LIVE UPDATES

Shefi i Laboratorit i çoi ekspertizën, Sulejmani ushqimin…Ish-kreu i SHISH asnjë fjalë për Agasin, sulmon Lalën

♦Në Gjykatën e Posaçme po mbahet seanca për vlerësimin e masës së sigurisë, ndaj ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, Fatjon Kalluçit, shef në Laboratorin Shkencor të Policisë, dhe Embro Sulejmanit kryekamerier në lokalin e vilave qeveritare në Durrës, të cilët akuzohen nga SPAK se ndihmuan Ergys Agasin gjatë arratisë. ♦Për Kalluçin dhe Sulejmanin, GJKKO ka vendosur të lejë në fuqi masën arrest me burg.♦ Ndërkohë Hyseni, e cila ndodhet nën arrest shtëpie dhe më pas u lirua nga detyra mbërriti në GJKKO nën forca të shumta sigurie duke mos folur për akuzat e saj, por u përplas me gazetaren Klodiana Lala. Hyseni akuzoi Lalën për takime me agjentë serbë. GJKKO vendosi të lejë në masën ‘arrest shtëpie’ Vlora Hysenin. ♦Ish-kreu i SHISH akuzohet për “nxjerrje të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit”. Për periudhën 28 qershor deri më 26 gusht 2026, në aplikacionin 'Signal' rezultojnë një numër i konsiderueshëm komunikimesh mes Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit, përfshirë telefonata audio dhe video, mes tyre disa thirrje të humbura dhe disa të realizuara. Në total rezultojnë se 508 forma komunikimi ndërmjet tyre.

8 artikuj për këtë temë.
6 ORE ME PARE

"Për ty fik radarët"/ Mesazhet Hyseni-Agasi që "pushtuan" rrjetin, ZËRI zbulon të vërtetën: Nuk janë në dosje! Ja si u përhapën

Shefi i Laboratorit i çoi ekspertizën, Sulejmani
ergys agasi-vlora hyseni

TIRANË- "Për ty fik radarët”, kjo ishte shprehja qe ndezi rrjetin e mediat në disa biseda të pretenduara mes Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit. Nga verifikimet e ZËRI rezulton se në dosjen e SPAK lidhur me hetimin e ish-drejtoreshës së SHISH nuk ka asnjë bisedë apo mesazh lidhur me komunikimet e publikuara sot.

Shkëndija e publikimeve nisi nga një deklaratë e gazetarit Vullnet Krasniqi. Ky i fundit, përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, pretendoi se në komunikimet mes Hysenit dhe Agasit gjendeshin disa mesazhe intime, duke i paraqitur ato si pjesë të materialeve të hetimit.

"Ama, tani do flasim për romancën e zjarrtë të Vlorës me Ergysin...Çfarë flisnin ata të dy natën vonë? Kur Vlora dhe Gysi kanë komunikuar me njëri-tjetrin, bisedat janë fiks material për Hollyëood, Netflix apo HBO. Ja disa mesazhe: 'Shpirt, a ka naj rrezik për djemtë e mi sonte?' Dhe, Vlora, shefja e SHISH-it, ja ka kthy: 'Flej pa merak zemër, se krejt radarët e shtetit i fik për ty. Atë numrin tjetër mos e përdor se po përgjohet...Vlora u bë ëngjëlli i mbrotjës i Gysit", u shpreh gazetari në një video të tij në rrjete sociale.

Megjithatë, vlen të theksohet se gazetari nuk pretendon se këto komunikime i ka parë vetë në dosjen hetimore apo se po citon një dokument të SPAK. Ai e nis videon duke thënë: "Imagjinoni të lexoni në dosjen e SPAK që kryespiunja e shtetit duke i çuar mesazhe, e duke mbrojtur njeriun që shteti po e kërkonte". Pra, deklaratën e tij, ai e paraqet si një interpretim të komunikimeve mes Hysenit dhe Agasit.

