Konsultimet me Begajn për datën e zgjedhjeve 2025, PD: Refuzojmë të bëhemi pjesë e farsës!

TIRANË- Partia Demokratike ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në procesit të caktimit të datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të vitit 2025. Në një shkresë zyrtare, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi pretendon se data tashmë është caktuar nga kryeministri Edi Rama. Ndaj, sipas tij, partia më e madhe opozitare në vend refuzon që të jetë pjesëë farsës.
"Tashmë Rama-Balla e kanë caktuar datën e zgjedhjeve dhe Presidenti pritet vetëm të nënshkruajë e të vulosë vullnetin e partisë në pushtet. Farsa e gjoja konsultimeve me parti politike dhe madje edhe me individë pa parti, është një akt i shëmtuar që meriton vetëm të përbuzet,"-tha Gazment Bardhi.
REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI
Të hënën, ora 10:30, Sekretari i Përgjithshëm i PD dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, janë ftuar zyrtarisht nga Institucioni i Presidentit të Republikës për t'u bërë pjesë e një procesi "konsultimesh" lidhur me datën e zgjedhjeve. Personalisht refuzoj të përfshihem në një proces farsë dhe që synon vetëm t'i jap legjitimitet një akti të diktuar në mënyrë antikushtetuese nga partia në pushtet. Caktimi i datës së zgjedhjeve është kompetencë kushtetuese e Presidentit të Republikës dhe kurrësesi një akt që diktohet nga Edi Rama dhe Taulant Balla. Tashmë dyshja Rama-Balla e kanë caktuar datën e zgjedhjeve dhe Presidenti pritet vetëm të nënshkruajë e të vulosë vullnetin e partisë në pushtet. Farsa e gjoja konsultimeve me parti politike dhe madje edhe me individë pa parti, është një akt i shëmtuar që meriton vetëm të përbuzet. Presidenti i Republikës ka patur të gjitha shanset që të vepronte si figurë unifikuese dhe të luante rolin kushtetues të Kreut të Shtetit. Ka qenë zgjedhja e Presidentit të Republikës që të bëhet palë politike dhe të mos mbajë asnjë qëndrim për gjendjen ku ndodhet sot Shqipëria. Madje me heshtjen e tij shurdhuese, Presidenti i Republikës po nxit Trupin Diplomatik të Republikës së Shqipërisë në mbarë botën që të përfshihen në organizimin dhe pjesëmarrjen në turin e takimeve politike/elektorale të Partisë Socialiste, ku Edi Rama kërkon votë për partinë në pushtet në zgjedhjet e ardhshme. Edhe pse është vënë zyrtarisht në dijeni, Presidenti i Republikës ende nuk ka marrë leje nga Edi Rama për të reaguar dhe për t'u distancuar publikisht nga ky veprim i paligjshëm i Trupit Diplomatik të dekretuar prej tij. Një President që sillet si palë politike meriton vetëm injorim dhe çdo takim me të është vetëm humbje kohe!
Dje, Begaj zhvilloi takim me krerët e partive të vogla të opozitës LZHK, PR, PBDNJ, PDIU dhe Agron Shehajn nga "Mundësia". Pas takimit të sotëm me zyrtarët e Partisë së Lirisë, më datë 25 nëntor Begaj do të presë në takim përfaqësuesit e PD dhe PS. Sot, në takim me kreun e shtetit ishin dy zyrtarët e PL-së, Tedi Blushi dhe Erisa Xhixho. Ata u shprehën se janë dakord për çdo datë, veç 11 majit.
