U arrestua nga SPAK, si pezulloi prokurori hetimet për pasurinë e Suel Çelës

TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dalë me njoftim zyrtar një ditë pas arrestimit të kryeprokurorit të Vlorës, Aurel Zarka, ndaj të cilit rëndojnë 3 akuza. Në një prej episodeve të dokumentuara nga SPAK, rezulton se Zarka ka ndërhyrë për të pezulluar hetimin pasuror që kishte nisur ndaj Suel Çelës. Ky i fundit gjithashtu i shpallur në kërkim nga SPAK pasi akuzohet për disa ngjarje kriminale në qytetin e Elbasanit.
"Procedimi pasuror nr.24, datë 19.02.2020, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të zhvilluar në bazë të Aktit Normativ Nr.1, datë 31.01.2020, për pasuritë në zotërim të shtetasit Suel Cela alias Marius Lulaj;,"-shkruhet ndër të tjera në njoftimin e SPAK./ZËRI
EPISODET- Pse u arrestua prokurori i Vlorës? SPAK zbardh detajet: 3 herë "mbylli" hetimet për "Toyota Auris"

TIRANË- Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zbardhur detaje lidhur me arrestimin e prokurorit Aurel Zarka, ndaj të cilit rëndojnë 3 akuza. SPAK ka bërë njoftimin e parë zyrtar pas arrestimit të kreut të Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka, prokurori i Vlorës ka ndërhyrë disa herë për zbutjen e akuzave të të akuzuarve për dosjen “Toyota Yaris”. Me ndihmën dhe ndërhyrjen e Zarkës, Alfred Vladi, Elvis Vladi dhe Alban Mollaymeri, të akuzuar për 3.4 mln eurot e gjetura në Portin e Durrësit në një automjet “Toyota Yaris” 6 vite më parë, kanë ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.
PJESË NGA NJOFTIMI I SPAK:
Konkretisht, veprimet e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm, të korrupsionit aktiv të funksionarëve të drejtësisë dhe korrupsionit pasiv të funksionarëve të drejtësisë janë kryer në lidhje me çështjet penale të mëposhtme:
Procedimin penal nr.130, të vitit 2018, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, në ngarkim të shtetasve Alfred Vladi, Elvis Vladi dhe Alban Mollaymeri, të akuzuar për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, të parashikuar nga nenet 287/1, 333/a/1 e (2) dhe 334/1 të Kodit Penal;
Procedimin penal nr.71, të vitit 2020, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve Alfred Vladi, Elvis Vladi dhe Alban Mollaymeri, të akuzuar për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 179/a dhe 25 të Kodit Penal, duke përfshirë seancën gjyqësore të rivlersimit/zëvendësimit të masave të sigurimit të datës 17.01.2020 të zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, fazën e hetimeve paraprake, fazën e caktimit të gjyqtarit të seancës paraprake dhe zhvillimin e seancës paraprake në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë; Ekzekutimin e disa kërkesave për ndihmë juridike të dërguara nga autoritetet belge të drejtësisë, konkretisht nga gjyqtari i hetimeve paraprake pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Bruksel, Belgjikë, ndaj procedimit penal në ngarkim të shtetasve Alfred Vladi, Elvis Vladi, etj, të ekzekutuara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, si dhe nga Prokuroria e Posaçme;
Procedimin pasuror nr.1, datë 20.12.2019, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të zhvilluar në bazë të ligjit nr.10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, për pasuritë në zotërim të shtetasve Alfred Vladi, Elvis Vladi dhe Alban Mollaymeri
Çfarë është dosja “Toyota Yaris”
