LIVE UPDATES

Darka e milionerëve shkon keq/ Të shtëna me armë në një jaht në Palasë, shoqërohet Bruno Çela i 'Brunes' dhe 'El Chapo', Pashk Gjini

♦Të shtëna me armë zjarri u raportuan mbrëmjen e djeshme nga një jaht që lundronte në Palasë. ♦Menjëherë pas sinjalizimit, shërbimet e policisë u vunë në ndjekje dhe në një operacion që zgjati për 2 orë nga deti dhe toka, u bë i mundur ndalimi i jahtit dhe personave që ndodheshin në të. ♦Mësohet se gjatë përndjekjes së policisë, jahti ka tentuar të largohet duke ndryshuar kurs, madje në një moment ka fikur edhe dritat, por arratia nuk zgjati. ♦Policia bëri me dije se në bord ndodhin 4 persona: Bruno Çela djali i biznesmenit të "Brunes", Leonard Hasa, Afrim Kastrati dhe Pashk Gjini. ♦Në njoftimin zyrtar, Policia bëri me dije se gjatë kontrolleve të ndaj të ndaluarve dhe në bord nuk është gjetur asnjë send i paligjshëm, ndërsa rrethanat e ngjarjes mbeten të paqarta. ♦Ndërkohë, gjatë mbrëmjes policia ka shoqëruar edhe dy persona të tjerë: Astrit Gjonpalaj, pronar i “Globus Travel”, dhe Astrit Meta, shtetas shqiptaro-amerikan. ♦Megjithatë, mësohet se ata janë lënë të lirë, pasi nga verifikimet nuk ka rezultuar ndonjë lidhje e tyre me ngjarjen. ♦Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur në bordin e jahtit gjatë mbrëmjes së djeshme në Palasë.

8 artikuj për këtë temë.
1 ORE ME PARE

Kontradikta e çuditshme/ Milionerët e jahtit mohojnë të kenë qëlluar me armë...por nuk shpjegojnë pse iu larguan Policisë për 2 orë!

Darka e milionerëve shkon keq/ Të shtëna me armë në
pamje nga jahti

TIRANË- Të shtënat në jahtin luksoz në Palasë vijojnë të mbeten mister, po aq sa edhe pistoleta që dyshohet se është përdorur dhe që ende nuk është gjetur.

Katër personat që ndodheshin në bord, emra të njohur, biznesmenë, kanë mohuar të kenë qëlluar me armë zjarri dhe pas marrjes në pyetje janë lënë të lirë. Megjithatë, një pikëpyetje që ngrihet lidhet me lëvizjet e jahtit pas sinjalizimit të policisë.

Çfarë ndodhi? Sipas burimeve, mjeti lundrues është ndjekur për rreth 2 orë nga forcat e policisë, pasi dyshohet se ka tentuar të largohet dhe ka ndryshuar kurs gjatë lëvizjes. Por, jahti është rrethuar nga të gjitha anët nga shërbimet policore dhe më pas është ndaluar për verifikim.

Largimi i jahtit vijon të mbetet enigmë e kësaj ngjarjeje. Nëse personat në bord mohojnë të kenë qëlluar me armë dhe njëkohësisht nga kontrolli nuk u konstatua asnjë send i paligjshëm, pyetja që ngrihet është: përse jahti tentoi t’i largohej policisë dhe të ndryshonte kurs? Sipas burimeve, jahti dyshohet se ishte nisur në drejtim të Greqisë, por ndryshoi kurs pas sinjalizimit të policisë.

Në njoftimin zyrtar, Policia bëri me dije se gjatë kontrollit në bord dhe ndaj personave që ndodheshin në jaht nuk është gjetur asnjë armë apo send i kundërligjshëm. Ndërkohë, mësohet se hetuesit u kanë marrë mostra nga duart personave të shoqëruar për ekspertizën e mbetjeve të barutit, rezultatet e së cilës pritet të tregojnë nëse ndonjëri prej tyre ka përdorur armë.

