24 orë luftë me zjarret! Ministria e Mbrojtes publikon bilancin: 8 vatra aktive, mbi 500 forca të angazhuara në terren
TIRANË- Ministria e Mbrojtjes ka publikuar bilanicin lidhur me zjarret në vend. Në njoftim, ministria informon se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 35 vatra zjarri, nga të cilat 8 mbeten aktive.
Aktualisht vartat e zjarrit në Dajt, Krujë, Gurë-Lurë të Dibrës, Bulqizë, Lezhë, Elbasan dhe Shkodër janë izoluar dhe nuk ka rrezik që flakët të përhapen drejt zonave të banuara. Ndërsa vatrat e regjistruara në Përmet, Trojë, Qukës dhe Paulesh, janë shuar plotësisht.
Në terren gjatë 24 orëve të fundit janë angazhuar 533 forca operacionale, 39 automjete zjarrfikëse, 186 efektivë të Forcave të Armatosura, 4 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor. Ministria informon aktualisht në terren mbeten të angazhuara 120 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
NJOFTIMI I MINISTRISË SË MBORJTJES:
Ministria e Mbrojtjes informon se, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 35 vatra zjarri, nga të cilat 8 mbeten aktive.
Në operacionet për menaxhimin e situatës janë angazhuar 533 forca operacionale dhe 39 automjete zjarrfikëse, ndërsa në mbështetje janë angazhuar 186 efektivë të Forcave të Armatosura, 4 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor. Aktualisht në terren vijojnë të operojnë 120 efektivë të FA-së, 2 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Në Dajt, Tiranë, vijon operacioni për shuarjen e zjarrit në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës. Forcat operacionale mbështeten nga 50 efektivë të FA-së dhe 2 helikopterë, ndërsa nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Në Priskë, Farkë dhe zonat përreth, ndërhyrja e 30 forcave të MZSH-së me 6 mjete ka bërë të mundur vendosjen e zjarrit nën kontroll.
Në Krujë, vijon puna në vatrat e Abazes dhe Zidollit. Ndërhyrjet e forcave nga toka, të mbështetura gjatë ditës së djeshme edhe nga ajri, kanë ndihmuar në normalizimin e situatës. Në Zidoll po punohet për izolimin dhe fikjen e plotë të zjarrit, ndërsa nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Gurë-Lurë, Dibër, vijon një nga operacionet kryesore. Hapja e korridoreve me mjete dhe forca ka penguar përparimin e zjarrit drejt banesave. Sot operacioni vijon me forcat në terren, të mbështetura nga 50 efektivë të FA-së, 2 avionë Air Tractor dhe 1 autobot uji.
Në Qafë Helmes, Bulqizë-Selishtë, operacioni vijon me mbështetjen e 20 efektivëve të FA-së. Në të dyja zonat nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Lezhë, Elbasan dhe Shkodër vijon puna për izolimin dhe shuarjen e vatrave të mbetura në Lufaj, Dardhë dhe pyjet e Tërbunit. Ndërkohë, një zhvillim pozitiv është regjistruar në Përmet, Trojë, Qukës dhe Paulesh, ku vatrat janë shuar plotësisht, si rezultat i punës së forcave operacionale.
AKMC vijon monitorimin e pandërprerë të situatës dhe koordinimin e strukturave të sistemit të Mbrojtjes Civile, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe vënien sa më shpejt nën kontroll të vatrave aktive./ZËRI
Situatë kritike në Lurë! Flakët dalin jashtë kontrollit, rrezikojnë shtëpitë, nis aksioni nga ajri
DIBËR- Situata me zjarret në Lurë vijon të mbetet kritike. Mbrëmjen e djeshme flakët kanë dalë jashtë kontrollit duke rrezikuar dhe banesat.
Që prej orëve të para të mëngjesit në terren janë angazhuar mbi 170 forca përshirë punonjës të Bashkisë Dibër, punonjës të zonave të mbrojtura, forcat e ushtrisë, forcat zjarrfikëse dhe uniformat blu.
Për shkak të situatës së rënduar, është kërkuar edhe ndërhyrja e dy avionëve zjarrfikës, të cilët po veprojnë nga ajri për të shuar vatrën. Dyshohet se zjarret janë të qëllimshme në këtë zonë, pasi janë evidentuar disa vatra në pjesë të ndryshme të malit./ZËRI
FOTOLAJM/ Mali i Qukësit në Prrenjas në flakë, izolohen katër vatra pas 12 orësh ndërhyrje
PRRENJAS- Katër vatra zjarri kanë përfshirë mbrëmje e djeshme një sipërfaqe pyjore në Lugun e Lakrës, në malin e Qukësit, në Njësinë Administrative Qukës, të Prrenjasit. Mësohet se rreth 4000 mijë metra katrorë janë djegur nga zjarri, ndërsa rreth 30 për qind e masës pyjore në këtë zonë është djegur.
Për 12 orë, forcat zjarrëfikëse luftuan me 4 vatrat e zjarrit. Në operacion u angazhuan 6 zjarrfikës dhe një inspektor pyjor. Autoritetet dyshojnë se zjarri ka qenë i qëllimshëm, pasi vatrat e zjarrit ishin në pjesë të ndryshme të malit.



Pas orëve të gjata, vatrat u izoluan, ndërsa sot vijon monitorimi për shkak se zjarri mund të riaktivizohet sërish. Reshjet e shiut të rëna mbrëmjen e djeshme në zonë, ndihmuan në shurajen e plotë të vatrave./ZËRI