Përmirësohet situata në Shëngjin: Vatrat vijojnë të jenë aktive, por me intensitet më të ulët

SHËNGJIN-Situata me zjarrin që iu afrua plazhit të Shëngjinit arriti pikën kritike mesditën e së martës. Era e fortë dhe flakët përparuan me shpejtësi duke sjellë urdhrat për evakuimin e plotë të pushuesve, por edhe banorëve nga zona. Vatrat e zjarrit janë aktive, por vijojnë me intensitet më të ulët. Ministria e Mbrojtjes njofton se situata e krijuar nga zjarret ka shënuar përmirësim në orët e mbrëmjes.
NJOFTIMI:
Situata e krijuar nga zjarret në disa zona të vendit, por veçanërisht në Shëngjin ka shënuar përmirësim në orët e mbrëmjes, pas punës së pandërprerë të qindra forcave operacionale në terren si dhe ndërhyrjes së dy avionëve #Canadair të ardhur nga Italia, pjesë e mbështetjes nga Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile. Mirënjohje palës italiale për ndihmën si dhe palës suedeze për shprehjen e gatishmërisë. Sipas raportimeve të fundit është shmangur fatmirësisht rreziku për banesat dhe bizneset. Në orët e para të mëngjesit të nesërm do të fillojë sërish ndërhyrja nga ajri me mbështetjen e palës italiane dhe nga toka e qindra forcave operacionale. Është bërë e mundur shuarja e flakëve në vatrën e zjarrit në Kaninë, bashkia Vlorë, ku zjarri përfshiu një sipërfaqe me ullinj si dhe në Nikël, ku u raportua një tjetër vatër zjarri, gatë ditës së sotme.Mirënjohje të gjithë efektivëve të forcave zjarrfikëse, të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, Shërbimit Pyjor, Zonave të Mbrojtura e vullnetarëve për angazhimin në këtë betejë me flakët.



Më problematike janë vatrat e zjarrit në kurorën e gjelbër të qytetit, ajo në Ranën e Hedhun dhe në Shëngjin.Flakët rrezikojnë banesat në Shëngjin, teksa dhe era favorizon përhapjen e flakëve. Kanë mbërritur gjatë ditës dy avionë Canadair për ndërhyrje nga ajri, ndërsa ministri Balla nga vendngjarja tha se po komunikohet me KFOR për ndihmë me helikopterë./ZËRI
Edhe Gjirokastra nën flakë, zjarri përhapet në Parkun e Viroit

GJIROKASTËR-Në orët e mbrëmjes kanë vazhduar vatrat problematike të zjarrit në Gjirokastër. Në shpatin e Malit të Gjerë, mbi Gjirokastër, ka një rënie të intesitetit të zjarreve megjithatë flakët vazhdojnë të djegin masive me pisha dhe kullota duke përhapur tym dhe smog.
Problematike në orët e mbrëmjes është rishfaqja e flakëve në Parkun e Viroit. Zjarri është rikthyer në periferi të parkut ku ndodhet edhe një lagje e banuar me rreth 50 shtëpi./ZËRI
'5 vatra aktive", Balla nga Shëngjini: Problem mbetet kurora me pisha, jemi në kontakt me KFOR

