Aksioni në Pogradec/ Kush janë 2 nga të arrestuarit, njëri pjesë e grupit të Gjin Nikës

POGRADEC-RENEA dhe Policia e Shtetit arrestuan sot në Pogradec 6 persona për krime të ndryshme, teksa ushtruan 28 kontrolle banesash për persona kontingjent krimi, me rrezikshmëri, të kërkuar apo në kushte flagrance. Të arrestuar janë Fatjon Bono, 35 vjeç, Aldi Hoxha, 34 vjeç, Eris Çekani, 41 vjeç, Denis Xhemollari, 33 vjeç, Arbri Berberi, 47 vjeç, Enxhi Xhemollari, 33 vjeç.
Dy prej të arrestuarve, Fation Bono dhe Eris Çekan janë edhe persona të njohur për Policinë në të kaluarën, për aktivitete të ndryshme të paligjshme.
Eris Çekani rezulton i përfshirë më 4 Mars 2023 në një konflikt në Pogradec, për të mosmarrëveshjeve për makinat që jepeshin me qira. Sherri mes tyre nuk ka përfunduar me aq, por të rinjtë, të cilët udhëtonin me dy makina, kanë ndjekur njëri-tjetrin si nëpër filma, deri në në aksin rrugor “Elbasan-Metalurgjik”. Në ndjekje përplasën edhe makinat mes tyre. Në pranga kanë rënë dy nga të rinjtë, ndërsa tre të tjerët kanë arritur të largohen.
Në pranga në atë kohë ranë dy të rinjtë, Eris Cekani, 39-vjeç dhe Gledis Dikellari, 23-vjeç, të dy banues në Pogradec, si dhe shpallën në kërkim të rinjtë M. Xh., 27 vjeç, banues në Tiranë dhe Sindi Syzo, 28 vjeç dhe B. Syzo, 31 vjeç, vëllezër, të dy banues në Pogradec. Kurse më 26 prill 2023 u bë arrestim tjetër i Marjo Xhangollit, pasi në bashkëpunim me vëllezërit Syzo, të cilët kërcënuan dhe i përplasën makinën Eris Çekanit.
Në bashkëpunim me Sindi Syzon dhe vëllain e këtij të fundit, më 18 prill, në aksin rrugor "Korçë-Pogradec", pranë vendit të quajtur Qafë Plloçë, përplasën qëllimisht, me automjetin e tyre, automjetin e një 39-vjeçarit Eris Çekanin. Këtë të fundit e kanosën, i dëmtuan me sende të forta automjetin dhe më pas u larguan me shpejtësi, nga vendngjarja. Xhangolli është mik i Sindi Syzos, i cili e ka të hershme historinë e konfliktit me Çekanin.
Fation Bono një dekadë më parë cilësohej nga policia si ndër personat më të rrezikshëm. I riu nga Pogradeci u arrestua sërish sot për disa vepra penale.
Në vitin 2015 ai ishte prangosur nga uniformat blu, sepse ka qenë në kërkim si i dyshuar për vepra të rënda penale ‘plagosje të rëndë me dashje’, ‘armëmbajtje pa leje’ dhe ‘kanosje’. Bono atë kohë (13 Nëntor 2015), u kap në Unazën e Re, pranë një lokali nga ana e Forcës Posaçme “Shqiponja”.
Bono cilësohet se ka qenë pjesëtar i një grupi me rrezikshmëri te lartë që njihet për aktivitetin kriminal, siç ishte ai i Gjin Nikës. Nika ishte vrarë ndërkohë një vit më parë arrestimit të Bonos (2014) në një atentat, teksa dyshohej për vrasje pas konflikteve të kromit në zonën e Bulqizës dhe më gjerë. Gjithashtu Nika dyshohej edhe si vrasës me pagesë në atë kohë. Por Bono nuk ka pasur akuza direkte për këto krime të Nikës.
