Zjarret në vend/ 18 vijojnë të jenë ende aktive, më problematike situata paraqitet në Gurë-Lurë të Dibrës
TIRANË- Ministria e Mbrojtjes njofton se gjatë ditës së sotme janë raportuar 38 vatra zjarri në të gjithë vendin. Deri në orën 20:00, 14 vatra vijojnë të jenë aktive, 2 janë në monitorim dhe 2 nën kontroll.
Situata më problematike paraqitet në Gurë-Lurë të Dibrës, ndërsa ndërhyrjet vijojnë edhe në zona të Tiranës, Përmetit, Shkodrës, Elbasanit dhe Mirditës. Në operacione janë angazhuar qindra efektivë, mjete zjarrfikëse dhe kapacitete ajrore të Forcave të Armatosura.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara, ndërsa strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë të monitorojnë situatën dhe të ndërhyjnë në vatrat aktive.
Njoftim:
Ministria e Mbrojtjes - përditësim rreth situatës së zjarreve (ora 20:00)
Ministria e Mbrojtjes informon se, deri në orën 20:00 të datës 13 gusht 2026, gjatë ditës janë raportuar gjithsej 38 vatra zjarri.
Aktualisht janë në ndjekje 18 vatra, nga të cilat 14 aktive, 2 në monitorim dhe 2 nën kontroll.
Për përballimin e situatës vijon një angazhim i gjerë dhe i koordinuar i strukturave të Mbrojtjes Civile në nivel vendor dhe qendror. Vetëm nga Forcat e Armatosura janë angazhuar 309 efektivë, 22 mjete, 1 autobot, 3 ambulanca, 9 mjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Në Tiranë, puna vijon në Dajt dhe në zonën Priskë e Madhe–Gurrë–Farkë–Lundër, me angazhimin e MZSH, ADZM, vullnetarëve dhe mbështetje ajrore nga FA. Pavarësisht terrenit dhe përhapjes së mëparshme, nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Krujë, ndërhyrja e forcave operacionale dhe e FA-së, e mbështetur nga 1 helikopter, ka bërë të mundur vendosjen e zjarrit në lagjen Abaze nën kontroll, ndërsa në Bojë, Krastë dhe Halil nuk raportohen më vatra aktive.
Angazhimi më i madh vijon në Gurë-Lurë, Dibër, ku janë përqendruar 120 forca bashkiake, 57 efektivë të FA-së, 15 forca policore, 15 vullnetarë dhe 9 punonjës të ADZM-së, të mbështetur nga 2 avionë Air Tractor. Falë ndërhyrjes së koordinuar është vendosur nën kontroll perimetri pranë banesave dhe është evituar rreziku për djegien e tyre, ndërsa puna vijon në dy drejtimet e tjera. Në Qafën e Helmes operojnë gjithashtu MZSH, forca bashkiake dhe të njësisë administrative Selishtë.
Në Përmet, vijon puna në Nëmerçkë dhe Dhëmbel, në terren të vështirë, por pa rrezik për zonat e banuara.
Në Moravë, Devoll, ndërhyrja e MZSH ka bërë të mundur vendosjen e situatës nën kontroll.
Në Trojë, Mirditë, operacionit i janë bashkuar edhe 30 efektivë të FA-së, krahas MZSH, forcave bashkiake, policisë dhe vullnetarëve.
Në Shkodër vijon puna në Rrencë dhe Goraj-Budishtë, ku kjo e fundit po shkon drejt izolimit dhe nuk paraqet rrezik për banesat, ndërsa vatra në Kryezi është nën kontroll.
Në Elbasan vijojnë operacionet në Dardhë, Lugaxhi dhe Shalës; në Lugaxhi janë angazhuar MZSH, pyjorja, ASHP, forca bashkiake dhe 30 vullnetarë, pa rrezik për zonat e banuara të mbështetur nga Forcat e Armatosura.
Ndërkohë, në Finiq, vatrat në Dhivër dhe Rumanxë janë shuar plotësisht, ndërsa ajo në Dhrovjan është nën kontroll, duke reflektuar efektivitetin e ndërhyrjes së kombinuar nga toka dhe ajri.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve./ZËRI
Fier/Flakët përfshijnë masivin me pisha, zjarrfikëset nisen drejt vendngjarjes
FIER- Një tjetër vatër zjarri është regjistruar pastiten e sotme në fshatin Peshtan të Fierit, ku flakë e zjarrit përfshijnë masivin pyjor me pisha.
