Goditja e klanit “Rraja” fut në listë edhe Indrit Doklen dhe Bledar Cafin, shkon në 17 numri i të dyshuarve
TIRANË-Një operacion i SPAK i nisur në dhjetor 2025 ku u godit grupi ‘Rraja’ dhe u lëshuan 15 masa sigurie, ka vijuar sot me akzione në Tiranë e Shkodër. Mësohet se Indrit Dokle, ish-anëtar i bandës së Durrësit, është shpallur sërish në kërkim me urdhër të SPAK i akuzuar për trafik droge si pjesë e grupit të ‘Rrajave’. Masa e sigurisë “arrest me burg” ndaj Dokles u caktua një ditë më parë me vendim të GJKKO-së.
Kontrollet u zhvilluan në Tiranë, edhe në Shkodër ku u kap edhe Bledar Cafi, i dënuar edhe nga Italia për trafik droge.Me lëshimin e urdhërarresteve të fundit ndaj Bledar Cafit dhe Indrit Dokles, numri i të dyshuarve që përballen me masa sigurie në këtë dosje ka arritur në 17 persona. Si Dokle edhe Cafi janë hetuar si fraksion i një dosje po për trafik droge.
SPAK urdhëroi një operacion të gjerë në Nikël, mëngjesin e 10 dhjetorit 2025, kundër grupit kriminal të njohur si “Rraja”, duke çuar në 15 urdhër-arrest, 10 prej të cilave u ekzekutuan. Grupi në fjalë akuzohet për veprat penale trafikimi i lëndëve narkotike, e kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal.
Në dosjen e SPAK, siguruar nga ZËRI u zbardhën bisedat në aplikacionin SKy Ecc mes grupit, ku evidentoheshin episodet e trafikut të drogës drej Turqisë, Ekuadorit dhe drejt vende të Bashkimit Europian.
Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit socialist, Rrahman Rraja rezulton të ketë qenë drejtuesi i një prej grupeve që u goditën me urdhër të SPAK, pasi kishin trafikuar 2.4 tonë marjuanë e kokainë drejt vende të Bashkimit Europian. Anëtarë të grupit ishin edhe dy pjesëtarë të tjerë të fisit Rraja, Përparim Rraja pronari i gurores në Borizanë për të cilën u dhunuan dy kushërinjtë Maja, si edhe Gazmir Rraja. Ndërkohë, anëtarët e tjerë ishin Bujar Sefa (alias Xaka) Agim Nina (alias Lorenc Selmani) Jani Çavo, Aldo Gjini (alias Iamandi), Sokol Qaja, Marvin Bushati dhe Elton Bogdani, ky i fundit shoferi që ka transportuar lëndën narkotike me kamion./ZËRI
SPAK mësyu në banesën e tij! Kush është Endrit Dokle? I dënuari me burgim të përjetshëm, Martinaj dha 500 mijë € për kokën e tij
TIRANË-Në kuadër të hetimeve të SPAK për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike pas zbërthimit të komunikimeve në SKY, agjentët e BKH kanë zhvilluar sot një operacion ku u arrestua Bledar Cafi në Shkodër, ndërsa Endrit (Indrit) Dokle, anëtar i bandës së Durrësit u shpall në kërkim. Dokle i shpëtoi operacionit të Policisë dhe BKH-së, të cilët ushtruan kontrolle në ambientet që i përkasin 43-vjeçarit.
Endrit Dokle, anëtar i “Bandës së Durrësit”, u akuzua së bashku me 16 persona të tjerë, si pjesë e bandës famëkeqe, ku disa prej tyre janë dënuar për vrasje, plagosje, atentate, rrëmbime, trafik droge e qenie njerëzore. Ai ka drejtuar një prej fraksioneve të bandës dhe me Lulzim Berishën.
Dokle doli nga burgu më 14 janar 2020, ku në fakt duhet të qëndronte përjetë. Arsyeja e lirimit të tij, ishte sjellja e mirë. Dokle kishte qëndruar në qeli që prej vitit 2005. Ai njihet për armiqësinë e tij me Ervis Martinaj, pasi ky i fundit ka qenë i gatshëm të paguajë 500 mijë euro për ekzekutimin e ish-anëtarit të bandës së Durrësit. Ky fakt është zbardhur nga dëshmia e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani, i cili i kishte marrë 100 mijë euro parapagesë Martinajt për të vrarë Doklen, por ky objektiv nuk u arrit kurrë.
Pas masakrës së Fushë Krujës, ku mes 3 personave, u vra edhe Brilant Martinaj, kushëri i parë i Ervis Martinaj, Endrit Dokle u mor në pyetje. Megjithatë ai mohoi të kishte lidhje me ngjarjen. Edhe herë të tjera Dokle është shprehur se nuk i ka marrë për bazë deklarimet e Dumanit, duke mohuar pretendimet e një hakmarrjeje të mundshme ndaj Martinajt.
Në dhjetor të vitit 2024 autoritetet e drejtësisë në Dubai i kërkuan informacion palës shqiptare, Interpolit dhe SPAK lidhur me statusin e Endrit Dokles, ish-anëtar i bandës së Durrësit.
Emri i Dokles doli edhe në një tjetër procedim të SPAK. Më 2 qershor 2026, GJKKO dënoi Elvin Merlikën dhe Alket Xhixhën për sigurimin e kushteve për vrasjen e tij, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Po ashtu Endrit Dokle është edhe një nga të pandehurit e dosjes "Revanshi", ku sipas Prokurorisë së Posaçme, Endrit Dokle dhe Durim Bami formuan një aleancë së bashku me figura si Xhelal Rraja për të synuar dhe planifikuar ekzekutimin e ish-deputetit të Partisë Socialiste Arben Ndoka rreth janarit 2021.
