VIDEO/ Pamje nga zjarret në Mirditë! Flakët aktive që prej mbrëmjes së djeshme
MIRDITË- Pamjet e mbërrita në redaksinë e ZËRI-t tregojnë se vatrat e zjarrit në kurorën pyjore në Perlat të Epër dhe Lufaj të Mirditës vijojnë të jenë aktive që prej mbrëmjes së shkuar.
Në video duket se gjatë mbrëmjes që lamë pas flakët ishin masive. Po ashtu, edhe sot duket qartë se vatrat mbeten aktive, pasi tymi dhe flakët po vijojnë të djegin sipërfaqet e maleve në këto dy zona.
Mësohet se terreni në këtë zonë e ka vëshirësuar futjen e automjeteve zjarrfikëse, ndërsa forcat operacionale ndodhen në terren së bashku me banorët e zonës, duke punuar me mjete rrethanore./ZËRI
Vijon lufta me flakët në Lurë, Dajt, Krujë e Bulqizë/ Nufi ndan pamjet: Nuk ka rrezik për zonat e banuara
TIRANË- Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi ka ndarë në rrjetet sociale pamje gjatë operacionve për shuarjen e zjarreve në të gjithë vendin. Nufi njofton Forcat e Armatosura vijonë punën intensivisht për menaxhimin e vatrave aktive të zjarrit në Lurë, Dajt, Krujë dhe Bulqizë.
Në Lurë janë angazhuar 65 efektivë të Forcabe të Armatosura dhe një zjarrfikëse, ndërsa mësohet se zjarri është nën kontroll. Ndërsa në Dajt në aksion për shuarjen e flakëve janë dy helikopterë të Forcës Ajrore. Sa i përket zjarrit në Abaze të Krujës, Nufi njofton se në operacion janë të angazhuar 32 efektivë, 1 zjarrfikëse, 1 ambulancë dhe 1 helikopter.
View this post on Instagram
Vatra e zjarrit në Bulqizë po mbahet nën monitorim dhe kontroll nga 22 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 3 mjete zjarrfikse. Ministri i Mbrojtjes sqaron se të gjitha vatrat që vijonë të mbeten aktive, nuk paraqesin rrezik për përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara.
NJOFTIMI I NUFIT:
LURË - Në terren, 65 efektivë të FA dhe një zjarrfikëse. Zjarri është nën kontroll; nuk ka rrezik për jetën e njerëzve dhe banesat.
DAJT - 2 helikopterë të Forcës Ajrore të angazhuar për fikjen e zjarrit. Nuk paraqitet rrezik për banesat apo bizneset.
ABAZE, KRUJË - 32 efektivë, 1 zjarrfikëse, 1 ambulancë dhe 1 helikopter të angazhuar nga Forcat e Armatosura. Nuk ka rrezik për zonat e banuara
BULQIZË - 22 efektivë dhe 3 mjete të angazhuara nga Forcat e Armatosura. Situata pranë qendrave të banuara është nën kontroll të plotë, pa rrezik për jetën e njerëzve dhe banesat e tyre.
Situata mbetet në monitorim të vazhdueshëm ndërsa forcat operacionale vijojnë punën pa ndërprerje për izolimin dhe shuarjen e vatrave, me prioritet mbrojtjen e jetës së njerëzve, banesave, pronave dhe mjedisit./ZËRI
Zjarri në Pukë/ Kryebashkiaku Dodaj për ZËRI-n: Mjetet nuk futen dot në zonë, flakët nuk rrezikojnë banesat
PUKË- Pas zjarrit në zonën e njohur si Fushë-Lajë, në Malin e Tërbunit, në qytetin e Pukës, ZËRI zhvilloi një bisedë telefonike me kryebashkiakun e këtij qyteti, Rrok Dodaj.
Lidhur me vështirësinë që po hasin forcat zjarrëfikëse për të hyrë në zonë, për shkak të mungesës së rrugës, ZËRI pyeti z.Dodaj se si po veprohet.
Përmes bisedës telefonike, ai sqaroi se që prej momentit që u identifikua vatra, të gjitha strukturat e pushtetit vendor u vendosën në lëvizje. Sa i përket vështirësisë që po hasin forcat zjarrfikëse në terren, kryebashkiaku i Pukës sqaroi se zona nuk ka rrugë, duke e bërë të pamundur futjen e automjeteve zjarrfikëse, ndërsa u shpreh se forcat po vijojnë punën me mjete rrethanore.