SHËNGJIN-Në Shëngjin dy helikopterë Canaderë të ardhur nga Italia kanë ndërhyrë për t’i ardhur në ndihmë ekipeve zjarrfikëse në zonë për të shuar flakët që kanë përfshirë vendin. Situata vazhdon të mbetet problematike dhe shqetësuese, ndërsa zjarri është përhapur me shpejtësi ndihmuar edhe nga erërat e forta dhe temperaturat e larta. Balla thekson se zjarri nuk është i qëllimshëm, ndërkohë shpreh shqetësimin për zonën pranë kishës, për kurorën me pisha në qytet. Ai u shpreh se është kontaktuar edhe KFOR për të marrë helikopterët e tyre. Në Shëngjin ka mbërritur edhe ministri i Drejtësisë Ulsi Manja.
'Jemi në kontakte me KFOR për të marrë helikopteret e tyre. Në rast se ndalet era dhe parashikohet të ndalet në mesnatë, gjëja do ndryshoj për mirë. E gjitha punë jonë është e pamundur të jap rezultatin që duam. Kjo është një përmbledhje e momentit. Po luftohet më shumë se 24 orë pa ndërprerje. Dhe na duhet një pjesë e zjarrfikësve në vende ku shfaqen vatrat e reja të zjarrit janë 5 aktive. Situata më e vështirë është këtu ku shikoni por edhe pjesa tek Rana e Hedhun. Por jam i shqetësuar edhe për kurorën në qytet, tek kisha. Janë të gjitha aty për të ndërhyrë. Është një kurorë e mbjellë me pisha dhe pisha është një si mjet shpërthyes. Në këtë aspekt e keni parë si boçet e pishës marrin zjarr. Nuk jemi në kushtet për të bërë analizën e fakteve. Sipas vlerësimit paraprak nuk kemi të bëjmë me një zjarrvënie të qëllimshme. Përfitoj nga ky komunikimin të ripërsëris një thirrje: ju lutem çdo qytetar të këtij vendi edhe kur nisesh për një gjë të vogël për të djegur një gjë të vogël, në shumicën e rasteve kanë çuar në këto zjarre. Nuk lejohet të ndizet zjarr dhe kujtoj parashikimet në Kodin Penal. E keni ndjekur që këto struktura shtetërore janë në krye të detyrës. Do bëjmë detyrën dhe shpresojmë të kemi motin në favor. Nuk kemi hotel të përfshirë nga zjarri. Patjetër janë rrezikuar. Edhe një banesë tre katëshe, zjarr nuk ka ardhur nga pjesa që e rrethon por nga çatia. Hetimet do i bëjmë më prapa. Jemi në destinacionet më të rëndësishme,"-u shpreh Balla.
Vatra të reja zjarri pranë portit/ Rrezik shpërthimi i cisternave të gazit, evakuohen banorët

SHËNGJIN-Vijon të jetë e rënduar situata në Shëngjin ku flakët përhapen me shpejtësi të favorizuara edhe nga era e fortë. Një banesë është djegur ndërsa dhjetra të tjera rrezikohen nga flakët në lagjen pranë portit të Shëngjinit. Shkak është fakti se pranë saj ndodhet një depozitë gazi 5 mijë litërshe.
Ndërkohë dy avionë nga italia dhe një helicopter po ndërhyjnë nga ajri. Tek resortet turistike zjarri është vënë nën kontroll dhe për momentin nuk përbën rrezik. Flakët që vijojnë prej dy ditësh në malin e Shëngjinit dhe kanë përparuar riaktivizohen herë pas here për shkak të erës dhe bimësisë së dendur./ZËRI
Vatër zjarri edhe në Pogradec, flakët pranë varrezave të fshatit Guras (FOTOT)

POGRADEC-Pasditen e sotme janë shfaqur vatra zjarri në fshatin Guras në bashkinë e Pogradecit. Për izolimin e flakëve janë angazhuar mjete e punojës të shërbimit zjarrfikës të bashkisë së Pogradecit e shërbimit pyjor.


Zjarrëfikësit bëjnë me dije se vatrat e zjarrit janë shkaktuar për shkak të erës dhe temperaturave të larta. Flakët pasi kanë djegur një sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi të ulët po përhapen me shpejtësi drejt zonës pyjore të Podgories dhe Qafë Plloçës. Zjarri ndodhet afër varrezave të fshatit Guras dhe po punohet për shuarjen e tij. /ZËRI
Zjarr i përmasave të mëdha edhe në Vlorë, rrezikohen banesat

VLORË- Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë në Vlorë, në afërsi të fshatit Kaninë, që ka përfshirë një sipërfaqe të mbjellë me ullinj, teksa flakët po përhapen me shpejtësi duke u favorizuar nga era. Zjarri ka djegur një sipërfaqe me bimësi, ku gjithashtu ndodhen afër dy banesa që rrezikohen.
Dyshohet se është një zjarrvënie e qëllimshme, ndërsa zjarrfikësit po hasin vështirësi për shuarjen e flakëve për shkak të terrenit të vështirë malor./ZËRI
Zjarret në Shëngjin, Ministria e Mbrojtjes thirrje URGJENTE: Evakuoni zonën!

