LIVE UPDATES

Pas ndryshimeve në qeveri, Rama mbledh Kryesinë dhe Grupin e PS-së: Kush do vend në listën për deputet duhet të kalojë testin

➤Pas ndryshimeve në qeveri, kryeministri Edi Rama ka thirrur sot mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së dhe kryesinë e Partisë, ku ka bërë edhe prezantimin e merave të rinj. ➤Rama i ka besuar drejtimin e grupit parlamentar Niko Peleshit, ndërsa ka vlerësuar punën e tij në krye të ministrisë së Mbrojtjes, si dhe atë të Taulant Ballës në krye të Ministrisë së Brendshme. ➤Nga ana tjetër, Rama është treguar kritikë me një pjesë të deputetëve, që sipas tij nuk kanë bërë mjaftueshëm për të gëzuar edhe 4 vite të tjera postin që mbajnë. ➤Për këtë, Rama është shprehur se ata do të jenë në test deri në Prillin e ardhshëm, nëse do të kenë apo jo një vend në listën për zgjedhjet parlamentare 2025. ➤Seanca e jashtëzakonshme që ishte parashikuar sot për betimin e ministrave është shtyrë për ditën e nesërme, pasi presidenti Bajram Begaj nuk i ka firmosur ende dekretet.

3 artikuj për këtë temë.
7 MUAJ ME PARE

Shkarkimet e ministrave, Rama vlerëson punën e dyve prej tyre, Mete ‘zhduket’ nga çdo funksion në PS

Pas ndryshimeve në qeveri, Rama mbledh Kryesinë dhe Grupin e
Kongresi i ps

TIRANË- Ky fund Korriku ishte i nxehtë për socialistët, jo vetëm për shkak të temperaturave të larta që janë rikthyer në vend, por edhe për shkak të ndryshimeve që kryeministri Edi Rama njoftoi dje në qeveri dhe në grupin parlamentar. Këto ndryshime janë prezantuar sot dhe në grupin parlamentar, por edhe në Kryesinë e PS-së, ku Rama ka veçuar punën e dy prej ministrave të larguar.

Është fjala për ministrin e brendshëm Taulant Balla dhe atë të Mbrojtjes Niko Peleshi, të cilët janë zhvendosur në funksione të tjera. Konkretisht Balla do të mbajë postin e Minisitrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, në vend të Elisa Spiropalit, ndërsa Peleshi do të drejtojë grupin parlamentar, në vend të Bledi Çuçit, i cili është propozuar në postin e nënkryetarit të Parlamentit.

Edhe në mbledhjen e sotme, Rama është treguar kritik me një pjesë të deputetëve, që sipas tij nuk kanë përmbushur detyrat në elektorat. Në mbledhjen e sotme të socialistëve nuk është parë askund ministri i shkarkuar i Financave Ervin Mete, i cili nuk ka pasur një profil të spikatur politik në radhët e të majtëve./ZËRI 

7 MUAJ ME PARE

Rama mbledh grupin parlamentar, ‘dush të ftohtë’ deputetëve: Jeni në test nëse do keni vend në listë në zgjedhjet e ardhshme

Pas ndryshimeve në qeveri, Rama mbledh Kryesinë dhe Grupin e
Edi rama duke arritur ne kryesi

TIRANË- Socialistët kanë mbledhur këtë të hënë grupin e tyre parlamentar, ku do te bëhet prezantimi i kryetarit të ri, Niko Peleshi, i cili zevendëson në këtë post Bledi Çuçin. Në mbledhjen e grupit të PS-së kanë marrë pjesë edhe 3 ministrat e rinj të emëruar dje nga Rama, të cilët nuk gëzojnë mandat deputeti, por kanë shërbyer në poste drejtorësh. Ervin Hoxha mbante postin e drejtorit të Përgjithshëm të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Petrit Malaj mbante postin e kreut të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe Pirro Vëngu mbante postin e kreu të Autoritetit Portual të Durrësit.

Burime bëjnë me dije, se edhe gjatë mbledhjes së sotme të grupit parlamentar, Edi Rama nuk i ka kursyer kritikat në drejtim të një pjese të deputetëve, që sipas tij nuk kanë përmbushur detyrat, dhe dalin në bazë vetëm për të bërë foto, dhe për të konfirmuar prezencën në momentin kur ai shkon në terren. Ai është shprehur se nga sot deri në prillin e vitit të ardhshëm deputetët do të jenë në test për një vend në listat e kandidatëve për deputetë.

“Urtësia e deputetit dhe fjala, janë kusht për shëndetin e mirë dhe mbarëvajtjen e partisë. Deputeti mund të jetë ose jo i gojës, por jo tjetër gjë, përveçse shembulli që do të dëgjojë njerëzit dhe të zhvillojë dijet e veta për problemet me të cilat duhet të merret, për halle të mëdha dhe të vogla.

Të rritet, lartësohet në sytë e njerëzve, përmes punës që bën për vendin dhe për të mos harruar asnjëherë që tua qaj hallin atyre që nuk ua zgjidh dot. Kjo vlen për çdo deputet, por për këdo që merr vlerësimin dhe ka nderin që të jetë deputet i partisë më të madhe, më të besuar dhe fitimtare.

