LIVE UPDATES

Shqipëria "nën pushtetin" e flakëve/ 10 vatra aktive në vend! Drejt shuarjes flakët në Mallakastër

♦Shqipëria vijon të jetë nën pushtetin e flakëve, me situatën më problematike në jug të vendit. ♦Era e fortë dhe temperaturat e larta kanë favorizuar përhapjen e zjarreve, duke rritur rrezikun për përhapjen e tyre në sipërfaqe më të mëdha. ♦Mbrojtja Civile bën të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 25 vatra zjarri, nga të cilat 10 mbeten aktive. ♦Në Mallakastër situata është drejt përimirësimit. ♦Lufta me flakët vijon edhe në qarkun e Elbasanit. ♦Aktualisht mbeten në monitorim dy vatra aktive, një në fshatin Shqiponjë të bashkisë Prrenjas dhe tjetra në Malin e Dardhës të bashkisë Librazhd. ♦Ndërsa sipas Mbrojtjes, zonat që paraqesin nivel të lartë rreziku janë qarqet: Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat dhe Gjirokastër.

7 artikuj për këtë temë.
26 MINUTA ME PARE

Situata me zjarret në vend! 10 vatra aktive, flakët në Mallakastër drejt izolimit

Shqipëria "nën pushtetin" e flakëve/ 10 vatra aktive
zjarri në Mallakastër

TIRANË-Ministria e Mbrojtjes ka bërë bilancin e situatës së zjarreve në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Përmes një njoftimi, Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 25 vatra zjarri, nga të cilat 10 janë ende aktive.

Në njotimin zyrtar bëhet e ditur se situata është drejt përmirësimit në Mallakastër, ku zjarri i përmasave të mëdha i cili alarmoi fshatrat prej tre ditësh po shkon drejt izolimit falë ndërhyrjes së forcave nga toka dhe ajri. Ndërkohë në zonën e Dajtit ndërhyrja vijon nga toka dhe ajri për shuarjen e vatrave të zjarrit.

NJOFTIMI I MINISTRISË:

Gjatë 12 orëve të fundit janë raportuar 25 vatra zjarri, nga të cilat 10 mbeten aktive.

Përmes koordinimit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, prefekturave, njësive të qeverisjes vendore dhe Forcave të Armatosura - në operacionet për izolimin dhe shuarjen e tyre janë angazhuar 47 automjete zjarrfikëse dhe 454 forca operacionale. Në mbështetje janë angazhuar gjithashtu 110 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë, avioni “Air Tractor” dhe 3 automjete zjarrfikëse të FA-së me personelin përkatës.

Në zonën e Dajtit vijon operacioni nga toka dhe ajri. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në fshatin Priskë, bashkia Tiranë, vijon puna për shuarjen e zjarrit në një sipërfaqe pyjore. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në fshatrat Riban dhe Ngraçan, bashkia Mallakastër, zjarri po shkon drejt izolimit falë ndërhyrjes së forcave nga toka dhe ajri.

Në qarkun Elbasan vijon puna në vatrat e Shqiponjës, malit të Dardhës, Mjekësit dhe zonës së mbrojtur në malin e Valamarës. Vatrat në Shqiponjë dhe Mjekës janë nën kontroll, ndërsa nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në Kostren 2, bashkia Berat, është riaktivizuar vatra e zjarrit dhe forcat zjarrfikëse po punojnë për shuarjen e saj. Ndërkohë, zjarret në Floq, bashkia Korçë, dhe në Shpërdhet–Drojë, bashkia Kurbin, janë shuar.

AKMC dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile vijojnë monitorimin e situatës dhe koordinimin e ndërhyrjeve në të gjithë territorin.

2 ORE ME PARE

Situata alarmante në Mallakastër! Era favorizon flakët, zjarri përparon drejt Vloshit

Shqipëria "nën pushtetin" e flakëve/ 10 vatra aktive
foto nga vendi i ngjarjes

MALLAKASTËR- Flakët vijojnë të përhapen me shpejtësi në Mallakastër, ndërsa era e fortë po e bën edhe më të vështirë përballjen me zjarrin.

Vatra më aktive ndodhet në kufirin mes fshatrave Lofkënd dhe Drenovë, prej nga zjarri po avancon në drejtim të Vloshit, duke rrezikuar sipërfaqe të gjera me pyje dhe bimësi.

