse nga Vau Dejës, 1 automjet zjarrfikëse nga Kukësi, 1 automjet zjarrfikëse nga Porti Shëngjin, 1 automjet zjarrfikëse nga Porti Durrës, dhjetra forca Policore dhe Urgjenca Mjekësore.
Angazhim dhe koordinim me Mekanizmin ????????Evropian të Mbrojtjes Civile (UCPM) me dy avionë Canadair të qeverisë italiane. Vlerësim, mirënjohje dhe falënderim për çdo punonjës, personel dhe vullnetar që ka marrë pjesë në këtë operacion, falë punës së të cilëve u shpëtuan jetë njerëzish, qendra të banuara dhe ekonomi!
Zjarri në Tepelenë, MZSH: Situata nën kontroll

TEPELENË- Mbrojtja nga Zjarri (MZSH) ka lajmëruar se po vazhdon operacioni për shuarjen e zjarrit në qytetin Tepelenë.
Forcat ushtarake dhe zjarrfikëse janë duke punuar pa ndërprerje. gjithashtu edhe bashkitë fqinje kanë dërguar ndihmë.
Deri më tani situata është vendosur nën kontroll dhe zjarri nuk paraqet rrezk për banorët. /ZËRI/
Zjarret në vend/ Ministria e Mbrojtjes: Situata më e stabilizuar, vijon operacioni për shuarjen e flakëve

SHQIPËRI- Ministria e Mbrojtjes lajmëroi se situata në Shëngjin, është stabilizuar. Në vatrën problematike në fshatin Mal Shëngjin, puna ka vijuar pa ndërprerje edhe gjatë natës.
Veç ndërhyrjes së helikopterit Cougar nga ajri në mbështetje erdhën edhe dy avionët Canadair nga Italia, pjesë e ndihmës nga Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile.
Nuk pati lëndime në njerëz, por vetëm dëme në biznese përreth zonës së zjarrit, në 2 bare plazhi dhe çatia e një shtëpie.
Sipas ministrisë, aktualisht është arritur izolimi i plotë i vatrave dhe po vijon operacioni për shuarjen përfundimtare të tij nga shërbimet zjarrfikëse, efektivët e FA, policisë, strukturat vendore të mbështetura edhe nga 2 avionët Canadair të italisë.
Sitiuata e vështirë paraqitet edhe në Jug. Zjarri në Tepelenë, i cili ka qenë aktiv prej disa ditësh, ka dalë jashtë kontrollit. Zjarrfikësit gjithashtu po punojnë në shuarjen e flakëve në fshatin Lozhan-Bode, Maliq, në fshatin Picar, Vorë në një objekt tregtar, në fshatin Ujanik, Skrapar.
"Forcat zjarrfikëse, mbështetur nga ato të Forcave të Armatosura, Policia e Shtetit, Shërbimi Pyjor, Zonat e Mbrojtura apo edhe forca vullnetare, nën kooordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile kanë punuar intensivisht në disa fronte për të shuar zjarret e rëna në disa zona të vendit.
Puna ka vijuar përgjatë gjithë natës pa ndërprerje në vatrën problematike në fshatin Mal Shëngjin, ku sot situata paraqitet më e stabilizuar. Veç ndërhyrjes së helikopterit Cougar nga ajri në mbështetje erdhën edhe dy avionët Canadair nga Italia, pjesë e ndihmës nga Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile.
Fatmirësisht nuk pati lëndime në njerëz, por vetëm minimale në biznese përreth zonës së zjarrit, në 2 bare plazhi dhe çatia e një shtëpie.
Aktualisht është arritur izolimi i plotë i vatrave dhe po vijon operacioni për shuarjen përfundimtare të tij nga shërbimet zjarrfikëse, efektivët e FA, policisë, strukturat vendore të mbështetura edhe nga 2 avionët Canadair të italisë.
Po ashtu vijon punë për shuarjen e zjarrit në fshatin Zavalinë, bashkia Elbasan për të cilin janë angazhuar ditën e sotme strukturat e pushtetit vendor të mbështetura nga FA
Aktive janë zjarri në Kodrat e liqenit të Viroit, bashkia Gjirokastër, zjarri mbi qytetin e Tepelenës, i cili ditën e sotme si pasojë e erës së fortë ka dalë jashtë kontrollit. Janë angazhuar ditën e sotme për normalizimin e situatës strukturat vendore të mbështëtura nga Forcat e Armatosura dhe një helikopter i FA.
Po punohet në fshatin Lozhan-Bode, bashkia Maliq, në fshatin Picar, bashkia Vorë në një objekt tregtar, në fshatin Ujanik, bashkia Skrapar. Ndërsa situata në qarqet e tjera paraqitet relativisht e qetë", njofton Ministria e Mbrojtjes. /ZËRI
Hotele të shkrumbuar dhe pisha të djegura, pasojat katastrofike të zjarrit në Shëngjin