Aksioni i sotëm erdhi në kuadër të ngjarjes të ndodhur rreth një javë më parë në një berberane, ku u dhunua barbarisht shtetasi N.A. Procedimi nisi një javë më parë për veprën penale “Vrasja e ngelur në tentativë”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 11.01.2025, ku shtetasi S.S tentoi të vriste me mjet prerës shtetasin N.A. Gjatë operacionit u sekuestruan armë të ndryshme, drogë dhe sasi të mëdha lekësh, shumica në valutë./ZËRI
RENEA dhe FNSH i kontrolloi banesën, reagon familja e Erjon Llapushit: S'gjetën asgjë të paligjshme!

POGRADEC- Familja e Erjon Llapushit ka bërë një reagim pas kontrolleve që ushtroi RENEA në banesën e tyre. Në një postim të bërë në rrjetet sociale, familjarët e të shpallurit në kërkim pretendojnë se asnjë nga personat e arrestuar sot nuk kanë lidhje me familjarin e tyre.
Madje kanë edhe një këshillë për mediat që kanë raportuar aksionin e uniformave blu në qytet.
"Ne lidhje me kontrollin e ushtruar diten e sotme ne banesen e familjes (prinderve) te Erjon Llapushit ne Pogradec, ju bejme me dije se asnje objekt I paligjshem nuk eshte gjendur ne banese, gje lehtesisht e verifikueshme nga proces-verbali i dorezuar nga policia pas kontrollit, i cili ju vihet ne dispozicionon ne vijim te ketij komunikimi, si edhe nga komunikata e Policise se Shtetit ne platformen sociale Facebook. Gjithashtu, theksojme qe asnje nga personat e proceduar penalisht diten e sotme nuk ka lidhje me Erjon Llapushin, pervecse jane banore te te njejtit qytet. Do te deshironim qe mediat të verifikojnë informacionet para se t’i publikojnë, dhe të kenë kujdes nga lajmet e rreme që mund të dëmtojnë individë,"-shkruhet në reagimin e tyre.
Aksioni nisi në orët e para të mëngjesit të sotëm në Pogradec, ku një total prej 200 efektivësh, kontrolluan 28 banesa. Gjatë aksionit, 14 persona u shoqëruan, por në pranga përfunduan 6 persona, disa prej tyre me precedentë kriminalë. RENEA bastisi edhe banesën e të shumëkërkuarit për vrasje, Erjon Llapushi, por nuk ishte në banesë. Në të gjitha pikat që është ushtruar kontroll, Policia ka gjetur armë, para dhe drogë./ZËRI
Aksioni i RENEA-ve në Pogradec/ Kontrolle në 28 banesa, 6 persona të arrestuar

POGRADEC- Policia ka dalë me një njoftim zyrtar për aksionin e zhvilluar sot në Pogradec. Në të dhënat zyrtare, mësohet se në aksion kanë marrë pjesë rreth 200 forca police, të cilët kanë kontrolluar 28 banesa. Në pranga kanë përfunduar: Fation Bono, Eris Çekani, Denis Xhemollari, Arbri Berberi, Aldi Hoxha dhe Enxhi Xhemollari. Në banesat e të gjithëve janë gjetur shuma të mëdha parash, armë zjarri dhe thika, por edhe lëndë narkotike.
NJOFTIMI I POLICISË:
Pogradec
Kontrolle intensive për goditjen e armëmbajtjes pa leje, lëndëve narkotike si dhe për kapjen e personave në kërkim. Kontrollet në kuadër të procedimit të nisur një javë më parë për veprën penale “Vrasja e ngelur në tentativë”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 11.01.2025, ku shtetasi S.S tentoi të vriste me mjet prerës shtetasin N.A. Në operacion u përshinë 200 forca police, konkretisht nga RENEA, Forca Kombëtare e Sigurisë, Drejtoria e Forcës së Posaçme operacionale, Drejtoria Vendore e Policisë Korçë dhe Komisariati i Policisë Pogradec.