Lidhur me operacionin e sotëm GJKKO ndaj Endrit Dokles ka ngritur akuza për trafik ndërkombëtar të kokainës./ZËRI
SPAK 'zbarkon' në Shkodër! Kush është i arrestuari Bledar Cafi, i akuzuar për vrasje në 2001, i dënuar për drogë në Itali
SHKODËR-Bledar Cafi është arrestuar sot në orët e para të mëngjesit të sotëm, në banesën e tij në Shkodër, gjatë një operacioni të SPAK, Policisë së Shtetit, RENEA-s dhe BKH-së. Nga hetimet e kryera nga SPAK, Bledar Cafi akuzohet për veprat penale të trafikimit të lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, si dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale.
Por kjo nuk është hera e parë që 50-vjeçari, i cilësuar si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore vendoset në pranga. Cafi është përmendur disa herë për ngjarje të ndryshime kriminale, kryesisht në zonën e Shkodrës. Ai u arrestua në vitin 2021 me qëllim ekstradimin drejt Italisë, ku shteti fqinj e akuzonte për pjesëmarrje në organizata kriminale. Më datë 4 qershor të 2020, Gjykata e Triestes në Itali e dënoi Cafin me 4 vite dhe 2 muaj burg për trafik droge në sasi të mëdha.
Cafi është akuzuar për vrasjen e Shyqyri Mustafajt në vitin 2001, por nuk është shpallur kurrë fajtor pasi hetuesit nuk kanë gjetur mjaftueshëm prova për ta ndëshkuar.
Lidhur me vrasjen u dënua me 14 vjet burg, vetë djali i viktimës, Fatos Mustafajn. Ky i fundit bëri vetëm 6 vite burg, derisa Prokuroria e Përgjithshme bëri kërkesë në Gjykatën e Lartë për rishikim të vendimit të dhënë, pasi ishin mbledhur prova të reja që fajësonin kushërinjtë Gani Cafi e Asllan Cafi, për vrasjen e Shyqyri Mustafajt.
Ai rezulton i arrestuar edhe nga oficerët e Interpolit në Lyon të Francës, pasi ndaj tij ishte lëshuar një udhër-arresti ndërkombëtar.
Cafi dhe vëllezërit e tij rezultojnë edhe pronarë të disa subjekteve në Shkodër. Një prej pasurive të paluajtshme që ndodhet në emër të Bledar Cafit është në bashkëpronësi me 7 trashëgimtarë të tjerë, e fituar me dëshmi trashëgimie nga babai i tij Asllani, e legalizuar në vitin 2011 dhe e kaluar në bashkëpronësi në vitin 2017. Mbi këtë pasuri është ngritur resorti “Prince Of Lake”, i cili përbëhet nga disa biznese si lavazh, Bar-Kafe, Restorant dhe hotel.
Në vitin 2024 me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, objekti tre katësh me një sipërfaqe ndërtimi në total 900 m2 u konfiskua me vendim të gjykatës.
"SPAK bën me dije se shtetasi Gëzim Cafi është deklaruar fajtor, me vendimin nr. 44, datë 26.09.2005, të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”,"-thuhej asokohe në vendimin e SPAK.
Po ashtu Cafi zotëron 45% të aksioneve në kompaninë e peshkimit “Dajlani” në Shkodër.
SPAK operacion në Shkodër e Tiranë, arrestohet Bledar Cafi, rishpallet në kërkim Indrit Dokle
SHKODËR-SPAK ka ndërmarrë një operacion në Shkodër dhe Tiranë, në kuadër të një procedimi të ndjekur nga prokurori Andan Xholi. Deri më tani, raportohet se në Shkodër është arrestuar Bledar Cafi, me rrezikshmëri të lartë shoqërore ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat dhe personat e tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Ndërkohë në zbatim të vendimit të GJKKO-së, janë ushtruar kontrolle në ambientet që i përkasin 43-vjeçarit Endrit (Indrit) Dokle, i lindur në Kukës dhe banues në Tiranë. Dokle figuron person në kërkim që prej vitit 2024 me masë sigurie “Arrest me burg” për të njëjtat akuza që lidhen me trafikun e narkotikëve dhe grupin e strukturuar kriminal.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Muri i Lartë”.
Operacioni nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me BKH-në, nën drejtimin e SPAK.
Kapet dhe vihet në pranga një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Vijon puna për kapjen e një shtetasi tjetër, i cili gjatë operacionit nuk u gjet në banesë.
Strukturat operacionale dhe hetimore të Policisë së Shtetit, konkretisht Forcat Speciale Renea, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve, DVP Shkodër dhe BKH, nën drejtimin e SPAK, në zbatim të urdhrit të Prokurorisë së Posaçme SPAK dhe të vendimit të Gjykatës, kanë zhvilluar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Muri i Lartë”, me qëllim ekzekutimin e masës së sigurimit personal ndaj një shtetasi, si dhe kryerjen e kontrolleve për lokalizimin dhe kapjen e një shtetasi tjetër, i shpallur në kërkim.
Në kuadër të operacionit, në Shkodër u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit B. C., 50 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Kapja dhe arrestimi i tij u bë në orët e para të mëngjesit të sotëm, në banesën e tij në Shkodër. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më datë 25.09.2026, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurimit personal “Arrest me burg” për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Po në zbatim të vendimit të GJKKO-së, u ushtrua kontroll në vendet që i përkasin shtetasit në kërkim E. D., alias I. D., 43 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë, person në kërkim që prej vitit 2024, për të cilin GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Gjatë kontrolleve, ky shtetas nuk u gjet dhe vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.