Pas publkimit dhe shpërndarjes së videos së gazetarit, këto deklarime nisën të raportoheshin si mesazhe që gjendeshin në dosjen hetimore të SPAK. Konkretisht, bëhej fjalë për komunikimet intime, të lartpërmendura, në të cilat, sipas pretendimit të publikuar, Vlora Hyseni i ofronte mbrojtje Ergys Agasit, duke e informuar dhe këshilluar se si të vepronte.

Megjithatë, verifikimi i ZËRI-t nuk gjen në dosjen e SPAK komunikimet e cituara nga gazetari. 

Ish-shefja e SHISH, Vlora Hyseni, u paraqit paraditen e sotme në GJKKO, ku i është konfirmuar masa e sigurisë "arrest shtëpie". Hyseni akuzohet për “nxjerrje të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit”. Ajo dyshohet se ka ndihmuar Ergys Agasit, teksa ndodhej në arrati, duke i përcjellë informacione të klasifikuara sekrete, mbi lëvizjet e strukturave shtetëroe në mënyrë që biznesmeni t'u shpëtonte autoriteteve.

Referuar dosjes hetimore të SPAK, të zbardhur një ditë më parë të cilën ZËRI e disponon, mes tyre rezultojnë mbi 500 komunikime të vazhdueshme gjatë periudhës kur biznesmeni ishte në kërkim, përfshirë telefonata, video-thirrje dhe shkëmbim materialesh. Materiale sekrete janë gjetur edhe në makinën e biznesmenit gjatë kontrolleve të SPAK, më datë 22 korrik. 

Hyseni ka pretenduar në SPAK, disa ditë para njoftimit të masës ndaj saj, se kishte komunikuar me Agasin, por në cilësinë e bashkëpunëtorit. Megjithatë, sipas SPAK, nga komunkimet e administruara, nuk rezulton kjo. Sipas SPAK, Agasi është personi që merr dhe dikton informacionin, ndërsa drejtuesja e SHISH nuk kishte vënë në dijeni instancat paralele apo edhe brenda institucionit./ZËRI

7 ORE ME PARE

‘A i ke fikur radarët për Agasin?’ Vlora Hyseni del nga GJKKO, ish-drejtoresha e SHISH ‘kyç gojën’ për mediat

Shefi i Laboratorit i çoi ekspertizën, Sulejmani
Vlora Hyseni

TIRANË- Ish-kreu i SHISH, Vlora Hyseni ka dalë nga GJKKO, ku iu komunikua masa e sigurisë “arrest në shtëpi”. Në dalje nga ambjentet e Gjykatës së Posaçme, Hyseni nuk ka dhënë asnjë deklaratë për gazetarët.

“A i keni fikur radarët zonja Hyseni?
A ndjeni përgjegjësi morale për këtë skandal që ka shpërthyer dhe që është cënuar siguria kombëtare. A ndiheni përgjegjëse?”,
ishin disa prej pyetjeve të gazetarëve, që zonja Hyseni nuk iu përgjigj, ndërsa vendosi të ‘kyçë’ gojën para mediave.

Ish-drejtoresha e SHISH është nën hetim për veprat penale që lidhen me përkrahjen e autorit të krimit dhe nxjerrjen e sekretit shtetëror ose të shërbimit. Hetimet janë vijim i dosjes së AKSHI-t, ku në fokus është edhe biznesmeni Ergys Agasi. 

Në kuadër të hetimit në pranga kanë rënë edhe Fatjon Kalluçi, shef tek laboratori Shkencor i Policisë, si edhe Embro Sulejmani, kryekamerieri i lokalit te rezidenca qeveritare në Durrës, i cili dyshohet se ka fshirë kamerat e sigurisë pas arrestimit të Ergys Agasit për të fshehur gjurmët e tij në këto ambiente. Në dorën e SPAK kanë rënë disa materiale sekrete të SHISH, ku 9 prej tyre janë gjetur në makinën e Agasit, në kuadër të kontrolleve në “Equos Resort” më datë 22 korrik. Me urdhër të GJKKO kontrolle u kryen edhe në banesën e ish-kryepolicit Ilir Proda.

