Patosi kundër bashkimit me Fierin, kryetari i Këshillit Bashkiak: Nuk i shërben interesit të banorëve
PATOS- Bashkia e Patosit ka shprehur kundërshtimin ndaj propozimit për bashkimin me Bashkinë e Fierit në kuadër të reformës së re administrativo-territoriale.
Sipas draftit të PS, parashikohet: Patos + Fier → Bashkia Fier.
Përmes një deklarate publike, kreu i Këshillit Bashkiak, Armand Ahmetaj, tha se ky propozim bie ndesh me qëndrimin e qytetarëve të Patosit. Sipas tij, çdo vendim duhet të merret vetëm pas një konsultimi të gjerë dhe transparent me komunitetin.
Reagimi i plotë:
Duke marrë në konsideratë shqetësimin dhe reagimet e shumta të qytetarëve të Bashkisë Patos, të cilët kanë shprehur qartë kundërshtimin e tyre ndaj propozimit të Komisionit për Reformën Territoriale për shkrirjen e Bashkisë Patos, si dhe pas takimeve e konsultimeve të zhvilluara me anëtarët e Këshillit Bashkiak ,dëshiroj të shpreh qëndrimin tim të qartë në mbështetje të vullnetit të komunitetit që përfaqësojmë.
Në cilësinë e anëtarit të Këshillit Bashkiak të Patosit vlerësoj se ky propozim nuk pasqyron interesin më të mirë të qytetarëve dhe nuk duhet të ecë përpara pa një proces të plotë, transparent dhe gjithëpërfshirës konsultimi me komunitetin vendor.
Si përfaqësues i zgjedhur nga qytetarët, e konsideroj detyrim institucional dhe moral të mbroj interesat e Bashkisë Patos, identitetin e saj administrativ, historik dhe shoqëror, si dhe të drejtën e banorëve për t'u dëgjuar në çdo vendimmarrje që prek të ardhmen e tyre.
I siguroj të gjithë qytetarët se zëri, mendimi dhe vullneti i tyre do të jenë zëri, mendimi dhe qëndrimi im. Në përmbushje të mandatit që kam marrë prej tyre, do të mbështes çdo nismë institucionale e ligjore që mbron vazhdimësinë e Bashkisë Patos si njësi e veçantë e vetëqeverisjes vendore.
Ftoj të gjitha institucionet përgjegjëse që, përpara çdo vendimmarrjeje përfundimtare, të dëgjojnë dhe të respektojnë vullnetin e qytetarëve të Patosit, pasi çdo reformë territoriale duhet të ndërtohet mbi parimet e demokracisë vendore, transparencës dhe pjesëmarrjes së publikut.
RESPEKT !
Selenica kundër bashkimit me Vlorën, banorët mblidhen kundër Reformës Territoriale
SELENICË- Reforma e re Territoriale e propozuar nga Partia Socialiste ka nxitur kundërshtime edhe në Selenicë, ku drafti parashikon bashkimin e kësaj bashkie me Bashkinë e Vlorës.
Banorë, përfaqësues të komunitetit, intelektualë dhe drejtues vendorë janë mbledhur këtë të shtunë në qendër të Selenicës për të kundërshtuar shkrirjen e bashkisë dhe humbjen e statusit të saj. Banorët shprehen se humbja e statusit të bashkisë do ta lërë Selenicën në harresë, ndërsa bashkimi me Vlorën, sipas tyre, do të vështirësojë marrjen e shërbimeve publike dhe do të ndikojë negativisht në zhvillimin e zonës.
Kuvendi i Selenicës u mblodh për të diskutuar qëndrimin e zonës dhe hapat që do të ndërmerren në vijim përballë ndryshimeve të propozuara territoriale.
Edhe kryetari i Bashkisë Selenicë, Nertil Bellaj, ka dalë kundër propozimit të Partisë Socialiste për reformën e re administrativo-territoriale, duke këmbëngulur se Selenica duhet të mbetet bashki më vete.
Reagimi i tij vjen pas deklaratës së deputetit Ardit Bido, sipas të cilit "Selenica donte vetë të shkonte në Vlorë". Bellaj e hodhi poshtë këtë pretendim, duke e cilësuar të pavërtetë dhe zhgënjyes për banorët e zonës.
Reagimi i plotë:
Të dashur banorë të Bashkisë Selenicë,
Mesazhet, telefonatat e shumta, qëndrimi i shprehur nga përfaqësues të komunitetit në mbrojtje të Bashkisë Selenicë, si dhe deklarata e deputetit Bido më obligojnë të bëj publik edhe një herë qëndrimin tim për reformën e re administrativo-territoriale.
Deklarata e deputetit Ardit Bido se “Selenica donte vetë të shkonte në Vlorë” është jo vetëm e pavërtetë, por edhe një zhgënjim i madh për banorët e kësaj treve. Të flasësh në emër të një komuniteti pa e pyetur atë është një goditje ndaj besimit që qytetarët kanë tek përfaqësuesit e tyre. Për shumë banorë të Selenicës, kjo u përjetua si një thikë pas shpine, në një moment kur pritej mbështetje për interesat e zonës dhe jo deklarata që i vendosin ato në pikëpyetje.
Dua të jem shumë i qartë: askush nuk ka të drejtë të vendosë apo të flasë në emër të Bashkisë Selenicë. Vullneti i banorëve nuk mund të zëvendësohet nga dëshirat apo qëndrimet personale të askujt.