Sipas Kodit Zgjedhor, dita e votimeve duhet të zhvillohet në një nga të dielat nga 15 prilli deri në 15 maj. Ndaj presidenti Bajram Begaj mund të dekretojë një prej këtyre datave; 20, 27, 4 dhe 11 maj. Për këto zgjedhje do të implementohet për herë të parë vota e diasporës. Ndërkohë palët nuk janë dakordësuar ende për votimin elektronik. KQZ propozon që votimi të bëhet me makineri në Elbasan dhe në Durrës, ndërsa maxhoranca kërkon që të shtohet edhe qarku i Tiranës. Në këtë pikë kundërshton opozita, e cila pretendon se votimi elektronik mund të manipulohet./ZËRI
Konsultimet për datën e zgjedhjeve parlamentare/ Meta në burg, Begaj takim me Blushin dhe Xhixhon

TIRANË- Sot është zhvilluar takimi mes presidentit të vendit, Bajram Begajt dhe dy zyrtarëve të Partisë së Lirisë. Me presidentin e PL-së, Ilir Metën në burg, tek kreu i shtetit kanë shkuar Tedi Blushi dhe Erisa Xhixho. Takimi i sotëm po zhvilluar në kuadër të diskutimeve që po zhvillon kreu i shtetit për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare që do të zhvillohen vitin që vjen. Pasi kanë dalë nga ambientet e Presidencës, Blushi tha për mediat se ishte dakord me çdo datë përveç asaj të kërkuar nga Taulant Balla. Pra, 11 majin.
"Ne do mirëpresim me shumë qetësi datën e caktuar nga Presidenti Begaj, por që sic e theksova nuk duhet të jetë për ne, një datë që caktohet apo që është paracaktuar nga Taulant Balla,"-tha Blushi.
Prononcim për mediat i Sekretarit të Përgjithshëm, Z. Tedi Blushi pas takimit me Presidentin e Republikës, Z. Bajram Begaj.
Pyetje: Cilën datë i propozuat Presidentit për zgjedhje?
Përgjigje: së pari, ju përgjigjëm pozitivisht ftesës së Presidentit të Republikës, në respeKt të këtij Institucioni. Më lejoni së pari të ndaj qëndrimin që shpreha në emër të Partisë së Lirisë, më saktë shqetësimin për mungesën e një reagimi Institucional nga ana e Presidentit të Republikës, sa i përket rrëmbimit kriminal dhe banditesk të ish-Presidentit të Republikës, Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta. Ky reagim duhet të kishte ndodhur në respekt të këtij Institucioni, në respekt të Statusit të vecantë që ka Presidenti Meta, si ish- President I Republikës, jeta e të cilit mbrohet edhe nga Garda e Republikës. E shpreha me forcë këtë shqetësim në mungesë të një reagimi. Së dyti, sa i përket ditës së Zgjedhjeve, qëndrimi i Partisë së lirisë, i shprehur qartësisht në këtë takim, ishte që për ne është e pranueshme çdo datë, përvec datës së caktuar nga Taulant Balla.
Pyetje: Pra përvec datës 11 Maj?
Përgjigje: Përvec datës së caktuar nga Taulant Balla, cdo datë do të jetë e pranueshme për Partinë e Lirisë, sepse kjo është një mundësi edhe për Institucionin e Presidentit të Republikës për të treguar qartësisht një pavarësi nga pretendimi se ky Institucion mund të jetë kthyer në një “Noter” të dytë pas Kuvendit, të Mazhorancës. Ndaj ne do mirëpresim me shumë qetësi datën e caktuar nga Presidenti Begaj, por që sic e theksova nuk duhet të jetë për ne, një datë që caktohet apo që është paracaktuar nga Taulant Balla.
Pyetje: Cili ishte qëndrimi I Presidentit Begaj për shqetësimin e ngritur nga ju për mosreagimin e tij për arrestimin e Z. Meta.
Përgjigje: Besoj kjo është një pyetje të cilën duhet tja drejtoni këtij Institucioni, ku qartësisht, së bashku me Deputeten Erisa Xhixho, shprehëm shqetësimin e thellë për një mungesë reagimi të këtij Institucioni në mbrojtje të ish- Presidentit të Republikës, I cili gëzon, sic e theksova një Status të vecantë mbrojtjeje nga Shteti. E dënova me forcë këtë mungesë reagimi, për vet faktin se ky Institucion duhet të ishte I pari që duhet të dënonte më forcë atë rrëmbim kriminal, atë rrëmbim banditesk nga banditë me maska, të armatosur rëndë dhe që ushtruan dhunë ndaj ish- Presidentit të Republikës.