SHËNGJIN- Zjarri që pushtoi dje Shëngjinin ka shkaktuar pasoja të mëdha. Sipas disa videove, disa banesa dhe hotele janë djegur nga flakët që kërcënuan jetën e banorëve të kësaj zone.
Pavarësisht dëmeve të mëdha materiale, të pallogaritshme janë dhe dëmet në mjedis. Pisha të tëra janë shkrumbuar si dhe bimësia përreth kësaj zone, ndërsa ende në kodër ka vatra të vogla zjarri.
Në Ranën e Hedhun, ku situata dje ishte me kritike, deri më tani duket të jetë nën kontroll. Edhe në qendër pranë kishës katolike, ku zjarri u aktivizua mbrëmë në orët e vona, vatrat janë izoluar.
Vijon ende puna e zjarrfikësve në terren, por me intensitet më të ulët. /ZËRI/
Zjarret masive në Shëngjin, Pjerin Ndreu: Shumë pushues i kapi paniku, situata nën kontroll

LEZHË- Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu thotë se situata e zjarrve në Shëngjin është vendosur nën kontroll, pavarësisht situatës së rëndë që u paraqit në orët e vona të pasdites së djeshme. Ndreu thotë se pushuesit dhe banorët janë kthyer në shtëpitë e tyre.
“Shumë pushues i ka kapur paniku dhe kanë qenë të rënduar psikologjikisht. Është krejt normale kur sheh flakët. Por, tani nuk ka asnjë arsye për të pasur frikë”, u shpreh Ndreu, një ditë pas zjarrit që pushtoi Shëngjinin dhe detyroi banorë e turistë që të evakuoheshin.
“Gjithsesi, nuk ka pasur cenim të strukturës akomoduese. Banorët janë kthyer nëpër banesa, nuk kemi më probleme. Ka qenë një erë shumë e fortë që ka bërë që situata të precipitojë”, shtoi Ndreu.
Sipas tij, “çuditërisht, gjatë orës 2 të natës kemi pasur 4 zjarre të tjera”.
“Janë një alarm se dikush po merret seriozisht me këtë histori. Kemi vepruar shpejt dhe i kemi neutralizuar të gjitha rastet, por duhet parë më thellë se çfarë po ndodh me zjarret. Unë nuk përjashtoj asgjë”, tha Ndreu.
Kur u pyet nëse këto zjarre kanë të bëjnë me konfliktet për pronat ose ndërtimin e resorteve të reja, Pjerin Ndreu u përgjigj: “Nuk ka lidhje fare. Këtu nuk ka leje resortesh fare dhe asnjëlloj konflikti pronësie”. /ZËRI
Shkrumbohet nga flakët fabrika e këpucëve në Tiranë-Durrës, tymi mbulon zonën

TIRANË- Një magazinë, e cila shërbente si fabrikë për prodhimin e këpucëve, është përfshirë nga flakët në autostradën Tiranë-Durrës pranë zonës së Vorës.
E gjithë zona është mbuluar nga re të zeza tymi, ndërsa burime bëjnë me dije se brenda magazinës ka pasur materiale plastike që kanë shkaktuar ndotjen e jashtëzakonshme në zonë.
Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca zjarrfikëse dhe po punojnë për shuarjen e flakëve.
Paraprakisht dyshohet se shkak i flakëve mund të ketë qenë një shkëndije elektrike, ndërsa policia ka dhënë dhe informacionin zyrtar në lidhje me ngjarjen.
"Më datë 31.07.2024, në fshatin Picar, ka rënë zjarr në një fabrikë për prodhimin e këpucëve. Në vendngjarje janë shërbimet e Policisë dhe zjarrfikëset të cilat po punojnë për fikjen e zjarrit.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes", thuhet në njoftim. /ZËRI