Po ashtu, kryebashkiaku Dodaj u shpreh se forcat zjarrfikëse, focat e policisë dhe banorët e zonës janë angazhuar në terren, ndërsa në ndihmë kanë ardhur edhe forcat zjarrëfikëse të qytetit të Fushë-Arrëzit. Gjthashtu, Dodaj shpjegoi se vatra nuk paraqet rrezik të përhapet drejt zonave të banuara, pasi ndodhet shumë larg shtëpive.
“Zjarri ka filluar që në mesditë. Menjëherë pas identifikimit të vatrës, të gjitha strukturat lokale u angazhuan, duke mbërritur menjëherë në terren. Po është e vëretë, mjetet zjarrfikëse nuk janë futur dot në zonë, pasi aty mungon infrastuktura, por janë në terren dhe po punojnë se bashku me policinë dhe banorët e zonës me mjete rrethanore. Në ndihmë të forcave të qytetit kanë ardhur edhe forcat zjarrfikëse të Fushë-Arrëzit. Sa i përket përhapjes së flakëve, zjarri nuk rrezikon zonat e banuara, pasi shtëpitë ndodhen larg vatrës së zjarrit.”- u shpreh Doda për ZËRI-n./ZËRI
I ranë gurët gjatë luftës me flakët, zjarrfikësi në Krujë paraqitet në spital gjendje jo të mirë shëndetësore (EMRI)
KRUJË- Ali Tupi, zjarrfikësi që prej ditësh po lufton me zjarret në zonën e Krujës është paraqitur në spital në gjendje jo të mirë shëndetësore. Mësohet se ai është goditur nga gurët që kanë rënë nga një sipërfaqe mali, gjatë kohës që ishte i angazhuar për të bërë të mundur shuarjen e plotë të flakëve.
Siç shihet dhe nga pamjet, ai është paraqitur në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Gjatë videos dëgjohet doktori i cili i thotë: “Uroj të mos kesh dëmtuar tendinën e këmbës”.
View this post on Instagram
Sipas informacioneve, Ali Tupi ka vijuar detyrën edhe pse jo në gjendje të mirë shëndetësore./ZËRI
Zjarr në Malin e Tërbunit në Pukë, forcat zjarrëfikëse nuk arrijnë të ndërhyjnë për shkak të terrenit
PUKË- Një vatër zjarri ka rënë mesditën e sotme në Pukë. Mësohet se zjarri ka përfshirë një sipërfaqe pyjore në zonën e quajtur Fushë-Lajë, në Malin e Tërbunit, i cili ndodhet pranë qytetit.
Në terren kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse të qytetit dhe ato pyjore, por për shkak të mungesës së rrugëve është bërë e pamundur ndërhyrja e automjeteve zjarrfikëse. Sipas informacioneve paraprake, forcat operacionale po veprojnë me mjete rrethanore me qëllim izolimin e flakëve.
Zjarri po favorizohet edhe nga era e fortë, ndërsa dyshohet se zjarrëvënia ka qenë e qëllimshme./ZËRI
Përkeqësohet situata në Lurë, flakët u afrohen shtëpive, forcat në terren punojnë pa ndërprerje
LURË- Zjarri që ka përfshirë Parkun Kombëtar të Lurës vijon të jetë aktiv dhe situata në terren është përkeqësuar ndjeshëm. Flakët janë përhapur në disa drejtime dhe po i afrohen zonave të banuara, duke rritur rrezikun për banesat pranë vatrave. Sipas informacioneve, është djegur një sipërfaqe masive prej 300 hektarë pyje me bredha dhe kullota.
View this post on Instagram
Ndërkohë, janë mobilizuar dhjetëra forca në terren, mes tyre zjarrfikës, efektivë të Forcave të Armatosura, punonjës të bashkisë dhe të zonave të mbrojtura, si dhe banorë që po ndihmojnë në përpjekjet për frenimin e flakëve.
Ndërhyrja po kryhet edhe nga ajri, ndërsa terreni i thyer malor dhe kushtet e pafavorshme po vështirësojnë ndjeshëm operacionin. Gjithashtu, në vijim pritet të shtohen edhe avionët dhe trupat e Forcave të Armatosura për të mbështetur operacionin./ZËRI
Zjarret në Lurë, dy avionë “Air Tractor” ndërhyjnë nga ajri
DIBËR- Zjarri në Parkun Kombëtar të Lurës është përhapur në tre drejtime, duke vështirësuar ndërhyrjen për vënien nën kontroll të flakëve.