Zjarri është aktivizuar në zonën e pyllëzuar, ndërsa shërbimet zjarrfikëse janë nisur në vendin e ngjarjes për të bërë të mundur izolimin e flakëve.
Ende nuk raportohet sipërfaqja e përfshirë nga flakët apo shkaku i rënies së zjarrit. Aktualisht shërbimet zjarrfikëse ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për neutralizimin e flakëve, të ndihmuar edhe nga banorët e zonës./ZËRI
Përmirësohet situata e zjarreve në vend/ Ministria e Mbrojtjes: 14 vatra aktive, nuk ka rrezik për zonat e banuara
TIRANË- Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar përditësimin e ri lidhur me situatën e zjarreve në vend. Në njoftim thuhet se deri në orën 18:00, janë evidentuar 18 vatra, nga të cilat 14 prej tyre mbeten aktive.
Situata më e rënduar mbetet në Lugaxhi të Elbasanit, pasi zjarri është përhapur në kurorat e pishave, ndërsa nuk ka rrezik që flakët të afrohen drejt zonave të banuara. Në këtë zonë janë angazhuar 6 efektivë MZSH, 6 forca të pyjores, 5 punonjës ASHP, 5 forca bashkiake dhe 30 vullnetarë, të mbështetur edhe nga MZSH Cërrik.
Ndërsa vatrat në zonën Priskë e Madhe-Gurrë-Farkë-Lundër në Dajt, në Abaze të Krujës, në Gurë-Lurë të Dibërs, Përmet, Mirditë, Fushë-Arrëz, Vlorë dhe Mallakastër janë nën kontroll dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Ministria njofton se në terren sot janë angazhuar 309 efektivë të Forcave të Armatosura, 22 mjete, 1 autobot, 3 ambulanca, 9 mjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
NJOFTIMI:
Ministria e Mbrojtjes informon se, deri në orën 18:00 të datës 13 gusht 2026, gjatë ditës janë raportuar gjithsej 31 vatra zjarri. Aktualisht evidentohen 18 vatra, nga të cilat 14 aktive, 2 në monitorim dhe 2 nën kontroll.
Në operacionet për menaxhimin e situatës vijon angazhimi i koordinuar i strukturave vendore dhe qendrore. Vetëm nga Forcat e Armatosura janë angazhuar 309 efektivë, 22 mjete, 1 autobot, 3 ambulanca, 9 mjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Vatrat kryesore aktive dhe angazhimi:
Dajt, Tiranë – Në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës vijon puna me 20 forca MZSH dhe 10 ADZM, ndërsa për mbështetje janë angazhuar 2 helikopterë të FA-së. Në zonën Priskë e Madhe–Gurrë–Farkë–Lundër operojnë 40 efektivë MZSH me 8 automjete zjarrfikëse, 25 vullnetarë dhe 2 helikopterë të FA-së. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Abaze, Krujë – Zjarri vijon aktiv dhe është favorizuar nga era. Forcat operacionale po punojnë për shuarjen e tij, të mbështetura edhe nga 1 helikopter i FA-së. Nuk paraqitet rrezik per banesat.
Gurë-Lurë, Dibër – Situata vijon me intensitet të lartë në dy drejtime, ndërsa perimetri pranë banesave është vendosur nën kontroll dhe është shmangur rreziku për djegien e tyre. Janë angazhuar 120 forca bashkiake, 57 efektivë të FA-së, 15 policë, 15 vullnetarë dhe 9 punonjës të ADZM-së, të mbështetur nga 2 avionë Air Tractor.
Nëmerçkë dhe Dhëmbel, Përmet – Vijojnë aktive disa vatra në zona pyjore dhe kullota, në terren të vështirë. Në operacion janë angazhuar zjarrfikës, punonjës të sektorit pyjor dhe vullnetarë. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Trojë, Mirditë – Vijon puna për izolimin e vatrës me MZSH, 36 forca bashkiake, 3 policë, 20 vullnetarë dhe 30 efektivë të FA-së.