Në bordin e jahtit ndodheshin Bruno Çela, djali i biznesmenit Geront Çela, pronar i “Brunes Group”, si dhe Pashk Gjini, i njohur me nofkën “El Chapo shqiptar”, së bashku me Leonard Hasa dhe Afrim Kastrati.

Hetimet vijojnë për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes, ndërsa ende mbeten pa përgjigje pyetjet: kush qëlloi me armë dhe përse jahti tentoi të largohej nga policia./ZËRI

1 ORE ME PARE

Krismat në Palasë! Detaje: Policia bllokoi jahtin nga 4 anët, biznesmenët mohojnë të shtënat...arma "avulloi"

Darka e milionerëve shkon keq/ Të shtëna me armë në
jahti

TIRANË- Detaje të reja janë mësuar lidhur me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së dielës në Palasë, ku të shtëna me armë zjarri u raportuan nga një jaht luksoz që lundronte pranë bregut.

Të shtënat kanë alarmuar uristët dhe pushuesit në zonë, të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë. Sakaq, menjëherë pas sinjalizimit, shërbimet e Policisë së Himarës, Stacionit të Policisë Dhërmi, Policisë Kufitare, Njësisë Policore Detare dhe forcave të tjera operacionale janë vënë në ndjekje të mjetit lundrues.

Raportohet se jahti, i cili dyshohet se ishte nisur në drejtim të Greqisë, ka ndryshuar kurs pas sinjalizimit nga policia. Mjeti lundrues është ndjekur nga deti dhe toka, ndërsa forcat policore kanë arritur ta rrethojnë dhe ta ndalojnë përballë Himarës.

Personat që ndodheshin në bord janë ndaluar për verifikime. Sipas policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në jaht dhe ndaj personave në bord, nuk është gjetur armë apo sende të kundërligjshme.

Megjithatë, sipas burimeve nga grupi hetimor, dyshohet se të shtënat janë dëgjaur pikërisht nga jahti në fjalë, ndërsa arma e dyshuar, një pistoletë, ende nuk është gjetur.

Ndërkohë, burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se personat që ndodheshin në bord kanë deklaruar se nuk kanë qëlluar me armë. Pasi janë marrë në pyetje, ata janë lënë të lirë. Nga ana tjetër, heturesit u kanë marrë mostra nga duart për ekspertizën e mbetjeve të barutit, analizat e së cilës pritet të tregojnë nëse ndonjëri prej tyre ka përdorur armë.

Siç raportoi më herët ZËRI, në bordin e jahtit, i cili ezulton në pronësi të Geront Çelës, pronar i “Brunes Group”, ndodheshin katër persona: Bruno Çela, djali i biznesmenit Geront Çela, Pashk Gjini, i njohur me nofkën “El Chapo shqiptar”, si dhe Leonard Hasa dhe Afrim Kastrati./ZËRI

5 ORE ME PARE

"Bosi i Brunes" dhe "El Chapo shqiptar", dy të ndaluarit për të shtënat brenda jahtit në Palasë (DETAJET)

Darka e milionerëve shkon keq/ Të shtëna me armë në
foto ilustrim: pamje nga jahti-bruno Çela dhe pashk gjini

TIRANË- Në jahtin misterioz nga i cili u raportuan të shtëna me armë zjarri mbrëmjen e së dielës në Palasë, ndodheshin emra të njohur të botës së biznesit në vend.

Mjeti lundrues, sipas burimeve për ZËRI-n rezulton të jetë në pronësi të Geront Çelës, pronar i “Brunes Group”.

Darka e milionerëve shkon keq/ Të shtëna me armë në
gerton cela-brunes group

Në bord, në momentin e ndalimit nga policia, ndodheshin katër persona, të cilët u identifikuan dhe u shoqëruan për verifikim. Dy prej tyre rezultojnë emra të njohur në fushën e biznesit.

