Zjarr edhe pranë nënstacionit elektrik në Elbasan, shmanget rreziku për rrjetin energjetik
ELBASAN- Një vatër zjarri ka rënë pasditen e kësaj të mërkure, ku flakët përfshinë një plantacion me ullinj pranë nënstacionit elektrik 400 kV Elbasan–Mjekës–Cërrujë–Gramsh.
Për shkak të temperaturave të larta dhe erës, zjarri u përhap me shpejtësi, ndërsa tymi i dendur u bë i dukshëm në të gjithë zonën. Afërsia e flakëve me nënstacionin elektrik ngriti shqetësime për një rrezik të mundshëm ndaj infrastrukturës energjetike.
View this post on Instagram
Në vendngjarje mbërritën forcat zjarrfikëse, të cilat punuan për disa orë për të vënë situatën nën kontroll. Falë ndërhyrjes së tyre, u bë e mundur izolimi i vatrës dhe shuarja e flakëve,dhe shmangien e një incidenti më të rëndë në rrjetin elektrik.Nga informacionet paraprake nuk raportohet për dëme në rrjetin elektrik apo për persona të lënduar. Ndërkohë, autoritetet po punojnë për të përcaktuar shkakun e zjarrit, i cili mbetet ende i paqartë./ZËRI
Zjarr i madh në Selenicë, flakët përfshijnë pyllin me pisha, shkrumbohen dhjetëra makina
SELENICË-Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë fshatin Penkovë në Bashkinë e Selenicës, duke shkaktuar dëme materiale. Flakët e favorizuara nga era dhe temperaturat e larta kanë përfshirë dhe një pikë grumbullimi automjetesh për pjesë këmbimi. Si pasojë e flakëve janë djegur rreth dhjetëra automjete.
Shkaqet e rënies së zjarrit nuk dihen ende, ndërsa pritet hetimi i autoriteteve për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Sipas pronarit të biznesit Tomian Hysaj, dëmi ekonomik i shkaktuar nga flakët llogaritet në rreth 35 milionë lekë të vjetra.
Zjarri ishte i përmasave të konsiderueshme, ndërsa sipas raportimeve, forcat zjarrfikëse të Selenicës, Vlorës dhe Himarës, pas disa orësh punë arritën të vendosnin nën kontroll flakët./ZËRI
Avioni i parë zjarrfikës/ Rama ndan pamjet nga operacioni në Mallakastër: Air Tractor AT-802 forcë e shtuar
TIRANË- Prej disa ditësh vendi ynë është përfshirë nga vatra zjarri, të cilat kanë djegur qindra hektarë sipërfaqe dhe kanë rrezikuar fshatra në disa zona. Gjendja më alarmante paraqitet në jug të vendit, veçanërisht në Mallakastër.
Lidhur me situatën që po përjeton vendi ynë, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka ndarë pamje nga operacioni për shuarjen e flakëve në Mallakastër. Rama njofton se avioni i parë zjarrfikës ka nisur aktivitetin në terren, ndërsa shprehet se këtë herë qeveria është më e përgatitur për të përballuar situatat me zjarret.
“Avioni i parë zjarrfikës ka nisur aktivitetin si forcë e shtuar e këtij gushti sfidues, i cili na gjen më të fortë e më të përgatitur se asnjëherë më parë, por edhe plotësisht të vetëdijshëm për rrezikun e përshkallëzimeve ekstreme të zjarreve përtej fuqive tona, siç po ndodh në disa vende të mëdha të Europës aktualisht. Respekt dhe mirënjohje për të gjitha forcat tona në terren”, shkruan Rama.
Avioni Air Tractor AT-802 mbërriti në Shqipëri në kuadër të kontratës së qeverisë shqiptare për blerjen e tre mjeteve ajrore të këtij tipi për Forcën Ajrore Shqiptare. Më 27 korrik, kreu i qeverisë, gjatë një takimi me zjarrfikësit dhe strukturat e angazhuara në përballimin e flakëve, deklaroi se vendi ynë brenda këtij viti do të pajiset me tre avionë zjarrfikës./ZËRI
Vatra e zjarrit aktive prej 10 ditësh në Zall-Bastar/ Digjen 8 hektarë tokë, ndërhyhet nga ajri
TIRANË- Prej 10 ditësh vijon të jetë aktive një vatër zjarri në zonën e Qafë-Mollës, në Njësinë Administrative Zall-Bastar të Tiranës.