Ministria e Mbrojtjes njofton se në operacion janë angazhuar edhe dy avionë “Air Tractor”, të cilët po ndërhyjnë nga ajri në vatrat aktive në Parkun Kombëtar të Lurës, si dhe në zonën Qafa e Helmës, Fushë-Bulqizë–Selishtë.
Ndërhyrja nga toka dhe ajri vijon e koordinuar, me qëllim kufizimin e përhapjes së flakëve dhe izolimin e vatrave aktive./ZËRI
Zjarri "pushton" Parkun Kombëtar të Lurës, procedohen penalisht shefi i monitorimit dhe 2 roje
DIBËR- Situata në Parkun Kombëtar të Lurës në Dibër mbetet problematike, pas përhapjes së flakëve në 3 drejtime të ndryshime. Zjarri ka përfshirë kurorën e Lurës nga Borje Lura, majën e Runjës, Livadhet e Stafës dhe po del në Lanë Lurë.
Ndërkohë, Policia e Dibrës ka nisur procedimin penal ndaj shefit të monitorimit të parkut dhe dy rojeve të mjedisit, të dyshuar për shpërdorim detyre.
Sipas policisë, nga hetimet e kryera dyshohet se tre personat, të ngarkuar me detyra për ruajtjen, mbikëqyrjen dhe mbrojtjen e territorit nga zjarri, nuk kanë marrë masat e nevojshme në zonat nën përgjegjësinë e tyre.
Njoftimi i Policisë:
Lurë, Dibër/Vijojnë hetimet për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit e ngarkuar me përgjegjësi në lidhje me zjarrin në parkun kombëtar të Lurës.
Procedohen penalisht, për shpërdorim të detyrave, shefi i monitorimit të parkut dhe 2 roje mjedisi.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera për dokumentimin e rrethanave të zjarrit në parkun kombëtar të Lurës, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Dibër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit K. S., 35 vjeç, S. L., 51 vjeç, të dy banues në Dibër, dhe A. L., 64 vjeç, banues në Tiranë.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, me detyra përkatëse Shef monitorimi i parkut kombëtar dhe Roje mjedisi, nuk kanë marrë masat e nevojshme për ruajtjen, mbikëqyrjen dhe mbrojtjen nga zjarri të territorit në përgjegjësinë e tyre. Si pasojë, janë djegur disa hektarë sipërfaqe pyjore.
Vijon intensivisht puna për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorit/ëve të këtij rasti.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Dibrës, për veprime të mëtejshme.
Zjarri që po përhapet në 3 drejtime rrezikon disa banesa në zonë, ndërsa Ministria e Mbrojtjes bëri me dije se ka një perimetër sigure. Nga ajri kanë operuar 2 avionë Air Tractor, ndërsa puna vijon në dy drejtimet e tjera ku zjarri ruan intensitet. Ndërkohë, tashmë prej disa ditësh zjarri i përmasave të mëdha ka djegur mbi 300 hektarë pyje me bredh dhe kullota./ZËRI
Zjarret nga jugu në veri, Ministria e Mbrojtjes: 29 vatra në 24 orët e fundit, 11 ende aktive
TIRANË- Ministria e Mbrojtjes ka publikuar bilancin e fundit mbi situatën e zjarreve në vend, duke bërë me dije se në 24 orët e fundit janë 29 vatra zjarri nga të cilat 11 vatra aktive, 3 monitorim dhe 4 nën kontroll.
Sipas Mbrotjes, operacioni më i vështirë po vijon në Lurë të Dibrës, ku po vijon ndërhyrja nga ajri në zonat ku zjarri paraqet intensitet pavarëisht se është vënë nën kontroll perimetri pranë banesave të banuara.
Mbrojtja bën me dije se operacionet vazhdojnë në angazhim të koordinuar nga toka dhe ajri, ku janë të përfshirë automjet zjarrfikëse, autobote, ambulanca, helikopterë dhe avionë.
Njoftimi i plotë:
Ministria e Mbrojtjes informon se, gjatë 24 orëve të fundit, janë raportuar 29 vatra zjarri nga të cilat 11 vatra aktive, 3 monitorim dhe 4 nën kontroll.
Për përballimin e situatës vijon një angazhim i gjerë i strukturave të Mbrojtjes Civile, me 249 efektivë të MZSH-së, 48 forca policore, 233 forca bashkiake/AdZM/Shërbimi Pyjor/ASHP, 206 vullnetarë dhe 118 efektivë të Forcave të Armatosura.