Një emër, mesa duket aspak suprizë, është ai i Bruno Çelës, ortak dhe aksioner kryesorë i shoqërive të lidhura me “Brunes Group”. Kjo e fundit, kompani me të cilën siç cituam edhe më lart, lidhet edhe pronësia e jahtit ku ndodheshin personat e shoqëruar nga policia.

Personi tjetër është Pashk Gjini, i cili njihet me nofkën “El Chapo shqiptar”. Anton Gjinaj, i njohur edhe si Pashuk Gjini dhe Pashk Rrapi, është një biznesmen, emri i të cilit është përmendur ndër vite lidhur me hetime për trafik droge dhe çështje kriminale.

Çela dhe Gjini, ndodheshin në bordin e jahtit që u ndalua nga policia pas sinjalizimit për të shtëna me armë zjarri në det, përballë Palasës.

Sipas policisë, ata ndodheshin në bordin e jahtit së bashku edhe me dy persona të tjerë, të cilët u shoqëruan për verifikim. Policia njoftoi në një reagimin zyrtar se nga kontrolli i kryer në jaht dhe ndaj personave nuk zbuloi sende apo mjete të kundërligjshme.

Ndërkohë, gjatë mbrëmjes policia ka shoqëruar edhe dy persona të tjerë: Astrit Gjonpalaj, pronar i “Globus Travel”, dhe Astrit Meta, shtetas shqiptaro-amerikan. Megjithatë, mësohet se ata janë lënë të lirë, pasi nga verifikimet nuk ka rezultuar ndonjë lidhje e tyre me ngjarjen.

Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur në bordin e jahtit gjatë mbrëmjes së djeshme në Palasë./ZËRI

6 ORE ME PARE

Të shtënat me armë nga jahti në Palasë, reagon Policia: U ndaluan 4 persona, në bord asnjë send i paligjshëm(EMRAT-VIDEO)

Darka e milionerëve shkon keq/ Të shtëna me armë në
foto ilustruese

HIMARË- Policia ka dhënë detaje të reja lidhur me ngjarjen mbrëmjen e djeshme në bregdetin e Himarës, ku nga një jaht në det, përballë Palasës, ishin dëgjuar të shtëna me armë zjarri.

Sipas njoftimit zyrtar, pas marrjes së sinjalizimit rreth orës 21:00, shërbimet e Policisë Kufitare, Njësia Policore Detare, Delta Forcë, Komisariati i Policisë Himarë dhe grupet e Forcës Kombëtare të Sigurisë nisën ndjekjen e mjetit lundrues nga deti dhe toka.

Policia bën me dije se në bordin e jahtit dodheshin 4 persona, Leonard Hasa (31 vjeç), Bruno Cela (31 vjeç), Afrim Kastrati (49 vjeç) dhe Pashk Gjini (60 vjeç). Po ashtu, Policia njofton se gjatë kontrollit të ushtruar në jaht dhe ndaj personave në bord, nuk është gjetur asnjë send apo mjet i kundërligjshëm.

Hetimet vijojnë për të sqaruar se çfarë ka ndodhur në jaht, ndërsa personat që ndodheshin në bord kanë dhënë deklarimet e tyre. Në vijim priten edhe rezultatet e ekspertimeve që do të përcaktojnë rrethanat e qitjes.

Njoftimi i Policisë:

Himarë/ Në vijim të informacionit të dhënë mbrëmjen e djeshme, ku rreth orës 21:00 është marrë njoftim se, në det, përballë Palasës, dyshohej se ishte qëlluar me armë zjarri në ajër nga një mjet lundrues, ju informojmë se:

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare, Njësia Policore Detare, Delta Forcë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë/Stacionit të Policisë Dhërmi, si dhe grupet e Forcës Kombëtare të Sigurisë (FKS), u vunë në ndjekje të mjetit lundrues nga deti dhe toka, pasi jahti po lëvizte në drejtim të Himarës.

Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u bë e mundur ndalimi i jahtit në det, përballë Himarës, si dhe shoqërimi i tij së bashku me personat që ndodheshin në bord, konkretisht shtetasit B. C., 31 vjeç, L. H., 31 vjeç, A. K., 49 vjeç dhe P. Gj., 60 vjeç.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga Komisariati i Policisë Himarë, nën drejtimin e Prokurorisë, shërbimet e Policisë ushtruan kontroll në ambientet e jahtit dhe ndaj personave që ndodheshin në bord, ku nuk u konstatua asnjë send apo mjet i kundërligjshëm.

Nga grupi hetimor vijuan veprimet e mëtejshme procedurale, duke marrë deklarime në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes, si dhe duke kryer ekspertimet për përcaktimin e faktorëve plotësues të qitjes.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, verifikimin e informacionit të marrë dhe dokumentimin ligjor të këtij rasti.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

7 ORE ME PARE

Drama në Palasë: Çfarë ndodhi në jaht? Të shtëna me armë, ndjekje dhe arratisje, biznesmeni i njohur mes të shoqëruarve (EMRI-FOTO)

Darka e milionerëve shkon keq/ Të shtëna me armë në
vendngjarje-jahti ne palase dhe astrit gjonpalaj

HIMARË- Një ngjarje jo fort e zakonshme u regjistrua mbrëmjen e së dielës në bregdetin e Palasës, ku ZËRI raportoi se nga një jaht që lundronte në det ishin dëgjuar të shtëna me armë zjarri. Pak më vonë, Policia e Shtetit konfirmoi zyrtarisht ngjarjen, duke bërë me dije se kishte nisur një operacion për ndalimin e mjetit lundrues dhe identifikimin e personave të përfshirë.

"Rreth orës 21:00 është njoftuar se nga një jaht në det, përballë Palasës, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në ajër.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare dhe të Njësisë Policore Detare janë vënë në ndjekje të jahtit.

Njëkohësisht, janë njoftuar edhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë dhe të Stacionit të Policisë Dhërmi, të cilat po kryejnë kontrolle nga toka përgjatë vijës bregdetare.

Vijon ndjekja e mjetit lundrues, me qëllim verifikimin e informacionit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Në përfundim të operacionit për ndalimin e jahtit dhe të veprimeve të para hetimore do të jepet informacion i plotë për rastin.", njoftoi policia.

Menjëherë pas sinjalizimit, Policia Kufitare, Njësia Policore Detare dhe forcat në terren nisën ndjekjen e jahtit, ndërsa u ushtruan kontrolle edhe përgjatë vijës bregdetare. Gjatë operacionit që zgjati gati 2 orë, dy persona që ndodheshin në bord u larguan me gomone drejt bregut, por u ndaluan nga efektivët sapo dolën në tokë. 

Burime për ZËRI-n bënë me dije se të shoqëruarit janë Astrit Gjonpalaj, ish-punonjës policie dhe pronar i kompanisë "Globus Travel", si edhe Astrit Meta, shtetas shqiptaro-amerikan. Këta të fundit, dyshohet se kanë qenë në jaht në momentin kur janë dëgjuar të shtënat.

Po sipas burimeve, mjeti lundrues iu nënshtrua një kontrolli të imtësishëm nga forca të shumta policie, por ende nuk është bërë e ditur se çfarë është gjetur në bord. Mësohet se jahti fillimisht kishte marrë drejtimin drejt Greqisë, por më pas ndryshoi kurs, ndërsa në përpjekje për t'iu shmangur autoriteteve, fiku dritat dhe vijoi lundrimin në errësirë. Gjatë ndjekjes, njëri prej personave në bord u hodh në det, por u kap pak më vonë nga Policia Kufitare.

Ende nuk dihen motivet e të shtënave dhe as kush ka qëlluar me armë, ndërsa hetimet vijojnë për të dokumentuar rrethanat e plota të ngjarjes. 