8 ORE ME PARE

Vlora Hyseni e akuzoi për takime me agjentë serbë, Klodiana Lala: Kundërsulm me gjuhë vulgare

Shefi i Laboratorit i çoi ekspertizën, Sulejmani
Vlora Hyseni dhe Klodiana Lala

TIRANË-Gazetarja Klodiana Lala ka reaguar pas përplasjes me ish-drejtoreshën e SHISH në ambjenetet e GJKKO, ku Vlora Hyseni e akuzoi për takime me agjentë serbë në hotelin 'Rogner'.

Teksa i Lala i drejtonte pyetjen, Hyseni iu përgjigj gazetares me akuzën e fortë se është takuar me agjentë serbë në hotel.

"Klodi, si kalon ti në takime me agjentët serbë në dhomat e hotelit Rogner”, tha Hyseni.

Pas akuzave nga Hyseni, gazetarja Lala shprehet se Hyseni ka zgjedhur të kundërsulmojë gazetarët me shantazh.

“Ka zgjedhur të kundërsulmojë me gjuhë vulgare ndaj gazetarëve duke i shantazhuar ata për takime në hotele të ndryshme” tha Klodiana Lala në një lidhje live për News24.

9 ORE ME PARE

‘Je agjente serbe’! Akuza e ish-kreut të SHISH ndaj Lalës, reagon Rezarta Caushaj: Duhet bërë shembull, përdori informacion të klasifikuar si mbrojtje

Shefi i Laboratorit i çoi ekspertizën, Sulejmani
Vlora Hyseni dhe Klodiana Lala

TIRANË- Gazetarja Rezarta Caushaj ka reaguar lidhur me përplasjen mes ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni dhe gazetares Klodiana Lala jashtë ambjenteve të GJKKO-së. Hyseni duke mos komentuar akuzat ndaj saj, deklaroi se gazetarja Lala është takuar me agjentë serbë në dhomat e hotel Rogner.

Caushaj në një reagim në rrjete sociale shprehet se nëse akuzat janë të vërteta, Hyseni përdori informacion të klasifikuar si 'armë' mbrojtje. Gazetarja duke iu referuar Vlora Hysenit shprehet se: 'Kjo grua duhet bërë shembull'.

Reagimi i Rezarta Caushajt:

VLORA HYSENI DUHET BËRË SHEMBULL!

Nuk kam parë diversion dhe sugjestionim më të ndyrë se ai që ish-kreu i SHISH-it bëri ndaj gazetares Klodiana Lala, duke e akuzuar si agjente serbe.

Gjithashtu, të bëjmë sikur e marrim seriozisht, përse nuk paska vepruar institucioni ndaj gazetares në bazë të këtij informacioni.

Gjithashtu, të bëjmë prapë sikur ta marrim seriozisht, Hyseni sapo përdori informacion të klasifikuar si armë mbrojtje.
Shumë e rëndë e flagrante!

Në të vërtetë, me këtë kokë të Inteligjencës Shqiptare që i kanë bërë dhuratë, Serbia i ka nisur agjentët me pushime rrezik.

PS: Më lejoni të lë mënjanë çdo etikë për një moment dhe të jap përshtypjet e mia pa filtër mbi Vlora Hysenin:

Një shushkë, të cilën edhe Gysi e bën me turp dhe e nxjerr diletante për nga niveli i diskrecionit në komunikim.
Kjo grua duhet bërë shembull!!
Nuk mund të lejojmë që asnjë institucion, SHISH-i aq më pak, të drejtohet nga lloj-soj matrapazlleshe.

9 ORE ME PARE

‘Je takuar me agjentë serbë’! Vlora Hyseni akuzoi Klodiana Lalën, AGSH: Shantazh ndaj gazetares, SPAK të hetojë

Shefi i Laboratorit i çoi ekspertizën, Sulejmani
Vlora Hyseni

TIRANË- Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka reaguar lidhur me përplasjen e ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni dhe gazetares Klodiana Lala jashtë ambjenteve të GJKKO. Teksa i Lala i drejtonte pyetjen, Hyseni iu përgjigj gazetares me akuzën e fortë se është takuar me agjentë serbë në hotel.