Janë angazhuar gjithashtu 43 automjete zjarrfikëse, ndërsa FA ka vënë në dispozicion 9 automjete zjarrfikëse, 4 autobote, 3 ambulanca, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Vatrat kryesore aktive dhe angazhimi:
* Dajt, Tiranë – Vijon puna në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Edhe në Priskë e Madhe nuk raportohet rrezik për banesat.
* Përmet, Gjirokastër – Mbeten aktive vatrat në malin e Nëmerçkës dhe në malin Dhëmbel. Terreni paraqitet i vështirë, ndërsa forcat zjarrfikëse, punonjësit e sektorit pyjor dhe vullnetarët po vijojnë punën për izolimin e tyre. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
* Gurë-Lurë, Dibër – Vijon një nga operacionet më të rëndësishme, me 120 forca të bashkisë, 57 efektivë të FA-së, 15 forca policore, 15 vullnetarë dhe 9 punonjës të AdZM-së. Falë ndërhyrjes së forcave është vendosur nën kontroll perimetri pranë banesave dhe është evituar rreziku për djegien e tyre. Nga ajri kanë operuar 2 avionë Air Tractor, ndërsa puna vijon në dy drejtimet e tjera ku zjarri ruan intensitet.
* Qafa e Helmes, Bulqizë–Dibër – Vatra vijon aktive në terren pyjor, me angazhimin e 10 efektivëve të MZSH-së, 6 forcave bashkiake dhe 6 forcave nga njësia administrative Selishtë.
* Trojë, Mirditë – Për izolimin e vatrës janë angazhuar 13 efektivë të MZSH-së me 3 automjete zjarrfikëse, 36 forca bashkiake, 3 policë, 20 vullnetarë, si dhe 2 automjete zjarrfikëse dhe 30 efektivë të FA-së.
* Shkodër – Vijojnë aktive vatrat në Rrencë dhe Goraj-Budishtë. Forcat e MZSH-së dhe Shërbimit Pyjor po punojnë për izolimin dhe shuarjen e tyre; në Goraj-Budishtë nuk ka rrezik për banesat dhe vatra po shkon drejt izolimit.
* Elbasan – Mbeten aktive vatrat në Dardhë, bashkia Librazhd, ku operojnë MZSH, forcat pyjore dhe bashkiake, si dhe në Shalës, bashkia Cërrik. Në Dardhë nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në tërësi, operacionet vijojnë me angazhim të koordinuar nga toka dhe ajri, ndërsa në disa prej zonave më të ekspozuara është bërë e mundur mbrojtja e banesave dhe kufizimi i përhapjes së zjarrit.
AKMC, përmes Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën dhe të koordinojë angazhimin e kapaciteteve sipas nevojës.
Dy vatra zjarri mbi lagjen 'Abaze', nis ndërhyrja nga ajri për shuarjen e tyre
KRUJË- Dy vatra të vogla zjarri janë raportuar në Krujë, në zonën mbi lagjen Abaze. Aktualisht, situata nuk paraqet rrezik për banorët, ndërsa ka nisur ndërhyrja nga ajri për shuarjen e vatrave.
Gjatë ditës së sotme do të ndërhyhet edhe në zonën pyjore, me qëllim shuarjen e plotë të vatrave të mbetura, si dhe parandalimin e riaktivizimit të vatrave të tjera.
Megjithëse situata duke me qetë dhe nuk ka rrezik për banorët apo zonat e banuara, autoritetet e konsiderojnë situatën të paparashikueshme dhe vijojnë monitorimin në terren për të shmangur përhapjen e zjarrit./ZËRI
Neutralizohet zjarri në masivin pyjor të Peshtanit, digjen 7 dynymë shkurre
FIER- Një vatër zjarri që përfshiu masivin pyjor të Peshtanit në Fier është vënë nën kontroll pas ndërhyrjes së shpejtë të forcave zjarrfikëse dhe banorëve të zonës. Reagimi në kohë ka bërë të mundur izolimin e flakëve dhe shmangien e përhapjes së tyre në sipërfaqe të tjera.
Raportohet se zjarri ka djegur një kasolle të braktisur, ndërsa flakët kanë përshkuar rreth 7 dynymë me shkurre. Ndërkohë, pas neutralizimit të vatrës, ekipet në terren po monitorojnë zonën për të parandaluar riaktivizimin e flakëve./ZËRI