Lugaxhi, Elbasan – Situata paraqitet e rënduar pasi zjarri është përhapur në kurorat e pishave. Janë angazhuar 6 efektivë MZSH, 6 forca të pyjores, 5 punonjës ASHP, 5 forca bashkiake dhe 30 vullnetarë, të mbështetur edhe nga MZSH Cërrik. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në Shalës, Cërrik, është evidentuar gjithashtu një vatër e re ku operojnë MZSH me 1 automjet dhe 3 efektivë.
Finiq, Vlorë – Në Dhivër operojnë MZSH Finiq, Delvinë, Konispol dhe Dropull me 5 automjete zjarrfikëse dhe 10 efektivë, forca bashkiake dhe 1 helikopter të FA-së. Vatra në Rumanxë është shuar plotësisht, ndërsa ajo në Dhrovjan është nën kontroll.
Në Mallakastër–Patos, vatrat në Drenie, Lofkënd dhe Ngraçije janë izoluar dhe situata mbahet në monitorim, ndërsa puna vijon në ekonominë pyjore të Gjinoqarës. Në Kryezi, Fushë-Arrëz, vatra është nën kontroll, ndërsa në Rrencë dhe Goraj-Budishtë vijon puna për izolimin e plotë./ZËRI
Ende aktive dy varta në Dibër e Bulqizë, përhapja e flakëve favorizohet nga era
DIBËR- Në orët e para të mëngjesit së ditës së sotme është rregjistruar një vatër zjarri në zonën e Selishtës të Bashkisë Dibër ku ende flakët e përhapura nuk janë vënë në kontroll. Për shuarjen e flakëvë janë angazhur punonjës të bashkisë Dibër dhe Bulqizë, Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit, strukturat e Emergjencave Civile dhe banorë të zonës.
Gjithashtu një vatër tjetër zjarri është raportuar në Njësinë Administrative Fushë-Bulqizë në Qafën e Helmes pranë kufirit me Selishtën. Në zonë po ndërhyjnë forcat zjarrfikëse të Bashkisë Bulqizë, por terieni i vështirë kufizon lëvizjen e tyre. Ndërsa era e fortë favorizon përhapjen e flakëve./ZËRI
Lufta me flakët në Mallakastër, forcat në terren me lopata e kazma
MALLAKASTËR- Zjarri në disa zona të Mallakastrës vijon të jetë aktiv. Që prej mëngjesit të sotëm, ka nisur operacioni për izolimin e zjarrit në masin pyjor Lofkënd-Ngraçije.
Vatra e zjarrit vazhdon që të zgjerojë perimetrin, ndërsa në terren ndodhen forca zjarrfikëse, efektivë të Policisë Bashkiake dhe punonjës të Emergjencave Civile.
Prej orësh, ata po punojnë me lopata dhe kazma në duar, në terrenin e vështirë, me qëllim parandalimin e flakëve.
Situatë alarmante nga zjarri në Priskë: ndërpritet energjia elektrike dhe furnizimi me ujë!

TIRANË- Zjarri në Priskë të Madhe ka shkaktuar një situatë alarmante në zonë. Flakët e përhapura në drejtim të Lundrës, Farkës së Madhe dhe Gurrës rrezikojnë banorët dhe pronat e tyre.
Situata është përkeqësuar edhe me ndërprerjen e energjisë elektrike, duke detyruar fikjen e stacionit të pompimit të ujit në Priskë. Për pasojë, banorët e zonës së Lundrës do të përballen me ndërprerje të furnizimit me ujë.
Ujësjellës Kanalizime Tiranë ka njoftuar se ndërprerja e ujit vjen si pasojë e situatës së krijuar nga zjarret dhe ndërprerjes së energjisë elektrike. Po ashtu, UKT bën me dije se do të njoftojë sërish qytetarët pas rikthimit të situatës në normalitet dhe të furnizimit me ujë.
“Për shkak të situatës së zjarreve në zonën e Priskës dhe Farkës, stacioni i pompimit në Priskë është fikur pasi ka ndërprerje të energjisë elektrike.
Si rrjedhojë, në zonën e Lundrës do të ketë ndërprerje të furnizimit me ujë.
UKT njofton se do të dalë me një njoftim të dytë sapo situata të rikthehet në normalitet“, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, raportohet se zjarri vijon të jetë aktiv në zonë dhe ka marrë përmasa të mëdha duke djegur bimësi, ullishte dhe një banesë ndërsa 3 familja janë evakuuar për arsye sigurie. Gjithashtu, sipas banorëve, dhjetëra bagëti kanë mbetur të bllokuara në zonat e përfshira nga flakët, ndërsa në terren është konstatuar edhe një automjet i djegur plotësisht.