Për të përballuar situatën, helikopterët zjarrfikës kanë rifilluar operacionin nga ajri, duke mbështetur ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse dhe të Emergjencave Civile, të cilat vijojnë punën intensive në terren.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

Autoritetet janë në ndjekje të vazhdueshme të zhvillimit të situatës, ndërsa operacioni për izolimin dhe shuarjen e flakëve vazhdon pa ndërprerje./ZËRI

6 ORE ME PARE

Zjarr në Priskë të Dajtit/ Flakët pranë banesave, ndërhyrje nga ajri me helikopter (VIDEO)

Shqipëria "nën pushtetin" e flakëve/ 10 vatra aktive
pamjet-priske ne dajt

TIRANË- Vendi ynë vijon të jetë nën pushtetin e zjarreve prej ditësh, ndërsa një tjetër vatër është konstatuar në fshatin Priskë të Dajtit.

Pamjet e siguruara nga ZËRI tregojnë flakët dhe tymin në afërsi të banesave, duke rrezikun e përhapjes së zjarrit drejt shtëpive. Në video duket gjithashtu ndërhyrja nga ajri, teksa një helikopter po operon në zonë për shuarjen e flakëve.

Situata e zjarreve mbetet problematike në disa qarqe të vendit, e favorizuar nga temperaturat e larta dhe era, ndërsa strukturat e emergjencave vijojnë ndërhyrjet për izolimin dhe shuarjen e vatrave./ZËRI

10 ORE ME PARE

Bilanci i zjarreve 24 orët e fundit, Ministria e Mbrojtjes: Evakuohen 4 familje në Mallakastër, 28 vatra zjarri, 5 aktive

Shqipëria "nën pushtetin" e flakëve/ 10 vatra aktive
Foto nga zjarret

TIRANË- Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 28 vatra zjarri në të gjithë vendin, ku pesë prej tyre vijojnë të mbeten aktive. Ministria e Mbrojtjes ka publikuar bilancin, ku bën me dije se forcat operacionale vijojnë punën për shuarjen e flakëve në zonën e Dajtit, në Mallakastër dhe në qarkun e Elbasanit. Ndërkohë në Mallakastër, ku situata vijon të mbetet kritike, raportohet se janë evakuuar përkohësisht katër familje për arsye sigurie.

Institucioni njofton se vatrat në Kostren (Berat), Pocest (Dibër) dhe në zonën Stegopull–Selckë e Levenishtë (Gjirokastër) janë shuar dhe mbahen në monitorim. Nga zjarret raportohet se janë prekur rreth 34.5 hektarë me barishte, shkurre, pisha dhe pyll të përzier.

Gjatë 24 orëve të fundit, në terren janë angazhuar 631 forca operacionale, 64 automjete zjarrfikëse, 90 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe 1 avion Air Tractor i Forcës Ajrore. Ndërsa sot, zonat që paraqesin nivel të lartë rreziku janë qarqet: Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat dhe Gjirokastër.

NJOFTIMI I MINISTRISË SË MBROJTJES:

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 28 vatra zjarri, nga të cilat 5 mbeten aktive.

Përmes koordinimit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, prefekturave, njësive të qeverisjes vendore dhe Forcave të Armatosura - në operacionet për izolimin dhe shuarjen e tyre janë angazhuar 64 automjete zjarrfikëse, 631 forca operacionale, 90 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe 1 avion “Air Tractor” i Forcës Ajrore.

Në zonën e Dajtit vijon puna për shuarjen e zjarrit, me angazhimin e forcave të MZSH-së dhe ADZM-së si dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura. Në mbështetje të operacionit po vepron avioni “Air Tractor” i Forcës Ajrore, ndërsa nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në fshatrat Riban dhe Ngraçan, bashkia Mallakastër, situata po shkon drejt izolimit falë ndërhyrjes së koordinuar të forcave operacionale nga toka dhe ajri. Në operacion janë angazhuar forca zjarrfikëse nga disa bashki, strukturat policore dhe vendore, vullnetarë, efektivë të Forcave të Armatosura, helikopterë dhe avioni “Air Tractor”. Katër familje janë evakuuar përkohësisht për arsye sigurie.

Në qarkun Elbasan vijon puna në vatrat e Shqiponjës, malit të Dardhës dhe fshatit Mjekës. Zjarri në Shqiponjë është nën kontroll, vatra në malin e Dardhës është izoluar, ndërsa në Mjekës vijon puna për shuarjen përfundimtare. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në Kostren, bashkia Berat, po kryhet krehja dhe monitorimi i zonës. Në Pocest, bashkia Dibër, zjarri është shuar pas ndërhyrjes së forcave operacionale, ndërsa vatrat në zonën Stegopull–Selckë dhe në Levenishtë, qarku Gjirokastër, janë shuar dhe po mbahen në monitorim.

Si pasojë e zjarreve janë prekur rreth 34.5 hektarë me barishte, shkurre, pisha dhe pyll të përzier, ndërsa sipërfaqja e prekur nga vatrat aktive mbetet në vlerësim.