Kjo çështje është bërë si fillim publike nga Lulzim Basha, i cili akuzoi kreun e Grupit të Partisë Socialiste Taulant Balla si të përfshirë në marrjen e 3.4 milionë eurot. Akuzat, socialisti i cilësoi si shpifje duke ngritur padi ndaj tij për shpifje dhe dekonspirim të operacionit. Pikërisht kjo deklaratë ndryshoi planet e operacionit kriminal të Alfred dhe Elvis Vladit. Makinat supozoheshin të niseshin nga porti Ankonës por devijuan rrugën dhe u nisën nga porti i Barit. Balla e fitoi gjyqin ndaj Bashës, i cili u gjobit me 50 mijë lekë gjobë për shpifje./ZËRI
Tentuan të ndërhyjnë në 8 çështje penale, përfshirë ‘Toyota Yaris’, SPAK del me njoftim për arrestimin e Zarkës, 3 të tjerët ia kanë mbathur

TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kanë dalë në një njoftim zyrtar në lidhje me arrestimin e kryeprokurorit të Vlorës, Aurel Zarka, për shkak se kanë tentuar në 8 raste që të ndërhyjnë te funksionarët e drejtësisë. Ndërkohë që 3 personat e tjerë që janë përfshirë në korrupsion së bashku me Zarkën, nuk është arritur që të vihen në pranga. Bëhet fjalë për ish-oficeren e krimeve të rënda Eriona Dautaj, aktualisht studente në shkollën e Magjistraturës, si dhe biznesmenin Astrit Vladi e avokatin Radovan Çela.
SPAK thotë se në këtë operacion prokurorët e posaçëm janë ndihmuar nga Europol, Eurojust, autoritetet franceze të drejtësisë, autoritetet belge të drejtësisë, si dhe Drejtoria e Policisë së Shtetit në fazën e ekzekutimit të masave të sigurimit.
Nga ana tjetër në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme thuhet se vijon puna për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Zarka akuzohet për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer tre herë, e kryer në bashkëpunim dy herë, të parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi (2) dhe 25 të Kodit Penal (para ndryshime me ligjin nr.43/2021); (ii)“Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319 dhe 25 të Kodit Penal; (iii)“Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal.
NJOFTIMI I SPAK
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e verifikimeve të kryera kryesisht, ka rregjistruar procedimin penal nr.26, datë 07.02.2024, për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” dhe “Trafikimi i narkotikëve”, të parashikuara nga nenet 245/1, 319, 319/ç, 295/a paragrafi (3) dhe 283/a të Kodit Penal.
Lidhur me këtë procedim penal për një periudhë disa mujore janë kryer veprimet e nevojshme hetimore duke përfshirë marrjen e informacioneve nga agjenci të huaja të zbatimit të ligjit, marrjen e provave nga autoritetet e drejtësisë së shteteve të tjera, kërkimin, zbulimin dhe administrimin e dokumentacionit të nevojshëm, si dhe analizimin me hollësi të të dhënave dhe dokumentacionit që është administruar.
Nga burimet e provave të mbledhura gjatë hetimeve paraprake të këtij procedimi penal janë krijuar dyshime të arsyeshme se personat nën hetim A.V., R.Ç., E.D. dhe A.Z, në bashkëpunim dhe në disa raste, kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë, kanë pranuar premtime dhe kanë pranuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim të funksionarëve të drejtësisë, kanë ofruar përfitime të parregullta për funksionarë të drejtësisë, si dhe kanë kërkuar përfitime të parregullta për të kryer veprime të lidhura me funksionin dhe detyrën e tyre, sipas episodeve dhe akuzave respektive për secilin prej tyre.