Bëhet me dije se zjarri ka përfshirë rreth 8 hektarë sipërfaqe pyjore, i favorizuar nga era e fortë. Në terren janë angazhuar forcat zjarrfikëse, punonjës të njësisë administrative, banorë të zonës, si dhe një helikopter, pasi për shkak të terrenit të vështirë është kërkuar ndërhyrje edhe nga ajri.
Autoritetet po punojnë për shuarjen e flakëve, me qëllim që të mos rrezikohen banesat në këtë zonë./ZËRI
Zjarri në Lekaj shkrumboi 250 pemë, policia arreston autorin e dyshuar (VIDEO)
KAVAJË- Ka rënë në prangat e policisë personi që dyshohet se ndezi zjarrin në fshatin Lekaj të Kavajës. Blutë njoftojnë se në oborrin e autorit u gjetën vatra zjarri, të cilat u përhapën me shpejtësi, duke u shkrumbuar 250 pemë ulliri dhe pemë frutore.
Zjarri i djeshëm në fshatin Lekaj rrezikoi edhe banesat e zonës, por fatmirësisht u shua menjëherë pas ndërhyrjes në kohë nga forcat zjarrfikëse.
Njoftimi i Policisë:
Policia identifikon dhe arreston në flagrancë autorin e dyshuar të zjarrvënies në fshatin Lekaj. Si pasojë e përhapjes së flakëve u dogjën rreth 250 pemë ulliri dhe pemë të ndryshme frutore.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, dje, pas marrjes së njoftimit për zjarrin e rënë në një sipërfaqe toke me pemë në fshatin Lekaj, që rrezikonte edhe banesat e zonës, ndërhynë menjëherë në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse, për fikjen e zjarrit.
Ndërkohë, grupi hetimor kreu të gjitha veprimet për zbardhjen e rastit. Nga këqyrja e zonës u konstatua se në oborrin e banesës së shtetasit N. U., kishte vatra zjarri, ndërsa në pjesën e pasme të kësaj banese, kishte një tjetër vatër zjarri që dyshohet se është përhapur duke shkaktuar djegien e një sipërfaqe toke me 250 pemë ulliri dhe pemë të ndryshme frutore.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve arrestuan në flagrancë shtetasin N. U., banues në fshatin Lekaj, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për qytetarët që të mos ndezin zjarre për djegien e mbetjeve bimore apo për çdo qëllim tjetër, pasi përhapja e flakëve mund të shkaktojë pasoja të rënda për jetën, pronën dhe mjedisin.
Policia fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112, çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie tjetër, duke garantuar anonimat, reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.
/ZËRI
Natë e vështirë nga zjarret në Mallakastër, flakët drejt Lofkëndit! Nis ndërhyrja me helikopter (VIDEO)
MALLAKASTËR- Situata e zjarrit në Riban të Mallakastrës vijon të jetë kritike, pasi gjatë natës flakët janë përhapur më tej, duke rritur rrezikun për përfshirjen e masivit pyjor të fshatit Lofkënd.
Mësohet se operacioni për shuarjen e zjarrit po zhvillohet në dy drejtime, në Riban dhe Lofkënd. Aktualisht në terren ndodhen pesë mjete zjarrfikëse nga Mallakastra, Fieri, Roskoveci, Berati dhe Kuçova, 30 efektivë të shërbimit zjarrfikës, 35 forca bashkiake dhe dy autobotë me ujë.
Në operacion pritet të angazhohen edhe 35-40 trupa të Forcave të Armatosura, për të ndihmuar në përballimin e situatës. Ndërkohë ka nisur edhe ndërhyrja nga ajri me helikopter.
Megjithatë, bëhet me dije se ndërhyrja nga toka ka hasur në vështirësi për shkak të terrenit të vështirë, bimësisë së dendur si dhe era e forta e cila ndihmon në përhapjen e flakëve. Për këtë arsye, ka nisur edhe ndërhyrja nga ajri me helikopter, me qëllim izolimin e vatrave të zjarrit dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme.
Fshati Riban i Mallakastrës u përball edhe gjatë ditës së djeshme me një situatë të rënduar nga zjarret, duke bërë që 15 familje të evakuoheshin nga zona. Zjarri qëndroi aktiv që prej mëngjesit të djeshëm, duke arritur përmasa më të mëdha gjatë natës. Ndërkohë, Policia dyshon se zjarri mund të jetë i qëllimshëm dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave. Në kuadër të hetimeve, disa persona janë shoqëruar nga autoritetet./ZËRI