Ndërkohë, Policia në njoftimin zyrtar, bën me dije se janë ndaluar 4 persona të cilët ndodheshin në bordin e jahtit. Megjithatë, sipas bluve, gjatë kontrollit të tyre dhe në bord nuk është gjetur asnjë send i kundërligjshëm./ZËRI

7 ORE ME PARE

Biznesmeni i njohur dhe shqiptaro amerikani/ Çfarë ndodhi në jahtin e ndaluar në Palasë pas të shtënave me armë zjarri

Darka e milionerëve shkon keq/ Të shtëna me armë në
Astrit Gjonpalaj

HIMARË- Një ish-polic tashmë biznesmen tejet i njohur, pronar i një kompanie udhëtimesh, dhe një shtetas shqiptaro amerikan, janë dy të ndaluarit kryesorë për autorësinë e të shtënave me armë zjarri në jahtin e ndaluar tashmë nga Policia Kufitare dhe Delta Force.

ZËRI ka mësuar se bëhet fjalë për Astrit Gjonpalaj, pronar i "Globus Travel" dhe Astrit Meta, të cilët janë shoqëruar në Polici për ngjarjen. Të dy kanë qenë në jaht në momentin që është qëlluar me armë zjarri dhe më pas janë larguar me gomone. Sa kanë shkelur në kontakt me tokën janë ndaluar nga Policia, që menjëherë ka bërë shoqërimin e tyre dhe gjetjen e jahtit.

Ajo që është ende e paqartë janë rrethanat dhe arsyet e të shtënave në pikun e sezonit turistik në një zonë tejet të frekuentuar siç është Palasa./ZËRI

16 ORE ME PARE

Të shtënat me armë brenda jahtit në Palasë, reagon Policia: Dyshohet se është qëlluar në ajër, kontrolle nga toka dhe ajri

Darka e milionerëve shkon keq/ Të shtëna me armë në

HIMARË- Policia e Shtetit ka konfirmuar lajmin e raportuar më herët nga ZËRI, se nga një jaht në Palasë janë dëgjuar të shtëna me armë.

NJOFTIMI I PLOTË:
Himarë/Informacion paraprak

Rreth orës 21:00 është njoftuar se nga një jaht në det, përballë Palasës, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në ajër.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare dhe të Njësisë Policore Detare janë vënë në ndjekje të jahtit.

Njëkohësisht, janë njoftuar edhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë dhe të Stacionit të Policisë Dhërmi, të cilat po kryejnë kontrolle nga toka përgjatë vijës bregdetare.

Vijon ndjekja e mjetit lundrues, me qëllim verifikimin e informacionit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Në përfundim të operacionit për ndalimin e jahtit dhe të veprimeve të para hetimore do të jepet informacion i plotë për rastin./ZËRI

16 ORE ME PARE

EKSKLUZIVE/ Të shtëna me armë brenda jahtit në Palasë (VIDEO)


Darka e milionerëve shkon keq/ Të shtëna me armë në
pamje nga ngjarja

DHËRMI- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur  mbrëmjen e sotme në bregdetin e jugut, në zonën e Palasës. Burime i thanë ZËRI, se banorët e zonës kanë dëgjuar të alarmuar të shtëna me armë zjarri që kanë ardhur nga një jaht që ndodhej duke lundruar në det.

Po të njëjtat burime shtojnë se jahti është lokalizuar dhe po ndiqet nga Policia Kufitare ndërkohë që dy nga pjesëtarët e bordit janë larguar me gomone.

Ata janë ndaluar nga Policia dhe pritet të verifikohet se çfarë ka ndodhur në jaht. Identiteti i tyre ende nuk është zbardhur por paraprakisht mësohet se janë shtetasë shqiptarë. Dëshmi të kryqëzuara thonë se brenda jahtit ka qenë duke u zhvilluar një festë dhe më pas janë dëgjuar të shtënat./ZËRI

Poll

MOS HUMB