TIRANË- Ministria e Mbrojtjes ka shpërndarë një lajmërim urgjent për banorët në zonën e Shëngjinit në Lezhë. Në një njoftim, Ministria kërkon evakuimin e banorëve të zonës, për shkak se zjarri po përkeqësohet. Për shuarjen e flakëve, pritet që të ndërhyjnë shumë shpejt edhe 2 avionë.
NJOFTIMI NGA MINISTRIA E MBROJTJES:
Situata e zjarrit në fshatin Mal Shëngjin, bashkia Lezhë
Pavarësisht punës së pandërprerë të forcave opreaionale në terren, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, situata në vatrën e zjarrit në fshatin Mal Shëngjin është problematike. Përveç forcave zjarrfikëse të pushtetit vendor është angazhuar për shuarjen e flakëve edhe helikopteri Cougar, por si pasojë e erës së fortë zjarri është përhapur, duke rrezikuar edhe zonat e bauara dhe bizneset në zonë. U morën masat në kohë për evakuimin e tyre, duke bërë të mundur shmangien e rrezikut.
Ditën e djeshme operuan 20 mjete zjarrfikëse gjatë gjithë natës me 60 forca zjarrfikëse. Ndërsa sot veç helikopterit Cougar po punojnë edhe 40 mjete zjarrfikëse dhe 150 forca operacionale. Pas kërkesës drejtuar Mekanzimit Evropian të Mbrojtjes Civile pritet të mbërrijnë shumë shpejt dy avionë Canadair për ndërhyrje nga ajri. Situata vijon të mbetet problematike pavarësisht gjithë angazhimit në nivel kombëtar. U bëjmë thirrje banorëve të bashkëpunojnë me forcat e policisë dhe zjarrfikësit në rast nevojë për evakuim. Mirënjohje partnerëve tanë të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile për ndihmën e dhënë! Puna po vijon edhe në disa vatra të tjera ë vijojnë të jenë aktive në qarqet Korçë, Shkodër, Gjirokastër, Elbasan.
Pamje APOKALIPTIKE nga zjarri tek Rana e Hedhun në Shëngjin

SHËNGJIN- Sa më shumë kohë që kalon, aq më shumë përkeqësohet situata me zjarrin në Shëngjin. Siç duket edhe nga pamjet e siguruara nga ZËRI, situata në Shëngjin është përkeqësuar edhe pse prej orësh zjarrfikësit vijojnë të luftojnë me flakët.
Deri më tani, kanë mundur që të frenojnë disi flakët që të mos i afrohen një resorti në zonën e Ranës së Hedhun, por edhe godinave të tjera që ndodhen në zonë.
Flakët që vijojnë prej dy ditësh në malin e Shëngjinit dhe kanë përparuar riaktivizohen herë pas here për shkak të erës dhe bimësisë së dendur./ZËRI
Vatër zjarri edhe në Maliq, zjarrfikësit po përpiqen të izolojnë flakët

MALIQ-Vatra zjarri me intensitet janë aktivizuar në zonën e Maliqit më konkretisht në pyllin e Bodës, ditën e sotme. Mësohet se shërbimi zjarrfikës Maliq ka qenë aty që në çastet e para të sinjalizimit të zjarrit por terreni i thyer malor iu ka krijuar vështirësi.
Punonjësit e zjarrfikëses po përpiqen ta mbajnë nën kontroll zjarrin me mjete rrethanore pasi terreni i thyer malor e bën të pamundur ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse me mjetet e tyre. /ZËRI
ZJARR nga të gjitha anët/ Përkeqësohet situata në Shëngjin, flakët po i afrohen resorteve, digjen çadra plazhi e një lokal (VD)

