LIVE UPDATES

Sherr, akuza dhe ujë! Maxhoranca emëron vetë ministrat e rinj, opozita bllokon Foltoren, Bardhi-Ramës: Mafioz!

➤ Kanë mjaftuar votat e maxhorancës për të emëruar ministrat e rinj në kabinetin "Rama 3". ➤ Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur në sot në një seancë të posaçme për emërimin e ministrave të rinj. ➤ Pavarësisht kundërshtive të opozitës, të gjithë janë emëruar në postet e reja me 77 vota. ➤ Me votim elektronik, për shkak se Foltorja ishte e bllokuar, është emëruar në detyrën e re edhe kryeparlamentarja Elisa Spiropali. ➤ Kjo e fundit, u lag edhe me ujë nga deputetët e opozitës teksa po mbante fjalën e parë në krye të detyrës.

10 artikuj për këtë temë.
10 MUAJ ME PARE

Opozita bllokon Foltoren, Paloka gjen pak kohë për 'relax'...vendos këmbët mbi tavolinë

Sherr, akuza dhe ujë! Maxhoranca emëron vetë ministrat e rinj,
Edi Paloka

TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka ka gjetur pak momente për t'u relaksuar teksa kolegët e tij kishin bllokuar Foltoren e Kuvendit. Paloka është fotografuar i ulur në vendin e tij, ndërsa këmbët i kishte vendosur mbi tavolinën e deputetit.

Ndërkohë që në duar mbante telefonin, duke dërguar me siguri ndonjë mesazh të rëndësishëm./ZËRI

10 MUAJ ME PARE

Autostrada Thumanë-Kashar/ Andia Ulliri rrëfen bisedën me Ramën: Më tha të shkoj tek Ministria e Infrastrukturës

Sherr, akuza dhe ujë! Maxhoranca emëron vetë ministrat e rinj,
Andia Ulliri

TIRANË-Deputetja e opozitës Andia Ulliri foli për mediat pas mbarimit të seancë së sotme plenare ku u miratuan ministrat e rinj dhe kryetarja e re e parlamentit. Ulliri rrëfeu dhe bisedën me kryeministrin në seancë plenare ku ngriti para tij shqetësimin e banorëve të Krujës dhe Fushë Krujës pas ndërtimit të aksit Thumanë Kashar. Ajo gjithashtu i bëri thirrje Policisë, që të heqë dorë nga dhuna.

'Ne protestojmë në Thumanë Kashar, qeveria nuk ka garantuar hyrje dalje për banorët. Janë shkelur të drejtat e qytetarëve, 85 mijë banorë të Krujë, Fushë Krujës që nuk kanë hyrje dalje. Kanë protestuar në 2 vite, kam qenë me banorët e Bërxullës. Nuk ka patur përgjigje nga ARRSH pse është bërë devijimi i rrugës. Vendosa të adresoj kryeministrit shqetësimin dhe nuk kishte asnjë përgjigje dhe më referoi tek institucionet që nuk kanë kthyer asnjë përgjigje jo vetëm mua. Kryeministri mendon se po të më adresoj tek ministria e Infrastrukturës mund të marrim përgjigje për diçka që e kanë detyrim ligjor, që banorët janë në rrugë. Jo vetëm që ka patur reagime nga policia duke i marrë gjatë natës banorët për ti çuar në komisariat. I bëj thirrje policisë të heq dorë nga dhuna. Është penalizimi jo vetëm për banorët e Krujë, Fushë Krujës por edhe për gjithë banorët e veriut. Si mundem unë një banore Niklës të hyj në Thumanë Kashar.'-u shpreh deputetja.

Banorët janë ngritur disa herë në protestë në atustradën Thumanë-Kashar. Qytetarët shprehen se nuk kanë hyrje-dalje dhe se për të hyrë në rrugë, duhet që të shkojnë në Rinas. Banorët e Krujës, Fushë Krujës dhe të Thumanës thanë se bizneset e tyre janë duke falimentuar, pasi automjetet nuk kanë kalojnë më aty./ZËRI

10 MUAJ ME PARE

Spiropali mban fjalën nga vendi i Kryetares së Kuvendit, opozita e lag me ujë

Sherr, akuza dhe ujë! Maxhoranca emëron vetë ministrat e rinj,
Elisa Spiropali

TIRANË- Elisa Spiropali ka mbajtur fjalimin e parë si kryetare e Kuvendit të Shqipërisë. Fjalimi i saj është shoqëruar me 'sulm' nga opozita, e cila ka bllokuar foltoren. Në një moment të fjalës së saj, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka i ka hedhur asaj ujë. Gjithsesi Spiropali ka vijuar me fjalimin e saj, teksa në sfond dëgjohen akuzat e opozitarëve.