"Klodi, si kalon ti në takime me agjentët serbë në dhomat e hotelit Rogner”, tha Hyseni.

AGSH në reagim e cilëson deklaratën e Hysenit si shantazh dhe sulm ndaj gazetares, situatë e cila nuk mund të tolerohet. AGSH i ka bërë thirrje Vlora Hysenit që të tërheqë menjëherë deklaratat e saj ndërsa kërkon nga SPAK të shikojë me seriozitet këtë episod shantazhi nga ana e saj ndaj një gazetareje.

Reagimi:

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dënon me termat më të ashpër shantazhin dhe sulmet e të dyshuarës së SPAK, ish-shefes së SHISH Vlora Hyseni ndaj gazetares Klodiana Lala.

Çdo i dyshuar i drejtësisë duhet të janë llogari vetëm përpara drejtësisë ndërsa shantazhet ndaj gazetarëve nuk mund të tolerohen.

AGSH I bën thirrje Zonjës Hyseni  që të tërheqë menjëherë deklaratat e saj ndërsa e nxisim Strukturën e Posaçme që të shikojë me seriozitet këtë episod shantazhi nga ana e saj ndaj një gazetareje.

10 ORE ME PARE

"A i dhe informacione sekrete Agasit"/ Vlora Hyseni sulmon gazetarët para SPAK: Si kaluat me agjentët serbë në dhomat e ‘Rogner’

Shefi i Laboratorit i çoi ekspertizën, Sulejmani
Vlora Hyseni

TIRANË-E shoqëruar nga efektivë të Policisë, ish-drejtoresha e SHISH ka mbërritur në ambjentet e GJKKO, ku do të njihet me masën e sigurisë. Gazetarët e pyetën nëse i ka dhënë informacione sekrete biznesmenit Ergys Agasi, ndërsa Hyseni në replikë ka përmendur një takim në hotelin Rogner në Tiranë.

Gjatë kalimit nga rruga drejt godinës, Hyseni është shprehur për gazetarë duke thënë: “Si kaluat në takime me agjentet serb ne dhomat e hotelit rogner”.

GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra në kuadër të hetimeve të SPAK ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni. Ish-dretoresha e SHISH është nën hetim për veprat penale që lidhen me përkrahjen e autorit të krimit dhe nxjerrjen e sekretit shtetëror ose të shërbimit. Hetimet janë vijim i dosjes së AKSHI-t, ku në fokus është edhe biznesmeni Ergys Agasi. 

Në kuadër të hetimit në pranga kanë rënë edhe Fatjon Kalluçi, shef tek laboratori Shkencor i Policisë, si edhe Embro Sulejmani, kryekamerieri i lokalit te rezidenca qeveritare në Durrës, i cili dyshohet se ka fshirë kamerat e sigurisë pas arrestimit të Ergys Agasit për të fshehur gjurmët e tij në këto ambiente. Në dorën e SPAK kanë rënë disa materiale sekrete të SHISH, ku 9 prej tyre janë gjetur në makinën e Agasit, në kuadër të kontrolleve në “Equos Resort” më datë 22 korrik. Me urdhër të GJKKO kontrolle u kryen edhe në banesën e ish-kryepolicit Ilir Proda.

10 ORE ME PARE

Ndihmoi Ergys Agasin gjatë kohës në arrati, Embro Sulejmani: I kam çuar vetëm supë, çfarë krimi kam bërë…

Shefi i Laboratorit i çoi ekspertizën, Sulejmani
Embro Sulejmani dhe Ergys Agasi

TIRANË-Është zbardhur dëshmia e biznesmenit Embro Sulejmani në GJKKO, i arrestuar në kuadër të hetimeve të SPAK, i cili dyshohet se ka ndihmuar Ergys Agasin gjatë kohës që ky i fundit ishte në kërkim.