SHËNGJIN- Me çdo minutë që kalon, përshkallëzohet situata e flakëve në Shëngjin. ZËRI ka siguruar pamje nga flakët që kanë përfshirë të gjithë zonën e malit dhe po i afrohen, madje në disa vende kanë prekur edhe disa resorte në zonë. Flakët e zjarrit i janë afruar kurorës së gjelbërt, shumë pranë 'Inheritor resort' në Shëngjin. Ndërsa në një tjetër zonë, flakët kanë djegur një "beach-bar".
Duke marrë parasysh situatën, banorët e zonës dhe të gjithë pushuesit janë larguar, ndërkohë që punonjësit e resorteve, po tentojnë që të shpëtojnë çfarë munden nga flakët. Por përveç zjarrit probleme ka edhe me shpërthimin e municioneve në zonën e pyllit, pasi në zonën ku është aktivizuar zjarri ka qenë më parë një bazë ushtarake./ZËRI
PAMJET apokaliptike nga zjarret në Shëngjin/ Flakët përfshijnë rrethimin e një resorti, digjen çadrat

SHËNGJIN-Vijon ende zjarri në Shëngjin, ku është e pamundur vënia nën kontroll e tij dhe lokalizimi i flakëve për shkak të erës që fryn. Flakët po djegin çadrat dhe zjarri po përfshin rrethimin e resortit 'Inheritor resort'. Forcat zjarrfikëse po përpiqen të shuajnë flakët me qëllim që të mos i afrohet godinës. Nga ana tjetër, pushues dhe punonjës të resortit po përpiqen të heqin çadrat e tjera prej kashte që të mos përfshihen nga flakët.
Flakët po vijojnë të hapen me shpejtësi të madhe edhe në zonën e rrugës Shëngjin-Velipojë, po ashtu është aktivizuar një tjetër vatër zjarri e re në anën tjetër të malit. Edhe pse po punohet nga toka dhe ajri, situata mbetet kritike në këtë zonë, ku zjarri po afrohet dhe pranë disa bizneseve dhe banesave.





Gjatë gjithë natës është punuar për shuarjen e flakëve, por situata ka qenë kritike, aq sa banorët dhe turistët janë evakuuar për shkak se flakët iu afruan resorteve e banesave./ZËRI
Balla s’e lëshon detyrën, e kalon gjithë natën në Shëngjin si pasojë e situatës alarmante me zjarret

LEZHË- Edhe pse i shkarkuar nga posti i ministrit të brendshëm, në pritje të votimit në Kuvend të pasardhësit të tij, Taulant Balla duket se nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtë nga Ministria e Brendshme. Mbrëmë gjatë natës, dhe sot në mëngjes, Balla ka qenë i pranishëm në zonën e Shëngjinit, ku ka pasur një situatë alarmante me zjarret, ku flakët kanë dalë jashtë kontrollit, duke rrezikuar djegien e banesave, por edhe jetët e banorëve dhe të pushuesve të shumtë që ndodhen në zonë.
Gjatë fjalës së tij, Balla falënderoi gjithë Forcat Zjarrfikëse, Policinë e Shtetit, Forcat e Armatosura Forcën Ajrore për përfshirjen në operacion.
“Po bëjnë një punë të shkëlqyer me helikopterin, ju nxis të vazhdoni me këtë intensitet për ta përmbyllur me sukses përballjen me këtë situatë tepër të vështirë, e cila vazhdon. Na duhet të mirë-administrojmë forcat sepse e vërteta është që kemi dhe plot zjarre të tjera në zona të caktuar. Kemi sjellë këtu forca nga Berati, nga Fieri natyrshëm Tirana, Kamza apo bashkitë fqinje me bashkinë Lezhë dhe na duhet që ta vendosim tërësisht në kontroll gjatë ditës së sotme për të qenë të përgatitur për situata të tjera dhe më të vështira”, deklaroi Balla.
Ndërkohë drejtori i përgjithshëm i shërbimit zjarrfikës, Arben Cara dha detaje nga ecuria e operacionit për vënien nën kontroll të flakëve.
“Jemi dislokuar këtu në zonën e Shëngjinit për të shuar vatrën e zjarrit ku kemi angazhuar dhe disa bashki duke filluar nga Tirana, Kamza, Fieri, Berati, Lushnja, Mirdita, Vau Dejës, Shkodra, pra më shumë se 20 automjete zjarrfikëse dhe më shumë se 80 forca operacinale të MZSH mbështetur nga forcat operacionale të Policisë së Shtetit, 2 automjete të zjarrfikëseve të ushtrisë, por dhe forca të tjera nga organizata të tjera ligjzbatuese ku kanë punuar përgjatë gjithë natës deri në orët e para të mëngjesit për të lokalizuar vatrën e zjarrit këtu në zonën e Shëngjinit, siç edhe ju e shikoni vatra është akoma aktive, por një pjesë e mirë e vatrës së zjarrit është lokalizuar nga forcat operacinale ku kanë punuar përgjatë gjithë natës e theksoj me një intensitet shumë të lartë gjë e cila mbetet për tu vlerësuar dhe për t’i përshëndetur të gjithë zjarrfikësit dhe forcat operacinale të cilat morën pjesë në këtë operacion. Sot aktualisht po mbështetemi dhe nga helikopteri që po na e lehtëson deri diku punën, mendojmë që gjatë ditës do e vendosim nën kontroll dhe do e mbyllim përfundimisht vatrën e zjarrit”, informoi Drejtori i Përgjithshëm Shërbimit Zjarrfikës Arben Cara./ZËRI
Del jashtë kontrollit situata me zjarret në Shëngjin, flakët iu afrohen banesave dhe hoteleve, evakuohen banorët