Pyetje: Por në pamundësi për të pyetur Z. Begaj, cili ishte reagimi, a mund të na thoni dicka më shumë?
Përgjigje: Unë këtu jam si përfaqësues I Partisë së Lirisë dhe jo si Zëdhënës I Presidentit aktual të Republikës.
Ky ishte qëndrimi që unë shpreha dhe sa I përket arsyes apo arsyeve se përse Presidenti I Republikës ende nuk ka një reagim, për këtë ju kërkoj me shumë mirësjellje ti drejtoheni këtij Institucioni.
Pyetje: Z. Blushi, ju dje lexuat një letër të hapur të Presidentit të Partisë së Lirisë, Z Meta, ku ju bënte thirrje Strukturave për protest përpara SPAK. E morrët vendimin ditën e djeshme në mbledhjen e ditës së djeshme për një datë? A ka një datë Partia e Lirisë kur do ta zhvillojë këtë protestë?
Përgjigje: Kjo protestë do të zhvillohet . Ne sot do të mbledhim një tjetër Forum të rëndësishëm për të caktuar datën, por të jeni të bindur që protestat periodike para kësaj Strukture, që për fat të keq është shndërruar në një strukturë kriminale, e cila shërben vetëm si hanxhar në duart e Edi Ramës, për të asgjesuar Pluralizmin Politik, për të asgjesuar Opozitën e vërtetë. Një strukturë e cila në funksion të zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, ka izoluar me masë ekstreme, Presidentin Meta, ka izoluar me “Arrest Shtëpie” Liderin historik të PD- së Prof. Dr. Sali Berishën dhe po bën cdo përpjekje për të minuar një proces të rregullt, të ndershëm zgjedhor vetëm në funksion të vijimit edhe për katër vite të tjera të sundimit të këtij Narkoregjimi për katër vjet në kurriz të shqiptarëve. Është një strukturë, e cila thellësisht dhe qartësisht po vepron në mënyrë kriminale, në mënyrë banditeske, në mënyrë terroriste kundër Opozitës, në funksion të axhendave personale dhe politike të Edi Ramës, cka na detyron ne dhe të gjithë shqiptarët e ndershëm dhe patriot për të filluar “Stinën” e protestave para një Institucioni që e theksoj, sot shërben jo për të dhënë drejtësi, por shërben për të thelluar padrejtësinë, për të thelluar shkeljen e Ligjit, për të thelluar krimet dhe mos ndëshkimin e korrupsionit skizofrenik të kësaj Qeverie, sepse ju e keni parë që tanimë SPAK- u, përvecse një strukturë e cila shërben për të goditur Opozitën, për të izoluar në funksion të axhendave personale, politike dhe elektorale të Edi Ramës, Liderat kryesorë të Opozitës, Deputetët e Opozitës, duke e shndërruar këtë vend ndër të paktat vende në botë me të burgosur politikë, sic e theksoi qartësisht edhe Rezoluta e Partive Popullore. Ndaj është e pashmangshme, që ndaj një strukture, e cila sot po shërben vetëm për ti garantuar mbrojtje dhe imunitet politik krimeve të tmerrshme dhe korrupsionit të përbindshëm të Edi Ramës, të mos protestohet. Minimalisht ky është një detyrim qytetar në rradhë të parë dhe padiskutim do të krijojë edhe një reagim shumë të fortë politik. Besoj që shumë shpejt ne do të caktojmë datën e nisjes së “Stinëve” të protestave periodike para këtij Institucioni qartësisht të shndërruar në një Organizatë Kriminale, në një Organizatë Terroriste, që ka vetëm një qëllim, garantimin e imunitetit politik ndaj krimeve dhe korrupsionit dhe zgjatjen e sundimit të këtij Narkoregjimi në kurriz të shqiptarëve edhe për katër vite të tjera, cka ne do të bëjmë cdo përpjekje për të mos e lejuar.