Qëndrimi im ka qenë dhe mbetet i pandryshuar: Selenica duhet të mbetet bashki më vete. Ky nuk është një qëndrim që lidhet me interesa personale apo administrative. Është një detyrim ndaj qytetarëve, ndaj historisë, identitetit dhe potencialit të jashtëzakonshëm të kësaj bashkie.
Në dëgjesën pranë Komisionit Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale kam paraqitur argumente të qarta dhe të mbështetura në fakte se Bashkia Selenicë i plotëson të gjitha kushtet për të vijuar si njësi vendore më vete. Shtrirja e saj territoriale, numri i fshatrave, burimet natyrore, potenciali ekonomik dhe performanca e administratës vendore janë prova të mjaftueshme se kjo bashki ka të gjitha mundësitë për të vazhduar të zhvillohet.
Zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet dhe të respektohet. E ardhmja e kësaj bashkie nuk mund të ndërtohet mbi deklarata të pavërteta, por mbi vullnetin e komunitetit dhe interesin më të mirë të tij.
Me besim se zëri i banorëve të Bashkisë së Selenicës do të dëgjohet e vlerësohet pozitivisht nga deputetet e Qarkut Vlorë dhe kuvendit të Shqipërisë.
Fushë-Arrëzi kundër bashkimit me Pukën, kryebashkiaku: Referendum nga populli!
FUSHË-ARRËZ- Kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit, Hil Curri, ka kundërshtuar propozimin për shkrirjen e kësaj bashkie në kuadër të Reformës Territoriale, duke deklaruar se qytetarët do t’i drejtohen referendumit për të shprehur qëndrimin e tyre.
Curri deklaroi se Bashkia e Fushë-Arrëzit nuk ka marrë ende njoftim zyrtar nga institucionet për reformën, por ka nisur përgatitjet për procesin e referendumit përmes Këshillit Bashkiak.
Sipas tij, mungesa e konsultimit dhe shkrirja e bashkisë do të sillnin pasoja negative për zonën, duke larguar shërbimet dhe duke përshpejtuar shpopullimin.
"Ne si bashki nuk kemi asnjë lloj njoftimi zyrtar nga asnjë lloj institucioni për reformën. Por, paraprakisht Bashkia e Fushë-Arrëzit i ka marrë të gjitha masat, është emëruar Këshilli Bashkiak dhe ka filluar procesi për kalimin në referendum...U bëj thirrje të gjithë deputetëve që të mos votojnë një vendim që prek interesat e një komuniteti të caktuar, në rastin konkret të banorëve të Bashkisë së Fushë-Arrëzit. Çdo njeri që voton do të shpallet person i padëshiruar nga komuniteti ynë. Mendoj që është veprim i nxituar që nuk e përmison por vetëm e dëmoton jetën e qytetarëve. Ju largon shërbimin, e shpopullon.", shprehet Curri.
Sipas draftit të PS, parashikohet: Fushë-Arrëz + Pukë → Bashkia Pukë./ZËRI
Belshi kundër bashkimit me Elbasanin, banorët në protestë: Po na asimiloni!
TIRANË- Protestat kundër Reformës Territoriale vijojnë në disa zona të vendit dhe të tjera janë paralajmëruar të dielën, pas prezantimit të propozimit të Partisë Socialiste për hartën e re administrative, që parashikon shkrirjen e 15 bashkive dhe bashkimin e tyre me njësi të tjera vendore.
Këtë të shtunë, qytetarë të Belshit dolën në protestë kundër propozimit që parashikon bashkimin e kësaj bashkie me Elbasanin.
Me pankarta në duar, ku shkruhej “Rilindja e donte Belshin Kryeqytet, ju po e asimiloni”, apo "Bashkia jonë nuk është thjeshtë një numër", banorët kërkojnë që Belshi të ruajë statusin e bashkisë dhe kundërshtuan ndryshimet territoriale. Ndërkohë, në Belsh ka nisur edhe mbledhja e firmave për një peticion kundër reformës.
Sipas draftit të PS, parashikohet: Cërrik + Elbasan + Belsh → Bashkia Elbasan.
Reforma e re territoriale e propozuar ka nxitur protesta dhe kundërshtime nga disa bashki kanë nisur që pas publikimit të draftit.
Një ditë më parë, janë zhvilluar protest në Prrenjas, Dimal, Klos dhe Memaliaj, ku qytetarë dhe përfaqësues vendorë kundërshtuan shkrirjen e bashkive.
Propozimi i PS për ndarjen e re territoriale parashikon riorganizimin e hartës së pushtetit vendor dhe uljen e numrit të bashkive në 15 të tilla, nga 61 në 46. Në listën e bashkive që propozohet të shkrihen janë: Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Përrenjas, të cilat do t’i bashkohen bashkive më të mëdha. Sipas propozimit, struktura e re do të përbëhet nga 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative, ndërsa 20 bashki do të kenë më shumë se një qytet.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike në draftin e saj propozon rritjen e numrit të bashkive nga 61 qe janë aktualisht në 100 bashki. Drafti i PD parashikon ndarje me 100 bashki, 12 qarqe dhe 6 rajone. Sipas demokratëve, shtimi i numrit të bashkive do të mundësojë ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët dhe një menaxhim më efikas të territorit./ZËRI