SHËNGJIN- Situata me zjarrin në malin e Shëngjinit është përkeqësuar gjatë natës, për shkak se flakët janë përhapur pranë zonave të banuara.
Edhe pas ndërhyrjes me helikopter ka qenë e pa mundur izolimi i plotë i vatrave të zjarrit, ku për shkak të erës së fortë gjatë mbrëmjes, zjarri është riaktivizuar sërish në disa zona të malit.
Flakët janë afruar pranë hoteleve dhe banesave në Ranën e Hedhun, ndërkohë janë evakuuar banorët e zonës si dhe turistët.
Burime bëjnë me dije për ZËRI-n, se në terren gjatë natës kanë operuar 20 mjete zjarrfikëse me përsonelin përkatës, kjo e favorizuar nga era e fuqishme.
Në terren janë tre mjete nga Bashkia Lezhë, 1 nga bashkia Mirditë, 2 nga FA, 3 Kamza, 4 Tirana, 1 Berati, 1 Fieri, 1 Lushnja, 1 Vau Dejës, si dhe Shkodra me 1 Autobot e 2 autobote të bashkisë Lezhë.
Me mjetet dhe efektivët zjarrfikës po punohet për mbrojtjen e banesave dhe hoteleve, deri tani është bërë e mundur që në objekte mos të preken nga zjarri.
Operacioni gjatë gjithë natës është ndjekur nga Prefekti i Qarkut me stafin e tij, nënkryetarët e bashkisë Lezhë, Drejtori i Gadishmërisë, Drrjtori Mardhënjeve me Jashtë, Drejtori Rajonit Verior në AKMC, Z/Ministri i Mrojtjes, Drejtori i Përgjithshëm të MZSH në MB, 3 fugon të FNSH, (1 Shkodra, 2 Tirana), Drejtori Policisë Vendore, Lezhë, si dhe forca të shumta policore. 2 autoambulanca të spitalit Lezhë, 1 autoambulancë e QVEC.
Me gjithë praninë e gjithë këtyre forcave është e pamundur vënia nën kontroll e zjarrit, dhe si rezultat rrezikohen shumë biznese, por dhe shtëpi banimi.
Në ndihmë ka shkuar edhe një helikopter që po bën të mundur ndërhyrjen nga ajri.
Lidhur me zjarrin kishte dhe një reagim nga ministri i brendshëm në largim, Taulant Balla, i cili shkruante në orët e vona të mbrëmjes së djeshme:
Situatë tepër e vështirë nga zjarri në Shëngjin! Edhe pse janë zhvendosur aty forca zjarrfikëse nga shumë bashki, Agjencia e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura shtrirja e madhe e flakëve dhe era e fortë po rrezikojnë disa banesa. Policia e Shtetit përmes Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe DVP Lezhë po evakuon banorët.
/ZËRI