Spiropali: Të nderuar kolegë do kërkoja mirëkuptimin tuaj për këtë fjalë dhe vijojmë me debate në sesione të tjera. Mirënjohja është një fjalë që në gjuhën e dikujt që merret me politikë, tingëllon si trokitja e një gote kristali fallso. Mirënjohja ka hyrë në garderobën e kostumeve të vjetra, jashtë mode. Dua të them që mirënjohjen që e kam kuptuar si detyrim e ndihej si një shtysë për të bërë më shumë nga sa kam mundur deri tani.  Jam e prekur si asnjëherë më shumë nga vlerësimi që më blatuat duke më zgjedhur kryetare të Kuvendit të Shqipërisë. Faleminderit me zemër. E dimë mirë që është një ushtrim i vështirë politik, qytetar, personal, kolektiv, por jam e qartë që çfarë është mirë është e juaja dhe çfarë shkon keq është e kujdo që ngjisni këtu lart. Mirënjohjen e blatoj qytetarëve që më sollën këtu në 2017 dhe më risollën në 2021 si deputete. Mirënjohjen ia kam detyrim secilit koleg. Në këtë fjalë të parë jo polemike dhe në këtë situatë krejt atipike për mua duke pasur parasysh 3 vitet e mandatit qeverisës dua të falënderoj zonjën grua që zëvendësova sot. E dashur Lindita gjatë këtyre viteve e drejtove këtë Kuvend me përkushtim dhe durim, deri dje kisha një zili, do përpiqem të të ngjaj në përkushtim dhe uroj të të afrohem sa më pak në durim. Ju që jeni mësuar të debatoni me mua shpesh më ashpër se sa butë, do t’ju shoh njësoj përballë por nuk do të më keni përballë, do të më gjeni në krahun tuaj të djathtë. Dua të më ndihmoni dhe ta dini nëse sot do të gjykoj se duhet të ndërhyj si palë do të zbres deri poshtë në foltore si pjesë e pandashme e palës.

10 MUAJ ME PARE

Elisa Spiropali emërohet Kryetare Kuvendi me 75 vota pro

Sherr, akuza dhe ujë! Maxhoranca emëron vetë ministrat e rinj,
Elisa Spiropali

TIRANË-Elisa Spiropali emërohet Kryetare Kuvendi me 75 vota pro dhe 4 kundër. Votimi për Spiropalin është zhvilluar me elektronikë, në pamundësi për tu zhvilluar me kuti, për shkak të tensioneve në sallën e Kuvendit. Spiropali ka pasuar Lindita Nikollën e cila dha dorëheqje nga ky post për arsye shëndetësore. Më herët Spiropali ka mbajtur postin e ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, që nga sot do të drejtohet nga Taulant Balla.

Sherr, akuza dhe ujë! Maxhoranca emëron vetë ministrat e rinj,
Votimi në Kuvend

Në seancën e sotme janë votuar edhe ministrat e rinj./ZËRI

10 MUAJ ME PARE

Rama ulet në vendin e deputetëve, i afrohet Andia Ulliri dhe e pyet për Thumanë-Kashar

Sherr, akuza dhe ujë! Maxhoranca emëron vetë ministrat e rinj,
Pamje nga seanca

TIRANË- Teksa në sallën e Kuvendit të Shqipërisë po bëheshin gati për të votuar për Elisa Spiropalin si kryeparlamentare, kryeministri Edi Rama u ul tek deputetët. Këtë mundësi e shfrytëzoi deputetja e opozitës Andia Ulliri. Ajo është kapur nga kamerat e Kuvendit të Shqipërisë duke diskutuar me Ramën për disa çaste.

Në dorë ajo mbante dhe një pankartë lidhur me aksin Thumanë-Kashar. Disa herë resht, banorët e zonës kanë dalë në protestë, e po ashtu, Andia u është bashkuar. Pas seancës, Ulliri tha se Rama e kishte udhëzuar që të diskutonte me Belinda Ballukun, ministre të Infrastrukturës dhe Energjitikës./ZËRI

10 MUAJ ME PARE

Mes tensioneve dhe bllokimit të foltores, votohen në Kuvend ministrat e rinj

Sherr, akuza dhe ujë! Maxhoranca emëron vetë ministrat e rinj,
Kuvendi

TIRANË-Seanca e jashtëzakonshme për votimin e dekreteve të presidentit për ndryshimet në qeveri filloi me tensione. Deputetët e PD-së përplasin tavolinat dhe kanë bllokuar foltoren. Mes tensionit të krijuar nga opozita, janë votuar ministrat e rinj.