"Flakët" djegin vendin, Ministria e Mbrojtjes: 45 vatra zjarri në 24 orë, 12 mbeten ende aktive
TIRANË- Në bilancin e publikuar nga Ministria e Mbrojtjes bëhet me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 45 vatra zjarri, nga të cilat 12 vijojnë të jenë aktive.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, 72 automjete, 1100 forca në terren, 5 helikopterë e 2 avionë janë angazhuar për shuarjen e zjarreve. Ndërsa operacionet për shuarjen e flakëve vijojnë në Dajt, Priskë të Madhe, Patos–Mallakastër, Krujë, Përmet, Gurë-Lurë, Devoll, Mirditë dhe Vau i Dejë.
Njoftimi:
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 45 vatra zjarri, nga të cilat 12 vijojnë aktive dhe 1 është në monitorim.
Në operacione janë angazhuar 72 automjete zjarrfikëse dhe 839 forca operacionale, ndërsa në mbështetje janë përfshirë 250 efektivë të Forcave të Armatosura, 5 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”. Aktualisht në terren vijojnë operimet 167 efektivë të FA-së, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Operacionet vijojnë në Dajt, Priskë të Madhe, Patos–Mallakastër, Krujë, Përmet, Gurë-Lurë, Devoll, Mirditë dhe Vau të Dejës, me ndërhyrje të koordinuara nga toka dhe ajri.
Në të gjitha zonat, prioritet mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, banesave dhe zonave të banuara, si dhe izolimi e shuarja sa më e shpejtë e vatrave aktive.
Nga raportimet e deritanishme rezultojnë rreth 418 hektarë sipërfaqe të djegur dhe 250 rrënjë ullinj të dëmtuara.
AKMC dhe të gjitha strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë monitorimin dhe koordinimin e operacioneve në terren.
Vijon lufta me flakët në Lurë, "Air Tractor" ndërhyn nga ajri
LURË- Zjarri në Parkun Kombëtar të Lurës vijon të jetë aktiv, ndërsa operacioni për shuarjen e flakëve ka vijuar pa ndërprerje. Një avion ‘Air Tractor’ ka nisur ndërhyrjen nga ajri, duke hedhur ujë mbi zonat e prekura në masivin me pishë të zezë dhe bredh.
View this post on Instagram
Ndërkohë, forcat nga terreni po ashtu vijojnë punën për neutralizimin e flakëve dhe shmangien e përhapjes në zonën pyjore./ZËRI
Evakuohen banorët në lagjen "Abaze", helikopteri po operon nga ajri për izolimin e vatrave
KRUJË- Lagjia "Abaze" e Krujës vijon të jetë nën rrezikun e vatrave të zjarrit prej disa ditësh. Mbrëmjen e djeshme, flakët janë përhapur me shpejtësi drejt banesa, duke bërë që shumë banorë të evakuohen.
View this post on Instagram
Forcat zjarrfikëse dhe të ushtrisë kanë operuar edhe gjatë natës, duke mbajtur nën kontroll vatra e zjarrit në zonë. Ndërkohë që mëngjesin e sotëm, ka rinisur edhe operacioni nga ajri me helikopter.
Në lagjen “Abaze” janë të përqendruara të gjitha forcat për neutralizimin e zjarreve. Ndërsa në zonat e tjera, si në “Bojë” dhe “Halilaj”, situata është nën kontroll./ZËRI
Përmirësohet situata në fshatin Daias, zjarrëfikësit dhe helikopteri sërish në aksion (VIDEO)
TIRANË- Pas shfaqjes së 3 vatrave mbrëmjen e së mërkurës, duket se situata në fshatin Daias mes Lundrës dhe Priskës, është përmirësuar mëngjesin e sotëm.
View this post on Instagram
Mësohet se ndërhyrja për shuarjen e flakëve ka vijuar pa ndërpreje, me forcat zjarrfikëse që punojnë nga terreni, ndërsa nga ajri janë mbështetur nga helikopteri.
Zjarrfikësit janë janë përqendruar më shumë pranë zonave të banuara, me qëllim parandalimin e parhapjes së flakëve drejt banesave. Ndërkohë, helikopteri po ndërhyn në terrene më të vështira për t'u depërtuar./ZËRI