Sekuestrohen armë zjarri, armë gjahu, armë të ftohta, lëndë narkotike kokainë, shuma parash e sende të tjera të kundërligjshme. Vihen në pranga 6 shtetas dhe vijon puna për kapjen shtetasve të tjerë. Në kuadër të operacionit në bazë të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë mbi lejimin e kontrollit, u ushtrua kontroll në banesat e 28 shtetasve, në automjete dhe ambiente të ndryshme të dyshuara se mund të strehoheshin personat e kërkuar. Si rezultat i kontrolleve masive të kryera në të njëjtën kohë në të gjitha lagjet e qytetit Pogradec, u arrestuan në flagrancë ku nga kontrolli i ushtruar këtyre banesave janë arrestuar nè flagrance shtetasit: •F.B, 35 vjeç, lindur dhe banues Vërdovë Pogradec , për veprat penale "Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale", "Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabande" dhe "Fshehja e të ardhurave". Nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij i janë gjetur një shumë monetare prej 6 015 900 lek , 22520 euro, 3200 dinarë maqedonas 2675 dollarë amerikane të cilat dyshohen se janë përfituar nga veprimtaria e tij kriminale. Gjithashtu nga kontrolli i ushtruar i janë gjetur në ambient magazine ne banesën e tij qindra litra naftë e dyshuar kontrabande nga Maqedonia e Veriut dhe një automjet i markës Land Rover, vit prodhimi 2018. •A.H., 34 vjeç, lindur dhe banues ne Pogradec për veprat penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armeve, armève shpërthyese dhe municionit" "Prodhimi , mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta" dhe "Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale". Nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij i janë gjetur 2 arme gjahu dhe një pistoletë pa leje përkatëse, një sasi municioni luftarak, 2 armë te ftohta të llojit thika flutur si dhe një shumè monetare prej 5 043 560 lek, 31 810 euro , 22 915 dollarë amerikane, 685 700 dinarë maqedonas, 2920 dollarë kanadeze, 1550 franga zvicerane, 800 dollarë australiane, 620 paund. •E.Ç., 41 vjeç lindur dhe banues në Pogradec, për veprat penale "Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa lejé e armëve të ftohta" dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armève, armëve shpërthyese dhe municionit". Nga kontrolli i ushtruar ne banesën e tij i janë gjetur 3 armë të ftohta (thika) njëra prej tyre thike stilolaps si dhe fishekë model 56. •D.Xh., 33 vjeç, lindur dhe banues në Pogradec për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike", pasi nga kontrolli i ushtruar i është gjetur një sasi e vogël lënde narkotike e llojit (kokainë). •A.B, 47 vjeç, lindur dhe banues në Pogradec për veprën penale " Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve tê ftohta" , pasi nga kontrolli i ushtruar i eshtë gjetur një armë e ftohtë (shufër hekuri me ngjyre të errët me doreze të gomuari të policisë). •E.Xh., 33 vjeç, lindur dhe banues në Pogradec për veprën penale "Organizimi i lotarive të palejuara" pasi nga kontrolli i ushtruar në dy aparatet e tij celularé i janë gjetur llogari (accounte) në emrin për vendosjen e basteve sportive për shtetas të ndryshëm me qëllim përfitimi si dhe një shume monetare prej 200 000 leke të dyshuara te përfituara nga kjo veprimtari. Operacioni vijon./ZËRI
Dështon aksioni i RENEA-ve! Erjon Llapushi nuk gjendet në banesë, pas kishte lënë vetëm paratë

POGRADEC- Dështon operacioni për kapjen e të shumëkërkuarit Erjon Llapushi. Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në Pogradec zbarkuan forcat RENEA, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe "Operacionalja". Po kërkohej Erjon Llapushit. Ndaj për kapjen e tij, në Pogradec janë kontrolluar 29 banesa, ku janë gjetur armë zjarri, lëndë narkotike dhe para.
Vetëm Llapushi nuk është gjetur.