Në Kuvend u miratua:

Niko Peleshi shkarkohet nga posti i Ministrit të Mbrojtjes -  78 pro, 2 abstenim asnjë kundër
Taulant Balla shkarkohet nga posti i Ministrit të Brendshëm -  84 vota pro, 2 kundër asnjë abstenim
Petrit Malaj emërohet Ministër i Financave - 77 pro, 2 abstenim. 14 kundër -  Zëvendëson Ervin Mete
Pirro Vengu-  Emërohet Ministër i Mbrojtjes - 77 vota pro, 2 abstenim, 13 kundër  - Zëvendëson Niko Peleshin
Ervin Hoxha - Emërohet Ministër i Brendshëm - 76 vota pro, 2 abstenim, 11 kundër - Zëvendëson Taulant Ballën
Taulant Balla - Emërohet Ministër Shteti për Parlamentin - 78 vota pro, 9 kundër, asnjë abstenim - Zëvendëson Elisa Spiropalin
Bledi Çuçi - Zgjidhet nënkryetar i kuvendit, 77 vota pro, 9 kundër, 1 abstenim - Zëvendëson Ermonela Felaj.

10 MUAJ ME PARE

Bardhi 'debat' me Nikollën/ Rama me minstrat buzëqeshin, demokrati: Për çfarë qesh o mafioz?

Sherr, akuza dhe ujë! Maxhoranca emëron vetë ministrat e rinj,
Kuvendi

TIRANË-Është shoqëruar me debate dhe përplasja që në nisje, seanca e jashtëzakonshme në Kuvend për votimin e ndryshimeve në qeveri. Ka qenë Gazment Bardhi i cili ka hedhur akuza në drejtim të kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla, ndërsa ka përplasur edhe duart në Foltore duke shkaktuar zhurmë dhe kaos. Nikolla ka përjashtuar kreun e grupit parlamentar të PD-së nga seanca.

Teksa debati mes tyre vijonte, kryeministri Edi Rama dhe ministrat e ulur rreth tij po buzëqeshnin. Kjo gjë acaroi edhe më shumë Bardhin, i cili iu drejtua Ramës: Për çfarë qesh o mafioz?

Sherr, akuza dhe ujë! Maxhoranca emëron vetë ministrat e rinj,
Ministrat dhe Edi Rama

Bardhi nuk doli nga seanca por vijoi të jetë pjesë e aksionti të opozitës duke tentuar të bllokojë foltoren e kuvendit./ZËRI

10 MUAJ ME PARE

SHERRI i fundit me Lindita Nikollën, Bardhi flet nga vendi, kryeparlamentarja e përjashton nga salla

Sherr, akuza dhe ujë! Maxhoranca emëron vetë ministrat e rinj,
Gazment Bardhi dhe Lindita Nikolla

TIRANË- Ka nisur me debate seanca e sotme për emërimin e ministrave të rinj. Ishte kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ai që ofendoi kreun e qeverisë, Edi Rama. Si pasojë u përjashtua nga seanca. Por Bardhi nuk u ndal me aq. Nga Foltorja e bllokuar e Kuvendit, Bardhi ka akuzuar rëndë Lindita Nikollën, se kjo e fundit ka gënjyer në lidhje me arsyen e dorëheqjes nga posti i kryetares së Kuvendit. Nikolla lajmëroi një seancë më parë se është e detyruar të largohet për shkak të gjendjes së saj shëndetësore.

DEBATI NË SALLË:

Bardhi: Është përfaqësuesi i krimit të organizuar, është mafioz.

Lindita Nikolla: Zoti Bardhi jeni i përjashtuar nga seanca.

Bardhi: Po ti do shkarkohesh, çke ti mi?

Nikolla: Je përjashtuar nuk e merr dot fjalën për procedurë. Nuk e merr dot fjalën

Bardhi: Ti gënjeve Kuvendit dhe jam sëmurë. Ti je pa turp. Të shkarkoi si leckë. Ti! Të shkarkoi si leckë.

Nikolla: Ka mundësi të lësh sallën?

Bardhi: Gënjeve Kuvendin dhe jam sëmurë, preke gjithë sallën këtu

Nikolla: Të të vijë turp për insinuatën që krijove këtu.