Konkretisht, veprimet e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm, të korrupsionit aktiv të funksionarëve të drejtësisë dhe korrupsionit pasiv të funksionarëve të drejtësisë janë kryer në lidhje me çështjet penale të mëposhtme:
Procedimin penal nr.130, të vitit 2018, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, në ngarkim të shtetasve Alfred Vladi, Elvis Vladi dhe Alban Mollaymeri, të akuzuar për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, të parashikuar nga nenet 287/1, 333/a/1 e (2) dhe 334/1 të Kodit Penal;
Procedimin penal nr.71, të vitit 2020, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve Alfred Vladi, Elvis Vladi dhe Alban Mollaymeri, të akuzuar për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 179/a dhe 25 të Kodit Penal, duke përfshirë seancën gjyqësore të rivlersimit/zëvendësimit të masave të sigurimit të datës 17.01.2020 të zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, fazën e hetimeve paraprake, fazën e caktimit të gjyqtarit të seancës paraprake dhe zhvillimin e seancës paraprake në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë;
Ekzekutimin e disa kërkesave për ndihmë juridike të dërguara nga autoritetet belge të drejtësisë, konkretisht nga gjyqtari i hetimeve paraprake pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Bruksel, Belgjikë, ndaj procedimit penal në ngarkim të shtetasve Alfred Vladi, Elvis Vladi, etj, të ekzekutuara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, si dhe nga Prokuroria e Posaçme;
Procedimin pasuror nr.1, datë 20.12.2019, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të zhvilluar në bazë të ligjit nr.10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, për pasuritë në zotërim të shtetasve Alfred Vladi, Elvis Vladi dhe Alban Mollaymeri;
Procedimi pasuror nr.24, datë 19.02.2020, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të zhvilluar në bazë të Aktit Normativ Nr.1, datë 31.01.2020, për pasuritë në zotërim të shtetasit Suel Cela alias Marius Lulaj;
Çështjen penale në ngarkim të shtetases Xh. M., e akuzuar për veprën penale “Vjedhja” e mbetur në tentativë, të parashikuar nga nenet 134/1 dhe 22 të Kodit Penal, të gjykuar në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë;
Mosfillimin e procedimit penal për referimin penal nr.669, datë 26.03.2020, të dërguar nga Komisariati i Policisë Himarë, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë;
Çështjen penale në ngarkim të shtetasve Altin Veizaj etj, të akuzuar për veprën penale “Kultivimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 284/2 i Kodit Penal, të gjykuar në Gjykatën e Shkallës së Parë Vlorë.
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.28, datë 28.07.2024, ka vendosur:
Caktimin ndaj personit nën hetim R.Ç., (në cilësinë e avokatit), të masës së sigurimit “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprat penale: (i)“Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer dy herë, një herë e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319 dhe 25 të Kodit Penal; (ii)“Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer pesë herë, kryer në bashkëpunim katër herë, parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi (1) dhe 25 Kodit Penal (para ndryshime me ligjin nr.43/2021).
Caktimin ndaj personit nën hetim A.V. të masës së sigurimit “arrest në burg” e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprat penale: (i) “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, e kryer katër herë, të parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi (1) dhe 25 Kodit Penal (para ndryshime me ligjin nr.43/2021); (ii)“Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319 dhe 25 të Kodit Penal.
Caktimin ndaj personit nën hetim A.Z. (në cilësinë e prokurorit) të masës së sigurimit “arrest në burg” e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprat penale: (i)“Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer tre herë, e kryer në bashkëpunim dy herë, të parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi (2) dhe 25 të Kodit Penal (para ndryshime me ligjin nr.43/2021); (ii)“Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319 dhe 25 të Kodit Penal; (iii)“Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal.
Caktimin ndaj personave nën hetim E.D., (në cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore në kohën e kryerjes së veprave penale), të masës së sigurimit “arrest në burg” e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, e dyshuar për veprat penale: (i)“Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, e kryer dy herë, të parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal; (ii)“Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer katër herë, kryer në bashkëpunim dy herë, të parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi (2) dhe 25 të Kodit Penal (para ndryshime me ligjin nr.43/2021); (iii)“Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, të parashikuar nga neni 295/a paragrafi (3) i Kodit Penal.
Shërbimet e policisë gjyqësore në Drejtorinë e Policisë së Shtetit në datën 29.07.2024, kanë ekzekutuar masën e sigurimit “arrest në burg” për personin nën hetim A.Z. Vijojnë kërkimet për ekzekutimin e masave të sigurimit për personat e tjerë nën hetim.