Dje, Begaj zhvilloi takim me krerët e partive të vogla të opozitës LZHK, PR, PBDNJ, PDIU dhe Agron Shehajn nga "Mundësia". Pas takimit të sotëm me zyrtarët e Partisë së Lirisë, më datë 25 nëntor Begaj do të presë në takim përfaqësuesit e PD dhe PS.
Sipas Kodit Zgjedhor, dita e votimeve duhet të zhvillohet në një nga të dielat nga 15 prilli deri në 15 maj. Ndaj presidenti Bajram Begaj mund të dekretojë një prej këtyre datave; 20, 27, 4 dhe 11 maj. Për këto zgjedhje do të implementohet për herë të parë vota e diasporës. Ndërkohë palët nuk janë dakordësuar ende për votimin elektronik. KQZ propozon që votimi të bëhet me makineri në Elbasan dhe në Durrës, ndërsa maxhoranca kërkon që të shtohet edhe qarku i Tiranës. Në këtë pikë kundërshton opozita, e cila pretendon se votimi elektronik mund të manipulohet./ZËRI
Data e zgjedhjeve 2025/ Begaj nis konsultimet, partitë e vogla bëjnë propozimin: Duam votime më 4 maj!

TIRANË- Presidenti i Republikes Bajram Begaj ka nisur konsultimet me partitë politike për të caktuar më pas datën e zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen vitin që vjen. Mëngjesin e sotëm janë parë që të futen në Presidencë, përfaqësues të partive të vogla opozitare. Krah për krah, për të takuar Begajn, të parët që kanë shkuar janë: Fatmir Mediu, Agron Duka, Dashamir Shehi, Shpëtim Idrizi dhe Vangjel Dule. Pas thuajse një ore diskutimet, është zbuluar se krerët e partive të vogla kanë kërkuar datën 4 maj.
"Mendojmë se data 11 maj është e papërshtatshme,"-tha në fjalën e tij Agron Duka.
Ndërsa kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi foli për gazetarët pas takimit me presidentin Bajram Begaj, tha se duhet marrë në konsideratë data 9 maj dhe dy të dielat pasuese për të lënë më shumë kohë për votën e emigrantëve.
“Patëm një diskutim formal, konstruktiv me presidentin Begaj. Datat janë të njohura. Ka nevojë për më shumë kohë për votën e diasporës. Duhet të ketë një kohë të arsyetuar. Atë ditë zgjedhin shqiptarët. Asnjë parti politike nuk duhet të ketë avantazh. Besoj Presidenti do ketë konsulta me partitë e tjera. Ne lëvizim mes datës 9 dhe dy datave të tjera. Unë kërkova, dhashë si kërkesë, opinionin është fakti që për sa kohë nuk ka një dakordësi nga partitë e mëdha për modalitetin e votës, duhet marrë parasysh që ende nuk jemi gati, nuk ka dakordësi. Jemi këtu për të thënë çfarë mendojmë. Do doja një datë sa më të arsyeshme, që ne të kemi mundësi tu japim atyre që kemi hallin e votës së diasporës,”- u shpreh Idrizi.
Tek Presidenti sot ishte edhe kryetari i Partisë "Mundësia", Agron Shehaj tha se ende nuk ka një datë zgjedhjesh.
Pyetje: Jeni kundër datës 11 maj për zgjedhjet pavarësisht se në datën 9 maj mund të mbahet takimi i Komitetit Politik Europian?