Sulejmani, administrator i agroturizmit “Kodra e Kuajve”, ka mohuar përpara GJKKO-së të ketë kryer ndonjë vepër penale, duke deklaruar se nuk e kupton se për çfarë krimi akuzohet.

“Nuk e di çfarë krimi kam bërë. I kam çuar supë e ushqim”, mësohet të ketë deklaruar Sulejmani para gjykatës.

Sipas SPAK, Sulejmani dyshohet se ka ndihmuar Agasin për të fshirë gjurmët e takimeve të tij në ambientet e lokalit, gjatë periudhës kur ai ishte në arrati. Në kuadër të hetimit dyshohet se janë fshirë edhe pamje që dokumentonin takimet e Agasit me zyrtarë të lartë.

GJKKO ka lënë në burg Fatjon Kalluçin, shef në Laboratorin Shkencor të Policisë, dhe Embro Sulejmanin, kryekamerier në lokalin e vilave qeveritare në Durrës, të cilët akuzohen nga SPAK se ndihmuan Ergys Agasin gjatë arratisë.

13 ORE ME PARE

Ndihmë Agasit dhe nxjerrje informacioni sekret/ Sot GJKKO vendos masat për ish-kreun e SHISH dhe 2 të tjerë

Shefi i Laboratorit i çoi ekspertizën, Sulejmani
Fatjon Kalluçi, Vlora Hyseni dhe Embro Sulejmani

TIRANË- GJKKO do të japë sot në orën 12:00 masën e sigurisë për ish-kreun e SHISH, Vlora Hyseni, e cila ndodhet nën "arrest shtëpie" nga SPAK. Gjithashtu, po sot në orën 09:00, pritet të dalin para gjykatës edhe Fatjon Kalluçi dhe Embro Sulejmani, të dy persona nën hetim dhe nën masën "arrest me burg".

Hyseni akuzohet për “Përkrahje të autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”. Hyseni dyshohet se ka nxjerrë nformacione sekrete të shtetit duke ndihmuar në arrati Ergys Agasin, i akuzuar dhe i arrestuar në kuadër të hetimeve për AKSHI-n.

Drejtuesja e SHISH, Vlora Hyseni, ka pranuar komunkimet me biznesmenin Ergys Agasin, në cilësinë e bashkëpunëtorit, por ka mohuar çdo mundësi takimi fizik me të. Hyseni ka deklaruar në SPAK, vetëm 5 ditë para se ndaj saj të komunikohej masa e sigurisë se, me Agasin ka komunikuar, por duket shtuar se SHISH punon gjithmonë me bashkëpunëtorë. Ndërkohë, në mesazhet e zbardhura dhe komunkimet mes tyre, të siguruara nga ZËRI, rezulton se mes shefes së SHISH dhe biznesmenit, mund të ketë një marrëshënie tjetër, personale, përtej asaj që pretendon Hyseni. Hyseni dyshohet se është përfshirë në çështjen penale që lidhet me Ergys Agasin, madje ka shfaqur gatishmëri për ta ndihmuar Agasin, duke vënë në dispozicion edhe funksionin e saj zyrtar dhe kapacitetet institucionale që drejtonte.

Në dorën e SPAK kanë rënë disa materiale sekrete të SHISH, ku 9 prej tyre janë gjetur në makinën e Agasit, në kuadër të kontrolleve në “Equos Resort” më datë 22 korrik. Mbi 500 komunikime mes tyre, që nga qershori dhe deri në momentin e arrestimit të Agasit, sipas SPAK, nënvizohet në materialet hetimore që ZËRI disponon, nuk kemi të bëjmë më një 'bashkëpunëtor'. Hyseni e informonte Agasin për çdo zhvillim politik dhe jo vetëm, dhe në kohë reale. Sipas SPAK, Agasi është personi që merr dhe dikton informacionin, ndërsa drejtuesja e SHISH nuk kishte vënë në dijeni instancat paralele apo edhe brenda institucionit./ZËRI

Poll

MOS HUMB