Hetimet paraprake lidhur me këtë procedim penal ende nuk kanë përfunduar, vazhdojnë hetimet për fakte të tjera penale apo për persona të tjerë që mund të përfshihen në objektin e hetimeve të këtij procedimi penal.
Gjejmë rastin që të falenderojmë për ndihmën dhe bashkëpunimin e tyre me Prokurorinë e Posaçme gjatë hetimeve të këtij procedimi penal, Europol, Eurojust, autoritetet franceze të drejtësisë, autoritetet belge të drejtësisë, si dhe Drejtorinë e Policisë së Shtetit në fazën e ekzekutimit të masave të sigurimit.
Belgët hapën “Sky” për “Toyota Yaris”, Zarka ‘maja e ajsbergut’, dyshime se janë implikuar 14 persona

TIRANË- Një material i mbëritur në SPAK nga autoritetet Belge, duket se nuk do mbyllet vetëm me arrestimin e Drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka, pasi emra të tjerë dalin në skenë si të përfshirë në çështjen penale që njihet publikisht si dosja “Toyota Yaris”.
Por kjo është vetëm maja e ajsbergut, pasi personat e përfshirë në këtë dosje, dalin në “Sky” dhe si të implikuar në mbylljen e çështjeve penale të tjetërsimit të pronave në Himarë dhe Dhërmi.
Çështja e “Toyota Yaris”, nisi fillimisht në Durrës, pas kapjes brenda në makinë të 3.4 milion eurove dhe më pas u transferua për hetime të mëtejshme në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, duke u orientuar hetimi për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale” kryer në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”.
Paralelisht me Krimet e Rënda në Belgjikë, prokurori Julien Moinil nisi një hetim për të zbuluar fijet e personave Shqiptarë dhe Belgë që ishin përfshirë në transferimin me kamiona nga Belgjika në Shqipëri të 3.4 milion eurove.
Në Belgjikë janë vendosur disa persona nën hetim dhe mes të cilëve mësohet se është marë i pandehur dhe avokati Radovan Çela.
Madje në muajin Shkurt 2022, Moinil mbëriti në Shqipëri për të marë dëshminë e ish-kreut të PD, Lulzim Basha, si personi që foli i pari për këtë çështje, duke paralajmëruar në parlament se në Shqipëri po futeshin nga Krimi i Organizuar me mbështetjen e Taulant Ballës, plot 4 milion euro.
Por teksa në Shqipëri hetimet u zbehën, rasti në Belgjikë u konsiderua shumë serioz, duke bërë që për këtë çështje së fundmi të hapen dhe verifikohen kodet e aplikacionit “Sky” në Belgjikë.
Deri në këtë fazë të hetimit, Belgët mësohet se kanë zbuluar gati 14 persona si të përfshirë në zbutjen e akuzave për personat e arrestuar në Shqipëri, duke i kërkuar SPAK të veprojë në arrestimin e tyre.
Ditën e dielë, SPAK urdhëroi arrestimin e Aurel Zarkës drejtuesin e prokurorisë së Vlorës.
Ndërsa u shpallën në kërkim biznesmeni Astrit Vladi dhe ish-oficerja e Krimeve të Rënda, Eriona Daupaj.
Po ashtu me masë sigurimi “arrest në burg” u vendos dhe për avokatin Radovan Çela, i cili veç procesit që ka të hapur në Belgjikë tashmë duhet të përballet me një procedim penal edhe në prokurorinë e posaçme SPAK.
Por siç mësohet nga burime pranë SPAK, kjo dosje nuk ka përfunduar ende, pasi ka dhe persona të tjerë të përfshirë. Burimet thanë për gazetarin Elton Qyno, se bëhet fjalë për rreth 14 persona, që janë të përfshirë në këtë çështje.
Deri në këktë fazë SPAK nuk ka dhënë asnjë shpjegim dhe sqarim për sistuatën e arrestimit të prokurorit Zarka dhe shpalljes në kërkim të personave të tjerë, duke lënë të hapur mundësinë se operacioni është në vijim e sipër./ora news