Nga të dhënat e deritanishme, në banesën ku dyshohet se fshihej i shumëkërkuari u sekuestruan 14 mln lekë dhe 26 mijë dollarë. Më shumë se 14 persona janë shoqëruar për t'u marrë në pyetje në Komisariat, e po ashtu raportohet se janë prerë edhe disa fletë-arresti, por ende nuk ka asgjë të konfirmuar./ZËRI
RENEA i rrethoi shtëpinë, kush është Erjon Llapushi, në vitin 2021 vrau kamarierin në Elbasan

POGRADEC- Policia e Korçës, RENEA, Forcat e ndërhyrjes së Shpejtë, Shqiponjat dhe Forca e Posaçme Operacionale zhvilluan një operacion masiv në Pogradec, ku rrethuan dhe banesën e të kërkuarit Erjon Llapushi. Erjon Llapushi është një personazh i njohur për drejtësinë shqiptare, pasi në vitin 2021 vrau kamarierin në një restorant në Elbasan, Gazment Kurmaku. Llapushi kapi për fyti kamarierin, e kërcënoi me thikë dhe më pas e vrau. Llapushi akuzohet për veprën penale "vrasje me dashje", ndërsa shoku i tij, me të cilin ishte në momentin e ngjarjes, Luan Dulellari akuzohet se mozkallëzim krimi dhe përkrahje të autorit.
Më 2 tetor 2021, autori kishte hyrë dhe ishte ulur në një vend të rezervuar, gjë që iu vu në dukje nga kryekamarieri. Këtu ka nisur debati mes tyre dhe Llapushi e ka goditur, ndërkohë që kamarieri pas goditjeve fizike është përplasur dhe me një nga tavolinat në lokal. Me plagë të rëndë ai u dërgua në spitalin e Traumës ku edhe pësoi vdekje klinike, por ndërroi jetë 5 ditë më vonë.
Prej vitesh, Erjon Llapushi është shpallur në kërkim nga Policia, por ende nuk është arrestuar nga uniformat blu. I shpalluri në kërkim, Erjon Llapushi, nuk është i panjohur për Policinë e Elbasanit, pasi rezulton person me precedent të mëparshëm penal. Disa vite më parë, Llapushi, së bashku me Saimir Frahollin u futën në mënyrë të dhunshme aksionerë në një kompani private e transportit rrugor. Fraholli e Llapushi synonin t’i merrnin pasurinë me dhunë dhe presion psikologjik dy biznesmenëve në Pogradec. Përgjatë dy muajve hetime u provua se Saimir Fraholli dhe Erjon Llapushi, nëpërmjet formave të ndryshme kishin mundur t’i marrin 17% të aksioneve një kompanie private për transportin e udhëtarëve në linjat Pogradec-Korçë dhe Pogradec-Tiranë.
Më pas të gjitha i kishin shitur tek një person tjetër. Të dy janë denoncuar në vitin 2018 por nuk dihet se sa janë dënuar në Gjykatë. Ndërkohë që Erjon Llapushi ka qenë i dënuar për dy akuza të tjera, atë të “Plagosjes së rëndë me dashje” dhe “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve dhe municionit”. Në vitin 2008, ai ka plagosur Mariglen Topuzin, ndërsa qëndronte bashkë me të. Topuzi është qëlluar me armë zjarri, duke marrë një plagë në kokë dhe një plagë në gjoks poshtë zemrës. Nëdrsa në vitin 2007, ai tentoi të vrasë Andi Sukollarin, ngjarje për të cilën ai u dënua. Pas përfundimit të dënimit, një vit më vonë ai plagosi Topuzin. /ZËRI
Operacion masiv në Pogradec/ Sekuestrohen armë dhe drogë, rrethohet banesa e të kërkuarit Erjon Llapushi

POGRADEC- Policia e Korçës, RENEA, Forcat e ndërhyrjes së Shpejtë, Shqiponjat dhe Forca e Posaçme Operacionale janë duke zhvilluar operacion masiv në Pogradec. Mësohet se autoritetet po zhvillojnë një operacion për drogë, armë dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim. Deri më tani janë duke u zhvilluar dhjetëra kontrolle në banesa të ndryshme.
RENEA ka rrethuar banesën e të kërkuarit Erjon Llapushi dhe po ushtron kontroll të imtësishëm në brendësi të banesës së tij. Mësohet autoritetet kanë sekuestruar armë zjarri, armë gjahu, armë të ftohta, 100 mijë euro dhe lëndë narkotike. Deri më tani janë shoqëruar 14 persona persona në komisariat.
Policia ende nuk ka dhënë një njoftim zyrtar në lidhje me këtë operacion, por pritet të japë një deklaratë për mediat pasi të përfundojë. /ZËRI