AKMC dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile vijojnë monitorimin e situatës dhe koordinimin e ndërhyrjeve në të gjithë territorin./ZËRI

11 ORE ME PARE

Dy vatra zjarri mbeten aktive në Elbasan, Zjarri në Malin e Dardhës izolohet 90%

Shqipëria "nën pushtetin" e flakëve/ 10 vatra aktive
foto ilustruese

ELBASAN- Beteja me vatrat e zjarrit vijon edhe në qarkun e Elbasanit, ku aktualisht janë në monitorim dy vatra. Situata më problematike paraqitet në Malin e Dardhës, ku zjarri është aktiv prej 8 ditësh.

Megjithatë, sipas informacioneve nga terreni, zjarri është izoluar në masën 90%, ndërsa sipërfaqja e përshkuar nga flakët llogaritet në të paktën 6 hektarë.

Në operacionin e djeshëm për shuarjen e zjarrit në Malin e Dardhës, në një zonë me terren jashtëzakonisht të vështirë, u angazhuan 8 efektivë të shërbimit zjarrfikës si dhe 3 punonjës të sektorit pyjor. 

Ndërkohë, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, vatrat e zjarrit në Shqiponjë të Prrenjasit dhe në fshatin Mjekës të Elbasanit janë vënë nën kontroll. Shërbimi zjarrfikës i Elbasanit konfirmoi se zjarri në Mjekës është shuar plotësisht.

Megjithatë, forcat në terren vijojnë monitorimin për të shmangur çdo riaktivizim të mundshëm./ZËRI

11 ORE ME PARE

Zjarri i madh në Malin e Gjerë, shuhen flakët pas 5 orësh operacion

Shqipëria "nën pushtetin" e flakëve/ 10 vatra aktive
foto nga vendngjarja

GJIROKASTËR- Zjarri i përmasave të mëdha në shpatin e Malit të Gjerë, mbi Levenisht në Gjirokastër, është shuar mëngjesin e kësaj të enjteje, pas një operacioni të pandërprerë prej rreth 5 orësh.

Ndërhyrja e forcave zjarrfikëse u vështirësua për shkak të terrenit të thyer dhe intensitetit të flakëve. Zjarri u konstatua mbrëmjen e djeshme në kurorën e gjelbër në shpatin e Malit të Gjerë, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me pemë dhe shkurre.

Menjëherë pas konstatimit të zjarrit, forcat zjarrfikëse të Gjirokastrës u vunë në alarm dhe nisën operacionin për izolimin dhe shuarjen e flakëve. Pas përfundimit të ndërhyrjes, organet ligjzbatuese kanë nisur veprimet për zbardhjen e shkaqeve të rënies së zjarrit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes./ZËRI

12 ORE ME PARE

Rinis ndërhyrja nga ajri/ Flakët dalin jashtë kontrollit në masivin pyjor të Lofkendit

Shqipëria "nën pushtetin" e flakëve/ 10 vatra aktive
Pamje nga zjarri

MALLAKASTËR- Kanë rinisur ndërhyrjet nga ajri për të bërë të mundur shuarjen e flakëve të zjarrit në masivin pyjor të Lofkendit në Mallakastër. Vatra e zjarrit vijon të jetë aktive prej disa ditësh, duke djegur sipërfaqe të mëdha pyjore.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

Forcat operacionale ndodhen prej disa ditësh në terren, por për shkak të erës së fortë, zjarri nuk është vënë ende nën kontroll dhe vijon të përhapet, duke rrezikuar edhe sipërfaqe të tjera. Për shkak të situatës kritike, në terren janë angazhuar katër mjete zjarrfikëse, 25 efektivë të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, 30 punonjës të forcave bashkiake dhe 50 trupa të Forcave të Armatosura, të cilët po punojnë për izolimin e flakëve.

Ditën e djeshme, Ministria e Mbrojtjes publikoi bilancin më të fundit mbi situatën e zjarreve në vend, duke bërë me dije se janë evidentuar 14 vatra zjarri, ndërsa shtatë prej tyre vijojnë të mbeten aktive.

Një nga zonat më problematike mbetet Bashkia Mallakastër, konkretisht në fshatrat Riban dhe Ngracan. Për përballimin e situatës janë angazhuar dhjetëra forca në terren, përfshirë 246 efektivë operacionalë, 90 ushtarë të Forcave të Armatosura, 29 mjete zjarrfikëse, si dhe një helikopter dhe një avion Air Tractor të Forcës Ajrore, të cilët po mbështesin operacionet e shuarjes së zjarrit nga ajri./ZËRI

Poll

MOS HUMB