Të jesh deputet i kësaj partie është diçka që e konsideroj privilegj të pakrahasueshëm dhe të zgjidhesh deputet nga shumica e shqiptarëve, është borxh i jashtëzakonshëm që nuk lahet dot deri në fund.

Atyre që më pyesin shpesh se ku e gjej gjithë këtë energji dhe durim, ua kthej me buzëqeshje, por s’kam se si rri asnjë orë rehat, përderisa ata që ma kanë bërë atë nder, s’janë rehat. Dua t’u kërkoj ndjesë për ata deputetë që janë këtu të ulur mes nesh, që nuk e kanë përmbushur akoma as minimumin jetik për detyrën që paguhen nga taksat e shqiptarëve.

Dua t’u kërkoj ndjesë për ata deputetë që dalin në popull vetëm kur më shoqërojnë mua, apo për të bërë një fotografi prezence kur zhvillohet një takim fushate”, tha Rama dje në Kongres. /ZËRI 

7 MUAJ ME PARE

Emërimi i Spiropalit dhe ministrave të rinj/ Begaj mban 'peng dekretet', shtyhet për nesër seanca e jashtëzakonshme në Kuvend

Pas ndryshimeve në qeveri, Rama mbledh Kryesinë dhe Grupin e
Ndryshimet ne qeveri

TIRANË- Edhe pse Kuvendi mbylli sesionin parlamentar zyrtarisht ditën e premte, deputetët do të mblidhen në një seancë të jashtëzakonshme ditën e nesërme, ku do të miratohen ndryshimet në kabinetin qeveritar.

Seanca e jashtëzakonshme parlamentare që pritej të zhvillohej sot në orën 18:00,  ku do të votohej kryetarja e re e Kuvendit, Elisa Spiropali dhe do të kalonin dekretet e Presidentit Bajram Begaj për ministrat e rinj të qeverisë Rama, është shtyrë për ditën e nesërme.

Deputetët e PS janë njoftuar në mbledhjen e grupit se seanca do të shtyhet për nesër për shkak se Presidenti ende nuk i ka dekretuar ndryshimet në qeveri.

Kryeministri Edi Rama njoftoi dje ndryshime të rëndësishme në qeveri, por edhe në grupin parlamentar dhe në krye të Kuvendit. Ai dorëzoi ndryshimet personalisht pasditen e djeshme në presidencë, ku edhe pse një ditë pushimi, u prit në takim nga Bajram Begaj. Për të miratuar ndryshimet në qeveri do të duhen 71 vota që socialistët i kanë, dhe më pas ministrat e rinj do të marrin detyrën.

Më konkretisht në Kongresin e PS-së, Rama propozoi emërimin e Elisa Spiropalit për të zëvendësuar Lindita Nikollën në postin e kryetares së Kuvendit, pasi kjo e fundit dha dorëheqjen për arsye shëndetësore.

Ndërkohë, Rama ka larguar edhe Ermonela Felajn nga posti i nënkryetares së Kuvendit, dhe në vend të saj ka emëruar Bledar Çuçin, i cili mbante postin e kreut të grupit parlamentar të PS-së. Në vend të Çuçit, në postin e kreut të grupit parlamentar të PS-së ka emëruar Niko Peleshin, duke e larguar nga posti i Ministrit të Mbrojtjes.

Gjithashtu, një ndryshim surprizë në qeveri ishte dhe ai i Taulant Ballës. Ky i fundit është larguar nga posti i Ministrit të Brendshëm pas rreth një viti, duke e emëruar në postin e ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, në vend të Elisa Spiropalit. Rama ka larguar edhe Ervin Meten nga posti i ministrit të Financave, duke emëruar në vend të tij Petrit Malajn. Ndërkohë, Ervin Hoxha është emëruar ministër i Brendshëm, ndërsa Pirro Vengu është emëruar ministër i Mbrojtjes.

Të tre ministrat e rinj, deri tani mbanin poste drejtuesish në institucionet që janë në varësi të ministrisë së Infrastrukturë dhe Energjitikës, që drejtohet nga Belinda Balluku. Ervin Hoxha mbante postin e drejtorit të Përgjithshëm të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Petrit Malaj mbante postin e kreut të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe Pirro Vëngu mbante postin e kreu të Autoritetit Portual të Durrësit.

Ndërkohë, nuk dihet nëse do të marr pjesë opozita në seancën e sotme në Kuvend, teksa kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi i ka njoftuar kolegët e tij, teksa thotë se Begaj i ka bërë dekretimet me urgjencë.

“Kolegë, Presidenti si roje e godinës së Presidencës ka bërë dekretimin e ministrave të rinj me urgjencë dhe pa asnjë verifikim. Administrata e Kuvendit më njofton që sot në orën 18:00 do të ketë seancë të jashtëzakonshme parlamentare për emërimet në qeveri. Njoftimi zyrtar do ju përcillet edhe me email”, shprehet kreu i deputetëve demokratë.

Seanca në Kuvend pritet që të paraprihet nga një mbledhje e grupit parlamentar të socialistëve, ku do të prezantohet edhe drejtuesi i ri, Niko Peleshi. /ZËRI

Poll

MOS HUMB