Bardhi-Ramës: Ti tjetri je mafioz. Kjo tjetra e caktuara e krimit të organizuar cakton qeverinë, kush e komandon këtë?/ZËRI

10 MUAJ ME PARE

Emërimi i ministrave të rinj, PD: Duam 6 orë debat në Kuvend

Sherr, akuza dhe ujë! Maxhoranca emëron vetë ministrat e rinj,
Gazment Bardhi

TIRANË- Pas dekretimit të presidentit Bajram Begaj, Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sot në një seancë të posaçme për të miratuar kabinetin e ri qeveritar. Kuvendi pritet që të mblidhet në seancë të posaçme plenare pasditen e sotme në orën 17:00, por jo pa kundërshtime nga Partia Demokratike. Grupi parlamentar i PD-së, Gazment Bardhi, në kërkesën zyrtare të drejtuar Kuvendit kërkon debat për emërimet e reja, madje dhe me kohë të caktuar prej 6 orësh.

“Duke qenë se jemi përpara ndryshimit të përbërjes së Këshillit të Ministrave, që nënkupton një përbërje të re të tij, në përputhje me nenet 12, 46, 48 dhe 110 të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë që shqyrtimi i Dekreteve të Presidentit që ndryshojnë përbërjen e Këshillit të Ministrave t’i nënshtrohen debatit parlamentar, prej 6 orësh, të ndarë në mënyrë proporcionale mes grupeve parlamentare,”-shkruhet në kërkesën zyrtare të Grupit Parlamentar të PD./ZËRI

10 MUAJ ME PARE

Begaj dekreton ndryshimet në qeveri, Kuvendi mblidhet urgjent në 17.00 për betimin, PD: S'jemi njoftuar!

Sherr, akuza dhe ujë! Maxhoranca emëron vetë ministrat e rinj,
Pirro Vëngu, Petrit Malaj, Ervin Hoxha, Elisa Spiropali dhe Bajram Begaj

TIRANË- 48 orë i janë dashur presidentit të Republikës, Bajram Begaj që të dekretonte ndryshimet në qeveri. Pasi mori emrat që të dielën nga kryeministri Edi Rama, vetëm sot, Begaj ka firmosur dekretet për emrat e rinj që do t'i shtohen kabintetit. Nga "kabineti Rama 3" ikën Niko Peleshi për t'u bërë kryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ndërsa vendin e tij do ta zërë drejtori i Autoritetit Portual Durrës, Pirro Vëngu.

Taulant Balla, lë postin e ministrit të Brendshëm, për t'u bërë ministër pa portofol i Marrëdhënieve me Kuvendin; ndërsa Elisa Spiropali, e cila mbante këtë post do të zëvendësojë Lindita Nikollën. Ajo ka mbledhur më shumë se 30 vota të socialistëve për të qenë kryeparlamentare. Postin e Ballës, si ministër i Brendshëm do ta zërë Ervin Hoxha, i cili deri më tani mban detyrën e kryeinspektorit të IMT.

Ministri i ri i Financave do të jetë Petrit Malaj, i cili zë vendin e Ervin Metes. Ndryshim ka edhe në Kuvend, pasi Bledi Çuçi nga kryetar grupi i PS, do të spostojë Ermonela Felajn si nënkryetar i parlamentit. Për të kaluar të gjitha këto ndryshime që duan 71 vota (të cilat socialistët i kanë vetë) është lajmëruar seancë e jashtëzakonshme plenare. 

Por Partia Demokratike duket se nuk do të jetë pjesë! Në një njoftim të bërë nga zyra e shtypit të kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi u lajmërua pak para se Begaj të bënte emërimet e reja se nuk kishin marrë asnjë njoftim për seancë të jashtëzakonshme në Kuvend. Për më tepër që sipas tyre, kërkesa për një seancë të tillë njoftohet 48 orë para mbledhjes. 

"Të nderuar kolegë gazetarë, Në përgjigje të interesit tuaj për pjesëmarrjen apo jo të grupit parlamentar të PD në një seancë të supozuar parlamentare sot pasdite, ju bëj me dije që edhe pse jemi në mesditë ende deri në këtë moment, grupi parlamentar i PD nuk ka asnjë njoftim zyrtar për zhvillimin e ndonjë seance plenare. Urdhri për thirrjen e seancës plenare, rendi i ditës, kërkesa për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme, apo materialet për mbledhjen e Kuvendit, që si rregull njoftohen 48 orë përpara mbledhjes, ende nuk i janë njoftuar deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë,"-thuhet në njoftimin e lëshuar nga PD.

Megjithatë, pas njoftimit të bërë sot për takimin e orën 17.00, nuk dihet nëse PD do të marrë pjesë në betimin e ministrave të rinj./ZËRI

Poll

MOS HUMB