Shehaj: Këtu jemi në nivel thashethemesh, nuk ka asnjë datë zyrtare. Unë nuk e di informacionin nga e keni marrë ju, mund ta keni marrë në mënyrë jozyrtare, por unë mendoj që është absolutisht e papranueshme dhe e padobishme dhe me një ndikim shumë të madh në procesin zgjedhor të ardhshëm nëse një event kaq i rëndësishëm, siç është ai i Komunitetit Politik Europian (ECP) jo vetëm të mbahet dy ditë para por edhe sikur të mbahej një javë para apo një muaj para, kjo do ishte absolutisht e panevojshme. Kështu që unë nuk e di nëse është vendosur për datën 9 për takimin e ECP-së, por pikërisht këtë i thashë edhe Presidentit, që ai nuk mund të vendosi datën e zgjedhjeve të ardhshme duke u bazuar në informacione të paverifikuara. Presidenti i Republikës duhet të komunikoj zyrtarisht me organizatorët e takimit të Komunitetit Politik Europian (ECP) dhe ti thotë, pasi të ketë marrë informacion në radhë të parë nëse kanë vendosur kur do ta mbajnë, por sidomos nëse nuk është vendosur, tu kërkojë atyre që mos ta mbajnë këtë takim në Shqipëri para zgjedhjeve. Le ta bëjnë pas zgjedhjeve, nuk besoj se kjo do ishte problem i madh për ata, kurse për ne absolutisht që është një problem shumë i madh sepse partia në pushtet sigurisht që do ta përdorte këtë eveniment si një vlerësim për qeverinë shqiptare dhe jo për kombin.
Pas reagimeve të krerëve të partive, një reagim ka ardhur edhe nga presidenti Begaj, i cili shkruan në Facebook se po i afrohet koha që pushteti të kthehet tek zgjedhësit.
"Legjislaturës X të Kuvendit po i afrohet fundit dhe koha që pushteti të kthehet te zgjedhësit po afron. Ky pushtet i zgjedhësve nuk duhet të reduktohet vetëm në një datë kalendarike që Presidenti i Republikës e cakton për shqiptarët me qëllimin që ata të shprehin vullnetin e tyre. Dekretimi i datës së zgjedhjeve duhet të shënojë fillimin e një procesi intensiv konsultash dhe llogaridhënie për të gjithë aktorët politikë, qeveritarë e opozitarë. Ky proces thelbësor për demokracinë duhet të shndërrohet në shfaqje të mirëfilltë pjesëmarrjeje dhe angazhimi qytetar. Diskutimi i çiltër, i përgjegjshëm, serioz dhe vizionar, duhet të shoqërojë çdo hap të komunikimit të politikanëve me zgjedhësit. Vullneti politik i zgjedhësve duhet të ngjizet bazuar në debatin e hapur, transparent e konstruktiv, në ballafaqimin civil të alternativave, dhe jo në keqpërdorim të pushtetit administrativ dhe atij zgjedhor, apo në oferta elektorale të paligjshme. Një proces i drejtë elektoral ka hap të parë caktimin e datës së zgjedhjeve, duke u nisur nga interesi më i mirë i zgjedhësve, duke peshuar me paanësi argumentet pro dhe kundër secilës alternativë dhe duke tërhequr në vendimmarrje zërin e një spektri të gjerë aktorësh politikë e institucionalë. Këtij qëllimi i shërben më së miri konsulta e nisur sot, me shpresën dhe urimin që palët e thirrura në konsultë do ta mirëpresin atë me të njëjtin seriozitet, respekt dhe përgjegjshmëri, me të cilën janë ftuar të bëhen pjesë me opinionet dhe sugjerimet e tyre,"-shkruan Begaj.
Të enjten, kreu i shtetit do të presë përfaqësues nga Partia e Lirisë që në mungesë të Ilir Metës, i cili ndodhet në "arrest me burg", pritet që të shkojë Tedi Blushi. Ndërsa takimet mes zyrtarë të Partisë Socialiste dhe Demokratike, presidenti Begaj do t’i zhvillojë më 25 Nëntor.
Sipas Kodit Zgjedhor, dita e votimeve duhet të zhvillohet në një nga të dielat nga 15 prilli deri në 15 maj. Ndaj presidenti Bajram Begaj mund të dekretojë një prej këtyre datave; 20, 27, 4 dhe 11 maj. Për këto zgjedhje do të implementohet për herë të parë vota e diasporës. Ndërkohë palët nuk janë dakordësuar ende për votimin elektronik. KQZ propozon që votimi të bëhet me makineri në Elbasan dhe në Durrës, ndërsa maxhoranca kërkon që të shtohet edhe qarku i Tiranës. Në këtë pikë kundërshton opozita, e cila pretendon se votimi elektronik mund të manipulohet./ZËRI